Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 kishte edhe akterë në prapaskenë

Opinione

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 kishte edhe akterë në prapaskenë

Nga: Hamza HALABAKU Më: 7 korrik 2020 Në ora: 14:13
Hamza Halabaku

Akterë kryesorë të ngjarjes historike kur u shpall këtu e 30 vjet më parë Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, që në popull njihet si Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, kanë qenë delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, por një kontribut vetëmohues kanë dhënë edhe punonjësit e Shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës, por që fare pak, ose aspak nuk përmenden nga ata që u është i njohur ky fakt

Më 2 korrik të këtij viti u shënua 30-vjetori i një date të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, ditës kur delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e shpallën Deklaratën kushtetuese mbi Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të federatës (konfederatës) të Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në federatë (konfederatë), që në popull njihet si Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, aq sa pata unë mundësi të ndjek, ishin disa shkrime dhe emisione televizive, të cilat pasqyronin kohën dhe rrethanat e para tri dekadave dhe momentin kur delegatët morën atë vendim të guximshëm historik.

Në këtë shkrim timin që nuk dua të merret si reagim do të ndalem në një segment tjetër. Fjalën e kam për kontributin që atë ditë, por jo vetëm atë ditë, kanë dhënë punonjësit e Shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës, por që fare pak ose aspak përmenden nga ata që u është i njohur ky fakt i angazhimit vetëmohues. Dhe kur flitet për guximin e heroizmin e delegatëve të atëhershëm, a nuk është e udhës që së paku me pak fjalë të përmenden edhe punëtorët e administratës për punën dhe angazhimin e tyre vetëmohues.

Duke shikuar emisionin “Arkivi” të RTK-së, ku mysafirë ishin Ilaz Ramajli, Muharrem Shabani dhe gazetari e publicisti Nuhi Bytyçi, përballë moderatorit të këtij emisioni Fisnik Durgutit, kam pritur që nga Ilaz Ramajli dhe Muharrem Shabani të dëgjoj së paku ndonjë fjali që do ta përmendnin edhe angazhimin vetëmohues të punonjësve të atëhershëm të Shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës. Emisioni ishte i mirë dhe mysafirët në emision shpaluan shumë detaje nga ajo kohë e para tri dekadave.

E di se akterë kryesorë të asaj ngjarje kanë qenë delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, të cilët nuk u lejuan të hyjnë në ndërtesën e tyre, e cila po mbahej në shtetrrethim nga policia e Serbisë. Me gjithë informacionet që i kishin se janë në shënjestër edhe të snajperistëve që ishin vendosur në ndërtesat përreth, delegatët mbledhjen e caktuar e mbajtën para ndërtesës së Kuvendit, nën qiellin e hapur, dhe e miratuan Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova shpallej njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës së Jugosllavisë.

Me këtë akt të guximshëm politiko-juridik Kosova u shkëput nga Serbia, ku padrejtësisht e kishin bashkëngjitur në vitin 1945 dhe vetëm pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974 kishte frymuar pak më ndryshe edhe si element konstituive i Federatës të atëhershme jugosllave. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 anulonte edhe ndryshimet e dhunshme kushtetuese që Serbia i kishte bërë një vit më herët, në rrethana shtetrrethimi, duke e lënë Kosovën pa asnjë atribut të shtetësisë. Një vit më herët jo vetëm që, policë, kishte në ndërtesë e jashtë ndërtesës së Kuvendit, po kishte edhe ushtarë e mjete të blinduara policore e ushtarake.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës nga delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, të cilën më vonë mësova se e kishte hartuar akademiku Gazmend Zajmi, ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe.

Për guximin e delegatëve të asaj legjislature kam shkruar edhe unë disa herë, madje në vitin 2012 kam botuar një libër modest që i kushtohet kësaj ngjarje me titull “Një ditë midis dy epokash (2 korriku dhe dokumente të tjera që çuan deri te pavarësia)”. Në atë libër jam përpjekur që t’i pasqyrojë të gjitha ato që kanë ndodhur atë ditë brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ashtu siç unë i kam parë ato zhvillime të asaj dite të 2 korrikut 1990, datë kjo që ka hyrë në historinë e Kosovës. Në atë libër jam përpjekur ta pasqyrojë edhe angazhimin e Byrosë së Sekretarit të Kuvendit, si dhe ndihmën e daktilografes, Fetije Hajdini, që nuk bënte fare gabime, për ta daktilografuar tekstin e deklaratës e të procesverbalit, për ti redaktuar materialet dhe për t’i dërguar për botim në “Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës”. Në libër kam përmendur ndihmën e të gjithëve dhe në veçanti të juristit të njohur që kishte atëherë Kuvendi, Shaban Brunçaj, i cili edhe pse nuk e kishte obligim pune nuk u nda asnjëherë nga unë dhe bashkëpunëtorët e mi që ishin të sistemuar në byronë e cekur më lart. Shaban Brunçaj, tani më i ndjerë, dritë pastë, ishte ndër juristët më të mirë të Shërbimit profesional të Kuvendit dhe ishte një koleg e burrë i kujdesshëm.

Në librin ”Një ditë midis dy epokash”, fq. 120 -123, dhe 124 - 125, dy delegatë shumë aktiv të asaj kohe, prof. Dr. Skender Skenderi dhe kryesuesi i mbledhje, i ndjeri, Bujar Gjurgjeala, kanë shkruar mendimin e tyre. Për dijeninë e opinionit, që nga data 2 qershor e vitit 1982, kur, nga Kryesia e Kuvendit, isha emëruar ndihmës sekretar i Kuvendit të Kosovës, kam mbajtur procesverbalet nga mbledhjet e përbashkëta të të gjitha dhomave të Kuvendit të KSA të Kosovës; shënimet zyrtare – procesverbalet nga mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit, bashkë me bashkëpunëtorët përgatisnim ligjet, dekretligjet, rezolutat, vendimet, aktvendimet dhe të gjitha dokumentet e tjera që i miratonte Kuvendi, të cilat pastaj publikoheshin në “Gazetën zyrtare “. I kam përgatitur skenarët për mbledhjet e përbashkëta të të tri dhomave të Kuvendit e shumë punë të tjera profesionale, sipas akteve normative që ishin në fuqi në bazë të Rregullores së punës së Kuvendit. Që nga ajo datë kam qenë bashkë me delegatët e atij Kuvendi. Sa herë janë mbajtur mbledhjet e përbashkëta të të tri dhomave, pos që paraprakisht e kam hartuar skenarin e pas mbledhjeve e kam përgatitur edhe procesverbalin.

Atë ditë, me 2 Korrik të vitit 1990, jam angazhuar që Deklarata Kushtetuese të botohet në “Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës.” Ajo, vërtetë, ditën e nesërme u botua në Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës” dhe në këtë mënyrë u shpërnda gjithandej ku duhej të shpërndahej dhe u zyrtarizua. Pastaj, sipas porosis së të madhit Ilaz Kurteshit, atëherë delegat në Dhomën Federative të Kuvendit të RSF të Jugosllavisë, që të mbaj, të paktën, një shënim zyrtar, që të mbetej gjurmë në historinë tonë, miratimi apo shpallja e Deklaratës kushtetuese, sipas shënimeve të mbajtura gjatë mbledhjes e kisha hartuar Procesverbalin nga ajo mbledhje. Përveç Procesverbalit, me dorën time, origjinalin e Deklaratës kushtetuese, e dërgova në Arkivin e Kosovës dhe, bashkëpunëtorët e Arkivit, si më thanë ata, e mikrofilmuan Deklaratën Kushtetues tri herë dhe më porositën se nuk kishim nevojë të brengoseshim as të fiksoheshim as Ilaz Kurteshi as unë e askush nga Shërbimi i Kuvendit të KSA të Kosovës.

Vërtetë, menjëherë u ktheva në ndërtesën e Kuvendit dhe e njoftova edhe Ilaz Kurteshin, ish funksionar shoqëror-politik të asaj kohe, se kisha vepruar sipas porosisë së tij. Ilaz Kurteshi ishte njëri nga udhëheqësit shoqëror – politik të asaj kohe, për të cilin asnjëherë nga askush nuk kisha dëgjuar ndonjë fjalë të keqe. Ilaz Kurteshi ishte udhëheqës i lartë politik i Kosovës që tërë karrierën e punës së tij shoqërore e politike e kreu me faqe të bardhë! Po atë ditë, në mbrëmjen e 2 korrikut të vitit 1990, kryesuesi i mbledhjes historike të Kosovës, Bujar Gjurgjeala, bashkë me sekretarin e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Çështje Kushtetuese, kolegun tim, Halit Muharremin, kanë ardhur dhe para ndërtesës ku unë banoja, dhe Bujar Gjurgjeala e ka nënshkruar Deklaratën Kushtetuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat