Integriteti i kryeministrit Hoti, është barometër i suksesit

Opinione

Integriteti i kryeministrit Hoti, është barometër i suksesit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 22 korrik 2020 Në ora: 07:43
Skender Hyseni dhe Avdullah Hoti

Kur në qeverinë VV - LDK, kryeministri Kurti, fillimin e përmbushjes të premtimeve elektorale, për çkapjen e shtetit, e filloi me shkarkimin e bordeve nepotike e korruptive. Zëvendësi i tij, Hoti, mospajtoi se "nuk kemi ardhur në pushtet, për të shkarkuar borde!" Dhe, kur mori dhuratë postin e kryeministrit, zoti Hoti shfuqizoi vendimet e pararendësit Kurti dhe rehabilitoi të shkarkuarit! Kjo u lexua se premtimet e LDK-s, kanë qenë elektorale dhe jo, domosdoshmërisht, të sinqerta. 

Realisht, duke u vënë në krye të koalicionit qeverisës, me dy parti, që opinioni i ngarkon me mëkatët të krimit dhe korrupsionit, 6 (gjashtë) nga premtimet programore, janë "harruar", për arsye se koalicioni i ri, kushtëzon dhe dominon programin qeverisës, duke vazhduar statusquon e abuzimit dhe të hajnisë zyrtare të PAN-it.

1) Pretendimi i presidentit Thaçi, për ta udhëhequr dialogun, Gjykata Kushtetuese ngarkon kryeministrin. Por, ngulmimi i mëtejmë i presidentit, për të qenë, gjithësesi, i parë, është shumë domëthënës dhe ngritë dyshime bazike, për konspiracione lidhur me korrigjimin e kufijve, më sakt, ndarjen e Kosovës. Rivaliteti i zhurmshëm, presidenti Thaçi me kryeminstrin Kurti, për protagonzëm, në rastin Thaçi-Hoti, sikur u zbut, u tejkalua. Ftesa në Hagë, i prishi matematikat. Kryeministri Hoti anuloi vizitën në Washington, por, jo edhe në Bruksel.

Reagimet për nismën e dialogut, ndahen në pro dhe kontra. Duke pasur parasysh burokracinë e kësaj Gjykate, e cila, përkundër fakteve të bollshme, zvarritë procedurat e hetimit, deri në pafundësi dhe amniston, pa kurrfarë kriteri të akuzuarit. Prandaj, dialogu nuk kishte arsye të priste, të mos vazhdonte, sepse në politikë, nuk ka të pazëvendësueshëm, qoftë edhe presidenti i shtetit.

Vërejtja se kryeministri duhet ta konsultonte presidentin për dialogun, qëndron, për derisa ai është në karrikën e tij. Nuk e kuptoj pse është bërë anashkalimi, mospërfillja e presidentit, ndërkohë që kryeministrit Hoti nuk i mungon maturia!

U zhurmua kotësisht dhe denigrueshëm, për paraqitjen, kinse, inferiore të kryeministrit Hoti, në takimin me presidentin Aleksander Vuçiq. As pyetja e Vuçiqit, nëse e dinë gjuhën serbe, as buzëqeshja e Hotit, nuk përbëjnë asnjë lajm. Gjithëçka ishte OK-ej.

E mendoja më të edukuar këshilltarin politik të presidentit. Një buzëqeshje e zakonshme e kryeministrit, pse duhet cilësuar "zgërdhimje?!"

Më pëlqen emri Adil, nga personazhi kryesor i romanit "Lumi i vdekur", me autor mësuesin tim në Universitetin e Tiranës, Jakov Xoxa. Një vepër letrare e realizuar, përmbajtësisht dhe artistikisht, por, një autor i anatemuar përjetësisht.

Diktatori Enver Hoxha kurrë nuk ia fali shkrimtarit Xoxa, pse kishte ngritur figurën e kosovarit Adil, në epërsi me vendorët myzeqarë, në përballje me çifligarët, pronarë të tokave. Me rastin e vizitës së parë, të apsolventëve Ibrahim Rugova e Rexhep Ismajli në Tiranë, profesorëve Çabej dhe Xoxa, u ndalohej hyrja në Hotel "Dajti" dhe i prisnin mysafirët në Parkun "Rinia"! Jam dëshmitar okular i kësaj vizite, i takimit dhe respektit reciprok, që kishin djemtë e zgjuar të Kosovës, për profesorët e respektuar nga populli, por, të ndëshkuar nga pushteti hoxhist.

2) Kryeministri Hoti ktheu sërish Demarkacionin në tavolinën e bisedimeve me Malin e Zi. Ajo që bie në sy, gjithnjë, për të keq, është emërimi i një Komisioni të ri, i kryesuar nga Tomorr Çela, një kuadër i Isa Mustafës, kopje e Murat Mehës të Hashimit. Të katër të cituarit, pjesë e fajësisë, për humbjen e mijëra hektarëve tokë të Kosovës. Ata lobuan shumë, madje, edhe tek amerikanët, për t`i bindur, se një territor i caktuar, brenda kufirit tonë, i takon Malit të Zi. Tëbanet (stanet) u rrënuan nga pushteti malazezë, nuk shfrytëzohen më kullotat kodrinore dhe malet, nga Çakorri, Hajle, Kulla e Zhlebit, nga ata që i posedonin ndër shekuj!

Komisioni i udhëhequr nga profesorët profesionistë e dinjitozë universitarë, Shpëjtim Bulliçi e Florim Isufi, të cilët alarmuan dhe kundërshtuan pazarllëqet e pista Hashimi-Isa dhe u angazhuan për demarkimin klasik, në pikat bazë Qafë e Çakorrit dhe Kullë e Zhlebit. Isa Mustafa, me klanin e tij, nuk e duroi denoncimin e kësaj Marrëveshje konspirative si dhe votën kundër Hashimit president të Shpëjtim Bulliqit. Intrigoi shumë për largimin e tij nga LDK-ja, edhe pse ai i mbeti besnik porosive dhe amanetit të Presidentit Rugova. 

"Unë jam më rugovist, se sa klanorët e LDK-së, të cilët më luftojnë",- deklaron, krenarisht, profesor Bulliqi. Kreu i LDK-së, me emërimin e veglës së tij Çela, ka për qëllim përmbylljen dhe kyçjen në arkiv të Marrëveshjes të pistë të Demarkacionit, me elemente të bollshme të cënimit të integritetit tokësor të Kosovës.

3) Tashmë dialogu ka filluar, përmes kundërshtive dhe akuzave, se nuk është bërë përgaditja e duhur dhe mungon koordinimi ndërpartiak. Ende mungon ekipi dialogues, që duhej të kompozohej nga specialistët përkatës. Kjo ngecje është rrjedhojë e kontestimit të qeverisë Hoti, e prirë nga LDK-ja, në koalicion me dy partitë, që zënë vendin e katërtë dhe të pestë, në zgjedjet e 6 qërshorit.

Së fundi, emërimi i Skënder Hysenit koordinator të dialogut, dihet, nga ujdia Hashimi-Isa, kulmon mosbesimin dhe paknaqësinë e shqiptarëve. Ai ka qenë përzgjedhje kalkuluese klanore edhe dy herë ministër, pa u shquar për kurrëfarë profesionalizmi. Si firmosës i Marrëveshjes të Demarkacionit, së bashku me Hashimin, ka dëshmuar se është njeriu i konspiracionit dhe zbatues i zellshëm të urdhërave të padronëve të tij, Isa Mustafa e Hashim Thaçi. 

Skënder Hyseni ka qenë lobues i zellshëm edhe për "Zajednicën" dhe zgjedhjen e Hashimit president. Ishte i vetmi nga strukturat e LDK-së, që e quajti "fatale për Kosovën rrëzimin e qeverisë Haradinaj, përkatësisht, të PAN-it" kriminal! Si i tillë, ai ka nam të keq, si njeri i i Hashimit dhe i Isës - njëherësh  është po aq i dyshimtë, sa shefat e tij. Kjo "trojkë", trinom, në sytë e popullit, konsiderohet i rrezikshëm për Kosovën. Sepse, votat e bashkuara PDK-LDK plus minoritetet, kanë prodhuar marrëveshje të dëmshme, madje, fatale për Kosovën.

Aprovimi i emërimeve paushalle, për komisione të rëndësishme, të servuara nga binomi Hashimi-Isa, si Tomorr Çela e Skënder Hyseni, e dëmtojnë shumë integritetin e kryeministrit Avdullah Hoti. Ndërkohë që integriteti i kryeministrit, është barometër i suksesit.

4) Kreu i LDK-së, Isa Mustafa është kalkulant pragmatik, pa parime, i cili aksidentalisht u katapultua në drejtimin e partisë të Presidentit Rugova. Ai konsolidoi një klan të pacipshëm dhe shumë të rrezikshëm, i gatshëm për të goditur kundërshtarët brenda LDK-së, për t`i pasur duart e lira, në shërbim të Hashimit dhe PAN-it të tij. Për ta gëzuar një mandat qeverisës, të pa fituar me votë zgjedhore, kreu i LDK-së zvarriset pas PDK-së dhe rrezikon të na servir në krye të shtetit një Hashim të dytë!

Kryeministri Avdullah Hoti, si kuadër i ri, pa ndonjë mëkat, për t`u shënuar, duhet të bëjë hap e kujdes, të mos kompromentohet, nga dirigjimet anësore. Ai nuk është kryeministër i Isës dhe Hashimit, por i Kosovës. Duhet ta ruaj dinjitetin dhe integritetin, sepse ky është mandat i përkohshëm dhe duhet të mendojë për qeverinë Hoti-2. Nëse ai do të bëhet pjesë e intrigimeve kalkukuese, si zgjerimi i koalicionit me kryebandën e PAN-it, PDK-në, apo zgjedhjen e një presidenti ad-hoc, do ta humbiste shansin, për të qenë konkurrent potencial në skenën politike të Kosovës.

Kujdes nga lavdërimi i armiqve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat