Pse nuk ka deputetë shqiptarë nga Malësitë e veriut në Malin e Zi?!

Opinione

Pse nuk ka deputetë shqiptarë nga Malësitë e veriut në Malin e Zi?!

Nga: Ramiz Lushaj Më: 1 gusht 2020 Në ora: 10:20
Ramiz Lushaj

1. Astenjiherë, në asnji legjislaturë, prej nga 2006-ta, qyshce kur Mali i Zi doli shtet më vete, i pavarur e sovran, dhe me ndihmen e shqiptarëve, “Malësitë e Veriut”: Plava e Gucia, Rrozhaja etj. nuk kanë pasë deputetë shqiptarë nga partitë shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi, trojenik në këto zona etno-historike, administrative e elektorale, sikurse kanë partitë malazeze, serbe, boshnjake, etj.

Kjo është e mbetet një gjeostrategji e gabuar, e damshme, e vonuar, antidemokratike e politikës shqiptare, e partive shqiptare në Malin e Zi.

Partitë politike shqiptare kanë mbetur të përqëndruara me kandidatë për deputetë kryesisht apo krejtësisht në disa “rezervuar elektoralë” me vota partiake pro-shqiptare me shumicë, si në Ulqin, Tuz, Tivar, Podgoricë, në këto treva afër detit e midis fushës, duke marrë vota edhe nga “përrenjtë” (sheu) elektoral në Alpe, në “Bjeshkët e Nemuna (Bekuara) prej nga Gucia, Rrozhaja, Plava e ndonjë vis tjetër verior.

Dikur dhe dikush, me patjetër e sa ma shpejt, duhet t’i thotë “Mjaft” dhe “Mjaft” këtij fenonomeni politik disa dekador, kësaj situate elektorale “merr e mos jep…”, etj. Partitë e bregdetit e të fushës duhet t’ia kthejnë “borxhin” e vjetër e të ri Alpeve, elektoratit shqiptar të tyre, që i mbajnë në pushtet, që “i bajnë shtet”, që rrojnë e këndojnë edhe prej tyre me devotshmëri apo dallavare…!

Parti të tjera të vogla të pozitës dhe opozitës, që kanë 1 apo 2 deputetë, arrijnë deri aty sa të marrin dhe vota të shqiptarëve për deputetët e partitë e tyre politike. Partia Boshnjake e Rafet Husoviqit merr vota shqiptare deri në Rrozhajë. Lideri dhe deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, dr. Dritan Abazoviq, shqiptar nga Ulqini, që mbron tezën e “origjinës serbe të Skënderbeut”, etj. merr vota shqiptare dhe në Plavë-Guci. Lideri dhe deputeti i Partisë Inisiativa Qytetare Kroate, Adrian Vuksanoviç, merr vota shqiptare dhe në Dole të Gucisë, etj. Edhe Deti Adriatik ka frikën e vet se i shterrojnë burimet e maleve, po partitë shqiptare ende kanë burime e përrenj elektoralë me vota shqiptare, por iu ndahet shpesh e shumë “vada elektorale” nga të tjerët. Ndaj ka me ardhë dita e keqe (e kurrë mos ardhtë), që partitë politike shqiptare që rrijnë anës detit Adriatik e midis fushës së Podgoricës kanë me i dvet Alpet Shqiptare: “A kanë ujë ato burime...”! E, atëherit, ndoshta do të jenë vonë. Tepër vonë. Mozomakeq!

2. Partitë politike shqiptare në Malin e Zi duhet me e ditë fort mirë se shqiptarë, të vetdeklaruar shqiptarë me rrenjë e lis, nuk ka vetëm në Guci, Rrozhajë e Plavë, por ka edhe në Beranë, Bijelo Polje, Plevlja, Mojkovci, Kolashin, etj., ndaj të cilëve duhet me pasë ma tepër kujdes me sjellë vota në rritje për deputetët shqiptarë. Shqiptarë, në tanësi, rrënjas nga Malësitë e Veriut Shqiptar, nga të 13 komunat e sotme, janë mbi 4 mijë shqiptarë, të deklaruar shqiptarë etnik, të cilët ose kanë me u zvogëlue nga asimilimi e mërgimi ose kanë me u rrit numerikisht e potencialisht nga gjeostrategjia e politikës kombëtare shqiptare të partive politike shqiptare në Malin e Zi.

Një nga arsyet, mundësitë e përparësitë është dhe pasja e një deputeti shqiptar përfaqësues nga partitë politike shqiptare, nga Malësitë e Veriut Shqiptar, në Kuvendin e Malit të Zi.

3. Mali i Zi (vet)ndahet në tre rajone të mëdha, ku njani prej tyne është Rajoni i Veriut, ma i madhi për nga sipërfaqja e tij (8.399 km2) dhe numri i komunave (13), por dhe popullsia i shkon në mbi 200 mijë banorë (sa një e treta e popullsisë së MZ).

Këta tre tregues gjeografik, demografik e administrativ, duhet t’i obligojnë detyrimisht partitë politike shqiptare që të caktojnë të paktën një deputet të vetëm, një të vetëm, deputet të vetin, nga “Rajoni i Veriut”, pasi edhe malazezët, edhe serbët, edhe boshnjakët, kanë deputetë nga trevat e ndryshme të këtij rajoni, biles dhe në funksione të larta të Parlamentit e Qeverisë së Malit të Zi.

Nëse partitë politike shqiptare në MZ do të dilnin me një Listë të Vetme do të mbrrinin edhe 4 deputetë (sigurisht dhe me ndihmën elektorale e votuese të Diasporës Shqiptare). Atëherit, ndoshta, do iu luteshim apo kërkonim, që të kishin një ndarje gjeografike politike kombëtare elektorale edhe në Ulqin, edhe në Tuz e Podgoricë, edhe në Tivar, por me çdo kusht, me patjetër, edhe në “Malësitë e Veriut” të MZ, në “Rajonin e Veriut”.

Po tashti, me këtë ndamje që ndodhi në dy koalicione politike elektorale shqiptare, do të ishte akt i lartë kombëtar e shansi i fundit, që të gjitha partitë politike shqiptare në MZ të mblidheshin bashkë e të nënshkruanin një Marrëveshje Historike që votat e tyne elektorale në “Malësitë e Veriut”, në Plavë-Guci, Rrozhajë e gjetkë, të shkonin vetëm e vetëm për kandidatin shqiptar për deputet nga “Rajoni i Veriut”.

4. Politika shqiptare në Malin e Zi, partitë politike shqiptare në MZ, që nuk po caktojnë astenjiherë asnjë deputet shqiptarë nga “Malësitë e Veriut” në MZ, nga “Rajoni i Veriut” i MZ, duhet ta dijnë qartë e saktë se 8 komuna në territorin e Malit të Zi janë pjesë etno-historike e Sanxhakut të Novi Pazarit (Tregut të Ri).

Sipërfaqja e Sanxhakut të ndarë në dy shtete ballkanike është pothuaj e njëjtë: 4.183 km2 në Malin e Zi dhe 4.504 km2 në Serbi, por mbi të gjitha duhet të kihet parasysh se Sanxhaku i dikurshëm ishte ma së shumti me popullsi etnike shqiptare, çka dëshmohet dhe në kohën e sotme.

Pra, një deputet shqiptar nga partitë politike shqiptare në MZ do të ishte më se i domosdoshëm edhe në Malësitë e Veriut të MZ, edhe për Sanxhakun në pjesën e MZ etj., sikurse dhe për Ulqinin, Tuzin, Podgoricën (shqiptarët jashtë territorit të Tuzit komunar), Tivarin.

5. “Malësitë e Veriut” në MZ, “Rajoni i Veriut” në MZ, veçmas në Plavë, Guci, Rrozhajë, kanë me dhjetra emra të nderuar e të bekuar për t’u zgjedhur deputet në Kuvendin e Malit të Zi, që të jenë deputet shqiptar, tamam shqiptar, me “24 karat shqiptar”.

Në koft se politika shqiptare në MZ, partitë politike shqiptare në MZ, e kanë të vështirë me përzgjedh, une kisha me dhanë një kandidaturë të profilit e formatit të madh alpin. Një emër që dritëron shqiptarisht e nderon kombëtarisht. Ali Daci i Rrozhajës. Poet. Studies. Publicist. Autor me libra letrar e studimor. Drejtor i Manifestimit Tradicional Kombëtar Kulturor “Ora e Maleve” në Rrozhajë. Nënkryetar i Shoqatës Kombëtare “Kosova për Sanxhakun”. Zv/kryeredaktor për Malin e Zi e Sanxhak i “Gazeta e Alpeve” në Tiranë, gazetë rajonale, panshqiptare e ndërballkanike “Qytetar Nderi” i Pejës në Kosovë. I dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Nënkryetar i një partie politike në Malin e Zi. Personalitet shqiptar i njoftun në krejt Rajonin Ballkanik Shqiptar.

6. Të gjithë e dijmë tashti historinë e “Çakorrit”, që Kosova ia dha tokën e saj etnike shtetit të Malit të Zi.

Prandaj, ky fenomen nuk duhet të na vijnë me goditje dhe në Politiken Shqiptare në MZ. Që Elektorati Shqiptar në “Malësitë e Veriut”, në “Rajonin e Veriut të MZ, të na kthehet, të jetë një “Çakorr politik” për partitë e tjera të Malit të Zi, si për ato boshnjake, malazeze, etj., Që shqiptarët të votojnë për deputetë të partive të tjera jo-shqiptare. Që elektoratin shqiptarë të na e marrin partitë e tjera jo-shqiptare, deputetë të partive të tjera jo-shqiptare.

Prandaj, sa nuk jemi vonë, Politika Shqiptare në MZ, partitë politike shqiptare në MZ, të caktojnë një kandidat shqiptar për deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, i cili të jetë nga Plava, Gucia, Rrozhaja etj., nga “Malësitë e Veriut”, nga “Rajoni i Veriut”. Të mos jemi të vonuar se do të mbetemi të mallkuar…!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat