Hashim Thaçi dhe Edi Rama e zhbënë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010!

Opinione

Hashim Thaçi dhe Edi Rama e zhbënë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 22 korrikut 2010!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 22 korrik 2020 Në ora: 16:49
Edi Rama dhe Hashim Thaçi

Sot mbushen 10 vite nga dita kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë shpalli vendimin e saj për njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Më 22 korrik 2010 ky vendim sanksionoi se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës janë akte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të 10 qershorit 1999.

Sipas statusit të aprovuar në OKB, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e krijuar në vitin 1945, është organi kryesor i vendimmarrjes për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare. Në rastin konkret, kjo gjykatë mori në shqyrtim kërkesën e shtetit serb për të verifikuar dhe provuar, nëse pavarësia e Kosovës ishte ose jo e bazuar në të drejtën ndërkombëtare, përkatësisht në Kartën e OKB-së, si dokumenti themelor i kësaj të drejte. Përgjigja ishte pozitive: PO!

Duhet thënë se ankimime në këtë gjykatë mund të bëjnë vetëm shtetet anëtare të OKB-së, të cilat kanë firmosur kartën e themelimit të saj nga viti 1945 kur ajo u krijua e këtej. Në fakt për krijimin e saj ishin formuluar kërkesa që në vitin 1930. Ndërsa punën e saj kjo gjykatë e promovoi për herë të parë me shqyrtimin e konfliktit midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, si dhe shpalljen e vendimit të saj në vitin 1949, kur edhe fajëson Shqipërinë për incidentin e Korfuzit të vitit 1946. Më 15 dhjetor 2004 Gjykata e Hagës refuzoi një kërkesë të Federatës Jugosllave (Seri-Mali i Zi) për të dënuar vendet anëtare të NATO-s për shkak të asaj që Beogradi i quante aksione të paligjshme ushtarake të Aleancës kundër ish-Jugosllavisë (Serbisë).

Në rastin e vendimit të saj të 22 korrikut 2010 gjyqtarët u shprehën qartë, pa ekuivok, pa dilema, pa nënkuptime dhe pa lënë mundësinë e keqintepretimeve. Thanë po! Pavarësia e Kosovës është në pajtim me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Madje shtuan se ajo është gjithashtu në pajtim edhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ky vendim i marrë me dhjetë vota pro dhe pesë kundër, pra me dy të tretat, përbën dokumentin themelor me të cilin shteti dhe institucionet e Kosovës duhet të mbrohen në mënyrë aktive për ta promovuar shtetësinë dhe pavarësinë në të gjithë territorin e vendit. Por pavarësisht kësaj elita politike e Kosovës e drejtuar në këto dhjetë vite nga Hashim Thaçi, bëri të kundërtën. "Harroi" se ekziston një vendim i tillë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Dhe në vend që ta përdorte këtë si argument të ekzistencës së shtetësisë, bëri të kundërtën. Shkoi në drejtimin që e nxitën diplomacia dhe politika serbe, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë, shtetësinë dhe madje integritetin territorial të Kosovës. Hashim Thaçi, Edi Rama dhe të tjerë antishqiptarë të devotshëm e të përkushtuar u angazhuan në projektin e Serbisë së Madhe, me idenë e vendosjes së paqes me Serbinë duke shkëmbyer territore. Kështu, ndonëse paqen për Kosovën e promovoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, politika doli përtej atij vendimi. Hartoi dhe punoi për skenarë të destabilizimit të paqes dhe sigurisë në Kosovë e në të gjithë rajonin, madje edhe në Europë e më gjerë. Kjo ishte goditje nën brez e vendimit më të rëndësishëm në historinë e shtetit të Kosovës, atij të 22 korrikut 2010.

Institucionet e Kosovës, parlamenti, qeveria, institucioni i presidentit, kur ky institucion t'i rikthehet qytetarëve, grupi negociator, gjithkush në Kosovë, madje dhe qytetarët e saj, kanë obligim të kërkojnë para kujtdo me bindje, me përgjegjësi, me vendosmëri dhe pa dilema zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës të 22 korrikut 2010 për njohjen dhe pranimin e pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ai vendim është dokumenti themelor që garanton sot e përgjithmonë ekzistencën, shtetformimin e shtetndërtimin në Kosovë. Legjitimiteti i atij vendimi është i padiskutueshëm dhe i pakontestueshëm edhe prej atyre anëtarëve të Përhershëm të Këshillit të Sigurimit, si Rusia e Kina, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur e sovran. Eshtë i pakontestueshëm edhe për pesë vendet anëtare të BE-së, katër prej të cilave anëtare të NATO-, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por që këto vende ta njohin vendimin e Gjykatës së Drejtësisë në Hagë, duhet që vendimi i saj të bëhet pjesë integrale e koshiencës dhe nënkoshiencës së politikës shqiptare, në Kosovë, në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e kudo!

Ndërkaq shihet se ka përpjekje nga Beogradi e Moska të tërheqin vëmendjen me atë se "Rezoluta 1244 është ende në fuqi"! Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i ka dhënë përgjgije edhe këtyre përpjekjeve në favor të pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës! Ai vendim është në fuqi, është legjitim, është legal, edhe pse Rama dhe Thaçi praktikisht e kanë "harruar" dhe de facto e kanë zhbërë atë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat