Zhvillimi ekonomik i Kosovës

Opinione

Zhvillimi ekonomik i Kosovës

Nga: Shpend Salihu Më: 16 gusht 2020 Në ora: 14:45
Shpend Salihu

Gjendja e pandemisë reagoi në rritjen e çmimeve në treg, dhe në vështirësimin e jetës socio-ekonomike si dhe bankrotimit e falimentimit të shumë ndërrmarrjeve dhe firmave në sektorin privat. Ligji për paga nuk u zbatua dhe irritimi i shërbyesve civil u rrit. Një ndër parakonditat e Qeverisë funksionale është rregullimi i mirëqenies së qytetarëve përmes funksionalizimit të institucioneve dhe zhvillimit e rritjes së mirëqenies sociale. Hapat që do të duhej t’i ndërrmerrte Qeveria, me qëllim të përmirësimit të jetës socio-ekonomike dhe rritjes e zhvillimit të mirëqenies do t’u ishin si në vijim:

Kërkimi i huave nga Banka Botërore dhe BERZH, me qëllim të nivelizimit të pagave derisa të zgjasë kjo pandemi.

Kërkesa për grante dhe subvencione nga, GIZ; USAID, UNDP etj, me qëllim të lehtësimit të funksionimit të ndërrmarrjeve të ulta dhe të mesme që të jenë më funksionale dhe të arrijnë të mbijetojnë pandeminë.

Lidhja e marrëveshjeve për dërgimin e kuadrove të reja, në Gjermani dhe shtete tjera Europiane me qëllim që të përmirësohet gjendja ekonomike e të rinjve, dhe të lehtësohet mirëmbajtja e familjeve të tyre.

Ulja e kamatave bankare përmes rekomandimeve të BQK-së me qëllim të lehtësimit të biznesit.

Ndërprerja e biznesit joformal dhe parandalimi e luftimi i evazionit fiskal.

Politika më të qarta makroekonomike dhe makrofiskale me qëllim të përafrimit të balancimit ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun Kosovar.

Firmosja e marrëveshjeve të bashkëpunimit në aspekt bilateral me shumë shtete të Europës për eksportimin e shumë produkteve të Kosovës në tregun e këtyre shteteve, përmes lehtësirave doganore dhe tatimore, ku një produkt p.sh Gjerman do futej në tregun Kosovar pa taksa dhe dogana, gjersa një produkt Kosovar do futej në tregun Gjerman pa taksa dhe dogana, kjo do mbante balancin ekonomik, rritjen e GDP-së përmes taksave në paga dhe kontribute, do rriste punësimin, do ulte shpenzimet në treg, dhe do rriste nivelin e pagave në sektorin privat e gjithashtu do kishim në tregun Kosovar produkte të kualitetit të lartë Europian që janë të testuara dhe ekzaminuara me standarde të Europës. Skeptikët mund të mendojnë se në këtë formë do kishim ulje të taksave doganore dhe tatimeve, por në të vërtetë, kjo do lehtësonte sektorin e biznesit, do rriste shkallën e punësimit, do ndikonte në vjelën e taksave në paga dhe kontribute e njëkohësisht artikujt e konsumit të përditshëm do ishin në nivel shumë më konvencional në tregun Kosovar.

Nxjerrja urgjente e ligjit për sigurime shëndetësore, me çfarë do lehtësohej barra financiare e të sëmurve, si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me shumë shtete Europiane për blerjen e pajisjeve medicinale për nevoja të QKUK-së dhe ambulancave, siç janë aparatet e mamografisë, onkologjisë, CT e trurit, aparatet e Koronografisë etj, të cilat do liroheshin nga doganat dhe ndaj të cilëve do kishte kontroll strikt medicinal që mos të vije deri tek defekti i qëllimshëm i këtyre pajisjeve medicinale.

Dhënia në shfrytëzim ose kolektivizim e një pjese të NSH-ve dhe NP-ve, partnerëve afaristë të jashtëm me qëllim të hapjes së fabrikave dhe rritjes së shkallës së punësimit të qytetarëve të Republikës.

Kontrolli strikt i çmimeve në treg sidomos i artikujve të konsumit të përditshëm dhe karburantave që janë produkute elementare për mbijetesën e qytetarëve.

Këto masa do të lehtësonin jetën sociale në Kosovë dhe do rrisnin mirëqenien e qytetarëve, e njëkohësisht edhe nivelin e jetesës së tyre të cilat më pas do ndikonin në zhvillimin ekonomik të Kosovës si dhe rritjen e shkallës së punësimit, dhe Kosova gradualisht nuk do varej nga taksat doganore, gjë që do të shpiente shpejt edhe deri te heqja e akcizës e cila është heq pothuajse në pjesën më të madhe të Ballkanit, dhe krejt këto kondita do të përshpejtonin liberalizimin e tregut Kosovar, rritjen e kostos së jetesës, dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e kjo do shpiente në përshpejtimin e procedurave drejt aderimit në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat