Vlerat universale të Fesë Islame

Opinione

Vlerat universale të Fesë Islame

Nga: Rexhep Torte Më: 24 korrik 2020 Në ora: 09:52
Rexhep Torte

Myslimani i devotshëm i Fesë Islame është shembëlltyrë dobipruëse për vehten e tij, për familjen e tij, për farefisin e tij  dhe për tërë shoqërinë në përgjithësi.

Edukata e Fesë  Islame fillon që nga individi besimtar te i cili e rrënjos besimin në All-llahun e Madhërishëm, tek i cili gjithmonë dhe në çdo moment gjen mbështetjen dhe udhëzimin vetëm për kryerjen e veprave të mira dhe të dobishme për vehten e tij si besimtar mysliman dhe për tërë rrethin ku jeton dhe punon.

Të gjitha veprat e liga e të dëmshme për vetë besimtarin mysliman dhe për shoqërinë ku jeton e punon janë të dënueshme rreptësisht nga All-llahu i Madhërishëm.

Besimtari i devotshëm mysliman gjen mbështetjen tek All-llahu i Madhërishëm vetëm për sjellje të dobishme, fisnike, mëshiruese, humane që janë në ndihmë të të mirave universale njerëzore.

Adukata e myslimanit të devotshëm fillon që nga edukata e ngritjes së tij personale, martesore, udhëzimi dhe edukimi shembullor i fëmjëve, i farefisit, miqve dhe shokëve. 

Sipas  Kur’anit Famëlartë vetëvrasja, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas Kur’anit vrasja e njeriut të pafajshëm, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas Kur’anit nëse myslimani e ka sofrën e vet plot,  dhe nuk i ndihmon fqinjit të vet pa marë parasysh çfarë kombi dhe feje i takon, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas Kur’anit nëse nxënësi apo studenti gjatë studimeve nuk tregon zellshëmri dhe përkushtim ndaj mësimit dhe studimeve, por mundohet që nëpërmjet korrupsionit dhe në mënyrë të rrejshme ta kryen shkollën apo fakultetin, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas Kur’anit nëse besimtari i Fesë Islame tërë ditën e kalon në xhami duke u falur dhe nuk punon punë tjetër për ti plotësuar nevojat e jetës për atë vetë dhe për familjen e tij, konsiderohet mëkat i madh  për myslimanin.

Sipas Kur”anit nëse në një familjen me Besim Islam bëhen shpenzime të tepruara e të panevojshme, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas Kur’anit nëse  gjatë procesit gjyqësor dëshmitari me Besim  Islam  dëshmon rrejshëm, apo gjykatësi i Besimit Islam merr vendim të padrejtë duke e dëmtuar personin e pafajshëm, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas Kur’anit nëse besimtari i Besimit Islam nuk e paguan Zeqatin e çdo viti për pasurinë që disponon, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas Kur’anit, nëse besimtari i Besimit Islam i jep dikujt borxhe  me kamatë, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas Kur’anit nëse besimtari i Besimit Islam nuk i ndihmon  apo nuk i mëshiron të varfërit, skamnorët dhe njerëzit në nevojë, konsiderohet mëkat i madh për myslimanin.

Sipas kur’anit nëse besimtari i Besimit Islam adhuron dikë tjetër veç All-llahut të Madhërishëm, konsiderohet mëkat i madh dhe i pafalshëm për myslimanin.

Sipas Kur’anit nëse  besimtari i Besimit Islam nuk e pranon jetën e përtejme pas vdekjes, konsiderohet mëkat i madjh për myslimanin.

Këto janë disa nga mesazhet Kur’anore që duhet ti ketë parasysh dhe  në mendje çdo besimtar i Besimit Islam në çdo moment të jetës së tij në këtë botë.

Besimi Islam bazohet në Kur’anin Famëlartë që All-llahu i Madhërishëm ia shpalli Profetit Muhamed para 14 shekujve nëpërmjet engjëllit Xhebrail, në kohëzgjatje prej 23 vitesh.

Kur’ani Famëlartë nuk është shpallur vetëm për arabët, por për mbarë njerëzimin, si udhëzim për paqe, mirësi, mëshirë, drejtësi dhe barazi midis  njerëzve.

All-llahu i Madhërishëm Kur’anin e shpalli pas shpalljes së Teuratit dhe Ungjillit, duke parë se në këto dy shpallje paraprake u bënë devijime të patolerueshme nga predikuesit dhe besimtarët e tyre.

Kur”ani është  shpallje e përkryer ku nuk mund të shtohet ose pakësohet asgjë.

Profeti Muhamed zen vendin e parë në mesin e 100 personaliteteve  më të shquara në botë, mbi bazën e përhapjes së Kur”anit, mbi bazën e sakrificës, mëshirës, jetës modeste dhe ndihmës për të tjerët. Majkël Hart, historian amerikan, në librin e tij  “The 100, a ranking of the most influential person in history” (100 njerëzit  më me ndikim në histori), e ka vendosur Muhamedin , të dërguarin e All-llahut në vendin e parë në historinë e njerëzimit, ku ka thënë, “E kam zgjedhur Muhamedin të jetë i pari në listën, edhe pse sigurisht  do të habiten shumë për këtë përzgjedhje  dhe kanë të drejtë, por Muhamedi është njeriu i vetëm në histori  që ka pasur sukses në nivel fetar dhe të kësaj bote. Ai është udhëheqës politik, komandant ushtarak, prijës fetar , dhe pas kalimit të 13 shekujve  nga vdekja e tij, ndikimi i Muhamedit vazhdon të jetëi fuqishëm dhe i freskët”.

Profeti Muhamed me sjelljet dhe strategjinë e tij arrijti ti mposhtën Romakët, Bizantin dhe Persët shumë të fuqishëm ushtarakisht, ku sundonte një tirani  e ashpër dhe e shfrenuar duke u shkaktuar  vuajtje të mëdha popujve.

Profeti Muhamed fillimisht  në këto shtete dërgonte delegacione duke kërkuar paqerisht vetëm përhapjen e Fesë Islame. Kur këto shtete e kundërshtonin këtë propozim paqesor duke u kanosur edhe me luftë, atëherë e përdorte ushtrinë.

Profeti Muhamed  para çdo beteje i urdhëronte  komandantët e ushtrisë së tij që të mos vriten gratë, personat e sëmurë,  fëmijët  dhe personat që gjendeshin duke u lutur në tempujt e besimit që kishin.

Profeti Muhamed pas fitores  ndaj armikut, popullit të përvuajtur nga regjimet e mëparshme i jepte tokë për ta punuar dhe i krijonte kushte pune.

Këto karakteristikat thelbësore të Besimit Islam ndikuan që ky besim të përhapet me nje shpejtesi maramendëse nëpër botë.

Shumë të krishterë apo të besimeve tjera janë konvertuar në  besimtarë myslimanë, dhe nuk mund të gjejmë asnjë shembull që ndonjë person i besimit islam të jetë konvertuar  besimtar i krishterë apo i ndonjë besimi tjetër.

Kur’ani Famëlartë fillon me fjalën  IKRE- lexo, mëso. Dijetarët në fenë islame konsiderohen  njerëzit më të nderuar e të respektuar.

Besimi i krishterë lejoi që të digjen në karmën e druve Galileo Galileu, apo Xhordano Bruno.

Ka persona që pa i njohur mirë gjerat dhe pa menduar me llogjikë të shëndoshë, bazuar kryekëput në paragjykime stereotipe, propagojnë  mendimet e tyre tejet të gabuara lidhur me fenë islame dhe myslimanët.

Këta persona për fat të keq shkojnë aqë larg  duke propaguar kinse, Feja Islame na ka lënë prapa në shumë fusha të jetës.

Është fakt se bota myslimane sot gjendet në krizë, është e përçarë dhe është bërë objekt  i shfrytëzimit nga të  huajt, por kjo është  vetëm rezultat i moszbatimit si duhet të udhëzimeve që i jep  Kur”ani.

Bota myslimane po ta zbatonte me përpikmëri Kur’anin, po të bashkohej, po të krijonte një bankë të fuqishme myslimane, universitete të fuqishme, po ta zhvillonte industrinë e ti shfrytëzonte pasuritë nëntokësore duke mos i shitur si xehe, por ti përpunonte  në vend, po ta shtonte  angazhimin e popullatës në punë, natyrisht që efektët do të ishin të shkëlqyera.

Kur’ani Famëlartë i jep kuptim jetës dhe i drejtohet tërë  njerëzimit  për ta udhëzuar në mirësi, mëshirë, drejtësi e barazi.

Kjo që po ndodh sot  në shtetet islamike shumë pak ka të ngjarë  me Kur’anin, me veprimet dhe udhëzimet e Profetit Muhamed.

Në këtë botë shtetet diktatoriale të veshura me tirani e korrupsion nuk mendojnë fare për mirëqenien e popujve të tyre, por vetëm për jetën luksoze të kastave udhëheqëse të tyre. Të gjitha  këto janë  shkaktarët kryesorë të një vale milionëshe  refugjatësh dhe  azilkërkuesish për të siguruar bukën e gojës në vende më të sigurta.

Kjo ndodh  për shkak të  grumbullimit të  pasurisë në duart e një grupi njerëzish që kanë humbur ndjenjën dhe ndërgjegjen e mirësinë  njerëzore, por edhe   lumturinë shpirtërore të tyre që arrihet vetëm me respektin dhe ndihmën e ndërsjellë ndërmjet njerëzve.

Profeti Muhamed, edhe pse arrijti të bëhet  sundues i tërë Gadishulli Arabuk, beri nje jetë tejet modeste mbi parimin e urtësisë, mëshirës, mirësisë, drejtësisë e barazisë, që janë  edhe shtyllat  kryesore e Besimit Islam.

Duke i njohur parimet e fesë islame ne sot habitemi kur shohim jetën e praruar e të shfrenuar të këtyre shteteve islamike, e cila nuk ka aspak të ngjarë me Kur’anin dhe Besimin  Islam të mirfilltë.  

I vetmi shpëtim nga kjo situatë është zbatimi  i drejtë  i fjalëve  Kur’anore. Kjo don të thotë ta edukojmë vehten në adhurimin e All-llahut Një, krijuesin fuqiplotë, me mirësinë, mëshirën, ndihmën e solidaritetin  mes njerëzve, bazuar fuqimisht edhe në  dhënien e Zekatit një herë në vit që është 2,5 përqind mbi bazën e pasurisë që kemi. Zekati  ka kuptimin ngjashëm me tatimin e sotëm e që këto para të Zekatit  përdoren për të ndihmuar të varfërit dhe njerëzit në nevojë, duke patur synim arritjen e  drejtësinë e barazinë për mbarë njerëzimin.

All-llahu Krijues secilit ia ka dhënë edhe kushtet   për të jetuar, por janë njerëzit e ligë  që me sjelljet e mëkatet që i  bëjmë ua marim nga goja  riskun të tjerëve, për  tu bërë më të pasur dhe më të autoritetshëm, pa menduar fare  se në botën tjetër domosdo secili prej nesh do të jep llogari para All-llahut për të gjitha të mirat apo  mëkatet që i ka bërë, duke ia caktuar  vetes xhenetin apo xhehenemin e merituar.

Besimtari mysliman nuk humb asgjë nëse e adhuron All-llahun, dhe ruhet nga gjërat e ndaluara e të dëmshme, përkundrazi ai fiton udhëzimin dhe qëndrueshmërinë, mposht epshet dhe gjen qetësinë shpirtërore bashkë me kuptimin e jetës që jeton.

Feja dhe besimi përbëjnë domosdoshmëri jetike, me të cilën njeriu ngrihet e lartësohet, ndërsa shoqëria rruhet, edukohet dhe zhvillohet.

Njeriu pa fe dhe besim i ngjan një puple të cilën e mer era.

Besimi Islam është besim që krijon hapësira si për materialen ashtu edhe për shpirtëroren, për të vërtetën dhe të fuqishmen, për fenë, shkencën, për këtë jetë dhe atë që vjen pas saj.

Çdo dry i mbyllur mirë kërkon doemos çelësin e duhur për ta hapur dhe ky çelës është vetëm besimi në Allahun.

Me Besimin në Islam arabët triumfuan mbi evropianët të cilët nëntë herë erdhën me synim që ta nënshtronin lindjen e myslimanizmit. Me Besimin Islam myslimanët arritën ti mposhtnin edhe tatarët.

Kur’ani është Shpallje për lindjen e një shoqërie të re

Mendimi është kufomë e ngrirë, i pajetë për sa kohë që besimi nuk i jep atij shpirtin e vet. Mendimi është mjegull që mjegullon, ndërsa besimi është yll që ndriçon.

Elementi bazë i Besimit Islam është besimi në Një Zot, besimi në Shpalljen e Kur’anit dhe besimi në jetën e përtejme.

Faktet dhe argumentet flasin qartë se pas kësaj Gjithësie është Një Fuqi e madhe e cila e vë atë në levizje, e drejton, e orienton dhe e mban në mbikëqyrje, që në Kur’an e quajnë me emrin më të bukur gjithëpërmbëledhës All-llah.

Zotin e Madhërishëm nuk mund ta perceptojë llogjika njerëzore, sepse njeriu akoma nuk e din të vërtetën për veten, për jetën që e jeton dhe për shumë nga dukuritë që shfaqen në gjithësi. Ky Zot nuk i përket një grupi apo populli të caktuar apo një vendi, por është “Zoti i botëve”, “Zoti i qiejve dhe i tokës”, “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit”.

Gjithë ky krijim patjetër që duhet ta ketë Krijuesin e vet, gjithë ky rregull nuk mund të ekzistojë pa rregullatorin.

Besimi në All-llahun është  varka e shpëtimit për ata që kanë hypur në të, ndërkaq mohimi e përgënjeshtrimi është porta e shkatërrimit dhe e mjerrimit për ata që kanë hy në të.

All-llahu është Zot i Vetëm, Një dhe i pashoq. Krijimi dhe rregulli në Gjithësi tregojnë se Krijuesi dhe Ndreqësi është Një, sepse po të kishte më shumë se një dorë apo mendje atëherë nuk do të flitej më për rregullsi, sistem, nuk do të flitej për asgjë.

Kur’ani  nuk pranon as shtesa e as pakësime

Kur’ani është shpallje e thirrje për lindjen e një shoqërie krejtësisht ndryshe nga ajo paraislame, shoqëri  e dalluar në besimin dhe bindjen e saj, në mënyrën e jetesës, shoqëri  ku nuk ka racizëm, klane, as krahinëzime e as klasa.

Pushtetarët e prijësit e injorancisë e kuptuan çdo të thoshte një shoqëri e tillë. Kjo do të thoshte rrëzim i pushtetit e të fronit të tyre, do të thoshte fund i padrejtësive dhe i shtypjes, ndihmë për të dobëtit e të varfërit. Prandaj nuk pushuan duke luftuar e penguar me të gjitha mjetet këdo që kërkonte rrugën e All-llahut.

Ky është thelbi i vëllazërisë së vërtetë njerëzore, i lirisë së vërtetë e reale, i fisnikërisë absolute.

Myslimanët nuk i përulen askujt përveç All-llahut. Kjo jetë nuk është fundi i jetës njerëzore, njeriu e lë këtë trup siç lë robën e tij, por prapë vazhdon të mbetet të jetojë një etapë tjetër, ku i miri shpërblehet për të mirat që i bën, dhe i keqi ndëshkohet për të këqijat e tij.

Kur’ani argumenton mundësinë e rikrijimit, pas ringritjes së njerëzve nga varret vjen dhe llogaria e përpiktë dhe peshorja e drejtësisë absolute. Xhenetin All-llahu e ka përgatitur si shpërblim për rrobërit e tij të mirë dhe Xhehenemin e ka përgatitur për njerëzit e shthurur e të mbrapshtë, ku janë bërë bashkë ndëshkimi shpirtëror e trupor.

Besimi Islam është besim i lehtë, i qartë dhe i kuptueshëm. Besimi Islam ka disa veçori që nuk ekzistojnë në besimet e tjera. Besimi Islam nuk është besim i huaj dhe kundërshtues ndaj natyrës njerëzore, por i përshtatur plotësisht si çelësi i duhur për kyçin perfekt. Kur’ani  është i përcaktuar e i pandryshueshëm, nuk pranon as shtesa e as pakësime.

Besimi Islam nuk pranon që dikush ta përqafojë atë i detyruar dhe i shtrënguar. Nuk pranon përulje e nënshtrim ndaj atyre që  e luftojnë këtë besim.

Qetësinë shpirtërore e jep vetëm besimi në All-llahun

Shkenca është rruga e duhur për ta njohur lëndën. Ajo mund ta dijë se lëvizin gjërat, por kurrë nuk mund ta dijë se cili është lëvizësi i tyre dhe se pse i ka vënë ato në lëvizje. Shkenca ka arritur të kuptojë vetëm anën e jashtme dhe sipërfaqësore.

Shkenca nuk mund të japë përgjigje në pyetjet se cili është shkaku i parë i jetës, kush e filloi jetën në qelizën e parë të botës, si mund të spjegohen miliona gjëra që ndodhin në botë. Përfundimet e shkencës janë të përafërta, e jo të sakta.

Bibliotekat e botës janë përplot me libra ku shkencëtarët shprehen se shkenca orienton drejt Zotit dhe fton në besim.

Shqetësimet dhe problemet mendore të njerëzve në Perëndim janë pasojë e shmangies nga besimi te Zoti e bota tjetër, dhe dhënies pas përfitimeve materiale në këtë botë.

Rregullat me të cilat feja i ngarkon njerëzit i afron shpirtit njerëzor shumë më tepër kënaqësi sesa përfitimet materiale që nuk mund të zgjasin përgjithmonë.

Besimi është oazë e udhëtarit dhe ylli polar i detarit, orientuesi i të humburit dhe arma e luftëtarit, miku i të huajit dhe shoku i të frikësuarit, freri i të fortit dhe fuqia e të dobëtit.

SHBA-të janë vendi më i pasur në botë, por përsëri kjo nuk u ka sjellë lumturi amerikanëve. Këtu njerëzit përjetojnë një krize ndjenjash.

Kjo manifestohet edhe në shtetet e tjera të Perëndimit ku janë të pranishme  sëmundjet e rënda psikologjike, depresionet, konsumimi i  madh të alkoolit, i narkotikëve, si edhe përdorimi i armëve dhe vrasjet e shumta të njerëzve të pafajshëm, duke mos përjashtuar edhe vetëvrasjet e shumta. E vetmja rrugë për tu shpëtuar këtyre dukurive devijante është mbështetja te feja dhe besimi.

Lumturia nuk është  te pasuria e madhe  e as te emri dhe pozita, as te fëmijët, as te përfitimet materiale, e as te shkencat eksperimentale.

Lumturia është diçka që njeriu e ndjen brënda vetes, është pastërtia e shpirtit, qetësia e zemrës, çlirimi i krahërorit dhe prehja e vetvetes. Lumturia është diçka që mbin nga brënda njeriut.

Nëse lumturia është një pemë që rrënjët i ka te shpirti dhe zemra e njeriut, besimi te All-llahu dhe jeta tjetër janë ushqimi, ajri, uji dhe drita e kësaj lumturie. Lumturi nuk mund të ketë pa qetësi shpirtërore.

Pasuria, emri, pozita dhe shëndeti mund ti jepen kujtdo, por qetësinë e shpirtit vallë kush mund ta gëzojë.

Qetësinë shpirtërore e jep vetëm besimi te All-llahu dhe jeta e përtejme, atë besim që depërton thellë në qenien e njeriut, të cilin nuk e prek dyshimi dhe nuk e prish shtirrja.

Jeta ka treguar se njerëzit më të vuajtur, më të pasigurtë, më të shqetësuar dhe më të tronditur janë ata të cilëve u mungon mirësia e besimit dhe freskia e sigurisë.

Ky është frymëzimi qiellor që All-llahu e zbret në zemrat e atyre që besojnë që ata të jenë të qëndrueshëm, të sigurtë dhe të kënaqur.

Kjo është hapësira të cilën nuk e mbush as shkenca e as filozofia, por atë e mbush All-llahu. Vetëm feja mund ta zgjidhë nyjen e madhe të ekzistencës, vetëm ajo është burimi ku duhet të kërkojmë përgjigjet që i pranon natyra njerëzore dhe që e qetësojnë shpirtin.

Feja Islame u përgjigjet më së miri pyetjeve tona. Mjekët dhe shkencëtarët duke mos gjetur shërimin e sëmundjeve shpirtërore të njeriut më shumë kanë konstatuar se shërimin më të mirë e bën feja dhe besimi, ndjesia e të sëmurit se është me All-llahun.

Në një hadith All-llahu thotë, “Unë jam ashtu si më mendon robi im dhe jam me të, sa herë që më përmend”. Është ndjesia e besimtarit se All-llahu e ruan atë kudo që ai të jetë.

Namazi është tërësia kur njeriu ndjen rritjen dhe ngritjen shpirtërore dhe largimin nga preokupimet materiale. Vetëm besimtari ndjehet i lehtësuar, i çliruar dhe i kënaqur. All-llahu në sprovat e tij nëse të merr diçka kuptoje  mirë se të ka dhënë shumë më tepër se ajo që të ka marë.

 Besimtari nuk e ka ndjesinë e pushtetit ndaj të tjerëve, por dashurinë, afrimitetin dhe vëllazërimin me të gjithë njerëzit. Besimtari  e ka zemrën e pastër nga çdo inat dhe zili.

Egoizmi është sëmundje që e bën njeriun ti harrojë të tjerët dhe ti përdorë ata në shërbim të dëshirave dhe qëllimeve të tij. Morali në fe është shtyllë e fortë dhe në shoqëri themel i patundur. Feja është fre e egoizmit të njeriut dhe mban nën kontroll dëshirat e tij duke e bërë fisnik e bujar.

Për përfitime materiale dhe për qëllime të ulëta bëhen vrasje, dhunime, dhe shkelje të vlerave njerëzore. Besimi është fuqi triumfuese mbi mashtrimin dhe epshin, pushtetin dhe autoritetin. Kjo është rruga drejt fitores mbi zakonet e dëmshme sot në shoqërinë njerëzore. Besimi është ndihma dhe përforcimi më i madh i qenies së njeriut.

Besimi bëri që njeriu ti ketë përparësi të tjerët përpara vetvetes. Frika e besimtarit nga All-llahu është më e madhe se sa nga sundimtari i padrejtë. Besimtari e din me bindje të plotë se atë që e jep sot nesër do ta merr më shumëfish te All-llahu. Feja Islame është në mbrojtje dhe përkrahje të së drejtës dhe të vërtetës.

Sistemi i drejtësisë në fenë Islame është më i përkryeri nga të gjitha sistemet e tjera të drejtësisë. Besimtari është i fuqishëm edhepse nuk ka armë në dorë, i pasur edhe nëse nuk posedon flori dhe argjend, është krenar edhe nëse nuk ka shokë e përkrahës, por që mbështetet vetëm në All-llahun.

Kur njeriu beson me sinqeritet All-llahun është më madhështor se malet e larta, më i fortë se hekuri që çan malet, më i fuqishëm se zjarri që shkrin hekurin, më i vrrullshëm se uji që shuan zjarrin dhe më i furrishëm se era që e çon ujin tallaz.

Feja Islame i ka përcjellur të drejtat e njeriut 11 shekuj para revolucionit francez duke ngritur një sistem drejtësie që nuk mund ta konkurrojë asnjë sistem tjetër. Besimtari ndjen mëshirë për të dobëtin, dhimbje për të brengosurin, dhembshuri për të mjerrin dhe solidaritet me të nëpërkëmburin.

Besimtari është i bindur se lumturia në jetën tjetër nuk mund të kuptohet pa punët e kësaj jete. Besnikëria dhe sinqeriteti janë veti te besimtari në formën më të plotësuar.

Është kënaqësi kur njeriu jeton 5 herë në ditë në namaz, në një mjedis të mbushur me paqe, gjallëri, barazi, drejtësi, me dashuri dhe qetësi, larg urrejteve dhe konflikteve që i ofron jeta e përditshme. Historianët perëndimorë nuk arrijnë ta kuptojnë sekretin i cili e ktheu popullin arab nga bari delesh në kujdestar popujsh, nga fise të prapambetura, në popull të qytetëruar.

Kështu lindi tregtari i sinqertë, pasaniku bujar, punëtori i palodhur, pushtetari i ndershëm, gjykatësi i drejtë, prijësi i mëshirshëm dhe shërbëtori besnik. Mbi këto themele u ngrit shoqëria Islame dhe u formua shteti mysliman. Nëse e përmirësojmë vetveten edhe shoqëria do të përmirësohet. Çelësi i gjithë kësaj është besimi në Fenë Islame.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat