Pjesëmarrja e mirëfilltë qytetare në rëndësinë e shoqërisë civile - Bota Sot
Pjesëmarrja e mirëfilltë qytetare në rëndësinë e shoqërisë civile

Opinione

Pjesëmarrja e mirëfilltë qytetare në rëndësinë e shoqërisë civile

Nga: Albina Hyseni Më: 15 korrik 2020 Në ora: 20:51
Albina Hyseni

Pjesëmarrja aktive qytetare nënkupton një veprim individual ose grupor, me qëllim të identifikimit dhe adresimit të çështjeve me interes publik. Pjesëmarrja qytetare është proces ku qytetarët organizojnë veten dhe qëllimet e tyre në nivelin praktik dhe punojnë bashkërisht, qoftë në rrafshin individual ose përmes organizatave të shoqërisë civile, për të ndikuar në proceset vendimmarrëse.

Një shoqëri demokratike nuk mund të zhvillohet në të gjitha nivelet e saja, në qoftë se nuk mundëson përfshirje të plotë të të gjithë palëve të interesuara. Pjesëmarrja në procese vendimmarrëse do të thotë mundësi për qytetarët, organizatat qytetare dhe palët tjera të interesuara që të ndikojnë në zhvillimin e politikave dhe ligjeve, të cilat i prekin ata.

Përfshirja qytetarë do të thotë mundësi që të binden qytetarët të kenë besim më të madh tek institucionet lokale, e cila më vonë paraqet një parakusht për vendosje të qëndrueshme të proceseve demokratike. Ky element çon në më shumë transparencë dhe njëherit i bën që funksionarët e ndryshëm të jenë më të përgatitur gjatë marrjes së vendimeve.

Pra ky është proces i përhershëm, dhe duhet të vazhdojë të funksionojë gjatë gjithë periudhës midis dy cikleve zgjedhore, me çka qytetarët do të informohen për të gjitha çështjet të cilat i prekin ata. Edhe pse pjesëmarrja qytetare është e obligueshme, megjithatë zbatimi i saj praktikë në shumicën e rasteve përcillet me vështirësi dhe sfida, andaj është e detyrueshme që aktivizimi qytetar të bëjë ndryshimin në komunitet përmes kombinimit të njohurive, shkathtësive, vlerave dhe motivimit për ndryshim, gjë që nënkupton promovim të një jete më kualitative në bashkësi, përmes bashkëveprimit të proceseve politike dhe atyre jo politike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat