10 vite kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë “noterizoi” - legjitimoi Pavarësinë e Kosovës

Opinione

10 vite kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë “noterizoi” - legjitimoi Pavarësinë e Kosovës

Nga: Haki Latifi Më: 22 korrik 2020 Në ora: 13:00
Haki Latifi

Dhjetë vjet nga mbyllja e odisesë njëvjeçare e një “lufte” të re në Ballkan, por kësaj herë jo me armë dhe me kosto njerëzore, por vetëm me diplomaci dhe lobim politik. Një “betejë” që kishte si qëllim të prishte ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës për ta lënë atë një shtet tejet të brishtë të ngjashëm me precedente të tjerë botërorë, ku Palestina është më dramatikja. Më në fund këtë “luftë” e patë humbur Serbia e cila mobilizoi një makineri gjigande diplomatike për të lobuar ç’prishjen e pavarësisë.

Njëzet e dy (22)korriku i vitit 2010, për shqiptarët dhe Republikën e Kosovës, është si ditë të bekuar, pasi ky mendim eksplicit iu përgjigj pozitivisht çdo pike të ngritur në favor të vendimeve që ka marrë Kosova. Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Republikës se Kosovës ka qenë vendim në përputhje të plotë më të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Mendimin mbi Kosovën në GJND në Hagë e kanë marrë 15 gjyqtarë, nga të cilët 9 vijnë nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë edhe vet kryesuesin, japonezin Hisashi Oëada. Anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Dhjetë gjyqtarë të GJND-së kanë vlerësuar se deklarata mbi pavarësinë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa katër kanë votuar kundër.

Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që u gëzuan për këtë fitore më shumë se të gjithë nga pestë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi siç pat deklaruar ish Sekretarja e Shtetit, z.Hillary Clinton, “Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare ishte në përputhje të plotë me linjën e Uashingtonit. Ndërkaq, Brukseli me anë të një qëndrimi më diplomatik pati tentuar të mos flasë për fitore e humbje por vetëm për shanse të njëjta.

Ndërsa ish Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, në deklaratën e tij për media theksonte: “Mendimi i GJND-së i ka konfirmuar qartë argumentet e fuqishme dhe të bazuara që ka paraqitur Kosova dhe të gjithë mbështetësit e pavarësisë së saj, nga gjithë bota demokratike, sepse mendimi i GJND-së “heq përfundimisht të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës”.

Siq dihet, Gjykata e Hagës faktoi para gjithë planetit se pavarësia e Kosovës ishte më se e drejtë. Gjykata e Hagës, trupi gjykues më i lartë i botës, u faktoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës ishte në frymë të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Ishte në frymë të plotë me të gjitha rregullat, rezolutat e rregulloret. Ishte një vendim historik, një kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë. Sepse vendimi i gjyqtarëve vërtetoi të drejtën e popullit kosovar për pavarësi e vetëvendosje dhe mbylli kapitullin e dhimbjeve dhe vuajtjeve që ka kaluar kombi shqiptar.

Prandaj me krenari duhet të urojmë dhe e gëzofshim për shumë mote Pavarësinë e Republikës së Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat