Për keqardhje...

Opinione

Për keqardhje...

Nga: Kimete Berisha Më: 12 korrik 2020 Në ora: 14:12
Kimete Berisha

Ti merr orë te Ramushi, të mëson qysh m'u trajnu e me shku në Hagë pa marrë temena e leje nga varrezat, pa ceremoni e pa rituale, po m'u bë i fortë, si Ramushi që pa lëviz çerpikë shkoi e u kthy nga Haga, me gjakftohtësi dhe me dinjitet.

E jo m'u 'hallashtis' varg e vijë me heronjtë e vdekur se ata nuk mund të të bëjnë çare.

Është 'vonë' për hallall.

Dhe është vonë m'u bë 'i mirë' në Prekaz ku nuk të presin të gjallët, po sillesh rreth varreve të të vdekurve, që siç thotë feja islame 'ata të shohin e nuk mund të të flasin, e ti mund t'u flasësh por nuk mund t'i shohësh'.

Dashuria e vërtetë mbahet në zemër, e dashuria e respekti që reklamohet është thjesht dhe eksluzivisht 'mall'.

Kur iu adresua Kuvendit në fund të vitit 2016, Presidenti Hashim Thaçi ishte kategorik kur tha:

'Gjykata Speciale s'është ndëshkim, por është pasojë e vrasjes së dëshmitarëve', pra, sikur mos të ishin vrarë dëshmitarët, ata që u liruan të pafajshëm, nuk do të kishin qenë të pafajshëm.

Nëse Gjykata nuk është 'ndëshkim' për Luftën e UÇK-së, dhe nëse janë 'vrarë' dëshmitarët, qysh ke thënë Ti, atëherë pse po tutësh ti, pse po të vjen mërzi të gjykohesh nga një Gjykatë që sipas teje nuk është 'ndëshkim'!

E para, Rada Trajkoviqi e pat cituar Thaçin për dëshmitarët e vrarë, e pastaj krejt Serbia.

Është absurd që Gjykata Speciale është një-etnike, por njësoj absurd është që dëshmitarët janë një-etnik, shqiptarë.

Çdo ditë i kemi lexuar shqiptarët në gazeta duke i thënë Hashim Thaçit 'shihemi në Hagë'.

Është shumë e rëndë dhe fatkeqësi e madhe që Kosova e vogël dhe e varfër e ka një President të dyshuar për krime, e që edhe pse nuk ia çel kush telefonin e nuk e pranon kush në takim (veç Ilir Metës privatisht), ai vazhdon t'u 'vardiset' të gjithëve, sidomos Kadri Veselit, të cilin e bëri 'vlla' nga frika, dhe ashiqare po i 'ruhet' më së shumti, sepse ka thasë me informata kundër shqiptarëve (të cilat i kanë marrë në Beograd).

Asnjërit prej këtyre 'trimave' nuk i qëlloi asnjë thes me informata kundër Serbisë.

Dielli nuk perendon sa herë që ti nuk e sheh. Perendon veç për Ty, por jo për veten e Tij.

Dielli vazhdon të digjet në vete edhe kur t'i nerth, si sot.

S'ke pse e shtyn 'fundin' për nesër, sepse e shtyn veç në dëmin tënd.

Tuta hiqet veç në gjumë ose kur përballesh me të.

E béja shpi më shpi, me 24 pleq, nuk kryen punë, sepse dhimbja e viktimave shqiptare (që publikisht në media e drejtuan gishtin kah Hashim Thaçi) është më e madhe se besa!

S'ka besa-besë kur të qan zemra.

Shko si President në Hagë, më keq nuk bëhet.

P.S. Asgjë nuk të mbron kur të vjen 'fundi'.

Fundi i një karriere, i një pune, i një shoqnie, i një miqësie, i një dashnie, i një jete...

Si asaj poetes iraniane që i erdhi 'fundi' pasi e shpoi gishtin me gjëmbin e trëndafilit.

Ka edhe përfundime të bukura, veç duhet m'i lyp, e i gjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat