Ushtritë çlirimtare amnistohen, ndërkaq ato pushtuese bartin kosto

Opinione

Ushtritë çlirimtare amnistohen, ndërkaq ato pushtuese bartin kosto

Nga: Adem Breznica Më: 10 korrik 2020 Në ora: 15:45
Adem Breznica

UÇKja ka qenë ushtri e popullit të Kosovës, të drejtat elementare të të cilit shkeleshin brutalisht prej shumë vitesh nga regjimi pushtues serb, qysh prej amendamentimit regresiv të statusit juridik e politik të Kosovës më 1989.

Pikërisht, për këtë arsye kjo ushtri doli në skenë duke u quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e jo p.sh. "Ushtria Popullore e Kosovës", sepse direktivat e saj ishin politike dhe nuk përkufizoheshin vetëm në çështjet civile, humanitare e kulturore.

Pra synimi i UÇKsë ishte avancimi politik i statusit të Kosovës, jo nga pika zero deri të kthimi i vetëqeverisjes së kufizuar, por nga autonomia e suprimuar dhunshëm deri tek liria e të drejtës së popullit për vetëvendosje, respektivisht pavarësia e plotë e Kosovës.

Kjo edhe u arrit, pjesërisht më 1999, kur u çlirua Kosova dhe hyri nën sigurinë dhe administrimin ndërkombëtar, avancoi me marrjen në dorë të qeverisjes së vendit nga vet kosovarët më 2001, dhe përfundoi me shpalljen e pavarësisë më 2008.

Në tërë këtë rrugëtim, sigurisht ka patur peripeci, sfida por edhe gabime, të vogla e të mëdha.

Sidoqoftë, Kosova ka fituar shtetësinë më 2008, dhe përgjegjësitë e saj shtetërore janë nga ky vit e tutje.

Ndërkaq, në odisejadën e saj, deri në shpalljen e pavarësisë, përgjegjësitë për gabimet eventuale nuk mund t'i ngarkohen Kosovës si shtet por strukturave të tjera politike, ushtarake e administruese si dhe faktorëve e akterëve të tjerë paraprak e paralel...

Si rrjedhojë, në shenjë të respektimit dhe përgjegjësisë ndaj faktorit të brendshëm dhe ndërkombëtar, edhe UÇKja duhet t'i marre përsipër përgjegjësitë, qysh prej daljes zyrtare të saj në nëntor të 1997ës deri kur është demobilizuar, po ashtu zyrtarisht, në shtator të 1999ës.

Për periudhat pasuese, përgjegjës dhe llogaridhënës janë KFORi, UNMIKu dhe institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, e jo UÇKja.

Për ngjarjet e viteve 1997, 1998, deri më 12 qershor 1999, përgjegjëse duhet të jenë organet dhe strukturat e shtetit serbo-jugosllav, si shtypës e pushtues nga njëra anë, dhe ato të UÇKsë, si çliruese nga ana tjetër. Prej 12 qershorit e deri më 19 shtator 1999, përgjegjësitë ndahen ndërmjet UÇKsë, policisë së UNMIKut dhe KFORit, ndërkaq pas kësaj periudhe UÇKja është e liruar nga cilido lloj i përgjegjësisë.

Pra në periudhën pas demobilizimit të UÇKsë, nëse eventualisht ndonjë ish-ushtar apo ish-komandant i saj ka uzurpuar ndonjë apartament-banesë a pronë të ndokujt, apo dhe ka bërë ndonjë krim tjetër të përmasave tjera, më të mëdha apo më të vogla, pavarësisht se mund të jetë thirrur në emër të kësaj ushtrie (p.sh. "UÇK, e nxane", "UÇK, mos e prek", etj.), UÇKja nuk guxon të akuzohet dhe të njolloset me akuza apo aktakuza, dhe aq me pak të gjykohet e të dënohet për cilëndo veprimtari. Rastet e tilla kurrsesi nuk duhen amnistuar, por me to duhet të merret drejtësia vendore, e assesi ajo speciale e ndërkombëtare, sepse natyra e tyre ishte civile, jo militare, dhe si të tilla trajtohen nga kodi i brendshëm penal i secilit vend. Kjo edhe për faktin se shumë individë dhe grupe profiteve-kriminale, pa qenë fare pjesë e UÇKsë, kanë abuzuar në emër e nën uniforma të saj, ngjarje këto të ditëve të para të pasluftës, të cilat shumica jonë si protagonistë i dimë se si iu mëvisheshin UÇKsë.

Por çka nëse eventualisht ngjarje të tilla janë vepruar në periudhën paraprake të luftës?!

Në këso raste të presupozuara, edhe nëse ato argumentohen të kenë ndodhur vërtetë, serish UÇKja nuk mund të njolloset, të akuzohet dhe as të gjykohet e dënohet si strukture e as si organizëm. Kjo nuk i përjashton individët, por gjithsesi strukturën organizative, e cila zyrtarisht kishte shpallur se luftonte për lirinë e popullit, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, i njihte dhe i respektonte ligjet ndërkombëtare të luftës dhe nuk kishte drejtuar armët kundër asnjë komuniteti apo etnie të caktuar në Kosovë.

UÇKja nuk ishte një ushtri shtetërore, që luftonte për mbrojtjen apo shfarosjen e një popullsie te caktuar, por ishte një ushtri qytetare që luftonte për të drejtat dhe liritë individuale e politike të popullit të Kosovës të cilat ishin suprimuar nga strukturat e dhunshme të sigurisë dhe armatës pushtuese shtetërore serbo-jugosllave.

Si rrjedhojë, përgjegjësia për dhunën, e shoqëruar me të gjitha llojet e krimeve dhe shkeljeve të ligjeve te luftës, i duhet ngarkuar Serbisë dhe ish-Jugosllavisë që kishin dërguar ushtritë e tyre për t'i kryer ato krime në Kosovë, e jo luftës së pastër e çlirimtare të UÇKsë, e as revanshit individual të ndonjë pjesëtari të saj...

Madje, njëra ndër arsyet pse duhet të lirohen nga llogaridhënia për gabimet eventuale revanshiste edhe individët e UÇKsë, është edhe fakti se qysh prej dëbimit të shqiptarëve nga institucionet edukative-arsimore, si dhe bojkotimi i ushtrisë jugosllave nga shqiptarët më 1989/90, shumica absolute e të rinjve kosovare nuk kanë pasur njohuri rreth ligjeve të luftës dhe as që kanë qenë të vetëdijshëm për pasojat eventuale të shkeljes së tyre.

Në vitet 1998/99, shumica dërrmuese e ushtarëve të UÇKsë, vinin nga shkollat paralele në të cilat nuk mësohej zyrtarisht mbrojtja dhe siguria dhe as që kishin kryer ushtrinë e rregullt. Lufta e tyre, kryesisht guerile, shprehur edhe zyrtarisht, ka patur për cak sulmi strukturat e policisë dhe armatës pushtuese serbe, të cilat i dinin ligjet e luftës por që botërisht i shkelnin ato në emër të shtetit e kundër shqiptarëve si popullsi shumicë absolute në Kosovë. Nga ana tjetër, UÇKja luftonte në emër të popullit shumicë kundër një shteti dhunues e kriminal.

Pra, nga njëri krah, ka patur krime të organizuara dhe orkestruara nga policia dhe ushtria e shtetit dhunues serbo-jugosllav kundër një populli të caktuar, ndërkaq, nga krahu tjetër, ka patur një ushtri guerile-qytetare që luftonte për lirinë dhe të drejtat humanitare e politike të popullit të Kosovës së pushtuar dhunshëm...

Thuajse, në të gjitha praktikat dhe historitë e luftërave bashkëkohore, shtetet, ushtritë e të cilave, me apo pa direktiva zyrtare, kanë shkelur ligjet ndërkombëtare të luftës duke bërë krime, janë dënuar në mënyrën më të ashpër, prej detyrimit për kompensim e deri tek humbja e sovranitetit, pjesërisht apo tërësisht.

Ndërkaq popujt, ushtritë e te cilëve kanë luftuar për liri dhe të drejta kulturore e politike, të mohuara nga cilido qoftë shtet pushtues, fashist e dhunues, zakonisht i kanë fituar ato të drejta, dhe jo vetëm kaq: forcat e tyre kryengritëse janë shndërruar në ushtri të rregullta, ndërsa bëmat e tyre, eventualisht të çrregullta gjatë luftues, janë amnistuar në emër të pajtimit, paqes dhe stabilitetit në atë rajon.

Për më tepër, shtetet të cilat kanë nxjerr ushtri dhunuese janë ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare. Pra shteti ka paguar kosto për bëmat e ushtrive të saj e jo populli. Ndërsa popujt që kanë nxjerrë ushtri çlirimtare, pavarësisht bëmave eventuale të tyre, kurrë njëherë nuk kanë larë kosto si popuj, dhe as si shtete të më-paslindura, sepse në periudhën e luftës ato nuk kishin, por synonin, përgjegjësi shtetërore.

Autori gazetar i pavarur dhe profesor i historisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat