Kosova me SHBA-të dhe BE-në në krah, është më mirë dhe më e sigurt

Opinione

Kosova me SHBA-të dhe BE-në në krah, është më mirë dhe më e sigurt

Nga: Haki Latifi Më: 19 gusht 2020 Në ora: 16:29
Haki Latifi

Kosova me SHBA-të dhe BE-në në krah, është më mirë dhe më e sigurt, sepse është vullnet i popullit të saj dhe Projekt amerikan e jo vullnet politik i Rusisë me aleatët e saj.

Kohëve të fundit, si në sfondin e politikës së brendshme shqiptare, ashtu edhe në atë të politikës ndërkombëtare, po debatohet me të madhe pro et contra bisedimeve të paralajmërua , me 2 shtator 2020 në mes Kosovës dhe Serbisë.

Njoftimi i z.Richard Grenell, emisari i presidentit amerikan, Donald Trump se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Uashington më 2 shtator për bisedime tregon për vendosmërinë amerikane për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes vendeve, me fokus në dimensionin ekonomik, në të cilën Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti e konfirmoj, duke treguar gadishmëri për të marrë pjesë në këto bisedime.

Qeveria e Kosovës duhet t’i vë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon; Rusisë me aleatë në njërën anë, dhe SHBA-së e BE-së në anën tjetër. Dihet se Kosova me SHBA-të dhe BE-në në krah, është më mirë dhe më e sigurt, sepse është vullnet i popullit të saj dhe Projekt amerikan e jo vullnet politik i Rusisë me aleatët e saj.

Interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë. Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – SHBA dhe BE.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës duhet të bëj çmos që të krijoj sovranitet të plotë, që Kosova të fitoj ulse në OKB. Kosovën nuk munden asesi të na rrezikojnë serbët që jetojnë në Kosovë dhe minoritetet tjera. Kosovën po e rrezikojmë veten me veprime euforike dhe të pamatura politike. Andaj, duhet punuar në atë drejtim që të avansojë shteti në pikpamje ekonomike, sociale, sundim të ligjit etj!

Argumentet janë në anën tonë, vetëm duhet të jemi të vendosur dhe serioz gjatë bisedimeve. Kur përmendet ky emër; Populli i Kosovës-Dardanisë, sikur më rënqethet trupi, menjëher na kujtohen vështirësit që ka kaluar ky popull para dy dekade, mjerimin, vuajtjen dhe gjithçka të keqe që mund të përjetojë një popull. Mendoj se secili prej nesh i kujtojnë disa momente nga Lufta e fundit për liri dhe pavarësi në Kosovën tonë të dashtun.

Na kujtohen, ulëritma e britma deri në qiell, por edhe luftë deri në vet flijimin për të mos iu nënshtruar armikut, për të ruajtur nderin…Nuk ishin trojanët që deshën të luftojnë armikun, ishin burrat, gratë, djemtë dhe vajzat shqiptare ato që me heroizmin dhe trimërinë u përballën me pushtuesin mizorë deri në flijim. Jo në një kohë të lashtë, por dy dekada më parë, pati edhe vajza dhe gra të pafajshme që u përdhunuan, siq pati edhe gra shtatzëna që u përdhunuan. Madje, në mënyrë mizore janë malltretuar duke ja nxjerrë fëmijën nga barku, duke ja prerë barkun para syve të familjarëve të saj. Nuk mbeti burrë në shtëpi pa u marrë peng, pa u vrarë e pa u masakruar, trupat e shumicës së viktimave shqiptare, madje ende nuk janë gjetur…

Pas gjithë këtyre malltretimeve e vuajtjeve, si mund të jetë gjendja psiqike e mendore e këtij populli?

E dijmë të gjithë kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çlirimin e Kosovës, po të mos ishin ata, ne nuk do ishim tani ‘‘sovran’’. Dhe tash pas njëzet vite në liri dhe 12 vite pavarësi të akuzohet partneri ynë strategjik - SHBA-të se po pregaditë diçka të keqe për Kosovën kurrë nuk do të kisha besuar! Të hudhen akuza, dyshime për Shtetin që na çliroi, na bëri shtet, dhe që është garancë e ekzistencës së Republikës sonë, të akuzohet kështu nga një lider partie, nga një ish kryeministër dështak, nga një shqiptar, është më tepër se çmenduri! Në të vërtet këso tentimesh ka patur edhe në të kaluarën, nga ky soj i bindjeve politike, për ta orientuar

Dardaninë tonë kah Moska e Lindja por nuk kanë mundur e as nuk do munden kurrë as në të ardhmën! Sigurisht se ky soj do të mbeten në fund të koshit të fundërrinave të historisë sonë të re ashtu si baballarët e tyre ideologjik!

Në këtë kontekst, zhurmën dhe “pluhurin” më të madh janë duke e ngritur forcat e errëta dhe retrograde të politikës dhe të propagandës së regjimit kolonial të Serbisë, si dhe atyre shqiptare të papërgjegjshme në Kosovë, të cilat ende nuk e kanë të qartë se territori i Kosovës është i pandashëm, sepse i përket kombit shqiptar dhe Shqipërisë etnike. Sepse dikur që nga viti 1912 e këndej, Kosova ishte vetëm një plaçkë e sundimit të egër dhe tiranik të Serbisë, e cila me agresion, me gjenocid dhe me sapstrim etnik ndikoi në copëtimin dhe në çintegrimin e popullsisë shqiptare të territoreve të autoktone, duke ua mohuar të drejtën historike legjitime dhe realizimin e së drejtës së vetëvendosjes. Ka ardhur koha që Evropa e integruar, demokratike dhe paqësore ta sanksionojë sistemin kolonial serbo-sllav në Ballkan që nga viti 1912 e këndej. Ndryshe, integrimi i vendeve të “Ballkanit Perëndimor"(Serbia, Mali i Zi, BeH, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) në BE, do të jetë vetëm “një ëndërr e bukur” dhe iluzion i shkretë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm plot lot dhe gjak për popullsinë shqiptare.

Shteti ynë Kosova dhe kombi ynë kanë orientime të qarta europiane dhe perëndimore, dhe, askush nuk ka të drejtë të na nëpërkëmbë vetëm pse sot mendon se mund ta bëjë një gjë të tillë, ose pse ashtu dëshiron të sillet me ne. Andaj, si vend europian, nuk e meritojmë izolimin. E dimë se kemi të meta, gabime, e dimë se kemi shumë sfida për t’ju bashkuar vendeve të zhvilluara europiane, por nuk është arësye të kemi një vullnet dhe të kemi bashkërendim për këtë temë të rëndësishme për të ardhmën tonë. Për të qenë më optimist se procesi do të përmbyllet do të duhet të shohim një bashkërendim të diplomacisë tonë me Bashkimin Evropian-Gjermani-Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse duam të shohim një përmbyllje të suksesshëm të procesit.

Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale. Në vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, çdo vendim apo marrëveshje për Kosovën, duhet të jetë shtetërore, institucionale, transparente që nuk dëmton interesat shtetërore dhe vullnetin e qytetarëve.

Historia e kombit tonë është histori e popujve që kanë vuajtur gjatë dhe me sakrifica kanë arritur lirinë.

Ne e dimë të kaluarën tonë dhe nuk e harrojmë atë. Por, as nuk do të lejojmë të mbetemi vetë peng i saj, e as të na mbajë dikush peng.

Diplomacia – sipas mendimit tim është mirëmbajtja e marrëdhënieve në mes të dy apo më shumë shteteve, nëpërmjet marrëveshjeve si dhe metodave të zbatuara deri tek një marrëveshje në mes të palëve. Përndryshe diplomacia, ndryshe thirret edhe një lloj arti së mundurës, i marrëveshjeve.

Shtetet kuvendojnë, bisedojnë ndërmjet veti, i mbrojnë interesat e tyre, njoftojnë njëra tjetrën, nxisin përparimin e marrëdhënieve kryesisht, nëpërmjet të dërguarve dhe pranimin e të dërguarve nga shteti përkatës. Të dërguarit janë misionar, ambasadorë ose grupe të dërguara dhe sipas rastit në rast. Shefat e misioneve, udhëheqës të grupeve dhe personat diplomatik që nënkuptojmë se; Diplomatët gëzojnë imunitet dhe të drejta të veçanta.

Andaj, në bisedimet me Serbinë diplomacia Kosovare vazhdimisht duhet të ketë parasysh gjenocidin, dëmët ekonomike, kulturore nga lufta si dhe deshmitë historike të vendit tonë.

Kosova apo Dardania, siҫ njihej në kohët antike, është epiqendra e betejave të mëdha, ҫka e bën atë me të drejtë të meritojë epitetin “Djepi i Nacionalizmit Shqiptar”.

E ndodhur në një pozicion gjeostrategjik të favorshëm, në një nyje ku kryqëzohen rrugët e rëndësishme të Ballkanit dhe të Europës kontinentale. E pasur si askush tjetër në tokën e nëntokën e saj. Dardania u bë në shekuj shesh betejash me perandoritë e mëdha Romake-Bizantine – Sllave – Osmane. Banorët e kësaj treve të lavdishme të Atdheut, me qëndresën e tyre epike, arritën të ruajnë brez pas brezi traditat dhe zakonet e të parëve, kulturën e mënyrën e jetesës. Atë nuk arriti ta asimilonte vetë Roma e fuqishme, Kostandinopoja, apo Perandoria e Car Dushanit ose ajo Otomane. Kjo i dedikohet faktit se në udhëkryqet më të errëta të historisë, kjo tokë e bekuar lindi korifejtë, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë dhe atë të njerëzimit.

Kosova i dha Romës Perandorin e ndritshëm, Kostandinin e Madh, Bizantit, Justinianin dhe Niket Dardanin, Botës i dha Shën Terezën dhe Kombit të vet burra mendjendritur e të pavdekshëm me Lekë Dukagjinin, Pjetër Bogdanin, Ibrahim Rugovën.

Pavarësia e Kosovës është epilogu i luftrave të përgjakshme 600 vjeçare për liri të burrave e grave të saj, qysh nga Beteja e Fushë- Kosovës e vitit 1389 e deri në ҫlirimin e saj nga Serbia në vitin 1999 të luftës së drejtë të UÇK-së për liri dhe pavarësi në mbështetje të plotë nga miqtë e popullit shqiptarë në krye me SHBA-në.

Në kalendarin e historisë së saj janë shumë të pakët muajt e vitet në të cilat mungojnë betejat e kryengritjet e përgjakshme. Kosova Dardano–Arbërore është protagoniste absolute në të gjitha ngjarjet e mëdha historike të popullit shqiptar.

Ashtu që nuk ishte rastësi kur Intelektualët atdhetarë e vizionarë të Kosovës krijuan LDK-në, partinë e parë antikomuniste në Europë, e cila do të bëhej projektuese, udhëheqëse dhe garante e suksesit, të lëvizjes paçësore për lirinë e pavarësinë e saj.

Me daljen në skenën politike të Kosovës si kryetari i LDK-së dhe udhëheqës i rezistencës paqësore, themeltari i shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, do të tregonte qartë një akt të pashembullt guximi, përkushtimi ndaj vendit të tij. Me veprimtarinë politike e diplomatike, Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e Kaҫanikut, krijimin e pushtetit paralel, ndërkombëtarizimin e Ҫështjes së Kosovës dhe gjetjen e aleatëve të fuqishëm për kauzën e lirisë, Dr. Rugova do të konfirmohej një gjeni i politikës.
Kosova tashmë është një realitet i ri në Ballkan, në faktor paqeje e stabiliteti, në një dekadë si shtet i pavarur, Kosova ka bërë hapa të sigurtë në rrugën drejt demokracisë, shtetit të së drejtës, integrimit në strukturat Euro-Atlantike, duke i treguar botës se ajo meriton plotësisht lirinë, pavarësinë e konsolidimin e saj.

Andaj, edhe sot opozita aktuale duhet ta ketë të qartë se çdo qeveri e zgjedhur me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës është legjitime, prandaj edhe Qeveria “Hoti” është plotësisht legjitime. Pjesëmarrja e opozitës në procesin negociator, në mos asgjë tjetër, e siguron transparencën e që deri më tani ka munguar, duke krijuar paqartësi dhe dyshime në këtë proces shumë të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj. Opozita duhet të jetë konstruktive, të respektojë institucionet duke pasur parasysh se negociatat me Serbinë nuk janë çështje personale, politike, partiake ose ideologjike, por çështje që do ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve të saj, prandaj edhe duhet të sillen në përputhje me këto përgjegjësi. Në fakt, qëllimi është arritja në një marrëveshjeje të përbashkët për njohje të ndërsjellë të tyre, gjithëpërfshirëse, në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe. Kjo, sikurse është përsëritur dhe më parë, i sjell të dyja vendet më pranë Bashkimit Europian, që dmth sfidat drejt të ardhmes nuk janë të lehta dhe proҫesi i integrimit, kërkon përmbushjen e standarteve të demokracisë. Është një momentum i ri ku kemi aktivizimin e akterëve kryesorë ndërkombëtarë në krye me SHBA-të dhe kjo duhet të përdoret ose shfrytëzohet nga institucionet e Kosovës në mënyrë që të arrihet deri te zgjidhja e kësaj nyje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pikërisht ky aktivizim i faktorëve ndërkombëtarë krijon një shpresë se mund të arrihet ajo marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë. Këto bëhen dhe më pranë realitetit, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, pa të cilën nuk mund të kuptohet ekzistenca e Kosovës. Flasim për ndërmjetësim të fuqishëm të të dy palëve.

Andaj, pa asnjë dyshim të gjithë shqiptarët që kanë vetëm pakë rezon të dijes duhet të angazhohen sa më shumë drejtë afrimit të liderëve shtetror, partiak dhe të qytetarëve të saj. Kosova ka vend e hapsirë për të gjithë. Një lider apo kryeministër, mundet me qenë jo më i qëlluari e i duhuri, mirëpo kur liderët e tjerë, partitë dhe qytetarët punojnë e veprojnë për së mbari ashtu siç duhet dhe e kërkojnë rrethanat kohore edhe ai do të jetë i suksesshëm pa asnjë dyshim. Të gjithë qytetarët e veçanërisht intelektualët, analistët, gazetarët etj, duhet që me fjalën e punën e tyre të ndërtojnë ura bashkëpunimi e jo ndarjeje. Duhet të afrojnë e jo të përçajmë, duhet ti këshillojmë e jo ti akuzojmë të tjerët po më shumë veten, përderisa të stabilizohet gjendja ekonomike-politike e shtetit dhe e shoqërisë, edhe ashtu e rënduar nga

Pandemia Covid-19, si dhe të integrohet Kosova në familjen e madhe evropiane-BE. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se nuk është lehtë të formohet e ndërtohet shteti, fundi i fundit nuk duhet të bëhemi nevrik se 20 vite janë shumë pak për të krijuar një shtet ligjor, të pavarur e funksional.

Më mirë është që të bashkohemi dhe të bashkërendojmë veprimet per të mirën e vendit tonë, sepse neve asnjëherë nuk na ka bashkuar "kënga e bilbilit", sesa të na bashkoj para zhbërjes "vaji i qyqes". Dikur do të jetë vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat