Premtimi i duhur zgjedhor mbi Ligjin e lojërave të fatit

Opinione

Premtimi i duhur zgjedhor mbi Ligjin e lojërave të fatit

Nga: Alpin Ollogu Më: 12 korrik 2020 Në ora: 12:19
Alpin Ollogu

Viteve të fundit, me aktualizimin dhe thirrjen e vazhdueshme të qytetarëve, organizatave joqeveritare dhe opinionit publik, mbi reduktimin apo ndalimin e tërësishëm të lojërave të fatit, partitë politike të bllokut shqiptar, kanë vënë në lëvizje mekanizmin politik për ritrajtimin e tyre ligjor. Kësaj qasjeje, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, vitet dhe muajt e kaluar para fillimit të pandemisë, mori iniciativa, bëri propozime dhe ndërmori formulimin e një projektligii mbi rregullimin e ri këtyre lojërave. Në fillim, ajo që konsiderohet çështja më e kontesueshme, propozoi që distanca mes objekteve të lojërave të fatit nga institucionet arsimore e fetare, të jetë 500 metra. E më pas, nga pakënaqësia dhe reaksioni qytetar, organizatave dhe opinonit publik, bëri që kjo distancë të rishikohet dhe të vendoset në 3 klm larg nga vendbanimet.

Projektligji në fakt u zvarrit dhe nuk u arrit të trajtohet në procedurë parlamentare. Punimet e legjislativit u mbyllën me shpalljen e zgjedhjeve, kështu që bixhozi mbeti çështje pas-zgjedhore. Sot, në vigjilje të zgjedhjeve legjislative të 15 Korrikut, partitë politike të bllokut shqiptar, mbeten të vetmet parti politike të shqetësuara për këtë fenomen negativ të shkatërrimit të ekonomisë me evazionin fiskal që shkaktojnë, posaçërisht pasojave individuale – familjare të popullatës. Përfshirë këtu edhe disa parti minorene maqedonase, të cilat kanë dalë me thirrjen për kufizimin e lojërave të fatit. Në anën tjeter, dy partitë kryesore maqedonase LSDM-ja dhe VMRO-ja, vazhdimisht kanë përcjellë mesazhin se janë kundër një ligji që do të kufizonte apo dislokonte objektet e bixhozit. Fakt i cili shihet në fushatën zgjedhore ku ata skanë paraparë asgjë në premtimet zgjedhore për këtë çështje. Përkundrazi, ata kanë program të pashkruar financimi partiak dhe klanor me organizatorët e këtyre lojërave, gjë e cila kuptohet nga mbështjetja që ju japin.

Kandidati për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi, në programin e tij garues për të parin ka një kthim pas në trajtimin e problematikës, përcaktimit të distancës së objekteve të lojërave të fatit me institucionet, dhe vecanërisht vendbanimet si tërësi, nga ajo që parashihte partia që e kandidon për kryeministër. Projektligjin e para disa muajve të BDI-së, kandidati Ziberi e redukton dhe gati e bën të pavlerë si premtim zgjedhor. Ai në programin e tij kandidues, thirret në distancën prej 1 klm të dislokimit të objekteve të bixhozit nga institucionet arsimore, kulturore e religjioze. Pra kemi kthim pas në pikën kyçe të projektligjit i cili parashihte distancën prej 3 klm (që ishte konform kërkesës së atëhershme të Lëvizjes anti-bixhoz).

Premtimi zgjedhor i opozitës shqiptare, gjegjësisht Aleancës për shqiptarët dhe Alternativës, për çështjen e bixhozit, kalon dukshëm premtimet e distancave të kandidatit të BDI-së, ngase opozita shqiptare kërkon dislokim apo mbyllje të lojërave të fatit, qoftë si në Republikën e Kosovës apo trajtimin e tyre si në R.Shqipërisë. Pavarësisht se edhe këtu kemi një çalim, ngase ky koalicion nuk ka të përcaktuar qartë një propozim –projektligji konkret, se cili do të jetë varianti definitiv. Variant të cilin do ta kushtëzonin si pikë programore në bashkëqeverisjen e ardhshme të mundshme. Kohë kishin mjaftueshëm gjatë gjithë këtyre viteve të debatit për lojërat e fatit, të përgatisnin minimalisht diçka konkrete dhe ta shpalosnin projekt përfundimar në premtimin zgjedhor. Magjithatë edhe ky premtim i vonuar, është një sinjal pozitiv në konkurencën politike për të zgjidhur gjërat ashtu si duhet.

Shkurtimisht për të mos u përsëritur nga ajo qe kam shkruar në disa shkrime të mëparshme dhe thënë në tribunë publike, distanca me 500 metra apo 1 klm, qoftë edhe ajo prej 3 klm larg nga vendbanimet, është një distancë e paefektshme në aspektin praktik. Në shtetet si tona, kalkulimi dhe abuzimi me distancat dhe dhënien e licensave konform distancës, do ishte tepër i madh. Por edhe si një hapësirë mbrojtjeje që i jepet Asociacionit të bastoreve sportive, të cilët, do ta përdornin dhe e përdorin si një arsye për të kundërshtuar dhe mbrojtur veprimtarine e tyre, para bashkë-ortakëve të partive kryesore maqedonase, duke u thirrur në këto distanca si të pashembullt në rajon e më gjerë. Madje lirisht mund te themi se shtiren, bëjnë sikur kundërshtojnë, duke pasur parasysh abuzimet qe mund të bëjnë më këtë distancë, për të shpëtuar nga modeli i vendeve fqinje. Bëjnë të pamundurën të shpëtojnë veprimtarinë e tyre zhvatëse me çdo mënyrë. Bile janë shndërruar në humanist të mëdhenj gjatë kohës së pandemisë, siç bëjnë rëndom hajdutët dhe mashtruesit për të pastruar fytyrën.

Premtimi i duhur në këtë fushatë zgjedhore, por edhe qasjes paszgjedhore, për trajtimin e lojërave të fatit në rrethanat e shtetit tonë multientik me përkatësi të ndryshme religjioze, i provuar si i suksesshem tani e më shumë se 1 vit, mbetet modeli i R.Shqipërisë. Kufizimi i kazionove vetëm në resorte turistike periferike, dhe mbyllja e të gjitha bastoreve sportive dhe lojërave online të bixhozit, përjashtuar llotaritë kombëtare, që faktikisht kanë ndikim të paktë në popullatë. Për popullatën e gjerë dhe të varfër, viktima kryesore e bixhozit, ky model i shtetit Shqiptar, do konsiderohej ndalim ligjor i lojërave të fatit. Tek modeli i R.Kosovës është një qasje që ata e kanë sanksionuar për një periudhë të caktuar kohore dhe shtrohet pyetja cfarë më tej?! Pas së cilës, mund të lejohen përsëri për rrethana të ndryshme si p.sh me arsyen e rrjedhjes së konsumatorëve apo turistëve në kazinotë e vendeve fqinje. Me modelin e R.Shqipërisë bëhet një zgjidhje afagjate, duke mos lënë hapësirë logjike, asnjë qeverie të ardhshme të ndryshojnë përsëri ligjin. Por vihet argumentueshëm me shpatulla pas murit edhe partia maqedonase që do bashkëqeverisë në qeverinë e ardhshme, për ta pranuar kushtëzimin dhe programin e partisë politike shqiptare, në këtë aspekt.

Bazuar në këtë, Bashkimi Demokratik për Integrim do të duhet të rishikojë premtimin për lojërat e fatit, të iniciojë ndryshim programi të kandidatit për kryeministër, qoftë edhe në paszgjedhje. Që kjo të mbetet në pajtim me kërkesat dhe dobinë shoqërore. Madje edhe lëvizja antibixhoz nuk qëndron më në kërkesën fillestare prej 3 klm distancë, ngase duke parë arsyeshmërinë dhe realitetin ku jetojmë, edhe ata tani kërkojnë mbylljen e lojërave të fatit si në vendet fqinje. Ndërkaq, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa, premtimi zgjedhor i të cilëve është realisht më i duhur dhe zgjidh konsiderushëm problemin e bixhozit, duhet të definojnë, shkruajnë projektligj konkret, se me cilin variant të dy shteteve fqinj do kushtëzojnë partnerin maqedonas në qeverisjen e mundshme. Që të mos mbetet kjo vetëm si propagandë zgjedhore.

Oferta e duhur zgjedhore për ti dhënë zgjidhje ëçshtjes së lojërave të fatit duhet të shihet përtej përkatësive dhe tifozllëqeve politike, sepse interesi i popullatës prevalon mbi çdo interes ditor apo zgjedhor të politikës. Vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të ngremë një shoqëri dhe organizime politike të cilat janë autokritike dhe mbipartiake në argumentimin dhe pranimin e më të mirës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat