Tranzicioni në rreth vicioz, apo demokracia si “mision i pamundur”?!

Opinione

Tranzicioni në rreth vicioz, apo demokracia si “mision i pamundur”?!

Nga: Den Hata Më: 31 korrik 2020 Në ora: 14:27
Ilustrim

A po instalohet një demokraci reale në Shqipëri apo thjeshtë kemi të bëjmë me një demokraci fasadë që shërben vetëm për t’iu hedhë hi syve turmave të rebeluara jo rrallë gjatë këtyre dekadave pritshmërishë të kryqëzuara? Ende pas kaq kohësh nga rënia e murit Stalinist shqiptar, neostalinizmi nën petkun e Njëshit të partive dhe gjithçkaje tjetër që server agjenta e një demokracie të rrethuar, vazdon të diktojë agjentën e tij mbi shumicën e shqiptarëve, të cilët nuk kanë përfituar asgjë deri tani përveç të drejtës legjitime për tu rebeluar ndaj këtij realiteti.  

Pas rreth tridhjetë vjetësh nga rënia e Diktaturës komuniste, Shqipëria vijon të mbetet një demokraci e brishtë dhe rruga drejt demokracisë liberale, sa më shumë kohë që kalon, aq më e largët duket në fund të tunelit dhe në momente të veçanta është perceptuar edhe si një “mision i pamundur”. Klasa politike e lodhur dhe tejkonsumuar, pasi ka përshkruar një trajektore plot ulje-ngritje, ecje përpara e kthim mbrapa, tani duket e ngrirë në një pozicion apatie dhe mefshtësie klithëse, ndërkohë që  ndërtimi i institucioneve të reja demokratike është prekur nga sindroma e kalasë së Rozafës, me mure që ngrihen gjatë ditës, por që prishen papritmas gjatë natës, për të nisur sërish nga e para.  

Në këtë rënie të trajektores  deri në rrënim, të obsionit të ndërtimit të demokracisë dhe të institucioneve të saj, ka ndikuar dhe mungesa e një tradite demokratike në një vend që vjen nga kaosi dhe anarshia, nga feudalizmi dhe primitivizmi i sundimit të fiseve dhe dyerve të para, nga ajo që Mbreti Zog, e quajti “vështirësia e të sunduarit të 800 mijë mbreëreve”, pasi sipas tij në Shqipëri çdo banor e konsideronte veten mbret.  

Periudha pas rënies së Diktaturës komuniste në vendet e ish Lindjes është konsideruar nga politologët dhe sociologët si periudhë e tranzicionit dhe prej këtej termi u adoptua edhe nga politikanët si dhe nga publiku i gjerë, duke u bërë pjesë normale e fjalorit bashkëkohor të të gjitha gjuhëve europianolindore e më gjerë, dhe mes tyre edhe e shqipes. Etiketimi i periudhës postkomuniste si “periudha e tranzicionit” i dedikohet më së shumti paradigmës së ofruar nga përfaqësuesit e teorisë së tranzitologjisë, e cila konsiderohet si një nga rrymat teorike më dominante të shpjegimit të tranzicionit postkomunist. “Tranzitologjia” shpjegon procesin e kalimit nga një regjim politik në një tjetër, kryesisht nga regjimet autoritariste në ato demokratike, duke nisur që nga vitet 70’të me rënien e autoritarizmit burokratik dhe formave diktatoriale në Amerikën Latine, Europën Jugore dhe Afrikën e Veriut e deri tek zhvillimet që lidhen me rënien e kampit komunist në Europën Lindore.  

Tashmë janë bërë shumica ata që mendojnë se shkaktarët e vërtetë të mjerimit shpirtëror dhe ekonomik nuk janë budallenj, as edhe të paaftë profesionalisht a mendërisht, apo se, ata nuk marrin vesh nga zanati i tyre! Ata e njohin shumë mirë zanatin dhe misionin e tyre prej oktapodi, për të shfrytëzuar e përvetësuar pasuritë, që i përkasin popullit. Ata nuk çojnë ujë në mullirin e progresit tonë ekonomik e të shumëçkashëm, sepse mbrojnë interesat e Klanit Grabitës, kurse interesat tona si popull ia kanë shitur djallit! Politikanët “tanë” mbrojnë interesat e Klanit Grabitës dhe jo interesat e popullit! Lufta mes tyre nuk është për alternativa, rrugë e kahje zhvillimi, por për zona ndikimi politik dhe shanse për të tejmbushur xhepat, për të grabitur me “duar të pastra” gjithçka që ende nuk është grabitur! Tre dekada kapërcyen nga dita kur në vendin tonë u vendos sistemi i ekonomisë së tregut, alla kapitalizmi popullor, i cili shpalli objektivin kryesor: Ndërtimin e shtetit ligjor, shtetit demokratik të së drejtës. E gjitha një mashtrim, fund e krye! Hija e tranzicionit vërtitet si një mallkim në trullain shqiptar, ku sundon varfëria dhe pamundësia! 

Tranzicioni shqiptar karakterizohet nga një betejë politike e stërzgjatur dhe nga një shkallë e lartë e konfliktualitetit politik, duke vonuar kështu mjaft procese parapërgatitore të anëtarësimit të vendit në institucione perëndimore dhe në ato të BE, të cilat kanë mbetur peng i një loje politike të keqe, ku aktorët dhe protagonistët politikë shqiptarë me gjithë kompleksitetin e mëkateve dhe veseve të tyre kanë luajtur rol primar në këtë frenim dhe rënie galopante.  

Po sa do të vazhdojë ky tranzicion dhe ku do të shkojmë ne shqiptarët, në stacion do të hipim më në fund në trenin e demokracisë reale që na çon drejt BE dhe integrimeve reale euroatlantike?!  

Këtë përgjigje duhet të na e japin ustallarët tanë politikë, që deri tani na kanë afruar simbolikën e trishtë të Kalasë së Rozafës dhe ndihen aq të konsumuar, sa iu është mërzitur edhe fytyra e tyre në tribuna dhe ekrane! Këtë përgjigje e presin me ngulm shqiptarët, që të ndahen një herë e mirë me të kaluarën e tyre mjerane dhe të shohin të vërtetat e një kohe tjetër në sy, duke ecur në ato rrugë ku ka kaluar gjithë bota demokratike dhe jo në rrugë eksperimentale dhe “krijuese”!  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat