Reagim profesionistësh brenda sistemit arsimor! - Bota Sot
Reagim profesionistësh brenda sistemit arsimor!

Opinione

Reagim profesionistësh brenda sistemit arsimor!

Nga: Qemal Çejku Më: 12 gusht 2020 Në ora: 22:24
Qemal Çejku

Viti i ri shkollor po afron dhe përsëri, Ministria dhe strukturat në vartësi tërësisht të paafta dhe të papërgjegjshme, janë të papërgatitura për fillimin e vitit shkollor 2020 - 2021.

Që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 e deri në momentin kur u vendos karantina që përkon me fillimin e të ashtuquajturit mësim online MASR nuk mori asnjë masë për situatën duke u gjendur lakuriq përpara situatës së krijuar.

Shkolla duhet hapur!

Tërmeti dhe pandemia hoqën praktikisht një vit shkollor dhe jo 3 muaj. Ministria dhe institucionet heshtin ose janë me pushime stinore, pasi sot nuk kemi asnjë masë të marrë, asnjë konsultë të përbashkët midis institucioneve përgjegjëse për të hartuar një strategji apo një plan a do të hapen shkollat, nëse po cili do të jetë plani? Mirëpo, shkollat duhet të hapen sipas urdhrit të përbashkët të dy ministrive, të Arsimit dhe të Financës, që viti i ri shkollor do të hapet me datë 14 Shtator 2020 sipas urdhrit nr. 71 dt 25/02/2020. Masat që duhen marrë janë:

•    Dezinfektimi i gjitha shkollave në të gjitha hapësirat duke përfshirë edhe pjesën jashtë në oborr

•    Plotësimi i problematikave në tualete, për ujë, pastërti, si dhe dezinfektues

•    Pajisjen me dezinfektues në hyrje të shkollave

•    Matje e temperaturës për secilin nxënës dhe mësues

•    Përdorimi i maskave në ambiente brenda në shkollë

•    Reduktimi i klasave me dy turne pasi duhet vetëm një nxënës për secilën tavolinë

•    Heqjen e burokracive për mësuesit si: portofole apo regjistra për vlerësime me shprehje, heqjen e orës së mësimit 90 minuta me dy tema.

•    Vendosjen e sinjalistikës në oborr apo brenda për distancimin fizik

•    Mbatja në kontakt me mjekët e familjes apo të qendrës shëndetësore më të afërt

Këta janë masat që duhen marrë dhe shkolla duhet të fillojë pasi ne do kemi një situatë më të rëndë se ekonomia nesër. Mësimi online (në distancë) nuk duhet të ndodhi. Kjo sepse ka disa argumenta që faktojnë tezën që ky vetëm mësim nuk quhet.

Efikasiteti i mësimit online është zero, për të mos thënë që mund të jetë dhe nën kuotën zero. Që nga emërtimi (online) nuk është korrekt, sepse vetëm online nuk ishte. Një numër i madh nxënësish nuk morën pjesë në mësimin në distancë e një numër tjetër i konsiderueshëm detyrat ose përgatitjen e kishin të kopjuara ose më keq akoma të bëra nga prindërit. Po ashtu vlen për t’u theksuar që dhe vlerësimi i nxënësve ishte fiktiv, kjo si pasojë e urdhrave të brendshëm për të mos i vlerësuar nxënësit me nota të ulëta, por me nota të mira për t’ju ngritur moralin.

Zhvillimi i mësimit në distancë!

Për shkak se MASR ishte në gjumë dimëror deri në momentin e shpërthimit të pandemisë të gjithë u gjendëm të papërgatitur për të zhvilluar mësimin në distancë. Në fillim të proçesit të gjithë u përballëm me një kakofoni urdhrash e udhëzimesh. Udhëzime që për shkak të papërgjegjshmërisë drejtuese ditë pas dite kundërshtonin vetveten. Urdhra që për shkak të analfabetizmit të drejtuesve të IA nuk kishin bazë logjike e as juridike. Çfarë kërkohej sot, nesër ishte e gabuar, e çfarë kërkohej të nesërmen, pasnesër kishte ndryshuar kuptim.

Mësuesit në zhvillim e mësimit në distancë.

Si gjithmonë më fatkeqët, më mjeranët e më të harruarit në situata të vështira janë mësuesit. Mësuesit u gjendën të papërgatitur e çfarë është më kryesorja të patrajnuar përpallë kësaj emergjence. Që të zhvillohej procesi i mësimit në distancë mësuesit duhet të kishin së pari aftësi të mira kompjuterike dhe së dyti pajisje të mira të teknologjisë ( kompjutera ose smartphone) që për fat të keq shumica prej tyre nuk i kishin dhe më e rëndësishmja të ishin të trajnuar rreth këtij proçesi. Një arsye e madhe e dështimit të mësuesve në këtë proçes është dhe mosha e madhe e një pjese të konsiderueshme të stafeve pedagogjike ç’ka e bën më të vështirë zhvillimin e këtij proçesi. Kemi parë që nga mësues që lexojnë ditarin (me vështërsi) e deri te mësues që lexojnë bukur këngën e Circe-s.

Përse i radhita disa nga dështimet kryesore të MASR në mësimin në distancë?  Sepse asgjë nuk ka ndryshuar. Gjithçka është aty ku është lënë, pa plan e pa vizion e nëse vazhdon të jetë opsion që viti shkollor të nisi përsëri me mësimin në distancë atëherë më mirë ta shtyjnë për vitin tjetër.

Tërmeti dhe pandemia hoqën praktikisht një vit shkollor dhe jo 3 muaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat