Shkupi qytet simbol i shqiptarëve  - Bota Sot
Shkupi qytet simbol i shqiptarëve 

Opinione

Shkupi qytet simbol i shqiptarëve 

Nga: Azgan Haklaj Më: 9 korrik 2020 Në ora: 09:30
Azgan Haklaj

Historia kombëtare e dhimbshme por e lavdishme, thirrje për bashkim, për kryeministrin e parë shqiptar.

Për realizimin e kauzës shekullore, ëndrrës së etërve të pavarësisë dhe përmbushjen e amanetit të deshmorëve të Kombit.

Gjatë këtyre ditëve në fushatën mediatike për mbështetjen e idesë së kryeministrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet e 15- të korrikut jam përpjekur me argumente të promovoj këtë ide spektakolare, këtë vepër historike të liderit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut z Ali Ahmeti.

Në shkrimet, opinionet, tezat, refleksionet e mia kam sjellë etnogjenezën e shqiptarëve aty, qysh në agimin e historisë, qendresën e tyre mijëravjeçare për mbijetesë në luftëra të përgjakshme me pushtuesit e shumtë barbarë, rezistencën homerike shqiptare, sakrificen e tyre me breza të tërë për të mbrojtur trojet e të parëve.

Sot do të ndalem tek një ngjarje e rendësishme  e historisë kombëtare, kremtimi me madhështi i 100 -vjetorit të çlirimit të Shkupit ku kam patur rastin të përshëndes dhjetëramijëra të pranishëm para afër 8- vitesh.

Këtë fjalë rasti po e paraqes sot si kujtesë, nderim për etërit e pavarësisë, emocion të rrallë të përjetuar ndonjëherë, por edhe si një thirrje për bashkim për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut rreth idealit të brezave të tërë, rreth një kauze të shenjtë që përmbush ëndrrën e etërve të pavarësisë, amanetin e deshmorëve të kombit që dhënë jetën për liri e barazi.

Kjo ëndërr është kryeministri i parë shqiptar.

Me poshtë vijon fjala ime e plotë dhe pasohet me mesazhin për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet e dt 15-të korrik.

Kujtesë historike.

Të dashur vëllezër e motra!

 Shkupi sot në ditën e çlirimit, pas -100 vitesh, ka të drejtë jo vetëm të krenohet e të festojë por të rrezatojë qëndresën, trimërinë dhe fisnikërinë e tij në të gjitha trojet amtare shqiptare.

Po si erdhi ai, cili është rrugëtimi deri tek dita e çlirimit?

Cila është etnogjeneza e tij, odiseja e gjatë, kalvari i mundimshëm, qëndresa për mbijetesë për t'i rezistuar,  asimilimit?!

Cila është kostoja e kësaj mbijetese për të ruajtur identitetin iliro-dardano arbërorë?!

Për t'u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, pak fjalë për historinë e tij

Quhej Scupi, Skupi, shtrihet në rrjedhën e sipërme të lumit Vardar.

Territori i tij ka qenë i banuar prej mijëra vitesh nga fiset iliro-dardane.

Ai ka qenë kryeqytet i Mbretërisë Dardane.

Në historinë mijëravjeçare rrugëtimi i tij ka qenë i veshtirë sepse u përball me lloj-lloj pushtuesish.

Qysh në shekullin e parë para Krishtit u pushtua nga romakët.

Kur Perandoria Romake u nda përgjysëm në vitin 395, (Scupi), Skupi u pushtua nga bizantët e Kostadinopojës.

Gjatë gjithë mesjetës së hershme mbeti i pushtuar nga bizantët dhe bullgarët.

Në vitin 1392 u pushtua nga Perandoria Osmane, otomnët e quajtën Uskup.

Për 500 -vjet mbeti nën sundimin e osmanëve.

Semantika linguistike e tij  përkthehet prej lashtësie nga Skip në Shkup

Ai provoj dhunën e mbretërisë Serbe në luftërat ballkanike, të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene të krijuar nga Konferenca e Paqes në Paris, pas Luftës së Parë Botërore dhe të Jugosllavisë Titiste, të krijuar në Jaltë e Potsdam, pas Luftës së Dytë Botërore, për të ardhur tek vitet 1991- kur u bë kryeqytet i Maqedonisë së Veriut  pas  zhbërjes së Jugosllavisë.

Në vitin 2001 shqiptarët u detyruan të rrokin armët për liri e barazi, ndonëse historia tregon se janë në trojet e tyre prej mijëra vjeçarësh.

Ata mbrojtën identitetin e tyre kombëtar, por edhe sovranitetin shtetëror, e integritetin tertitorial të Maqedonisë, e cila ishte në pikëpyetje nga skenarët e ndarjes.

Por le të kthehemi tek dita e çlirimit nga Perandoria Osmane që sot po kremtojmë.

Si sot një shekull më parë Shkupi nuk ishte një stacion rastësor i rrugëtimit të zorshëm të Flamurit tonë Kombëtar, por një ndalesë e ndërgjegjshme e etërve të Kombit tonë të prirë nga Hasan Prishtina për të ripërligjur gjeografinë etnike shqiptare në pragun e shthurjes definitive të Perandorisë Otomane përballë oreksit të ri të fqinjëve për t'na fshirë nga harta e re botërore që  kishte filluar të rikonturohej.

Pas besëlidhjes së burrave të shquar e atdhetarë shqiptarë të prirë nga Ismail Qemali e Hasan Prishtina në zemër të Imperatorisë Turke, në Taksim të Stambollit, flamuri ynë në maj 1912-të u valëvit në Junik, një trekëndësh strategjik ndërlidhës i trojeve etnike të Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi, për të mbërritur pikërisht këtu në Shkup me dt 12-të 

gusht të vitit 1912-të ku u ngrit e u valëvit i lirë e krenarë nga Bajram Daklani.

Shkupi ky qytet simbol i shqiptarëve nuk e fillon dhe as nuk e mbaron historinë dhe lavdinë tonë nacionale vetëm me këtë datë.

Shkupi është vendi fabrikë i produkteve historike nacionale shqiptare në çdo kohë e për çdo rast. Pikërisht këtu në Shkup kanë rrënjët e tyre imperatorët iliro-dardanë, të cilët i dhanë botës qytetërimin e oksidentit.

Shkupi përveç qëndresës e burrërisë, trimërisë e fisnikërisë, i dhuroi kombit tonë dhe mbarë njerëzimit simbolin e humanizmit pankozmik, lapsin në dorën e Zotit, Gonxhe Bojaxhiun, (Nënë Terezën). 

Prandaj, Shkupi e shkupjanët kanë sot e mot legjitimitetin e krenarisë me historinë e tyre, siç kanë të gjithë shqiptarët, dhe jo vetëm ata, të krenohemi me Shkupin.

Të nderuar miq!

Vëllezër e motra!

Zonja dhe zotërinj!

Kjo ditë kombëtare që festohet sot e që do ta sosë kremtimin përgjatë udhës së Flamurit më 28- nëntor në Vlorë nuk ka vetëm vlera komemorative e nostalgjike.

Në këtë 100-vjetor të Flamurit Kuqezi, mëvehtësisë së Shqipërisë, më shumë se kushdo komb tjetër në kontinent ne shqiptarët duhet të përkthejmë mesazhet e shenjta që na përcjell Flamuri, kalvari i vuajtjeve të tij e të Kombit Tonë.

Janë mesazhet e bashkimit tonë shpirtëror, mesazhet e paqes e pajtimit në mes nesh, mesazhet e integrimit në Europën e civilizuar, të cilës ne jo vetëm i përkasim, por për të e mbrojtjen e vlerave të saj kemi kontribuar në shekuj.

Të nderuar miq!

Si çdo komb në përvjetorë të mëdhenj e jubile, siç është ky i sivjetmi, edhe ne bëjmë bilancin tonë. 

Vetëm nihilistët, kritizerët e egomanët mund të mos e shqiptojnë e pranojnë hapin gjigant dhe progresin e kombit dhe trojeve tona kudo ku gjenden.

Sot në prag të 100 -vjetorit të pavarësisë, Shqipëria valëvit Flamurin e saj përkrah kombeve e shteteve më reputative të globit në Aleancën më gjigante të historisë, në NATO.

Sot Kosova ka fituar lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të vendeve më të fuqishme e demokratike të botës.

Sot në Shkup e Maqedoni, zv/kryeministra, ministra, zyrtare të naltë, ambasadorë, kryekomunarë e më gjerë janë shqiptarë, madje shqiptarë të mirë e me vokacion të pastër nacional.

Sot në Maqedoni ka universitete të mirënjohur' e prestigjozë në Gjuhën Shqipe.

Natyrisht, rruga s’ka qënë e lehtë, s’ka qënë e shtruar me tapete ku parakalojnë hollivudianët. 

Po sakrificat janë të justifikuara totalisht kur shohin ndryshimin sot dhe e dimë dhe progresin për mot.

Vëllezër e motra!

Duke ju kërkuar ndjesë për emocionin që më gjeneron kjo ditë dhe ky vend jo vetëm në emër të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, të cilin e drejtoj, por thjesht si shqiptar, si demokrat, si vëllai i juaj, si gjak  i gjakut tuaj, do ta mbyll përshëndetjen time me një ndodhi që s’do koment:

Sot, pikërisht kur ne festojmë këtu në Shkup, në muzeun e famshem të Vjenës po paketohen për t’u nisur për në Tiranë shpata dhe përkrenarja e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti (Skendërbeu).

Ky udhëtim nga Vjena në Tiranë nuk duhet të përkthehet prej nesh kudo që jemi, në Shkup e Shkodër, në Prishtinë e Tiranë, në Preshevë e Tuz, në Ulqin e Çamëri si një transport relikesh muzeale.

 Jo!

 Aspak. 

Bashkë me reliktet e  Gjergj Kastriotit besoj të rikthehet ndër ne dhe mesazhi i artë, magjik e heroik në Kuvendin e prijësve të trojeve arbëore në Kalanë e Lezhës rreth 600- vite më parë. 

Ky mesazh i thjeshtë me thupra shelgu, që të bashkuara kurrë nuk thyheshin, vlen e aktualizohet edhe sot.

Dhe vërtet ne kemi qënë, jemi dhe do ngelemi bashkë, me historinë tonë të pathyer, por kemi dhe ç’të korrektojmë.

Mjafton të kujtojmë se kur të tjerët në mungesë të simboleve kombëtare sajojnë monumente balte e fletë historie gënjeshtare ne kemi jo vetëm monumente të personaliteteve reale të historisë, por dhe burra shteti aktual që si lisa bjeshke i bëjnë hije në këtë zheg kontinental shqiptarisë.

Nderim përjetësisht Gjergj Kastriotit, Oso Kukës, Zhuj Selmanit, Imer Prizrenit, Pashko Vasës, vëllezërve Frashëri, Sylejman Vokshit, Mic Sokolit, Sef Koshares, Jakup Ferrit, Ali Pashë Gucisë, Ded Gjon Lulit, Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit, Azem Bejtës, Zefit të Vogël, Çerçiz Topullit, Themistokli Gremenjit, Mihal Gramenos.

Nderim të veçantë për mendjendriturit e Kongresit të Manastirit që vendosën gurëthemelin e identitetit kulturor të shqiptarëve.

Perkulje me nderim për Shaban Pollluzhën, Tahir Mehen, vëllezërit Gërvalla.

Perkujtim me pietet të deshmorëve të UÇK- së së lavdishme e Komandantit të saj Adam Jashari që u flijua familjarisht për lirinë e Kosovës martire.

Mirënjohje për Ridvan Qazimin (Komandant Lleshin) dhe deshmorët e Luginë së Preshevës që ranë për të drejtat hyjnore, historike të shqiptarëve, për t'u prehur përgjithmonë në Altarin e Lirisë.

Respekt e mirënjohje përjetë deshmorëve të Ushtrisë Kombëtare Çlirimtare që ranë këtu në Maqedoni për të drejtat legjitime të shqiptarëve.

Nderim për jetë e mot për Çamërinë e martirizuar e të gjithë atyre që u flijuan për të.

Le të nderojmë pa egoizëm prijësit që kanë dëshmuar me gjak e mençuri, se janë prej së vërteti. 

Pa më thoni: A nuk janë të tillë Ibrahim Rugova, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti. 

Zoti e bekoftë Shkupin!

Zoti e bekoftë Flamurin tonë dhe Kombin Shqiptar!

Kanë kaluar afër tetë vite nga festimi me madhështi i 100- vjetorit të çlirimit të Shkupit, dhe të Kuvendit historik, ku spikati fjalimi historik i Hasan Prishtinës, i cili kërkoj bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm me kryeqytet Shkupin.

Për afër një dekadë nga ky 100- vjetor kanë ndodhur zhvillime shumë të rendësishme, falë vokaconit perëndimorë të shqiptarëve dhe ngadhënjimit të doktrinës së strategut të luftës, arkitektit të paqes, konstruktorit të shtetit paritarë, realpolitik, barazisë së plotë qytetare, paqes, bashkëjetesës ndërfetare, harmonisë ndëretnike z Ali Ahmeti.

Maqedonia është pagëzuar me emrin Maqedoni e Veriut.

Është antarësuar në Nato dhe ka nisë rrugëtimin për në BE.

Gjuha Shqipe është zyrtarizuar dhe Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut është zgjedhur z Talat Xhaferi.

Edha pak ditë na ndajnë nga ngjarja madhore e vitit të fundit të dekadës së dytë të mileniumit të tretë.

Shqiptarët e Shkupit dhe të gjithë Maqedonisë së Veriut do të vendosin me votën e tyre për të ardhmen.

Erdhi dita për kryeministrin e parë shqiptar.

Me dt 15-korrik shqiptarët do të çelin një faqe të re.

15- korriku është ditëlindja e Epopesë së Shqiptarëve.

Shqiptarët e bashkuar do të vendosin në mënyrë referendare për kryeministër z Naser Ziberin.

Pse jo?!

Plebishiti popullor do të vendosë:

Shqiptarët kurrë më qeraxhinjë në trojet e tyre, por të barabartë mes të barabartëve.

Por që të realizohet kjo kauzë e kahmotshme duhet që të votohet nr 9-të.

Të gjitha votat për numrin 9-të.

Çdo votë që nuk shkon për numrin 9-të shkon për Zaevin dhe Mickoskin.

Vëllezër dhe motra të Maqedonisë së Veriut bëhuni bashkë.

Votimi unik i shqiptarëve vendos.

Me 15- korrik flet sovrani.

Kur flet sovrani të tjerët heshtin

Zoti ju bekoftë e qoftë me ju.

Ju priftë e mbara.

Azgan Haklaj " Mjeshtër i Madh",ish deputet i Kuvendi të Shqipërisë 

President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar "Kalorës i Urdhrit të Skenderbeut", nderuar me "Medaljen Gjergj Kastrioti".

Autor i 7- të librave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat