Kaos!

Opinione

Kaos!

Nga: Kimete Berisha Më: 2 gusht 2020 Në ora: 20:21
Kimete Berisha dhe Hashim Thaçi

1. Hashim Thaçi përsëri.
Nuk i pritet atij, prandaj shpejt e shpejt i fali vrasësit e dënuar me burg, në mesin e tyre edhe vrasësin e një të mituri.

Nuk ka të drejtë t'i falë vrasjet, me Ligj jo, po ka të drejtë të falë delikte të lehta.
Por ky gjithmonë parapëlqen t'i falë vrasësit, sikur i kupton, sikur ua beson vuajtjen, sikur ka mirëkuptim për ta edhe kur vrasin të mitur.

E rëndë!
Shumë e rëndë,
Presidenti në emër të shtetit i 'falë'
të dënuarit për vrasje.

Presidenti Hashim Thaçi, vjet për vjet bën tregti me 'Faljen'.
Çka fiton ai që i falë vrasësit, nuk e di!

2. Nuk e di as pse Isa Mustafa nuk e falenderoi edhe NATO-n për fitoren e betejës së tij me Covid-19.

Nuk ka qenë adet shqiptari që i shëruari të lavdërohet para të sëmurëve, e i shpëtuari para të vdekurve.
Shko edhe në varreza, merre një vekne t'nxehtë e një bostan t'ftohtë me vete, 'shtinjav' inatin e tërrpinë të vdekurve nga COVID-19.

E mos i gjyko të rinjtë pse të 'urrejnë' kaq shumë, por pyete veten 'pse'!
Urrejta është pasoja, e shkaku kush është!
Përgjigju vetes.
Urrejtja 'e tyre' nuk vjen nga xhelozia apo nga lakmia ndaj teje, sepse as nuk të xhelozojnë, as nuk të lakmojnë.

Shpëtimi i individit nuk është fitore në kohë pandemie, prandaj festoje në heshtje shërimin tënd.

3. Se vdekja vjen në mënyra të çuditshme, për shembull ligjvënësi grek Drako, ka vdekur nga dhuratat me të cilat u ngulfat në teatrin e Athinës.

Gjinja donin ta nderonin, por e mbytën me dashni.
Sa kapuçi e sa manteli ra mbi trupin e tij derisa vdiq.

Adhurimi ta zë frymën më zi se urrejtja.
Këtu, ti ke përparësi.

4. Për një ditë në Kosovë vdiqën 16 veta nga COVID-19.
- Kaos.
- Disa doktorë po sillen si oborrtartë të qeverisë Hoti.
Shembull, Lul Raka u tha sot idhtarëve të konspiracionit (që janë shumë) se 'nuk jeni ju kaq të rëndësishëm sa t'ju vendosin çipa'.

Jo doktor evropian, edhe qenve e maceve u vendosin mikroçipa dhe kjo nuk i bën më të rëndësishëm se njerëzit.

- Disa të sëmurë kanë përfunduar në korridore, e politikanëve u shkojnë doktorët në shpi.
- Diskriminim klasik.

- Papastërti në spitale. Kush me dorë fshesë nuk prek.
- Shqiptarët po varfërohen.
- E kafiteritë plot. Nuk lejohet, se sa për që tutën ishin ulë në prehër të shoqi-shoit.

- Dafi i heq tatuazhet.
- Mozziku në mesnatë lanson albumin e ri.
- Sabria e qet një kēngë të re dhe ja ngjet emrin 'Edhe një herë'.
Edhe një hamam. S'ka edhe një herë!

- 20 mijë shqiptarë shkojnë m'u la në detin e Shqipërisë për fundjavë.
Atje shqiptarët sillen sikur nuk po ndodh asgjë, nuk mban kush maskë, as distancë, llafi më i madh në stom deti.

Avdullah Hoti po e shpëton ekonominë dhe turizimin e Shqipërisë, duke e rrezikuar masivisht popullin e Kosovës.

A hiq s'bën mos me shku n'deti sivjet a!
Patriotizëm i madh mos me mbyll kufirin me Shqipërinë, që të sheh veç si lek, dhe të jep për lek, vet fakti se pa dhimbtë Edi Rama e organizon 'turizmin e vdekjes' për ne. Dhe e hesht rrezikun!

5. Veç Skenderin e ka Kosova aristokrat, pranaj ai shkon në Washington për çështjen e Kosovës së 'Re'.

Prej se e ka marrë Kosovën në dorë Skender Hyseni, Grenelli u qetësu dhe u kënaq tuj pushu.

Se kur ishte Rugova gjallë, e kur shoqnia mblidheshin në Gjakovë, tha kur nisnin bisedat serioze, Rugova i thoshte Skendës, 'shko laju pak në Erenik, se ne i kemi do fjalë'.

Por, Skenda u 'rritë' ndërkohë, u bë 'i madh', është autor i thënies më të njohur në Amerikë: 'Shqiptarët nuk mund të prodhojnë 'Jambo Jets', por mund të ziejnë ajvar, nga një tegull për kokë banori, dhe kështu ndodhi, parashikimi i tij doli i saktë, shqiptarët u mësuan të bëjnë ajvar, anipse m'u maru ajvari lyp shumë durim.

6. Sa më përket mua, jam në dilemë.
Jam apo s'jam.
Po ndjehem si ata pleqtë që kur lakmojnë me ble ndonjë teshë të re, telefon, sahat a najçka tjetër, ju vjen marre, ngushtohen, e lidhin me kohën dhe pyesin 'çka m'vyn!
Me m'vy, m'vynë po s'di...mos po e lë 'shkret'!

7. Isha dalë, e kisha ble një fustan me lule, ndoshta m'u kish ndreq disponimi.
Po s'di ku me veshë!
S'kam ku me veshë!
Veç nëse sillem nëpër korridorin e banesës ose rreth banese.
Kush ka shpi, bile sillet rreth shpije, e ka një kuptim ai rreth rrotullim.

Ti mendon se asgjë s'të vyen, nëse s'të sheh kush e s'të merr lakmi!

8. Kerrin e kam pa regjistru.
S'po di a me regjistru!
S'di as ku e kam parku herën e fundit!
Prej atëherë veç shiu e ka la.

Çka po më vyen me regjistru?
S'kam as ku me shku.
Më mirë me 'ble' kohë, kur koha po 'soset'!

9. Kur i sheh të gjithë, në të njejtën gjendje, për ty, a është më e lehtë a më zorshme kjo mërzi!
Nuk e di.
M'u kanë përzi mërzitë, s'i dalloj më, cila mërzi ishte pak më 'shoqe' se të tjerat.

Me siguri është më e zorshme kjo mërzi, sepse s'ke prej kujt lyp ndihmë.
Jo 'më fal', por 'më ndihmo' është fjala më e vështirë.

10. Çdo gjë vjen me vonesë. Veç e keqja vjen me kohë.
E duke pritë me pshtu, harron me jetu.

11. E mira e së mirës edhe unë isha shku n'det. E lyp trupi.
Po s'di a pushon trupi ndamas nga mendja!

A pushohet në kohë pandemie?
A pushon njeriu në rrezik?

Një milionë për qind, pushon.
- Kur gjatë luftës na rrethuan policia serbe dhe gjuanin në drejtim të shtëpisë ku ishim të ngujuar dhjetëra veta, aq shumë u lodhëm nga frika, aq shumë u munduam të shpëtojmë, sa na zuri gjumi, flemë të shtrirë në dysheme, derisa plumbat vazhdonin të binin në dritare, në çati dhe në mur....
thjesht nuk kishim më forcë të frikoheshim nga vdekja...

.. prej atëherë e kam provuar vetë se gjumi i mundë të gjitha, është më i rëndë se frika, dhe më i shpejt se vdekja.

Prandaj, kur lodhesh shumë, dëshiron që të mos jesh më.

12. Ora gati 11 e mbramjes, pandurët po endet rrugës B, me vërejtjen për t'u shpërndarë nëpër shpija, por askush nuk nxiton.
As unë.
S'du me nxitu!

Çka mund të na bëjnë...të na gjobisin 5 a 6 veta gjithë këta 'rebelë' që jemi duke u endur rrugëve të mërzitur.
Veç nëse gjuajnë me alltia n'ajër ? se përndryshe, nuk ikim pa na ndjekë.

13. E çka me bë pra, fisnike?
S'ke çka bën!
Lëje veten rehat.
Mësohu me jetu sot për sot.
Me pas mend kishe jetu gjithmonë kështu, sot për sot!
Dhe, lutu të del dikush që e merr kontrollin mbi këtë kaos.

P.S. Kujdes, se mund të të bëj për vete ky 'fat'!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat