Kosova ma dha punën dhe bukën, Maqedonia ma dha burgun dhe rugën

Opinione

Kosova ma dha punën dhe bukën, Maqedonia ma dha burgun dhe rugën

Nga: Rexhep Torte Më: 14 gusht 2020 Në ora: 10:10
Rexhep Torte

Jetoj dhe do të vdes me Kosovën në zemër.

Kosova në vjeshtën e vitit 1971 ma dha punën dhe bukën si gazetar i “Rilindjes”. Këtë kafshatë të gojës ma morrën kodoshët Nijazi Limanovski dhe Halit Basha nga Dibra, vegla të  Shërbimit sekret sllavo-jugosllavo-maqedonas, duke mi marë edhe  7 vite jete me burgosje, hetime e papunësi.

Kodoshin Nijazi Limanovski si shpërblim shteti maqedonas e pajisi me doktoranturë fiktive, përpos që ishte deputet republikan, drejtor i “Radia Dibra” dhe korespondent i shumë gazetave joshqipe.

Kodoshin Halit Basha si shpërblim shteti maqedonas e bëri kryetar të  Komitetit të LKJ-së në Dibër, sërish e vuri korrespondent honorar të “Rilindjes”, përpos që ishte sekretar në Pallatin e Kulturës, zëvendësdrejtor në  “Radio Dibra” dhe korespondent honorar i “Flaka e Vëllazërimit”.

Kosova ma dha punën e bukën edhe në vitin 1978, si përkthyes  në Redaksinë e gjuhës shqipe në Shërbimin e Përkëthimeve në Këshillin Ekzekutiv Federativ të ish Jugosllavisë. Edhe kësaj here Shërbimi sekret sllavo-jugosllavo-maqedonas, dërgoi shkresën se Rexhep Torte nuk mund të punojë në këtë institucion.

Fadil Hoxha dhe Imer Pula, funksionarë të lartë të atëhershëm të Kosovës ma vunë dorën dhe vazhdova të punoj si përkthyes gjer në shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

Kosova është pjesë e rëndësishme e jetës s’ime. Lidhjet e mia me Kosovën e kanë zanafillën qysh si nxënës i tetëvjeçares kur lexoja “Zërin e Rinis”, e më vonë edhe “Rilindjen” dhe “Jeta e re”. Në vazhdimësi lexoja shumë, shkruaja  dhe recitoja bukur.

Gjatë studimeve të letërsisë  në Beograd u bëra anëtar i Shoqatës Letrare Studentore “ Përpjekja” dhe në vitin 1967   më zgjodhen kryetar të kësaj shoqate, e cila me nismën time u bë  shoqatë letrare-muzikore, sepse kishte një numër të madh  të studentëve shqiptarë që studjonin  në Akademinë e Muzikës në Beograd  si edhe studentë këngëtarë  të talenNë gjirin e “Përpjekjes” ishin edhe ekipet e futbollit dhe të shahut që merrnin pjesë edhe në garat studentore.

Asokohe pata rastin të njihem me shumë shokë dhe me ajkën  letrare, gazetareske, kulturore dhe me shumë veprimtarë të Kosovës.

Punësimi në “Rilindje”

Rexhep Zogaj, drejtor i NGB “Rilindja” në vjeshtën e vititit 1971, më ftoi në Prishtinë dhe më informoi se redaksia “Rilindja” mendon ti përforcojë korrespondenturat në Maqedoni, dhe më  propozoi që unë të jem   gazetar i rregullt i “Rilindjes” në Dibër, por që kohë pas kohe ta mbuloja edhe Strugën, Gostivarin dhe Kërçovën varësisht nga rëndësia e aktiviteteve. Ndërkaq Rexhep Zllatku që asokohe punonte gazetar i “Rilindjes” e mbulonte Shkupin, Kumanovën dhe Tetovën. Këtë propozim të Rexhep Zogajt e pranova me kënaqësi dhe fillova  të punoj gazetar i rregullt  i “Rilindjes”. Por ky gëzim nuk zgjati shumë. 

Kodoshët Nijazi Limanovski dhe Halit Basha ma ndalën hovin

Nijazi Limanoski, asokohe ishte deputet Republikan, drejtor i “Radio Dibra” dhe korrespodent i shumë gazetave joshqipe në ish Jugosllavi.

Halit Basha, sokohe ishte zëvendësdrejtor i “Radio Dibra”, sekretar në Pallatin e kulturës-Dibër dhe korrespodent honorar i “Rilindjes” dhe “Flaka e Vëllazërimit”.

Këta dy kodoshë për arsye miskine të konkurrencës gazetareske dhanë deklarata të rreme  në Policinë e Dibrës  dhe në Komitetin e LKJ-së. Aktivi Politik i Dibrës pas disa mbledhjeve vendosi që unë të mos jem gazetar  i “Rilindjes” nga Dibra. Lidhur me këtë qëndrim  Aktivi Politik i Dibrës i dërgoi edhe letër redaksisë “Rilindja “ në Prishtinë që  unë të mos jem gazetar i “Rilindjes” nga Dibra. Kjo letër u  botua  në  gazetën “Rilindja” dhe poshtë saj edhe fjalia, “Mbi këtë bazë edhe Redaksia e “Rilindjes” heqën  dorë nga gazetari Rexhep Torte”.

Si rezultat i kësaj u pëjashtova nga puna, u burgosa, dhe iu nënshtrova hetuesisë. Kjo odisejadë zgjati shtatë vite.

Nijazi Limanoski nga sistemi i atëhershëm monist, për këtë intrigë ndaj meje u shpërblye me titullin e doktoranturës fiktive  në Shkup.

Halit Basha nga sistemi i atçhershëm monist, për këtë intrigë ndaj meje u shpërblye duke e bërë kryetar  të Komitetit të LKJ-së- në Dibër  dhe u vendos sërish të vazhdojë punën si korrespodent honorar i “Rilindjes” nga Dibra përveç punëve tjera që i  kryente.

Një muaj e gjysëm pasi fillova ta kryej shërbimin ushtarak  në Çernomelj të Sllovenisë, për të më diskredituar edhe më shumë erdhi thirrja për procesin gjyqësor të caktuar për më datë 12.12.1972 në Dibër.

Në bangën e zezë u ula me uniformë ushtarake. Procesi gjyqësor ishte i hapur dhe salla e gjykimit e  korridori ishin mbushur  përplot me qytetarë kureshtarë për ta parë epilogun e këtij gjykimi.

Procesi gjyqësor zgjati më shumë se pesë orë, në të cilin kundër meje hapur në ballafaqim dolën dëshmitarë  Nijazi Limanovski e Halit Basha, duke konfirmuar deklaratat e tyre të dhëna në polici dhe  në Komitetin e LKJ-së, se “unë para tyre paskësha mbështetur demonstratat studentore që u mbajtën në vitin 1971 në Zagreb, paskësha kritikuar vendimet e KQ të LKJ-së të Kroacisë me në krye Savka Dapçeviq Kuçar dhe fjalimin e Titos lidhur me këto  demonstrata studentore, si edhe shumë të paqëna tjera. Unë kategorikisht i hodha poshtë këto  deklarata të këtyre dëshmitarëve kodoshë.

Shehat Marku, kryetar i trupit gjykues në procesin gjyqësor përkundër këtyre dëshmive, thirrjes dhe kërcënimeve në disa  biseda informative në polici nga përfaqësit e Shërbimit të sigurimit shtetërorr dhe presionit të jashtëzakonshëm të institucioneve shtetërore të atëhershme në Maqedoni, qëndroi i palëkundur dhe  me aktvendimin e tij në këtë proces gjyqësor  më liroi nga aktakuza duke më shpallur  të pafajshëm.

Pasi përfundoi procesi gjyqësor unë të nesërmen heret në mëngjez u nisa  për në kazermën ushtarake në Çernomelj të Sllovenisë ku duhej të arrija në kohë. Aktvendimi gjyqësor në kazermën ushtarake më erdhi pas dhjetë ditëve.

Ndaj këtij aktvendimi gjyqësor u ankua prokurori Tome Buzharovski, ankesë e cila u pranua dhe u vendos  që  procesi gjyqësor ndaj meje të përsëritet dhe lëndën time gjyqësore tashmë e mori për  të proceduar Vojisllav Zhivkoviq, kryetar i Gjyqit në Dibër, me të vetmin qëllim e direktivë që domosdo të më dënojë.

Në ndërkohë e kreva shërbimin ushtarak dhe i gjendur para një situate ku më priste dënimi me burg, vendosa  që ti shmangen dënimit dhe kalova në ilegalitet që zgjati plot shtatë muaj, gjersa sipas dispozitave ligjore skadoi edhe afati i lëndës gjyqësore. Megjithatë ditën që dola në qytet sërish më arrestuan dhe më dërguan në burgun e “Shutkës” në Shkup. U lirova  nga burgu pas një jave mbi bazën e ankesës së avokatit tim Svetozar Petrovski, se kjo lëndë gjyqësore tashmë ishte vjetërruar.

Punësimi  në Beograd

Në vitin 1978 u paraqita në konkursin e shpallur në mediune për përkthyes në Këshillin Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë së atëhershme. Pas dhënies me sukses të provimit pranues u punësova si përkthyes në gjuhën shqipe në Shërbimin e Përkthimeve në këtë institucion.

Pas tre muajve pune për mua kishte arritur mendimi negativ nga  Shërbimi i sigurimit shtetëror i Maqedonisë, për të cilin më informoi Marin Branko, drejtor i Shërbimit të Përkëthimeve duke ma dhënë që ta lexoj edhe vetë këtë shkresë. Në fund të kësaj  shkrese zyrtare thuhej se, ”Rexhep Torte assesi nuk guxon të punojë në organet dhe drejtoritë e administratës  federative“.

Ishin z.Fadil Hoxha, asokohe Kryetar  i Kryesisë së RSFJ-së dhe z. Imer Pula, ministër për Treg dhe Çmime në ish Jugosllavi, që  ma vunë  dorën, dhe unë  vazhdova të punoj si përkthyes për Kosovën në këtë shërbim gjer në shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

Në kohën kur në Shërbimin e Përkthimeve erdhi për mua mendimi negativ nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror  të Maqedonisë, unë e takova z.Vahide Hoxha, bashkëshorten e z.Fadil Hoxha, e cila ishte deputete e Kosovës në Kuvendin Federativ të ish Jugosllavisë së atëhershme. Me nismën dhe  angazhimin e z. Vahide Hoxha ishin themeluar edhe redaksitë në gjuhën shqipe në  Shërbimin e Përkthimeve në Kuvendin Federativ dhe në Këshillin Ekzekutiv Federativ ku unë isha i punësuar.

Sapo e njoftova z.Vahide Hoxha për mendimin negativ që kishte ardhur për mua nga Maqedonia, ajo  më premtoi se çdo gjë do të rregullohet nëpërmjet z.Fadil Hoxha, bashkëshortit të saj që asokohe  ishte edhe kryetar i Kryesisë të  RSFJ-së, premtim i cili edhe u realizua.

Zoti Fadil Hoxha dhe z. Imer Pula, që të dy funksionarë të lartë të Kosovës, kishin biseduar lidhur me çështjen time dhe ishin  marë vesh që z. Imer Pula  ta ftojë në kabinetin e tij drejtorin tim, dhe ti komunikojë se këta dy funksionarë të lartë  nga Kosova dëshirojnë  që unë të mbetem në punë si përkthyes.

Kjo qe vendimtare që unë vazhdova të punoj në Shërbimin e Përkthimeve gjersa u shpërbë ish Jugosllavia.

Zotin Fadil Hoxha e njoftova kur isha  kryetar i Shoqatës Studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja”. Zoti Fadil Hoxha  si funksionar i Kosovës asokohe na inkurajonte dhe duke na siguruar edhe mjete financiare, sidomos në kompletimin e orkestrit me instrumente muzikore e veshje kombëtare, në kremtimin e 10-vjetorit të themelimit të Shoqatës “Përpjekja” ku ishte edhe vetë i pranishëm, si edhe në shënimin e 500- vjetorit të lindjes së Skenderbeut.

Te z. Fadil Hoxha në kohën kur unë isha kryetar i Shoqatës Studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja”, gjithmonë gjeja përkrahje për aktivitetet e shoqatës, për organizimin e mbrëmjeve letrare dhe të koncerteve në mesin e studentëve shqiptarë në Beograd, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë, Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Shkup dhe Dibër.

Zoti Fadil Hoxha pa hezitim vinte edhe në pikniqet që ne studentët shqiptarë i organizonim të djelave në Parkun Koshutnjak të Beogradit.

Gjatë kësaj periudhe unë vendosa kontakte edhe me Shoqatën Studentore Kulturore-Artistike “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Kjo shoqatë kishte përgatitur dramën për Skënderbeun “Trimi i mirë me shokë shumë” të autorit Sulejman Pitarka me regji të Krist Berishës. Me Ali Gojanin, kryetarin e SHKA “Ramiz Sadiku”  organizuam që kjo dramë të shfaqet edhe në Shkup, Dibër dhe Strugë.

Me Shoqatën Studentore  Letrare-Muzikore “Përpjekja”  e vizituam edhe Dibrën, me këtë rast të gjithë anëtarët e shoqattës i vendosëm të flejnë në familjet dibrane me të vetmin qëllim për ta zgjeruar miqësinë me familjet dibrane. Kjo gjë doli shumë e efektshme dhe lidhjet shoqërore e familjare që u krijuan asokohe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Në vitin 1967, më lindi ideja dhe  mora nismën dhe e riaktivizova edhe SHKA “Liman Kaba“ të Dibrës, e cila i kishte ndërprerë aktivitetet një kohë të gjatë dhe ndihmova edhe në organizimin e koncerteve të saj në Kosovë dhe në Beograd. Në këtë drejtim edhe SHKA “Hajdar Dushi” nga Gjakova nën udhëheqjen   shfaqi koncerte   edhe  në Beograd, Dibër dhe Strugë.

Nuk kishte gjë më të lumtur kur në vitin 1967 Shoqata Studentore Letrare -Muzikore  “Perpjekja” mbante orë letrare e shfaqte koncertet e saj në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë, Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Shkup e Dibër.

Shoqata Studentore Letrare-Muzikore “Përpjekja” i tubonte  studentët shqiptarë te këtyre qendrave edhe në Beograd, pastaj mbante mbrëmje letrare e shfaqte koncerte edhe nëpër qytetet e Kosovës e të Maqedonisë.

ShKA “Liman Kaba” e Dibrës  shfaqte koncertet e saj nëpër qytetet e Kosovës dhe para shqiptarëve që studjonin apo jetonin e punonin në Beograd.

SHKA “Hajdar Dushi” e Gjakovës shfaqte koncertet e saj nëpër qytetet e Kosovës, Maqedonisë dhe para studentëve, por edhe para shqiptarëve që studjonin apo jetonin e punoin në Beograd.

SHKA “Ramiz Sadiku” e studentëve të Prishtinës në vitin jubilar të 500-Vjetorit të lindjes së Skenderbeut shfaqi dramën e e Skenderbeut “Trimi mirë me shokë shumë” në qytetet e Kosovës, Maqedonisë dhe vizitoi edhe Beogradin. Ndërkaq Shoqata Studentore “Shkëndija” e Zagrebit  kishte përgatitur recitalin me poezi tematike  për Skenderbeun.

Në këtë vit jubilar me  mbështetjen e z. Fadil Hoxha, nëpërmjet  Entit për përparimin e aktiviteteve kulturore të Kosovës, filmi për Skenderbeun i  koproduksionit të Shqipërisë u shfaq edhe para studentëve shqiptarë dhe para shqiptarëve që jetonin e punonin në Beograd.

Din Mehmeti, kryetar i Klubit  Letrar të Gjakovës,  më ftoi që të  marr pjesë  në Metingun e parë   tradicional të poezisë që u mbajt në vitin 1967, dhe metingun e dytë që u mbajt në vitin 1968 në Gjakovë,  më 9 maj në stadiumin “Shani Nushi” nën patronatin e z. Fadil Hoxha.

Nuk e harroj momentin kur publiku me duartrokitje të vazhdueshme frenetike kërkoi  që të dal e ti lexoj për herë të dytë poezitë e mia. Në momentin që prezentuesi i metingut më dha shenjë që përsëri të dal para publikut, duke iu afruar mikrofonit plot emocione aty për aty më erdhën në mëndje dhe i recitova vargjet, “Për Dibrën time derdh lot e të shtrenjtin gjak, por edhe për ty Gjakovë kurrë jo më pak”, vargje që e lumturuan publikun e që bënë të buçasë stadiumi nga duartrokitjet dhe brohoritjet.

Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë  u ktheva në Dibër dhe pas një kohe  sërish  mora  ofertën nga redaksia “Rilindja”që botohej në Tiranë dhe fillova të punoj si gazetar nga Dibra.

Puna ime si gazetar më tej  vazhdoi në të përditshmen “Fakti” të Shkupit, që nga fillimi e gjer në  ndërprerjen e daljes së kësaj gazete, e cila  në kohën dhe vendin e duhur bëri një informim të shkëlqyer dhe shumë të rëndësishëm  për lexuesit dhe opinionin e gjërë, gjatë  zhvillimit të  luftës së UÇK-së në vitin  1999 në Kosovë dhe pas saj, si edhe gjatë zhvillimit të luftës së UÇK-së  në vitin 2001 në Maqedoni dhe pas saj.

Bashkëpunimi im  si gazetar vazhdoi edhe në “Lajm”, “Zhurnal”,“Zëri”, “Kosovapress”, “Epoka e Re”, “Illyria” në SHBA,” dhe “Rruga e Arbërit” në Tiranë.

Unë për asnjë çast nuk i shkëputa komunikimin dhe lidhjet me shokët dhe miqtë nga Kosova.

Pjesa më e madhe  e punës sime i është kushtuar Kosovës. Hapat e parë në gazetari i bëra në gazetën “Rilindja” dhe “Zëri Rinis’ të Prishtinës.

Në nëntor të vitit 1967 kur në Dibër ndodhi  tërmeti shkatërrues, me ç’rast në gazetën “Rilindja”  informoja rregullisht për gjendjen pas tërmeti.

Duke shikuar se autoritetet maqedonase llogarinë rrjedhese për ndihmat në Dibër e hapën në Shkup dhe se në Dibër nuk arrinin ndihmat e nevojshme, me ndihmën e gazetarëve të “Rilindjes” Maksut Shehu dhe Fehmi Baftiu, i dërguam informata dhe foto Salih Zvizhdiqit, gazetarit të “Vjesnik u Srijedu” në Zagreb, i cili menjëherë në faqen e parë të kësaj gazete botoi shhkrimin me titull “Zaboravljeni Debar”.

Ky shkrim zgjoi interesim të madh në opinion dhe e detyroi që brenda dy ditëve Dibrën ta vizitojë Mika Shpiljak, kryeminitër i atëhershëm i ish Jugosllavisë, dhe pas kësaj vizite  në aspektin e ndihmave gjendja  në Dibër e fshatra u përmirësua dukshëm.

Tashmë që kam  shkelur në vitin 76 të moshës sime, falë ndihmës së Zotit, jam duke vazhduar  punën e gazetarisë me shkrimin e kollumnave në “Koha” dhe  “Bota Sot”, gjithnjë në mesin e shokëve kosovarë.

Dosjen e policisë mu mundësua ta marr në janar të vitit 2001, një jave pas vdekjes së babait tim, pasi një gjë e tillë u mundësua  ligjërisht në Maqedoni. Të parët në këtë dosje policore figurojnë emrat e kodoshëve  Nijazi Limanovski dhe Halit Basha.

Më habit fakti se çfarë karakteri mizor kanë patur këta dy kodosha, të cilëve pa u bërë asnjë të keqe,  përkundër  aqë shumë vendeve të punës që kishin dhe parave që merrnin, mua ma morrën  edhe atë kafshatë të vetme që kisha si gazetar i “Rilindjes”, mi traumatizuan 7 vitet më të mira të rinisë  dhe më detyruan që bashkë me  prindërit e mij të përjetojmë shqetësime dhe vuajtje të paimagjinueshme.

Kodoshëve u dukej vetja sikur e kanë kapur qiellin me dorë, në popull shiteshin  si njerëz të mirë, dërsa në anën tjetër  njerëzve të ndershëm ua nxinin e shkatërronin jetën nëpërmjet strukturave të sigurimit të shtetit.

Kodoshët mendonin se të zezat që i bënin nuk do të zbulohen kurrë, por ja që erdhi koha dhe u zbuluan.

Isha vetëm 25 vjeçar ne një familje të ngushtë kur mu desh të ballafaqohem me intriga kaqë dinake dhe me një regjim shtetëror e politik të ashpër.

Kisha mbështetjen te Zoti që më dha forcë dhe guxim ti tejkaloj me sukses të gjitha sfidat që më dolën përpara.

Të gjithë njerëzit zemërligë e dashakeq tashmë i kam stigmatizuar në personazhe reale, me emër e mbiemër të vërtetë në romanin tim me titull “Buka e hidhur e gazetarit” të përgatitur për botim, me të vetmin qëllim që njerëzit  të vetëdijësohen dhe të qëndrojnë larg kodoshllëkut e mëkateve, sepse kodoshllëku në mesin tonë ka shkaktuar dhe po shkakton edhe aktualisht dëme të mëdha kombëtare.

Kam bindje të fortë se mëkatet paguhen domosdo në këtë jetë, por edhe në jetën e përtejme, ku xhehenemi do të jetë vendbanim i përhershëm i njerëzve të ligë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat