Sa i avancuar është Kodi Civil? Shqyrtimi i dispozitave rreth ndarjes së pasurisë dhe mbatjes financiare - Bota Sot
Sa i avancuar është Kodi Civil? Shqyrtimi i dispozitave rreth ndarjes së pasurisë dhe mbatjes financiare

Opinione

Sa i avancuar është Kodi Civil? Shqyrtimi i dispozitave rreth ndarjes së pasurisë dhe mbatjes financiare

Nga: Luljeta Aliu Më: 8 korrik 2020 Në ora: 18:04
Luljeta Aliu

Ministri i Drejtësisë të martën e lajmëroi procedimin në Qeveri të Kodit Civil, duke e përshkruar si një arritje të madhe. Është pretenduar se Kodi Civil e ka siguruar edhe qasjen e barabartë në pasurinë e përbashkët bashkëshortore për të dy bashkëshortët. Përfundimi i projektit disavjeçar për përmbledhjen e ligjeve civile në një Kod të përbashkët është padyshim një lajm i mirëpritur për qytetarët që kanë shpreshuar në avancimin dhe harmonizimin ligjjor të çështjeve civile.

Megjithatë, ne si shoqëri civile nuk pajtohemi me pretendimet e grupit punues të Kodit Civil se është rregulluar në mënyrë të pakontestueshme qasja e barabartë në pasuri të përbashkët dhe e drejta në mbajtje financiare.

Ligji për Familjen i vitit 2004 është ndryshuar dhe plotësuar dhe amandamentimi i qartësuar ka hyrë në fuqi në janar 2019. Ndryshimi i këtij ligji ka pasur për qëllim pikërisht dhe ekskluzivisht rregullimin e saktë dhe të pakontestueshëm të mënyrës së ndarjes së pasurisë bashkëshortore të krijuar gjatë martesës dhe sigurimin e qasjes së drejtë në mbajtje financiare për bashkëshortin e shkurorëzuar. Arsyeja për këtë ndryshim ishte paqartësia ligjore rreth barasvlefshmërisë së punës me edukimin dhe rritjen e fëmijëve, mirëmbajtjen e shtëpisë, kujdesin ndaj të moshuarve dhe punë tjera që kryhen në amvisëri në njërën anë dhe punës së paguar me të ardhura në anën tjetër.

Ligji për Familjen i vitit 2004 e ka njohur të drejtën e barabartë, në pjesë të barabarta të bashkëshortëve në pasurinë e krijuar gjatë martesës dhe e ka rregulluar këtë në nenin 47, nenin 54 dhe nenin 55. Neni 47 i vitit 2004 thekson se pasuria e përbashkët “është pasuria e fituar me punë gjatë martesës” dhe se “bashkëshortët janë pronarë të përbashkët në pjesë të barabarta të pasurisë së përbashkët”. Neni 54 i Ligjit për Familjen (2004) thekson se nëse kanë mosmarrëveshje mes ndarjes së pasurisë, gjykata duhet të vendosë dhe se “vendimi duhet të bazohet në kontributin e bashkëshortëve, përmes vlerësimit të të gjitha rrethanave dhe jo duke marrë parasysh vetëm të ardhurat personale dhe të hyrat e tjera të secilit bashkëshort, por edhe ndihmën e njërit prej bashkëshortëve të ofruar bashkëshortit tjetër, si kujdesin për fëmijët, udhëheqjen e punëve të shtëpisë, përkujdesjen dhe mirëmbajtjen e pasurisë si dhe çfarëdo forme tjetër të punës dhe të bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët.”

Neni 55 i Ligjit për Familjen (2004) rregullon si duhet të bëhet përcaktimi i pjesëve të pasurisë së përbashkët nga gjykata dhe në paragrafin 2 qartëson se njëri bashkëshort mund të ketë një pjesë më të madhe nga pasuria e përbashkët vetëm nëse ai bashkëshort ka pasur pasuri të veçantë.

Marrë parasysh këtë rregullim ligjor, çdoherë ndarja e pasurisë së përbashkët bashkëshortore është dashur të bëhet në pjesë të barabarta, pa marrë parasysh a kanë punuar të dy bashkëshortët, sa kanë qenë të hyrat e tyre apo edhe a ka qenë ndonjëri prej tyre i papunë, por duke u kujdesur për fëmijët dhe shtëpinë. Megjithatë, në praktikën tonë gjyqësore këto dispozita nuk janë respektuar për arsye të ndryshme, njëra ndër to duke qenë mungesa e një formulimi të qartë dhe të pakontestueshëm rreth mënyrës së ndarjes së pasurisë dhe barasvlefshmërisë së punës apo kontributeve të të dy bashkëshortëve. Në praktikë gjyqësore, gabimisht dhe pa asnjë të drejtë, pa asnjë dispozitë ligjore si bazë, gjykata ka caktuar ekspertë financiarë për ndarjen e pasurisë së përbashkët, përkundër që ligji e ka rregulluar se pasuria duhet të ndahet në pjesë të barabarta. Në praktikë, gjykata duke u bazuar në vlerësime të punës së papaguar në shtëpi për gratë nga ana e ekspertëve financiarë, punës së amvisërisë me përkujdesjen për fëmijët dhe mirëmbajtjen e shtëpisë ia ka caktuar një vlerë të një page minimale rreth 135 euro në muaj. Kjo nënkupton se bashkëshorti/tja e papunësuar jashtë shtëpisë nga pasuria e përbashkët ka marrë në fund një pagesë retroaktive mujore prej 135 eurosh! Kjo formë e ndarjes së pasurisë, përpos që është absolutisht e papranueshme, e padinjitetshme, e pandershme, ajo edhe është jashtëligjore dhe shkelje e të drejtave pasurore dhe të drejtave të njeriut. Eksperti financiar mund ta përcaktojë vetëm vlerën ekonomike të një sendi, por jo edhe vlerën e një pune. Mbi të gjitha, eksperti financiar nuk mund të përcaktojë se si duhet të ndahet pasuria e përbashkët, kur ajo veçse është e rregulluar me ligj se duhet të ndahet 50/50.

Shkelje të ngjashme drastike kanë bërë gjykatat edhe gjatë përcaktimit të vëllimit të mbajtjes financiare për bashkëshortin e shkurorëzuar dhe për fëmijët. Përkundër që në nenin 285 të Ligjit për Familjen (2004) thuhet se mbajtja financiare duhet të bëhet në proporcion me kushtet jetësore që ka pasur familja gjatë martesës dhe që në nenin 330 thuhet se mbajtja duhet të bëhet në proporcion me të gjitha mjetet e të paditurit (pra jo vetëm në bazë të të ardhurave, por edhe të pasurisë), në praktikë gjykatat ndryshe e kanë bërë përcaktimin e vëllimit të mbajtjes financiare. Gjykatat tona, duke shkelur ligjin, vëllimin e mbajtjes për fëmijë dhe për bashkëshortin/en e shkurorëzuar e kanë caktuar në bazë të standardit jetësor NË KOSOVË! Dallimi me ligjin është se ligji kërkon që vëllimi të bëhet sipas standardit jetësor NË MARTESË! E jo të gjitha familjet e kanë standardin e njejtë. Prandaj edhe nuk ka të drejtë gjykata të përcaktojë shuma paushalle për fëmijë sipas hamendjes, por duhet të sigurohet që standardi i fëmijëve dhe bashkëshortit të shkurorëzuar të mos degradojë dhe vëllimi i mbajtjes financiare të bëhet në formë progresive sipas të hyrave të të paditurit dhe mjeteve tjera të tij.

Të gjitha këto shkelje të ligjit që janë bërë gjatë procedurave të caktimit të mbajtjes financiare dhe të ndarjes së pasurisë kanë qenë arsyeja pse shumë qytetarë, kryesisht gra, kanë pësuar ekonomikisht. Duke e ditur se ndodhin padrejtësi në sistemin e drejtësisë, shumë nga ta nuk kanë pasur mundësi të largohen nga një martesë abuzive dhe kanë përfunduar madje duke u vrarë.
Iniciativa për ndryshimin dhe saktësimin e Ligjit për Familjen e ndërmarrë në nëntor 2017 nga Luljeta Aliu dhe e votuar në Kuvend nga të gjithë deputetët e pranishëm në formë unanime, ka hyrë në fuqi në janar 2019. Arsyeja për këtë ndryshim dhe saktësim ka qenë që të ndihmohet sistemi i drejtësisë që në mënyrë të drejtë të implementojë ligjet e avancuara të Republikës së Kosovës, duke mos e shkelur të drejtën e qytetarëve dhe duke mos diskriminuar asnjërin bashkëshort.

Përmes këtij ndryshimi, neni 47 i Ligjit për Familjen e ka saktësuar se „pasuria e përbashkët krijohet me kontribut të përbashkët gjatë vazhdimit të martesës“, se „kontribut i përbashkët konsiderohet: 1. të ardhurat personale dhe të hyrat e tjera të secilit bashkëshort“ dhe „2. ndihma e bashkëshortit e afruar bashkëshortit tjetër, siç është kujdesi për fëmijët, udhëheqja e punëve të shtëpisë, përkujdesja dhe mirëmbajtja e pasurisë, si dhe çfarëdo forme tjetër e punës dhe e bashkëpunimit lidhur me administrimin, mirëmbajtjen dhe shtimin e pasurisë së përbashkët.“ Përpos kësaj është saktësuar edhe neni 305, i cili i kushtohet vëllimit të mbajtjes financiare të bashkëshortit të shkurorëzuar. Në këtë nen ka ekzistuar një gabim teknik dhe për shkak të atij gabimi teknik në praktikë neni 305 shumë rrallë është përdorur dhe mospërdorimi i tij është arsyetuar duke u bazuar në po atë gabim teknik. Gabimi konziston në referimin e nenit 305 tek neni 306, paragrafi 3. Një paragraf 3 nuk ekziston në nenin 306. Ekziston një pikë 3 e paragrafit 2 në nenin 306, dhe kjo pikë fare nuk ka të bëjë me nenin 305 në kontekstin siç është përdorur.

Gjatë përpilimit të Kodit Civil, ndryshimi i Ligjit për Familjen veçse ka qenë në fuqi. Për arsye të panjohura, këto ndryshime esenciale për mbrojtjen e të drejtave pasurore të bashkëshortëve, nuk janë përfshirë në Kodin Civil. Përkundër që grupi punues i Kodit Civil ka qenë i detyruar që të përfshijë të gjitha ligjet ekzistuese të vlefshme, përkundër që janë organizuar konferenca të përbashkëta mes grupit punues të Kodit Civil dhe shoqërisë civile ku kjo e fundit qartazi ka kërkuar që rregullimi i bërë me ndryshimin e Ligjit për Familjen i vitit 2019 duhet të pëfshihet në Kod Civil dhe përkundër informatave të bollshme rreth padrejtësive që bëhen në gjykata gjatë ndarjes së pasurisë dhe mbajtjes financiare, Kodi Civil në verzionin e dërguar në Qeveri dhe që pritet të votohet në Kuvend, nuk e ka bërë përfshirjen e atij ndryshimi. Kjo është një dëm i jashtëzakonshëm ndaj përpjekjeve për ta përmirësuar implementimin e drejtë të ligjeve në këtë fushë. Është një dëm i jashtëzakonshëm dhe i qëllimshëm sidomos ndaj grave dhe fëmijëve. Dhe është një formë e papranueshme e tentimit të rikthimit në pikën zero të përpjekjeve disavjeçare të shoqërisë civile që kjo çështje të rregullohet njëherë e përgjithmonë asisoji, që pasuria e përbashkët të ndahet 50/50, pa marrë parasysh kush sa ka punuar. Sepse kështu ka qenë gjithmonë e kodifikuar në Ligjin për Familjen, i cili padrejtësisht është shtrembëruar për shkak të formulimit jomjaftueshëm decidiv. Në fakt, ligji shumë mirë e ka pasur të rregulluar, por mentaliteti patriarkal mbizotërues jo vetëm në shoqëri, por edhe në institucionet tona të përbëra nga individë të kësaj shoqërie, nuk e koncepton dot dhe nuk e pranon dot se ligji e ndan pasurinë e përbashkët 50/50. Prandaj edhe çdo mundësi, çdo hapësirë, çdo shans sado i vogël që ligji të interpretohet ndryshe është shfrytëzuar dhe drejtësia ka qenë e drejtë vetëm për të fortin, kryesisht vetëm për burrat.

Kodi Civil e ka zhvleftësuar ndryshimin e arritur në vitin 2019 të Ligjit për Familjen. Kodi Civil është reaksionar, sepse po e kthen në pikën e mëparshme ligjin. Kodi Civil nuk e pranon barasvlefshmërinë e punës së amvisërisë (kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, mirëmbajtjen e shtëpisë dhe format tjera të ndihmës së ofruar) me punën e paguar me të ardhura. I vetmi ndryshim që Kodi Civil ka bërë në krahasim me verzionin e vitit 2004 në nenin 47 (tani në Kod neni 1172) është se në paragrafin 1 ka theksuar së „Pasuri e përbashkët e bashkëshortëve është pasuria e fituar me punë të përbashkët ose të ndarë gjatë kohëzgjatjes së martesës“. Në nenin 1169 (Vendbanimi, ekonomia familjare, profesioni), në paragrafin 4, Kodi Civil thekson [gabimet në drejtëshkrim në citimet pasuese janë të Kodit Civil, jo të miat!) se „Bashkëshortët martesorë bashkërisht kontribuojnë në mirëmbajtjen e familjes në përpjestim me aftësitë e tyre individuale. Kontribut i përbashkët i bashkëshortëve konsiderohet si udhëheqja e ekonomisë familjare ashtu edhe fitimet tjera të nevojshme për jetën e familjes dhe prezumohet se ata janë pjesmarrës të barabartë me kontributet e tyre në shpenzimet familjare.“ E gjithë pjesa e Ligjit për Familjen në verzionin 2004 ku flitet për edukimin dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe mirëmbajtjen e shtëpisë (që Kodi Civil mbase e përmbledhë ) dhe pjesa e ndryshimit të Ligjit për Familjen e vitit 2019 ku saktësohet se kontributi në shtëpi dhe kontributi me të ardhura konsiderohen të barasvlefshme, në këtë Kod nuk gjindet askund. Kjo prapë e sjell gjykatën në situatën kur njëra palë mund të thotë se sipas „përpjestimit me aftësitë e tyre individuale“ pjesa e bashkëshortëve nuk mund të jenë të barabarta dhe se kanë qenë „pjesmarrës të barabartë në shpenzimet familjare“, por jo edhe në fitimet. Poashtu është hequr pjesa, ku thuhet në verzionin 2004 dhe 2019 se edukimi i fëmijëve, përkujdesja ndaj tyre dhe mirëmbajtja e shtëpisë llogariten si shtim i pasurisë. Me nenin 1169, grupi punues i Kodit Civil ka bërë një formulim, i cili do të ju shërbente si arsyetim për mospërfshirjen e ndryshimit të Ligjit për Familjen dhe pretendim se gjoja e paskan rregulluar mjaftueshëm qartë. Por në fakt, ky formulim është edhe më i paqartë dhe më i mundshëm të keqpërdoret sesa dispozitat ligjore të vitit 2004, të cilat janë dëshmuar mjaftueshëm sa janë keqinterpretuar në dëm të grave.

Poashtu, Kodi Civil nuk e ka larguar nga neni përkatës gabimin teknik të lartcekur, i cili ju ka pamundësuar grave të marrin mbajtje financiare.

Kodi Civil nuk është fare modern, siç ne kemi besuar se çdo projekt i ri duhet të jetë. Kosova ka nevojë për avancim, jo për degradim të proceseve. Ky Kod Civil nuk është bërë për të gjithë qytetarët. Ky Kod Civil është bërë vetëm për ata burra që nuk e kuptojnë rëndësinë e avancimit të grave dhe e marrin në qafë një popull të tërë. Dëshmia për këtë konziston në faktin se Kodi Civil përpos që është rikthim në gjendjen paraprake dhe në shkeljet ndaj grave në gjykata, poashtu e ka cementuar dyfish epërsinë dhe mundësinë për presion nga ana e burrave duke e futur në Kod Civil edhe kontratën paramartesore dhe martesore.

Korniza ligjore e Kosovës e njeh institutin e pasurisë së veçantë, ku përfshihen pasuria e krijuar para martesës dhe dhuratat. Sipas kornizës ligjore të Kosovës fare nuk ka qenë e nevojshme futet kontrata paramartesore dhe martesore në Kod Civil. Por kjo është bërë qëllimshëm, duke e ditur fare mirë pozitën e palakmueshme të grave të Kosovës, ku vetëm 13.7 % të tyre janë të punësuara, se presioni shoqëror për tu martuar dhe për t’iu nënshtruar diktatit të burrit ende është prevalent dhe ku lindja e një fëmije, kombinuar me mundësinë e lidhjes së kontratës për ndarje të pasurisë edhe gjatë martesës e vendosë gruan kosovare në një pozitë shah-mat, ku ajo nuk ka rrugëdalje pos të pranojë çfarëdo propozimi nga ana e burrit, përkundër që pa atë kontratë asaj do t’I takonte gjysma e pasurisë. Kjo kontratë për ndarjen e pasurisë sipas Kodit Civil mund të bëhet në çdo kohë edhe gjatë martesës, pra edhe në momentin kur gruaja i ka 3 apo 4 fëmijë dhe burri kur e sheh se po fillon të fitojë më shumë të ardhura dhe mbase edhe e ka në plan ta përfundojë martesën dhe të marrë një partnere tjetër, e ka pozitën shumë më të favorshme për të bërë presion mbi gruan. Kjo kontratë nuk është futur në ligj për ta siguruar pasurinë që është krijuar pa ndihmën e bashkëshortit para martesës, por pikërisht që t’ia pamundësojë qasjen në pasurinë e përbashkët të krijuar gjatë martesës për njërin bashkëshort. Kjo kontratë është cementimi i dytë dhe shumë i dëmshëm për gratë dhe një hap që do ta dërgojë shumë larg prapa avancimin e grave në Kosovë. Arsyetimi i grupit punues të Kodit Civil sigurisht do të jetë se kjo ekziston edhe në vendet tjera dhe se kanë dashur të jenë modern. Por pse atëherë nuk jemi modern në kuptimin e deklarimit të barasvlefshmërisë së punës së amvisërisë dhe punës së paguar, por vetëm në mundësimin e kontratës që mund të bëhet në çdo moment, para martesës apo gjatë martesës? Kjo është e paqartë vetëm për ata që nuk duan të shohin dhe nuk e pranojnë të vërtetën, sepse ju konvenon ashtu për xhepin e tyre. Kodi Civil është modern vetëm kur një çështje i konvenon interesave patriarkale dhe ataviste të grupit punues të Kodit Civil. Kodi Civil është modern vetëm kur një çështje është në interes të ruajtjes së primat të patriarkatit. Kodi Civil është modern vetëm kur moderniteti ju shërben burrave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat