Covid Kosova sui generis 2020

Opinione

Covid Kosova sui generis 2020

Nga: Gëzim Muçolli Më: 30 korrik 2020 Në ora: 21:51
Gëzim Muçolli

Tmerri dhe frika e madhe thonë se e bllokon njeriun dhe e lë pa zë!

Nuk qenka e vërtetë sepse rasti i Kosovës po dëshmon se shkenca po shënon zhvillim me fenomene të kundërta dhe retrograde.

Në vend të preokupimit dhe llogaridhënjes nga kasta e atyre të zgjedhurve me votën e popullit (apo në rastin tjetër vetëm me 82 vota) apo edhe të brengosjes maksimale dhe gatishmërisë së qytetarëve si shtresa themelore e demokracisë kosovare për tu përballur me koronavirusin si rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e Republikës së Kosovës po ndodh shembulli më i keq i mosbindjes.

Sot paskan dalur jo pak veta me profesione të ndryshme që paskan shfaqur dyshime se kanë vdekur 16 qytetarë të infektuar me koronavirus!

Paskan lypur edhe emrat sikur të ishte deshmi autentike se virusi po merrka jetë!

Kryetari i qytetit të Prishtinës i paska publikuar emrat e atyre që koronavirusi i fshiu nga lista e të gjallëve në shërbimin anagrafik.

Jam i bindur se nuk ndihen të kënaqur pas gjithologëve tash as pse-hologët modernë.

Po përpiqem edhe vet t'iu ndihmojë duke respektuar etikën profesionale mjeksore duke publikuar listën e 16 pacientëve të vdekur nga Covid-19 në 24 orët e fundit:

1. Unë
2. Unë
3. Unë
4. Unë
5. Unë
6. Unë
7. Unë
8. Unë
9. Unë
10.Unë
11.Unë
12.Unë
13.Unë
14.Unë
15.Unë
16.Unë.

Tash që e kuptuat se mund të isha unë , apo në rastin më të keq ti apo edhe ai tjetri në mesin e këtyre 16 emrave që ishin jetë njeriu të jetuara me dinjitet duke i dhënë kontributin e vet vendit tonë deri te fëmiu 13 vjeqar që e kishte jetën përpara,po e publikoj listën e mundshme të atyre që mund të vdesin brenda 24 orëve në vazhdim.

Jo pse e dua vdekjen po ajo tashmë ndodhet në mesin tonë dhe nuk shikon asnjërin në fytyrë por kosit duke shtuar dhembjen për viktimat që sigurisht për shkak të sëmundjeve shoqëruese që po i përdorin si element shfajsues në buletinet 24 orëshe të zëdhënësve të autoriteteve tona do të kishin jetuar së paku edhe nja 10 vite të mira.

Unë nuk i dua numrat e mëdhenj as prognozat e pakthyeshme por po ndalem me pak duke publikuar emrat e viktimave ( të mundshme) të nesërme:

1. Ti
2. Ti
3. Ti
4. Ti
5. Ti
6. Ti
7. Ti
8. Ti
9. Ti
10.Ti.

Pra nesër gjithkund mund të jesh ti ai që mund të sëmuhet dhe mozomakeq edhe ta vërtetosh se si mund të vdiset nga Covid-19.

Sigurisht se pastaj bëhet boll dhe askush më nuk kërkon ta luajë rolin e budallës duke pyetur për emra e mbiemra dhe se a kanë pasur patologji shoqëruese viktimat e coronavirusit.

Leni pyetjet e panevojshme dhe pa lidhje sepse nuk jeni në gjendje ta luani rolin e Shën Thomait, dhe përpiquni ta respektoni dhimbjen e atyre që u vdiqën më të afërmit.

E mos i harroni kurrë tri rregullat e arta: distancën, maskën (që mbulon gojën dhe hundën) dhe lani duart gjithmonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat