Kompleksi i inferioritetit dhe kriza e identitetit

Opinione

Kompleksi i inferioritetit dhe kriza e identitetit

Nga: Merxhan JAKUPI Më: 3 gusht 2020 Në ora: 20:47
Merxhan JAKUPI

Çfarë hipokrizie, ironie e mëkati do të kishte ndodhur në botën e krishterë, në lindjen e largët, në botën islame dhe në gjithë kontinentet, po të dilnin në protesta e të kundërshtonin ndërtimin e tempujve të shenjta, siç janë kishat, sinagogat, xhamitë e tempujt e tjerë. Në javët e fundit mbeta i tronditur e i shokuar nga turma protestuesish, me propagandë e slogane, që kundërshtonin ndërtimin e një tempulli apo xhamie në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, ku 95 për qind janë qytetarë me përkatësi fetare islame. Në shumë media e portale, nga penat mediokër, paranikë, islamofobë e turkofobë, që shprehën urrejtje patologjike të përçarjes, duke bërë propagandë dhe duke prishur harmoninë, tolerancën dhe paqen tek shumica e qytetarëve.

* * *

Në shtetet perëndimore, po të dilnin të protestonin ata të komunitetit ateist dhe sekular, kundër komunitetit të krishterë për ndërtimin e një kishe apo katedrale, do të cilësohej si një veprim jo civilizues, paradoksal, intolerues dhe një shkelje flagrante e lirive fetare. Në botën demokratike perëndimore, të gjitha religjionet, madje edhe ato më primitive, konsiderohen si kulturë identiteti dhe qytetërimi.

Po të ndalohej nga qeveritë, si në komunizëm, ndërtimi i kulteve fetare, sikundër që është projekti i ndërtimit të xhamisë në Prishtinë, BE do të bënte kritika dhe do të dërgonte notë proteste, pasi që si kritere dhe standarde për integrim në BE, janë edhe liritë fetare të të gjitha komuniteteve, pavarësisht nga përkatësia e tyre religjioze.

RELIGJIONI SI PJESË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Protestuesit dolën me kundërshtim se ndërtimi i xhamisë në Prishtinë dhe i kulteve të tjera paraqet një kthim të neo-osmanizmit dhe që dezintegron Republikën e Kosovës, në rrugën e saj të integrimeve në familjen e madhe të BE-së. Pa marrë parasysh se kush do të ishin donatorët e projektit të xhamisë, qoftë Bashkësia Islame ose Behxhet Pacolli, këta profanë nacionalistë, me konotacione indoktrinimi ideologjik nga doktrina marksiste-leniniste dhe utopizmit enverist, do të ishin kundër restaurimeve dhe ndërtimeve të tempujve të kultit islam.

Në të gjitha metropolet e Evropës perëndimore janë duke u ndërtuar xhami, kisha, tempuj nga pjesëtarë të të gjitha religjioneve. Në Zvicër, tre vjetët e fundit, vetëm në dy kantone, në atë St. Gallen dhe Turgau, janë ndërtuar tri xhami të komunitetit shqiptar mysliman. Në kryeqytetet e BE-së, si simbol tolerance dhe respekti ndaj religjioneve, janë ndërtuar xhami, madje edhe në qytete e shtete ku nuk ka emigrantë myslimanë, përveç se ambasadorëve nga shtetet islame dhe turistëve.

Sikur të ishte Republika e Kosovës me 99 për qind shqiptarë të krishterë, ndërtimi i një xhamie, si tempull i shenjtë, do të ishte një vlerë tolerance, sepse ky është një simbol paqeje dhe respektimi të vlerave universale. Në botën perëndimore, ndonëse shumica e popullatës janë sekulare, krishterimi mbetet vulë e qytetërimit të krishterë akoma dhe sot, edhe pse ato shtete kanë shoqëri sekulare dhe moderniste, krishterimi mbetet pjesë e identitetit kombëtar. P.sh. polakët ose kroatët, po t'i pyesësh për identitetin, ata së pari do të thoshin se janë të krishterë e pastaj do të tregonin identitetin kombëtar.

Tek të krishterët e Lindjes, ortodoksët rusë, gjeorgjianët, armenët, sllavët e Ballkanit, identiteti nacional është para identitetit fetar. Si element i identitetit është nacionalizmi, ortodoksia dhe kombi. Ndryshe nga krishterimi, islami është një fe mbinacionale e universale, nuk njeh komb, racë e etnitet. Një ndër shkaqet që një pjesë e shqiptarëve myslimanë kanë krizë të identitetit, kompleks inferioriteti dhe paragjykimi, është se Islami nuk njeh racë të identiteteve nacionale kombëtare, tek Islami si premisë dhe imperativ është vetëm nocioni - vëllezër të umetit islam.

* * *

Xhamitë, teqetë, hamamet nuk janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe spirituale të shqiptarëve. Në shkrimet e mia, në të kaluarën, kam qenë kritik racional ndaj doktrinës dhe politikës së presidentit të Turqisë, Taip Erdogan, duke mos bërë fyerje, urrejtje dhe intriga, siç janë etiketimet anadollakë, neo-osmanë, turkoshakë orientalë e tjerë. Duke përcjellë mediumet, mjetet e informimit dhe portalet në perëndim, kam vërejtur se pas puçit, shumica e analistëve, politologëve e studiuesve janë kritikë ndaj qeverisjes autoritare e totalitare, duke e krahasuar Taip Erdoganin me Putinin dhe Orbanin. Po ashtu, edhe në Ballkan ka pasur kritika në portalet kroate e serbe, por gazetarë e analistë kanë qenë kritikë racionalë, madje edhe e kanë vlerësuar liderin karizmatik për reformat që i ka bërë në ekonomi dhe ngritjen e Turqisë në një fuqi rajonale dhe në shkallë globale.

Ajo që më ka habitur tek serbët, ishte qëndrimi i tyre i matur ndaj hapjes së paradokohshme të xhamisë në Aja Sofja, duke mos bërë fyerje, intriga dhe urrejtje në portalet e tyre, si të krishterë ortodoksë. Nuk është ky një qëndrim vasaliteti ndaj investimeve që po i bën dhe do t'i bëjë Turqia në Serbi, por qartë janë dëshmuar si më racionalë, më pragmatikë dhe të moderuar.

Turqia dhe Erdogani kanë bërë investime edhe në hapësirat shqiptare dhe kanë qenë çdo herë në anën e shqiptarëve, por në portalet dhe mediet vërehen fyerje, akuza dhe intriga, me një gjuhë urrejtjeje, si me shprehjet turkoshakë, anadollakë, sulltan i haremeve etj.

* * *

Vite të tëra, Agjencia turke për bashkëpunim TIKA, është shtrirë në gjithë Ballkanin, duke bërë restaurimin e kulteve, xhamive, hamameve, teqeve dhe objekteve të tjera arkitektonike orientale osmane, si në Serbi, Bosnjë, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë e Shqipëri, si dhe në Bullgari e Rumani. Në të gjitha shtetet ortodokse, që, sipas tyre, Perandoria osmane ka qenë një ndër perandoritë më bizare, pesë shekuj me radhë nën pushtim dhe okupim, ndihma e TIKA-s për restaurimin e arkitekturës osmane ka qenë e mirëseardhur dhe vlerësuar mjaft, përkundër faktit se nuk janë objekte të krishterë, por se kanë vlera universale, qytetëruese dhe multi-kulturore. Shembull, sipas projektit të TIKA-s, në Beograd dhe Nish, do të ndërtohet nga një xhami, si në metropolet evropiane.

Protestuesit në Prishtinë, janë peng të fobisë paranoike, se ndërtimi i xhamisë në Prishtinë dhe të gjitha objektet, si hamamet, teqetë, dyqanet, lagjet, kalldrëmet, shtëpitë e vjetra osmane sjellin diçka të keqe dhe se nuk janë trashëgimi e vlera të kulturës kombëtare spirituale, por gjoja janë tempuj apo objekte që i kanë ndërtuar armiqtë, pushtuesit osmanë, me gjithë mercenarët, ku kanë qenë edhe mbi 30 vezirë shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat