Për një proces të besueshëm e transparent të kandidaturave në PD!

Opinione

Për një proces të besueshëm e transparent të kandidaturave në PD!

Nga: Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më: 7 gusht 2020 Në ora: 17:25
Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Partia Demokratike e Shqipërisë ka nis një proces të rëndësishëm në jetën e saj. Anëtarësia e saj ka diskutuar, propozuar dhe ka seleksionuar një numër të madh kandidaturash për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjë që nuk ka ndodhur më parë në asnjë parti politike shqiptare.

Ky proces diskutimi dhe përzgjedhjeje për anëtarët e parlamentit të ri shkon përtej ligjit të dekriminalizimit, ligj i cili mund të quhet pa frikë si “Ligji Basha”! Që atëherë (para 4-5 vitesh) si efekt i këtij ligji kanë ndodhur shumë ngjarje, dorëheqje, largime dhe penalizime në parlament dhe në drejtuesit lokalë, shumica dërmuese prej të cilave të grupimit të rilindjes së krimit!

Megjithatë duhet thënë se përzgjedhja në mënyrë demokratike e kandidaturave nuk është një risi e re për PD-në. Në vitin 2000-2001 kandidatët për kryetarë bashkie dhe për deputetë u zgjodhën përmes konventave të mëdha, në të cilat vloi debati dhe fitoi konsensusi e procesi demokratik brenda partisë. Ndërsa tani përfaqësuesit e parlamentit të ri të kësaj partie do të zgjidhen me formulën e votimit të anëtarësisë. Duhet thënë se asokohe ky mekanizëm e riktheu Partinë Demokratike në faktor të padiskutueshëm e të pakontestueshëm.

Ndaj dhe formula e sotme përforcon besimin se PD dp rikthehet akoma më fuqishëm se asokohe, po të kemi parasysh gjithashtu rrënimin e pashembullt që Rilindja ua solli shqiptarëve. Me këtë veprim Partia Demokratike bëhet edhe më demokratike, ndërsa lideri i saj, zoti Basha, jep shembullin e pashembullt në spektrin politik shqiptar për ta ndarë vendimmarrjen e tij me anëtarët e kësaj partie. Kjo ngjall besim, shpresë dhe krijon frymë në favor të opozitës shqiptare dhe në ndëshkim të rilindjes së dështuar. Por që procesi të jetë krejt i besueshëm, kërkohet transparencë e plotë.

Kërkohet të ruhen ekuilibrat brenda partisë, në të cilën bëjnë pjesë ish- të persekutuar dhe ish-komunistë, militantë të përhershëm e militantë të zhgënjyer, “karrige-thyer” të rikthyer, artistë, shkrimtarë, intelektualë dhe akademikë të spikatur e me integritet, personalitete si Halim Kosova, të rinj të pastër dhe idealistë, por edhe disa ish- zyrtarë të lartë të administratës shtetërore të përfolur për korrupsion. Çfarë dua të them me këtë? Seleksionimin e kandidatëve që do të votohen nga anëtarësia e PD-së e bën një komision i posaçëm heterogjen nga pikëpamja e përbërjes së tij. Në atë komision gjenden figura të kësaj partie, që kanë kapërcyer disa herë ylberin, sipas interesave dhe madje kanë sulmuar ashpër Partinë Demokratike, duke e akuzuar atë p.sh për akte destabilizimi përmes nxitjes së tërheqjes së kursimeve në banka.

Të tilla sulme ishin para 20 vitesh shërbesa më e mirë e mundshme për ata ose atë që sot qeveris Shqipërinë. Në atë komision gjenden gjithashtu të dorëhequr, por që nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e pazareve politike të kundërshtarëve të PD-së. Gjenden gjithashtu qëndrestarë të palëkundur në të gjitha periudhat e vështira të kësaj partie. Nëse do të isha unë në atë komision do më tërhiqnin kandidaturat nga radhët e qëndrestarëve me integritet të lartë. Dikush që që ka qenë neutral objektivisht tërhiqet për të mbështetur kandidaturat e këtij formati.

Ndërsa dikush që e ka parë PD-në si interes dhe gjendet në atë komision vetiu do të dëshirojë e tentojë të kandidojë sa më shumë figura që dje dhe nesër e shesin interesin e partisë e të Shqipërisë për interesin personal. Prandaj që procesi të jetë i besueshëm e transparent, secili kandidat duhet vënë në peshore bazuar në standarde të caktuara, në të cilat bëjnë pjesë vlerat morale, angazhimi politik dhe mbështetja që ka krijuar si rezultat i afirmimit ose jo të standardeve të tilla. Ndërkaq besoj se ka edhe një shqetësim tjetër. Më pak se në Partinë Socialiste e në LSI, por edhe në PD ka patur fjalë se kandidimet blihen me para.

Shumica e parave kanë përfunduar në xhepat e servilëve të kryetarit ose drejtuesve të PD-së, duke u hequr si “miq” të tyre e për pasojë kishin mundësi të lobonin për përzgjedhjen në fjalë. Ka prej tyre që pasi kanë bërë para me kandidime në PD, kanë ikur prej aty e janë bashkuar me Edi Ramën, me qëllim që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe te rilindja. Psikoza se “Paraja kthen Drinin përpjetë”, d.m.th hap çdo derë ekziston te një pjesë e demokratëve jo demokratë dhe për pasojë ka nga ata që venë në dispozicion vlera monetare për të blerë “vlerën njerëzore”! Sa është i imunizuar nga kjo sëmundje komisioni përkatës?! Derisa në të bëjnë pjesë persona të përfolur për korrupsion, kjo mundësi nuk përjashtohet. Nëse ndodh kjo, atëherë do të vihen në listë njerëz të paaftë e të dështuar, njerëz që nesër do të thonë “Mos më çaj kokën se në fund të fundit karrigen e deputetit e kam blerë”!

Megjithatë procesi i nisur duhet çuar deri në fund. Eshtë detyrë e kryetarit të Partisë, e kryesisë dhe idealistëve që janë në drejtimin e saj të luftojnë fort që asnjë prej këtyre rreziqeve të mos ndodhin kësaj here. Në listë do të ketë edhe militantë, ish të persekutuar e njerëz nga shoqëria civile, si dhe artistë, shkrimtarë, krijues, profesorë, akademikë dhe personalitet të shkencës. Do të ketë gjithashtu “karrige-thyer” e të rivlerësuar, po ashtu njerëz neutralë.

E rëndësishme është që “karrige-thyerit” e rivlerësuar të reflektojnë dhe të garantojnë se nuk ikin prej Partisë Demokratike në momentin kur atyre “u thyhet karrigia”! Në listën e kandidatëve duhet të përfaqësohen të gjithë, të djeshmit e të sotmit, të ikurit e të ardhurit, gjithnjë sipas disa standardeve, me të cilat nuk bëhet kompromis! Shkurt, duhet ruajtur balanca dhe ekuilibri midis të gjitha grupimeve. Ndërkaq atyre që rikthehen u duhet kërkuar së paku modesti: Nuk është e pranueshme që dikush të vijë në parti me sigmën “Erdha se ka ndryshuar PD dhe jo se kam ndryshuar unë”! Kjo mendjemadhësi nuk premton për të ardhmen. Sigurisht që ndryshimi dhe përputhja vijnë nga të dy anët, por kurrsesi vetëm nga drejtuesit e Partisë Demokratike!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat