Diasporë, heshtja nuk të ka hije

Opinione

Diasporë, heshtja nuk të ka hije

Nga: Frank Shkreli Më: 12 korrik 2020 Në ora: 17:18
Frank Shkreli

Ka një javë që Auron Tare ka botuar të ashtuquajturin "punim" të famëkeq tashti, në portalin "Peisazhe të fjalës", me qëndër në New York, në të cilin akuzohet Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, dy nga personalitetet më të njohura të diasporës së vjetër anti-komuniste, si bashkpuntorë të agjencive sekrete ndërkombëtare. Është një shkrim plot aludime, insinuata, të pa vërteta, hedhje dyshimesh të pavërtetuara, e që përmban më shumë pyetje provokative djallëzore se sa fakte, të cilave nuk u jep përgjigje as autori as botuesi-- një fletërrufe e vërtetë e kohës së Enver Hoxhës kundër këtyre dy shkrimtarëve shqiptare, të cilët -- megjithë ndonjë gabimi njerëzor që mund të kenë bërë -- veç nam e nder i kanë lenë vetes dhe Kombit shqiptar. Jo vetëm në diasporën e atëherëshme por edhe në qarqet ndërkombëtare gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre, një periudhë ajo që ata akuzohen nga Tare të kenë vepruar si poli-agjentë të UDB-së, CIA-s amerikane, agjencive të fshehta gjermane e italiane, madje edhe deri në Moskë ka shkuar Tare që me absurditetin e tij përpiqet të “implikojë” Koliqin për bashkpunim madje edhe me rusët.

Me thënë të drejtën fillimisht e konsiderova shkrimin e Tares se ndoshta ishte një përpjekje për të parë emrin e vet në shtyp dhe mundësisht për të bërë lajm në ditët e nxehta të verës, zakonisht, pa lajme me rëndësi, me përjashtim të koronavitrsuit, me të cilin jemi lodhur të gjithë kudo. Duke zie në vetveten, mu kujtua gjithashtu poezia e Martin Camajt, duke menduar për, “Një ditë e ka Korbi”, se korbit ndoshta i duket vetja Pëllumb, madje edhe për një ditë, ose siç thotë një shprehje amerikane, gjithkush ka të drejtë për 15-ditë fame, edhe gati hoqa dorë. Legjenda popullore thotë gjithashtu se korbi, i cili mendohet se nuk është i anëve tona, ka ardhur nga diku dhe simbolizon ndjellakeqin, perfaqësues i një ambienti të egër -- korbi përballë ambientit të butë që përfaqëson pëllumbi –korbi i zi përball bardhësisë. Në anët tona korbi konsiderohet aq i zi jo për nga ngjyra, por për fatin e keq që sjell, sa kur donte të namte dikush, të thonte, “Ik he korb i zi…” Prandaj vendosa që të shikoj rishtas se ç’donte të thonte Aron Tare, pasi e pashë tejet të angazhuar edhe në debate në televizion duke ngulur këmbë edhe më egërsisht në shpifjet e tija të zeza ndaj Koliqit dhe Camajt. Por me kalimin e ditëve, shoh se autori nuk bëri asnjë korrktesë as pendesë, ndërkohë që po ftohej në programe televizive në Shqipëri, për të amplifikuar edhe më tej akuzat e tija fals megjithse pati edhe reagime kundër tij trillimeve të tija.

Megjithëse kam reaguar me dy shkrime të tjera modeste për këtë temë, ndoshta edhe me pak emocion, që për ata që më njohin nuk është në natyrën. Prandaj kësaj rradhe po i drejtohem komunitetit shqiptaro-amerikan me zhgënjimin tim për mungesën e reagimit ndaj këtyre pretendimeve. Të nderuar bashkombas, ndryshe nga ç’pretendon Tare, e vërteta e këtyre burrave dhe e veprimtarisë së tyre, gjatë kohës që jetuan, siç është shprehur edhe Martin Camaj për Koliqin, por I prështate edhe atij vet se megjithëse, “Pjesën ma të madhe, Koliqi e kaloi në dhén e huej, në një anë, ai gjithnji ishte në kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe dhe në tjetrën si profesor universiteti e shkrimtar, në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të ndryshme të botës perëndimore. Vetë persona e Koliqit ndër këto rrethe, si njeri shoqënie dhe kuvendatar brilant, qiste poshtë me të parën, çdo paragjykim të gabuem e dizinformues mbi Shqipëninë”.

Kjo është edhe detyra jonë sot, që sipas shembullit të Koliqit dhe Camajt, të mbrojmë Shqipërinë dhe historinë e vërtetë të saj dhe të burrave që benë atë histori. Ta mbrojmë Koliqin dhe mikun dhe bashkpuntorin e tij të ngusht Martin Camajn, jo nga sulmues të huaj, jo, jo. Duhet ta mbrojmë nga vet shqiptarët e llojit Tare e shumë të tjerë si ai, siç ndodhte në kohën e Enverit, por ndryshimi është se sot kjo ndodhë këtu në zemër të Amerikës nga një portal shqiptar. Fatkeqësisht, kjo është Shqipëria dhe shqiptarët e 30-vjetëve post-komunizëm!

Prandaj, si shqiptarë të diasporës së vjetër dhe të re, të gjithë së bashku, pa dallime dhe pa paragjykime, të lirë dhe të ndërgjegjëshëm, ashtu siç jemi mësuar në botën e lirë dhe demokratike perëndimore, të mbrojmë këta burra të Kombit tonë, ashtu si Koliqi dhe Camaj mbrojtën sa jetuan Shqipërinë, Kosovën dhe interesat e Kombit shqiptar nga gënjeshtrat, shpifjet dhe nga paragjykimet e gabuara, qëllim-këqia dhe dezinformuese kundër shqiptarëve, ashtu siç e kanë zakon armiqtë tanë për rreth kufijve të trojeve shqiptare, së bashku me miqtë e tyre më larg, që i mbështesin ata në planet e tyre anti-shqiptare. Nuk besoj se Moska ose Beogradi do kishin mundur të shkruanin një artikull më të mire kundër dy prej shkrimtarëve më të mëdhej të kombit.

Unë, si një shqiptaro-amerikan, u bëjë thirrje personave të njohur, organizatave dhe enteve të ndryshme, të mëdha e të vogëla, të këtij komuniteti shqiptaro-amerikan por edhe të diasporës shqiptare në Evropë, që deri tani nuk kanë reaguar në lidhje me këto zhvillime – të prononcohen ndaj këtij sulmi dashakeqës kundër Koliqit dhe Camajt.

Këtu nuk kemi të bëjmë me ushtrimin e fjalës së lirë nga Tare dhe botuesi -- sepse ushtrimi i fjalës së lirë ishte një nga arsyet që ne jemi arratisur në këtë vend,të dëbuar nga trojet tona, të arratisur dhe të përdhunuar nga regjimi komunist, ashtu siç ishin detyruar të barktisnin Atdheun edhe Ernest Koliqi edhe Martin Camaj. Ne gëzojmë lirinë e fjalës por njëkohësisht dimë edhe “kufizimet e arsyeshme” sipas kushtetutës, siç janë shpifjet. Të gjithë ne kemi bërë shumë sakrifica personale dhe familjare në mbrojtje të lirisë së fjalës, ndryshe nga auron taret e botës shqiptare sot. Me botimin e këtyre shpifjeve kundër Koliqit dhe Camajt, të cilat u provuan tani se as nuk janë të “rralla” as “origjinale”, siç pretendojnë autori dhe botuesi, pasi siç kam thenë edhe në një shkrim para disa ditësh, vetë Koliqi dhe Camaj nuk i kanë mohuar veprimet e tyre gjatë asaj periudhe, përfshirë edhe këto që “dokumenton” Tare. Nuk kemi, pra të bëjmë aspak me ushtrimin e fjalës së lirë, sepse po të ishte ashtu, atëherë edhe shpifjet e Enver Hoxhës, Pol Potit, Hitlerit e Stalinit ndaj kundërshtarëve të tyre, do duhej të faqoseshin në faqet e para të gazetave si deklarata bona fide. Por, kemi të bejmë me një përpjekje dashakeqëse për të njollusur këto dy personalitete – duke i dënuar për së dyti, sikur regjimi enverist nuk e kishte përfunduar punën e tij kundër tyre.

Pyetja nga shumë njerëz të interesuar për këtë çeshtje është pse botohet ky artikull tani dhe pse janë shënjestruar, pikërisht, këto dy personalitete të diasporës së vjetër anti-komuniste dhe nëse dikush tjetër fshihet pas një nisme të tillë -- përtej autorit dhe botuesit? Sipas disa burimeve të besueshme, edhe persona të tjerë, në Shqipëri dhe jashtë, po interesohen për dosjet e këtyre dyve por edhe të kundërshtarëve të tjerë të regjimit të Enver Hoxhës. Artikulli i Tares, mund të jetë vetëm hapi i parë në këtë fushatë, sepse, sipas burimeve, po përgatiten materiale, artikuj e madje edhe libra për botim edhe nga “autorë” të tjerë kundër personaliteteve anti-komuniste shqiptare. Pa dashur të bëj akuza pa bazë, presim e shohim nëse këto burime kanë të drejtë ose jo, pasi koha do ta tregojë, por fillimi duket premtues se duket që kemi të bëjmë me një fushatë të mirë koordinuar, për realizimin e objektivave të caktuara kundër një klase të tërë shqiptarësh, për të deligjitimizuar kundërshtarët e ish-regjimit komunist, simbolikisht, ata më të njohurit.

Unë e kuptoj heshtjen zyrtare në Tiranë në lidhje me këtë çështje -- pasi me heshtjen e tyre -- entet e ndryshme qeveritare e shtetërore vërtetojnë deri diku dyshimet se ato, për qëllimet e veta të momentit, mund të jenë bashkpunuese në ketë fushatë -- tërthorazi ose drejtë për drejtë – në mbështetje të këtyre akuzave absurde shpifëse, pasi për arsyet e tyre u intereson baltosja e këtyre dy burrave.

Pasi Tare thotë se është e drejta e tij të ngrej pyetje dhe të hamendësojë, e ndjejë se më jep edhe mua të drejtë të hamendësoj edhe unë se ai dhe botuesi mund të jenë një mashë që hedh gacën në zjarr për interesa të caktuara aktualisht, pasi vet autori pranoi në një program televiz se dokumentet në fjalë, për Koliqin dhe Camjan, i kishte në arkivin e vet për 7-8 vjet tani. Se pse se duhej t’i përdorte tani dokumentet që kishte me vete nuk e shpjegon, megjithëse nuk i kishte të kompletuar, pasi vet pranoi se mungojnë dosjet e Beogradit, për të cilat, Tare është i bindur se ato do të provojnë më në fund se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së. A mund të merrni me mend një historian të vërtetë të bazohet në dokumentet serbe për të provuar akuzat absurd të tija diçka kundër kundër një shqiptari të njohur siç është Martin Camaj? Këta ende nuk e dinë se kush janë serbët.

Përveç diasporës edhe entet qeveritare të Republikës së Shqipërisë, si Ministria e Kulturës, Ministria e Diasporës, Akademia e Shkencave, e të tjera, duhej të ishin të parat që të reagonin ndaj këytre akuzave. “Reagimi” i Akademisë së Shkencave para dy ditësh në Tiranë tregoi mos interesim, ose frikë për tu marrë me këtë çeshtje. Bëri një reagim qesharak të pa denjë për një ent të tillë të lartë shkencor të një vendi anëtar i Nato-s, që pretendon se do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Për ata që e kanë lexuar (mos)reagimin, Akademia Shqiptare nuk pati guxim të përmendte as emrin e Ernest Koliqit, për të cilin po bëhet gjithë kjo xhurmë, ndërsa në deklalartë përmendet Martin Camajn me emër, por duke cituar Ismail Kadarenë për Camajn.

Por, në mungesë të reagimeve zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë na takon ne këtu në diasporë -- që të reagojmë dhe të protestojmë ndaj përpjekjeve fatzeza dhe anti-kombëtare, për të baltosur dhe njollosur reputacionin e personave të dalluar të diasporës dhe të Kombit shqiptar, si Koliqi e Camaj.

Nuk dua të përmend emra individësh dhe as organizatash në diapsorë, por ju e dini se kush jeni dhe cila duhet të jetë detyra jonë kombëtare nëraste të tilla, si shqiptarë dhe si pjesëtarë të kësaj diaspore për të cilën Ernest Koliqi dhe Martin Camaj kanë bërë aq shumë. Po të ishte botuar dikur një artikull i tillë dashakeq, le të themi nga beogradi ose Athina, kundër cilido shqiptar qoftë, komuniteti do të dilte në protestë me pllakarda para ambasadave të tyre. Nuk po bëj thirrje për protesta, por bëj thirrje që të flisni, të shkruani dhe të angazhoheni në media dhe në rrjetët sociale, në mbrotje të së drejtës dhe të vërtetës dhe kundër shpifjes ndaj dy buurave të njohur të diasporës historike anti-komuniste shqiptare. Mos heshtni vëllezër e mora shqiptarë. Diasporë, HESHTJA nuk të ka hije, jo!

“Jeta jonë mbaron, në ditën që ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi", ka thënë Martin Luther Kingu, mbështetësi i njohur i të drejtave civile në Amerikë. “Në fund të fundit”, ashtu siç është shprehur ai edhe me një rast tjetër: ”Ne do të kujtojmë, jo fjalët e armiqëve tanë, por do mbajmë mend heshtjen e miqëve tanë.” Sot, më shumë se kurrë, përballë një fushate të re, jo më pak e tmershme se ajo e Enver Hoxhës dikur kundër tyre për t’i zhdukur, jo vetëm fizikisht, por edhe për ti shlyer nga historia kombëtare, duke i akuzuar si kolaboracionistë, si spiunë dhe poliagjentë. Ernest Koliqi dhe Martin Camaj tani kanë nevojë për miq që mbrojnë nderin dhe reputacionin e tyre në diasporë. Kanë nevojë për mbështetës që nuk heshtin përballë së keqës. Mos pështyni në dritë, do të porosiste Martin Camaj.

Autori, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë dhe ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat