Dy fytyrat e Kosovës

Opinione

Dy fytyrat e Kosovës

Nga: Anton Marku Më: 2 gusht 2020 Në ora: 23:11
Anton Marku

Mbase mund të jetë e vërtetë se për politikanët tanë aktualë një ndër trashëgimitë nga koha e jetës në ish-Jugosllavi është edhe koncepti i Titos ‘‘mirë me perëndimin, mirë me lindjen’’. Por, në këtë rast ngjajshmëritë janë të vogla e dallimet të mëdha: përderisa ai arriti që këtë filozofi ta shndërrojë në lëvizje me përmasa botërore, duke krijuar bllokun e tretë të njohur si ‘‘Lëvizja e Mosinkuadrimit’’, liderët tanë e luajnë lojën në një nivel shumë të ulët dhe perfid: në Bruksel hanë drekën, në Stamboll bëjnë gjumin, duart i mbajnë në gjinjtë e Merkelit e gjunjët në krahët e Erdoganit. Kjo sjellje as nuk po shitet e as nuk po pin ujë më, sidomos në kryeqytetet e kontinentit të vjetër. Andaj është koha e fundit që shteti i Kosovës të pozicionohet qartë nëse don të jetojë në të kaluarën apo në të ardhmen.  

Turqit janë këtu

Ata në të vërtetë as që kanë shkuar ndonjëherë. Vetëm se deri më tani nuk kanë qenë dhe aq ekspozuar. Tash i ke çdokund, ngado të sillesh, që nga çerdhet, shkollat, kolegjet, spitalet e bankat, në autostradë, KEK e në aeroport. Për më tepër, në fushën e të bërit biznes, gjuha turke po i zë vendin çdo ditë e më shumë asaj angleze, e që nënkupton edhe dhënien dhe marrjen e përqindjes në tenderë. Ata japin nën tavolinë më lehtë se të tjerët sepse korrupcioni është një traditë që na e kanë rrënjosur në mendje këtu e disa shekuj më parë.

Mish-mashi partiak

Po aq sa për t‘u mbrojtur nga virusi kosovarët duket të mbajnë maska për t‘u ruajtur edhe nga politikanët e tyre, të cilët, me shumë pak përjashtime, ua kanë kontaminuar jetën tash e njëzet vite. 

Përderisa LDK, si asnjëherë më parë, i ka vënë sharrën karriges së vet, VV po e mbron kryeparlamentaren Vjosa Osmani nga partia e saj, të cilës më nuk i besohet. Se paku jo në atë masë si para zgjedhjeve të tetorit të vitit të kaluar.

Sa më shumë idealistë që aderojnë në VV aq më pak ideale. Për më tepër, një pjesë e tyre u ngjanjë më shumë iluzioneve. Albini duket si njeriu i cili është ende duke pritur ditën e vet për të shqyer edhe atë copë jete që i ka mbetur. E kontavers duket e jetë edhe ai: e konsumon të veten, fle me të huajën, e pëlqen të kuqen por nuk i pengon shamia e zezë në kokat e vashave të reja nëpër Prishtinë, të cilat janë së pari shqiptare e pastaj muslimane. 

Në anën tjetër PDK sillet si lojtar jokorrekt, i cili kërkon penallti pas çdo ndërhyrje të palejuar, qoftë ajo edhe jashtë gjashtëmbëdhjetë metërshit.   

AAK është aty ku ka qenë gjithmonë: në pozitë jashtë loje duke pritur që të fitojë diçka pasi që të ketë humbur shumëçka. 

Me Nismën dhe AKR, e para majtiste e dyta kuazidjathtiste, e që edhe vetë e dijnë se në program nuk i lidh asgjë ideore, nuk don të merret askush. Për ta nuk ia vlen të harxhohen shkronjat. Në të vërtetë ata kanë një histori aq të dhembshme sa që edhe më e dhembshme do të ishte të provosh t’i analizosh ato.

Zgjedhjet në Amerikë

Derisa Trump e ka transformuar politikën në ‘‘show’’, të tjerët kanë nisur t’i nxjerrin këmbët nga jorgani. Në këtë kontekst është fat që Putini është i fortë, por jo dhe Rusia. 

Enigmë mbetet nëse qeveria në Prishtinë do të pozicionohet për njërin nga dy kandidatët në garë për president të radhës të SHBA. Me gjasë ajo do të shënojë autogolin e radhës: do të hidhet në shpatullat e Grenell-it, nëse tashmë ende nuk e ka bërë. 

E popullit iu zbardhën flokët duke kërkuar përgjigje të reja në pyetjet e vjetra. Nuk po di çfarë të bëj me lirinë, e cila i ka mbetur në duar. Ai shpreson se nesër do të jetë më mirë e harron se (pak) më mirë ishte dje, dhe atë para vetëm disa muajve. 

E nesërmja do të nisë të marrrë fyrmë vetëm atëherë kur përfundimisht të bien maskat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat