Misioni i shenjtë i çikave të Kosovës karshi politikanëve

Opinione

Misioni i shenjtë i çikave të Kosovës karshi politikanëve

Nga Më 19 gusht 2020 Në ora: 18:14
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Nëse dekadën e dytë të shek. XXI shqiptarët e nisen mbrapshtë, posaçërisht në aspektin e shtetndërtimit, konsolidimit të demokracisë, dhe përmirësimin e jetës së qytetarit. E nisën mbrapshtë me një korrupsion pandemik e vjedhje të shekullit, falje të tokave e lobim me para të shtetit për ndërrim kufijsh. Sot, në Kosovë dyshimi e mund arsyen, derisa shpresa dhe durimi qëndrojnë në teh të shpatës.

Në kulmin e këtij dëshpërimi kolektiv, si një aureolë zbritën nga qielli me tërë nurin e tyre, për një mision gati të pamundur, vajzat e Kosovës, si ngushëllim për zhgënjimet, vuajtjet, e dëshpërimet e shkaktuara nga soji më i keq i politikanëve tanë.

Derisa, politikanët tanë janë të dashuruar në vlerën e mallit që ia grabisin shtetit dhe në lartësinë e pozitës që e abuzojnë, çikat e Kosovës janë të dashuruara me vetë dashurinë, me artin, me sportin, me jetën, duke e afirmuar vendin e tyre të origjinës në format më të shkëlqyeshme.

Derisa, politikanët dëshirojnë të uzurpojnë e konsumojnë majat e politikës, të famës, privilegjeve të pafund, gocat e Kosovës edhe pse disa larg nga vendlindja, me gjenerositet ndihmojnë fukaranë, hallexhinjtë, viktimat e tërmetit, teatrin, e artin.

Derisa, politikanët tanë edhe në kohë tragjike të sëmundjes së shekullit rrëzojnë e bëjnë qeveri kukull, cucat e Kosovës janë shndërruar në engjëllushe mbrojtëse të Kosovës që na shfaqen me madhështi, si një ligj kozmik që zbret nga qielli, me artin e tyre të magjishëm e superior, plot magnetizëm e ndjeshmëri. Sot, emrat e çikave të Kosovës me adhurim i shqipton bota, për artin e tyre frymëzues e emocional.

Derisa, politikanët tanë duan ndërrim kufijsh, falin toka, dhe si dëgjon askush, por, çika e Kosovës e çuditi botën, e tronditi Serbinë me kërkesën e saj legjitime për të vënë hartën e Kosovës në Google, kur flet Dua Lipa, e tërë bota dëgjon!

Derisa, zv. Kryeministra tentuan të blejnë njohje për Kosovën, mu ata shtete të brishta që përflitet se u blenë, na çnjohën, vasha e Kosovës, Majlinda Kelmendi, shpalos flamurin e Kosovës në Rusi dhe e stolis vendin me medalje olimpike e botërore ari me sakrifica sublime.

Derisa, politikanët tanë, diplomatë e ambasadorë masakrojnë buxhetin e shtetit për udhëtime, darka, hotele, vajzat e Kosovës me artin e tyre joshës, e mahnitën botën, me shembuj human duke e luajtur rolin e ambasadoreve më të artikuluara të Kosovës.

Derisa, disa politikanë e diskriminojnë femrën shqiptare, e tërhoqën zvarrë, e linçuan, sulmohen në parlament, i përjashtojnë edhe kur sjellin vota me tonelata, megjithatë edhe pranë këtyre torturave psikologjike e fizike gratë e Kosovës qëndrojnë stoike, sypatrembura, dhe nuk bëhen servile të politikave poshtëruese, edhe nëse duhet ta paguajnë shtrenjtë, si Vjosa, Donika e shumë të tjera.

Derisa, politikanët me veprimet e tyre irracionale ia nxinë imazhin Kosovës, sërish janë gratë e Kosovës që u kundërvihen akteve të këtyre burrave pa ekuilibër, me kurajë e me profesionalizëm, edhe pse në një ambient tejet të rrezikshëm për të bërë gazetari hulumtuese, dhe shpesh të kërcënuara si: Arbana Xharra, Kimete Berisha, Jeta Xharra e shume të tjera.

Derisa, trojka, PDK, LDK, AAK me satelitët e tyre, janë fajtorët kryesor për dështimet e Kosovës dhe fatkeqësitë e qytetarit, me akte të turpërisë e me mendësi fisnore, e pa vizion, propozoj që: Çikat e Kosovës, të lartpërmendurat, si yje, sportiste, këngëtare, gazetare të guximshme, politikane të besueshme, mbesat e Teutës, Shote Galicës, Suljotet e ditëve tona, të marrin dialogun në dorë, që udhëhiqet nga tre ndërkombëtarë të paaftë e të çuditshëm dhe Hoti, që ‘razumje srbski’, që flirton me Srbsken që e solli në pushtet, dhe vepron si thotë HTH e Vuçiq, duke u shuguruar te Janjiqi.

Derisa, propozimi im është simbolik, çikat e Kosovës janë i vetmi inspirim për guximin, gjenerositetin dhe namin që kanë, çupat tona e vulosën një kronikë epike, që e bënë historinë tonë më të ndritshme, ato janë si himni ynë, janë krenaria dhe mrekullia jonë, derisa, politikanët tanë hynë ne histori, si faqja e zezë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat