Kryeministër Shqiptar me qeveri shqiptarësh!

Opinione

Kryeministër Shqiptar me qeveri shqiptarësh!

Nga: Alpin Ollogu Më: 5 korrik 2020 Në ora: 12:20
Alpin Ollogu

E drejta kushtetuese e shqiptarëve shtet-formues në Maqedoninë e Veriut, për të aspiruar dhe për të pasur një kryeministër Shqiptar, buron si rezultat i dy aspekteve thelbësor, aspekti i pakundërshtueshmërisë së kandidimit të tillë, nga dispozitat pozitive ligjore, si dhe aspekti i rolit konstruktiv, përshpejtues, që do të kishte një kryeministër me përkatësi shqiptare, në materializimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Mund të themi edhe si një provokim i drejtëpërdrejt kundrejt palës maqedonase, penguese e e këtij plotësimi të marrëveshjes kornizë, apo kontratës së mbijetesës së shtetit të atëhershëm, dhe Maqedonisë së Veriut sot.

Marrëveshja e Ohrit, e parafrazuar në një kontratë kapitullimi ushtarak, krijoi marrëveshjen e paqes se 5 korrikut 2001. Kapitullim i pushtetit dhe ushtrisë së atëhershme maqedonase, kapitullim nga populli shqiptar, Ushtria çlirimtare Kombëtare, detyrojnë palën maqedonase, në një kohë të përcaktuar, të ligjësojë plotësisht të drejtat e kontraktuara shqiptare. Në të kundërtën, në rast cënimi, logjikisht, përsëri vihet në pyetje, ekzistimi i shtetit me territorin e tij.

Aktualisht, partia më e madhe shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, zyrtarisht, nga kryetari Ali Ahmeti, është bartëse e promovimit të aspiratës kryeministrore shqiptare. Si parti me përvojë të gjatë në koalicionimet qeveritar me kryeministra maqedonas, e ka ndjerë më shumë në lëkurën e saj të qeverisjes politike, zvarritjen, demagogjinë dhe shkopinjtë pengues në rrotën e realizimit kontratktues, gjegjësisht Marrëveshjes kornizë. Këtu, duke mos i arsyetuar të njejtët, me dobësitë në përballjen e bashkëqeverisjes me partitë maqedonase në periudha të caktuara. Prandaj tani, jorastësisht provokon dhe aspiron një kryeministër jo-maqedonas.

Pala maqedonase të cilat janë mësuar ta shohin pushtetin kryeministror si monopol të tyre, ju bën reaksion psikiko-politik, aspirata e tillë e kandidatit Shqiptar, për ta ri-shfaqur partitë maqedonase, shkarazi dhe drejtëpërdrejt, natyrën e brumosur politiko – ideologjike. Ata të cilët sot, ashtu si para tre viteve, kërkojnë vota shqiptare për pushtet, për të bërë votuesit shqiptarë me ato vota, atë që unë kam shkruajtur atëherë se: “Votat e shqiptarëve për LSDM-në, janë votat e tradhëtisë kombëtare”, pra janë një lloj kurthi kombëtar. Kkreu i social demokratëve maqedonas, deklaron se është në gjendje ti japë deputet Mickovskit të VMRO-së (deputet të bërë edhe me votat e shqiptarëve), vetëm e vetëm që sipas tij, Ali Ahmeti të mos “shantazhojë” me kryeministër shqiptar.

Megjithatë, sot, shqiptarët në pozitë, shqiptarët e pas Marrëveshjes së Ohrit, nuk kanë më shqiptarë destruktiv në opozitë, paterica të maqedonasve që futen në pushtet në shitje të interesit Shqiptar. Sepse pavarësisht kundërshtimeve, akuzave dhe garës politike ndaj Ali Ahmetit, kreu i Aleancës për shqiptarët, edhe nga pozicioni i koalicionit me partinë Alternativa, ju përgjigj mençurisht nga tubimi në Strugë, mentalitetit të partive kryesore maqedonase, duke i dalë zot në një farë mënyrë vëllaut të tij shqiptar Ali Ahmeti, përfaqsuesit politik të pjesës tjetër shqiptare në këto hapësira. Ai ju tha partive maqedonase se: “Nëse ju, Zaev dhe Mickovski, dëshironi të bëni qeveri maqedonësh, shqiptarët do të bëjnë qeveri shqiptarësh”.

Këtë deklaratë të Ziadin Selës, duhet ta mbajnë “vath ne vesh”. partitë maqedonase. Sepse bashkimi i faktorit politik shqiptar, ku dhe si mund të bëhet qeveria - qeveri shqiptarësh, e kuptojnë shumë mirë partitë maqedonase. Mos të luajnë me monopole nacionale, se konstrukti i këtij shteti është shumë i brishtë, thyhet shpejt. Arabët e thonë një fjalë të urtë: “Mos i gjuaj tjetrit me gur, kur shtëpine tënde e ke prej xhami”.

Për nga rrethanat, politika e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ngjason më shumë me shqiptarët e Luginës dhe Malit të Zi, sesa me atë të Kosovës dhe Shqipërisë administrative. Andaj hera herës domosdoja e kërkon forcën e bashkimit politik Shqiptar, përball një politike dhe retorike etnike monopolizuese të palës tjetër, që ndryshon metodologji, herë në emër të “Bashkim vëllazërimit”, e herë në të “shoqërisë qytetare”. Sa herë që dikush mund të kërkojë të cënojë marrëveshjen e paqes, kontratën e 2001-shit, merituesin dhe bazamentin e avancimit të së drejtave shqiptare, shqiptarët duhet të bëhen bashkë, moralisht dhe politikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat