Kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme

Opinione

Kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme

Gëzim Muçolli Nga Gëzim Muçolli Më 12 korrik 2020 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Po ju shkruaj juve Zotëri Avdullah Hoti, kryeministër i Republikës së Kosovës,

Po thonë se sot ditën e diel me 12 korrik të vitit 2020 në orën 16.00 do ta shpallni gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të rrethanave të krijuara nga përhapja e eopidemisë së Covid-19 në vendin tonë.

U fillua me Pacientin Zerro, pastaj edhe me viktimën e parë e kronikat e përditshme filluan të mbushen me lajme dhe njohtime të mjekëve mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve të supozuar e të infektuar me coronavirus.

Pa dashur të kthehem në rrethanat e disa muajve më parë dhe lojërat që u sollën rreth luftës politike për pushtet që ishte rast i vetëm në botë që të binte qeveria në mes të pandemisë nga coronavirusi, sot pa kurrfarë ngurrimi mund të thuhet: ja ku erdhëm!
Dje numri i viktimave të Covid-19 në Republikën e Kosovës arriti në 101. Uji kur arrin në 100 gradë mbërrin pikën e vlimit dhe mësimi nga fizika sigurish se krijon gjendje vlimi në udhëheqjen tonë politike, por edhe nuk mund të luhet me ato që mund të digjemi.

Shpallja e gjendjes klasike të jashtëzakonshme nuk është zgjedhja e problemeve me shkop magjik, por mund të ndodhë e kundërta që ato të dalin jashtë rrethanave normale dhe pasojat të jenë tepër të dëmshme per shtetin dhe popullsinë.
Sot nuk ka asnjë mundësi që aplikimi i gjendjes së jashtëzakonshme me përdorimin e Ushtrisë të Kosovës të bëhet në tërë territorin e Republikës, prandaj ekziston rreziku i legjitimimit të mungesës së integritetit territorial. politik dhe sovranitetit në gjithë vendin.

Kur të mendoni momentin aktual të presioneve ndërkombtare për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, ky fakt do të kthejë përmbys çdo përpjekje për të qenë të plotfuqishëm dhe partner i barabartë. Çdo gjë mund të rrënohet pakthyeshëm para syve tuaj dhe dëmi do të jetë i pariparueshëm.

Zotëri Kryeministër Hoti, keni mundësi tjetër per ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve të Republikës nga rritja e infektimeve me virus. Keni shembullin e shteteve që kanë krijuar një praktikë të pasur me përvojën e tyre qe gati gjysmë viti duke u përballur me qindra mijëra raste infektimi dhe me dhjetëra mijëra viktima. Ata nuk e shpallën gjendjen klasike të jashtëzakonshme dhe nuk nxorrën as ushtarët as tankset në rrugë.

Ata ndërmorrën masa të rrepta duke e kufizuar gjendjen si Emergjencë sanitare duke shkelur edhe të drejtat themelore të njeriut, si dhe duke krijuar një ushtri të vërtetë të mjekëve dhe infermierëve që dhanë shembullin e tyre duke punuar natë e ditë deri në sakrificë mbinjerëzore. Pati edhe të vdekur në mesin e mjekëve dhe infermierëve, sepse sëmundja nuk kurseu askënd.

Zotërii Kryeministër Hoti , sot ju duhet të mblidhni qeverinë dhe të krijoni Shtabin e krizës me emrat e njerëzve kompetentë e jo me emra të ekuilibrave të rrejshëm politikë. Duhet krijuar Komisioni Shkencor-Teknik i cili duhet ta udhëheqë emergjencën duke e menaxhuar deri në detajet më të imta.

Duhet përgatitur dhe pajisur repartet anticovid në çdo spital si në kryeqytet edhe në spitalet në komunat tjera.

Mjekëve dhe infermierëve duhet rritur rrogën 100 përqind deri në fund të vitit dhe duhet të vihen në kushte pune të gatshmërisë së obliguar kur e lyp nevoja edhe 24 orë.

Duhet pajisur pikat kontrolluese në vendkalime kufitare me skanerë termik dhe çdo rast i dyshuar të përcillet në izolim të obliguar ose të karantinohet në struktura mjekësore adekuate.

Të shpallet ndalim qarkullimi në orët e natës dhe të gjobiten me shuma të mëdha eurosh si dhe mbyllen të gjitha veprimtaritë tregtare, restorantet, kafenetë, etj. që nuk respektojnë masat e detyrueshme anti-covid.

Përdorimi i maskës mbrojtëse të bëhet i obligueshëm në hapësira të hapura e të mbyllura. Mosbartja e maskës të denohet me shuma deri në 500 euro.

Të krijohet Këshilli Etik i cili do të kujdesej per mbrojtjen e të dhënave të pacientëve si dhe të vdekurve nga coronavirusi, me përjashtim të rasteve kur ato shërbejnë per qëllim përpunimi në hulumtime shkencore.

Gjatë ndalimit të personave që pa arsye shkelin kohën e ndalim-qarkullimit gjatë emergjencës, duhet marrë masa si gjobitjen me shuma deri në 1000 euro dhe sekuestrim të automjetit per një muaj me pagim të detyrueshëm të çmimit të parkingut gjatë tërë asaj kohe.

Zotëri Kryeministër, Republika e Kosovës sot nuk ka problem vetëm me epideminë e Coronavirusit por me paragjykimet dhe mosdiciplinën qytetare. Mohimi i rrezikut dhe krijimi i klimës politike në të cilën duke filluar nga 6 tetori i vitit të kaluar kanë jetuar qytetarët ka krijuar mosbesim në pushtetin qendror dhe bartësit e tij dhe ekstremizmi e bullizmi politik dhe mospërfillja dhe mosrespektimi i masave mbrojtëse nga ata që duhet të jenë shembull i legalitetit dhe ruajtjes së shëndetit publik.

Duhet kërkuar me çdo kusht dhe çmim që të respektohet dhe të zbatohet aj që është mbrojtje e shenjtë nga sëmundja: Përdorimi i maskës, Larja e duarve dhe mbajtja e Distancës fizike . Duke ruajtur vetveten do ta mbrojmë një popull të tërë.

Ka shumë gjëra që duhet të përmenden por mos humbni kohë zotëri Kryeministër Hoti , po jepni përkrahje, stimulim dhe krijoni kushtet që mjekët kosovarë në kohë trijavore ta përthekojnë epideminë dhe deri para fillimit të vitit të ri shkollor të kthehet gjendja normale në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat