Shqiptarët në Mal të Zi, në zgjedhjet parlamentare dalin të ndarë e të përçarë së paku 2 lista zgjedhore

Opinione

Shqiptarët në Mal të Zi, në zgjedhjet parlamentare dalin të ndarë e të përçarë së paku 2 lista zgjedhore

Nga: Hajrullah Hajdari Më: 31 korrik 2020 Në ora: 21:24
Hajrullah Hajdari

Me 30 gusht, në Mal të Zi do të mbahen zgjedhjet e radhës parlamentare, në të cilat partitë politike shqiptare garojnë për 3 deputet të mundshëm, sipas Ligjit zgjedhor në Mal të Zi.Mirëpo, në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2016, partitë politike shqiptare fituan vetëm një (1) deputet, deputet për hasret, si pasojë e daljes me 3 lista zgjedhore.

Edhe kësaj radhe, pas 30 viteve në pluralizëm, shqiptarët janë të ndarë e të përçarë në shumë parti politike, jo më pak se 12. Në të vërtetë ato janë shëndrruar në parti lagjesh, fisesh e mbi të gjitha parti politike për intersin e vetëm të disa individeve e në asnjë aspekt, shumica e tyre, nuk përfaqësojnë më interesat kombëtare të kësaj popullate, të lënë pas dore si nga pushteti aktual, e duke bashkëpunuar ngusht me pushtetin, edhe nga vet partitë politike shqiptare.

Trupi zgjedhor i shqiptarëve në Mal të Zi numron rreth 24.000 votues potencial, por duke pasur parasyshsh boshatisjen e trojeve shqiptare nga dita në ditë, ky numër është dukshëm më i vogël.Numrat flasin qartë, çka do të thotë se numri i votuesëve për një parti politike është më i vogël se 2.000 dhe si pasojë asnjë parti politike, si e vetme, nuk ka mundësi të fitojë një mandat në parlamentin e Malit të Zi. Ky numër zvoglohet edhe më shumë kur dihet se një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve që 30 vite me radhë votojnë partitë malazeze e ky numër është më i madh se numri i votueseve që i takon mesatarisht një partie shqiptare, mbase edhe asaj më të madhës.

Në kushte normale, nëse partitë politike shqiptare në Mal të Zi do të vepronin në bazë të statuteve të partive të tyre dhe vullnetit të shprehur të popullit, nëse në rend të parë do të kenë interesin kombëtar dhe socialo-ekonomik të popullsisë shqiptare këtu në Mal të Zi, nëse do t’i lënë anash interesat personale dhe mëritë ndaj njëri tjetrit, e vetmja mundësi për të fituar më shumë së një deputet (një si asnjë) do të ishte dalja me një listë të përbashkët, si koalicion i shqiptarëve.Fatkeqësisht, si duket, shqiptarët në Mal të Zi në zgjedhjet parlamentare të sivjeme do të dalin në dy kolona ose dy lista zgjedhore

Përpjekjet për dalje më një listë zgjedhore

Për bashkimin e partive shqiptare në një listë zgjedhore të përbashkët nuk është se nuk u bënë përpjekje, por sigurisht ishin të vonuara dhe të pakoordinuara si duhet.Populli shqiptarë në Mal të Zi, duke rikujtuar zgjedhjet lokale në Tuz, jo më shumë se para një viti,shpresoi shumë në diplomacinë e shtetit amë – Shqiperisë por edhe Kosovës, shpresoi shumë edhe nga diaspora shqiptare. Përpjekjet ishin, siduket, të pakoordinuar mirë, me anësime e mbi të gjitha të vonuara. Ka qenë e ditur se viti 2020 është vit zgjedhor në Mal të Zi ndaj edhe është pritur, sidomos nga Tirana zyrtare, që të reflektojë me kohë e të bëjë përpjekje maksimale për bashkimin e partive shqiptare në një listë zgjedhore, në bashkëpunim sigurisht edhe me Prishtinën dhe diasporen. Ato vepruan ndaras dhe në “ dymbdhjetë pa pesë”, pra atëherë kur po hetohej se po lindë koalicioni i parë në mes të vetëm dy partive shqiptare, Unionit Demokratik dhe Partisë Demokratike e disa ditë më vonë iu bashkangjitë edhe subjekti i parë politik shqiptar- Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Populli thotë “nuk majet kurbani natën e Bajramit” . Pikërisht kur diplomacia shqiptare e sidomos diaspora shqiptare në Amerikë po bënin përpjekje për t’i bashkuar partitë politike në trojet shqiptare në Mal të Zi, më 28 korrik 2020 lindi koalicioni i dytë shqiptarë – Forca, Alternativa, LDSH,Unioni për Tuzin dhe levizja Përspektiva.

Qytetaret të paknaqur me vendimin e partive politike

Qytetarët – votuesit me të drejtë pyesin: “ pse partitë shqiptare nuk dalin me një listë zgjedhore në zgjedhjet parlamentare” ? Dhe, vërtetë pse?! Dihet se në Ulqin të gjitha partitë shqiptare në koalicion apo vetëm, janë në një koalicion të përbashkët më partinë-shtet të DPS-it, partia e kryetarit Gjukanoviq, madje dihet se partitë shqiptare fituan shumicën në parlamentin lokal ( pra shqiptarët votuan shqip) por formimin e qeverisë lokale dhe kryetarin e komunës ia besuan partisë-shtet.Në Tuz, në zgjedhjet të para lokale për këte komunë te re të themeluar, të gjitha partitë shqiptare të cilat veprojnë në rajonin e Malësisë dolën, fituan dhe tani së bashku qeverisin këtë komunë. Atëherë, cilat janë arsyet që shqiptarët në Mal të Zi nuk do të garojnë në një listë të përbashkët zgjedhore?! Kaolicionet e formuara, tashmë, secila i bëjnë ftesë njëratjetrës që t’ibashkohet kolicionit të sajë, jemi të hapur thonë dhe fajsojnë njëra tjetren për mosarrijtjen e koalicionit të përbashkët. Po cili është qellimi i tyre, kryesisht i të pareve të partive dhe ndonjërit afër tyre?! Me përgjegjësi them se qellimi i vetëm është që bartësi i listës të bëhët deputet gjithësësi, e a do të bëhet edhe dikush tjetër s’është me rëndësi. Pra në vend të parë është interesi personal e jo interesi i popullit shqiptarë, sepse të ishte kështu nuk do kishte rëndësi se nga cila listë vjen deputeti por sigurisht do të kishim sëpaku dy deputet nga 3 të mundësuar me Ligjin zgjedhor. Kështu deputeti i dytë është diskutabil, mvaret nga shumë faktor e më së shumti nga ne vetë shqiptarët.

Trojet shqiptare në Mal të Zi, vendet ekonomikisht më pak të zhvilluara

Është evidente se shqiptarët në Mal të Zi janë shumë të paknaqur me statusin e tyre politik dhe socialo-ekonomik. Vendet e banuara me shqiptarë, të cilat shtrihen për gjatë kufirit me shtetin amë, janë vendet ekonomikisht më të prapambetura në Mal të Zi, anipse 57% të të gjitha plazhave të bregdetit malazez gjenden në komunën e Ulqinit, shtuar këtu liqenin e Shasit antik, lumin atraktiv Buna, liqenin më të madh në Ballkan – liqenin e Shkodrës, një pjesë e madhe e sipërfaqeve të plantazhave malazeze gjenden në komunën e Tuzit, pastaj Alpet shqiptare e të gjitha këto sëbashku krijojnë kushte të mrekullueshme për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë nga të cilat do të krijoheshin të ardhura të mjaftueshme për një zhvillim ekonomik më të shpejtë e të qëndrueshëm të këtyre trojeve. Pra, zoti këtyre trojeve u dha çdo gjë por dora e pushtetit s’bëri asgjë për zhvillimin dhe valorizimin e vlerave të tyre. Mungojnë investimet kapitale nga shteti. Shkalla e investimeve kapitale në territoret e banuara me shqiptarë është nën çdo nivel dhe është më pak se 1% në krahasim me investimet e përgjithshme në Mal të Zi. Në nivelin shtetëror investimet në turizëm dhe në valorizimin e objekteve kulturore në vitin 2017 ishin në nivelin e 14.149.685,00 € ndërkaq, për zhvillimin e turizmit dhe valorizimin e objekteve kulturore në vendet e banuar me shqiptarë nuk është investuar asnjë cent. Si rrjedhojë indeksi i zhvillimit krahasues të komunave në Mal të Zi, për vitet 2010-2015, ka qenë për Budvën 252,35, për Tivatin 119,28, Plluzhinë ( qytet me 2.500 votues) 105,24, Ulqin 76,95, Plavë 62,05 dhe Guci 40,3 nderësa të ardhurat të shprehura në euro, për një banor në fund të vitit 2017, në Budvë ishin, 1685,40; Tivat 720,13;Tivar 326,62; Pluzhinë 804,07; Zhabjak 541,73;Ulqin 280,43;Guci 134,54. Statistikat flasin vetë dhe s’ka nevojë për koment. Nga ana tjetër pozita politika e shqiptarëve në Mal të Zi është brengosëse. Ligji zgjedhor për shqiptarët është diskriminues, sëpaku kështu janë shprehur edhe partitë politike shqiptare, punësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore, në ekzekutiv e gjyqësi proporcionalisht me numrin e shqiptarëve, (4,91% nga numri i përgjithshëm i popullsisë në Mal të Zi), përkundër referencave kushtetuese dhe ligjore, është shumë nën këtë nivel dhe nuk arrin më shumë se 1,5% e të punsuarëve në organet e përmendura.Për përdorimi e gjuhës shqipe në organet gjyqësore në komunat e banuara me shqiptarë si edhe në organet, organizatat apo institucionet shtetërore (posta, bankat, sigurimi dhe përkrahja sociale,katastri, drejtoria e të ardhurave etj.) as që bëhet fjalë sepse e gjithë procedura bëhet vetëm në gjuhën malazeze, madje edhe komunikimi zyrtar i organeve të komunave shqiptare me organet, organizatat dhe institucionet e përmendura të cilat veprojnë , në territoret ku shqiptarët janë në shum icë, bëhën vetëm në gjuhën malazeze. Përdorimi i flamurit kombëtar, edhe pse është lehtësuar me ndryshimet e fundit ligjore, ende nuk e ka arritur nivelin e përdorimit të këtij simboli si në ish-Jugosllavi.

Partitë politike shqiptare pa Platformë politike të përbashkët

30 vjet në pluralizëm politik ( s’po them në demokraci sepse akoma i mungojnë shumë shkronja) 12 partitë politike shqiptare, që defiluan në zgjedhje të ndryshme, nuk arritën të kenë një Platformë politike të partive shqiptare, me të cilën do të përcaktohen qellimet dhe synimet kryesore të veprimit politik dhe do të përcaktoheshin kushtet për pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen në pushtet në të gjitha nivelet.Pra partitë politike shqiptare veprojnë secila për veten e saj pa i koordinuar apo bashkërenditur kërkesat e shqiptarëve ndaj pushtetit të Malit të Zi që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kombëtarë dhe zhvillimit të qendrueshem ekonomiko-social dhe kulturor. Në këtë mënyrë ata shfrytëzohen nga partia-shtet, shpesh herë për interesa personale, për t’i bërë shumicën apo për t’u prezantuar para opinionit ndërkombëtar si shtet që i ka plotësuar të gjitha standardet për liritë dhe të drejtat e pakicave kombëtare. Mekeqardhje duhet të ceki këtu se as Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi nuk ka një Platformë të veten politike e si rrjedhojë as Platformë të veprimit. Megjithate, duhet thëne se KNSH – ja për ka struktura organizative dhe mënyra e financimit nuk ka fushë të madhe të veprimit.

A kanë shqiptarët motiv politiko-ekonomik të dalin në zgjedhje

gjitha këto së bashku, pra edhe mosbashkimi i partive shqiptare në një listë zgjedhore, bëjnë që votuesi shqiptarë të pyes: “ Pse dhe a duhet të dalin shqiptarët në zgjedhje parlamentare”?! Si rrjedhojë, ka mundësi reale që një numër i votuesëve shqiptarë të mos dalin në zgjedhje apo të mos votojnë asnjërin nga koalicionet e përmëndura! Si njëri apo tjetri veprim s’ësht tjetër përveç se përgjigje e tyre ndaj veprimeve të partive shqiptare qoftë në nivelin lokal apo shtetëror, ndaj sjelljes së liderave të partive, disa prej të cilëve mbajnë peng institutin e partisë dhe kryetarit vite me radhë edhe pse fuqia e tyre s’është as për një këshilltarë komunal e jo më shumë, ndaj kapjes së pozitave vetëm nga 3-4 persona, ndaj punësimeve të padrejta e vetëm partiake e mbi të gjitha ndaj gjendjes së vështirë ekonomiko-sociale si pasojë e mos zhvillimit ekonomik të këtyre trojeve që nga viti 1945 e derisot e kësaj dite. Dhe kjo, s’do jet tjetër veç se bojkot ndaj faktorit politik të përgjithshëm shqiptar.

Sa për kujtesë po përmendi se në zgjedhjet e vitit 2002 shqiptarët në zgjedhjet parlamentare kanë garuar me një listë zgjedhore ( tri parti sa ishin atëherë) me moton “Shqiptarët bashkë, sot e mot” dhe fituan 2 deputet.Pra bashkimi në një listë zgjedhore nuk do ishte hera e parë e bashkimit të partive politike shqiptare. Por për fat të keq, pas këtyre zgjedhjeve e motos së përdorur “Shqiptarët bashkë, sot e mot” vjen deri përçarja e madhe e partive shqiptare dhe nga atëherë në skenen politike shqiptare paraqiten, si këpurdhat pas shiut, hiç më pak se edhe 9 parti politike. Shqiptarët jo vetëm qe e dinë por janë edhe të vetëdijshëm pse ndodhi një dukuri e tillë. Nëse dikush mendon për të mirën e shqiptarëve gabohet rëndë sepse shifrat e cituara më lartë e demantojnë tërësisht. Pozita politike e shqiptarëve nuk ndryshoi, madje u përkeqësua, nderësa zhvillimi ekonomik këto vite ka stagnuar, gjendja sociale-ekonomike e shqiptarëve është përkeqësuar. Po faji apo përgjegjësia e kujt është për gjëndjen e përshkruar me fakte, politike dhe ekonomike, e popullit apo partive politike dhe lidereve të sajë?! Gjithësesi edhe populli është fajtor sepse 30 vite me radhë voton pothuaj të njëjtat parti e persona pa kërkuar llogori për veprimin ose mosveprimin e tyre politik dhe për ngecjen në zhvillimin ekonomik të këtyre trojeve shqiptare. Megjithate barra e përgjegjësisë bie mbi supet e politkbërsave, kryetarëve të partive politike, të deputeteve dhe ministrave nga radhët e shqiptarëve.

Shqiptarët porosisin: të votojmë vetëm një listë zgjedhore për faktorizimin e shqiptarëve në Mal të Zi

Të gjëndur në këtë situatë shqiptarët në Mal të Zi janë para një dileme të madhe, të dalin apo mos të dalin në votime, të votojnë për partitë shqiptare të cilat përseri në zgjedhje shkojnë me të njëjtit persona nga veprimtaria e të cilëve gjendja e shqiptarëve është si u përshkrua më lartë, apo të votojnë ndonjë parti tjetër malazeze, siç bëjnë që 30 vite një pjesë e konsideruar e shqiptarëve në Mal të Zi, me shpresë se vota e tyre do të ndihmojë në rritjen e investimeve kapitale pra në zhvillimin më të shpejtë ekonomik në trojet e tyre etnike.Shqiptaret e dinë se të fitosh vetëm një deputet, pothuaj se është si asnjë, pasi fuqia në vendimmarrje është minimale për të mos thënë zero, nderësa të fitosh 2 apo 3 deputet do të thotë, sidomos pas këtyre zgjedhjeve, të keshë peshë dhe mundësi të ndikoshë në vendimmarrje të rëndësishme, sëpaku për çëshjet vitale për shqiptarët.

Shqiptarët kësaj rradhe duhet të votojnë me ndërgjegje, më shumë se asnjë herë më parë, për të mirën e tyre.

Shqiptarët  në Mal të Zi, në retrospektiven e tyre kanë shembullin dhe kujtimin e bashkimit të shqiptareve në Mal të Zi në vitin 1990 rreth subjektit të parë shqiptar – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe fitorës brilante – 4 deputet.. E gjitha kjo jo vetëm kujtim sa për histori por për reflektim dhe frymëzim të partive politike dhe lidereve të tyre, mbase akoma ka mundësi për dalje më një listë të vetme zgjedhore. Ka edhe 1 javë për dorëzimin e listave zgjedhore andaj politika zyrtare e Tiranës, Prishtinës, diaspora e kushdo tjetër që ka mundësi të ndikojë në këtë aspekt, nuk duhet të ndalen, duhet të vazhdojnë përpjekjet sepse vetëm të bashkuar si një do të faktorizohet politika shqiptare, përndryshe përgjegjësia bie edhe mbi të përmendurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat