Dorëheqja e parevokueshme e Hashim Thaçit, para shkuarjes së tij në Hagë, është akt i domosdoshëm për të mirën e Kosovës..!

Opinione

Dorëheqja e parevokueshme e Hashim Thaçit, para shkuarjes së tij në Hagë, është akt i domosdoshëm për të mirën e Kosovës..!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 10 korrik 2020 Në ora: 19:35
Hashim Thaçi

Nuk ka dyshim, se Kosova aktualisht gjendet në një udhëkryq historik, qoftë në planin e brendshëm politik dhe ekonomik, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, shikuar nga disa aspekte që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë si popull dhe si kombi më i lashtë në Ballkan.

Së pari, është vlerësim unik i qytetarëve tanë, se shteti ynë, pra Kosova jonë martire, aktualisht gjendet në shkallën më të ultë të zhvillimit të saj social-ekonomik, siç janë po ashtu të njohur për opinionin shkaktarët dhe aktorët kryesorë për këtë gjendje të mjerueshme në të cilën sot gjendet Kosova. Mbase, dhe pa asnjë dyshim, janë politikanët tanë smirëzi, pikërisht ata të cilët me sjelljet e tyre të papërgjegjshme kombëtare, për shkak të egove të tyre të sëmura për të qenë me çdo kusht në pushtet, sikur që ka treguar me veprimet e tij shpeshherë skandaloze, Hashim Thaçi qëkur ka hyrë në politikë, por edhe gjithë njerëzit e afërt me të, dhe jo vetëm, pastaj mungesa e përgjegjësisë politike dhe kombëtare të oligarkëve të ri, dikur fukara dhe tash mendjemëdhenj, pa dallim, pastaj bllokimi dhe mbyllja hermetikisht e dyerve për investitorët e huaj, sidomos për afaristët e shumtë shqiptar nga mërgata jonë zulmë-madhe, shpërndarja e buxhetit të shtetit nëpër komuna sipas afërsisë dhe klientelizmit partiak, duke i lënë shumë sosh nën mëshirën e oligarkëve lokalë, dhe kështu me radhë, janë shkaktarët kryesorë të cilët Kosovën 20 vite pas çlirimit e kanë sjellë në shkopin e lypsarëve !

Kosova jonë heroike, u ka përballuar qindra sfidave dhe vështirësive gjatë shekujve edhe më të mëdha se kjo tani me dialogun me Serbinë fashiste dhe varfërinë ekstreme, prandaj është koha e fundit që klasa e kompromituar dhe e korruptuar deri mbi kokë, e politikanëve të përfolur si dhe të kritikuar ashpër për të bëmat e tyre xhuxhe nga opinioni i gjerë kosovar, si pushtetarë që u ka vdekur ndjenja dhe përgjegjësia kombëtare, por edhe si keqpërdorues flagrant të posteve shtetërore si dhe të buxhetit të shtetit, ta kuptojnë njëherë e mirë, se koha e tyre ka perënduar përgjithmonë, se tendencat për të mbetur të përjetshëm në pushtet, për hir të gjoja “kontributit” të tyre për çlirimin e vendit, janë vetëm iluzione të kota, ngase Evropa dhe bota tanimë kanë hyrë në një epokë të re historike.

Andaj, kjo kastë politike e harxhuar në krye me Hashim Thaçin, është dashur qysh para disa viteve të largohet nga pushteti, duke iu dhënë shansin gjeneratave të reja që ta marrin fatin e Kosovës në duart e tyre, e jo me turp ta përmbyllin karrierën e tyre politike, siç po ndodhë me Hashimin dhe Kadriun, të akuzuar për “krime” lufte! Madje, miku i madh i shqiptarëve, James Rubin u pati rekomanduar politikanëve të ashtuquajtur nga krahu u luftës, që ta lënë politikën dhe kthehen me nderë në shtëpitë e tyre, por ata nuk e morën seriozisht këshillën e tij, ku iu pati thënë në Prishtinë në vitin 2014; “Ju krahu i luftës është më mirë që ta lëshoni pushtetin ngadalë dhe të shkoni në shtëpi, nëse dëshironi të merrni më vete pak nderë që iu ka mbetur akoma..”!?

Prandaj, po qese ka një gram moral dhe përgjegjësi politike dhe kombëtare, Hashim Thaçi, para se të niset për Hagë duhet t’ia jep dorëheqjen nga posti i presidentit Kuvendit të Kosovës, dhe ky do ishte kontributi i tij më i madh për Kosovën në këto kohë të vështira për shqiptarët, jo vetëm nga rreziku i pandemisë së Korona-virusit, por edhe nga ngjarjet e ardhshme që mund ta godasin Kosovën nga fqinji ynë verior..!? 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat