Sot duhet patriotizmi i PLAN-it

Opinione

Sot duhet patriotizmi i PLAN-it

Flamur Radoniqi Nga Flamur Radoniqi Më 6 korrik 2020 Në ora: 07:53
Krerët e PLAN-it

Nëse ende e kanë, patriotizmi i PLAN-it sot na duhet më shumë se kurrë. 

Gjithë ato klithmat në kohët e fundit, që të kemi unitet politik janë me vend, porse me vonesë.

Pse nuk u dëgjuan me 4 Shkurt kur Agim Veliu deklaroi se koalicioni LVV-LDK nuk do të zgjaste më shumë se një vjet?

Pse nuk u dëgjuan me 17 Mars kur Presidenti Thaçi kërkoi gjendjen e jashtëzakonshme, si mjet politik që t’ia rriste kompetencat vetit duke e sabotuar qeverinë?

Mbi të gjitha, ku ishte kjo ndjenjë uniteti me 25 Mars, kur Albin Kurti dhe qeveria e tij u paditën, akuzuan dhe gjykuan nga po ai grup politik që e rrëzuan atë në emër të “luftimit të pandemisë dhe rimëkëmbjes ekonomike”, e i cili grup sot kërkon unitet?

Në rregull, “shkoft e mos u ktheft” thonë në Gjakovë, po çka tash?

Për shembull, pse do të duhej të pajtohemi me këtë thirrje për unitet? Vetëm sepse Presidenti dhe kreu i PDK-së janë emëruar në aktakuzën e Gjykatës Speciale? Për atë nuk ma duhet thirrja nga LDK dhe nga Isa Mustafa. Secili qytetar shqiptar i Kosovës do të rreshtohej prapa Presidentit Thaçi, Kadri Veselit dhe 9 emrave tjerë (të panjohur), pa na kërkuar askush, uvetëm pse ata janë gjaku ynë.

Ne shqiptarëve nuk na duhet thirrja e Isa Mustafës për t’i dalë në mbrojtje vëllaut tonë, përkundër gabimeve trashanike që ai t’i ketë bërë gjatë viteve. Ajo mbrojtje vjen vetvetiu nga gjaku ynë, nga mënyra si jemi rritur dhe mësuar nga prindërit tanë dhe gjeneratat e shumta para tyre.

Por ky unitet, ky patriotizëm duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Nuk duhet të jetë vetëm qëllim unilateral i një pozite të tanishme.

Gjithëpërfshirja duhet që së pari të reflektojë në gabimet, ndoshta edhe padrejtësitë që i’u bënë vëllaut të vogël. Atij, të cilit po ky grup ja ktheu shpinën dhe e braktisi në kohët më shpresëdhënëse, dhe më të vështirat për shtetin tonë të ri.

Nëse situata e shëndetsore dhe ekonomike në Kosovë qenka aq e keqe, pse erdhëm deri këtu? 

A do të kishim mundur ta evitonim një gjendje të tillë po të rreshtoheshin të gjitha forcat politike rreth qeverisë së zgjedhur nga populli? Ndoshta edhe jo, por do të ishim të unifikuar rreth qeverisë së votuar dhe pa drama politike të cilat veç sa e thelluan ndamjen në popull, dhe e egërsuan gjuhën ndaj njëri tjetrit.

Unifikim po! 

Por vetëm rreth atyre që fituan shumicën e votave elektorale, e jo atyre që e shfrytëzuan demokracinë dhe rrugën parlamentare për t’i shuajtur etjet e tyre për pushtet. 

Dilni para sovranit dhe dëgjoni zërin e tyre. Vetëm atëherë mund të kemi unitet të përqëndruar rreth atyre që janë më afër popullit.

Tregoni patriotizmn tuaj dhe Kërkoni që populli ta jep verdiktin e tyre, sepse ajo është demokracia e vërtetë, e jo etjet personale dhe partiake për qeverisje.

Çlirohuni njëherë e për gjithmonë nga ndjenja e domosdoshmërisë qeverisëse. 

I duheni popullit edhe në opozitë nëse atje ju dërgon populli për të cilin punoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat