Pas planit të Ahtisarit, çka fitoi e çka humbi Kosova

Opinione

Pas planit të Ahtisarit, çka fitoi e çka humbi Kosova

Nga: Ragip Guraziu Më: 24 gusht 2020 Në ora: 07:03
Ragip Guraziu

Plani i Ahtisarit u pa nga kosovarët si një ndihmë e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e statusit të Kosovës, e që do të përfundonte me pavarësimin e Kosovës.

Sipas këtij plani, iu dha një mandat prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente Kosovare në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Kosovën.

Plani i tij u kundërshtua nga Serbia me arsyetimin se prekej sovraniteti i saj si shtet, ndërkohë që mori mbështetje të madhe nga pala kosovare.

Besa Gaxherri ishte njëra nga deputetet në Kuvendin e Kosovës që nuk e kishte votuar planin e Ahtisarit. Në një prononcim për Gazeta e Re ajo thotë që ky plan megjithatë është shumë i rëndësishme dhe si i tillë duhet të vazhdojë së zbatuari. “Është një dokument i cili ka sjellë dhe ka ndihmuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ne, duke pasur në krah faktorin ndërkombëtar jemi munduar që ta zbatojmë pikë për pikë. Vetë rrethanat, konteksti kohor dhe situatat specifike në Kosovë kanë bërë që herë-herë është dashur ta devijojmë. Sot mund të them që është një dokument bazë që ne mundohemi ta respektojmë, por unë konsideroj se me kohë do të plotësohet. Ne po mundohemi ta respektojmë sepse ky dokument na ka ndihmuar në njohjen e të gjitha këtyre shteteve që na kanë njohur”, thotë Gaxherri.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj flet për situatën e Kosovës pas fillimit të zbatimit të Pakos së Ahtisarit.

“Sot Kosova edhe përkundër sakrificës së madhe në të kaluarën për të pasur shtet të pavarur e sovran, me një ekonomi të fortë, mirëqenie arsim e shëndetësi të zhvilluar mund të them se ende jemi në një stad që të lënë shumë për të dëshiruar, e gjithë kjo është për fajin e një keqqeverisje që po i përsëritet vazhdimisht Kosovës, sidomos që nga shpallja e pavarësisë para gati nëntë viteve. Pra Kosova sot është në një udhëkryq që nëse nuk arrijmë të gjejmë rrugën e duhur mund të na dërgojë në rrugë pa krye. Rrugën e duhur mund t’ia jep vetëm populli si sovran i Kosovës”, thotë Lekaj duke konsideruar se Plani i Ahtisaarit ishte baza e nga ku nisi ndërtimi i shtetit të Kosovës.

Duke qenë se Pakoja e Ahtisarit ka ardhur pas një maratone të gjatë dialogu që u zhvillua në mes palës kosovare e serbe në Vjenë, Lekaj konsideron se sot Kosova është në dialog me Serbinë për tema që s’do të duhej të bisedohej. “Me Serbinë duhet të bisedohet vetëm për çështje reciproke në kuptimin e rregullimit të disa probleme si shtete të pavarura e jo për tema të brendshme të Kosovës. Mendojë se tendenca për të hapur pakon e Ahtisarit nuk do t’i shkonte në favor askujt sepse nga kjo pako me se shumti që kanë përfituar janë serbët e Kosovës, të cilët edhe sot po keqpërdoren nga Serbia për interesa të saj për të destabilizuar Kosovën e rrjedhimisht rajonin, sepse Serbia është mësuar të mbijetojë vetëm duke shkaktuar dhunë e terror në shtetet për rreth saj. Kjo nuk duhet lejuar nga Qeveria e Kosovës e cila gati është bërë e njëjtë sikur ajo e Serbisë për nga dëmet që ia ka shkaktuar e po vazhdon të ia shkaktojë vendit”, potencon Lekaj.

Publicisti Halil Matoshi, konsideron se pas fillimit të zbatimit të Planit të Ahtisarit Kosova është ende një komb i pamaturuar, ngase ende nuk e ka ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të dy pengesave thelbësore: “Mosnjohja nga Serbia që po i mban peng edhe pesë shtete të BE-së dhe b. Elita kulturore dhe politike etnonacionaliste brenda Kosovës nuk po e trajton Republikën si projekt të përhershëm, për t’i dhënë kështu besnikëri. Pra Republika e Kosovës nuk i ka ende patriotët e saj kushtetues, duke qenë se qytetarët nuk janë të lidhur emotivisht për shtetin modern si atdhe i vetëm i kosovarëve, porse kanë mbetur pengje të etnisë që si bashkësi njerëzore është produkt i shekujve 18-19”, thotë Matoshi për Gazeta e Re.

Sipas tij, edhe pse Pakoja e Ahtisaarit është themeli i pavarësisë së Kosovës, fakti që u pranua vetëm nga Kosova, por jo edhe nga Serbia ka prodhuar si pasojë mos mbështetjen e Rusisë dhe Kinës për anëtarësim në OKB. Në këtë kontekst, sipas Matoshit, arritja e një traktati të paqes me Serbinë – gjatë procesit të Brukselit – do t’ia mundësonte Kosovës marrjen e karriges në OKB, kurse Serbisë kapërcimin e Kapitullit 35 në negociatat me BE-në.

E meta thelbësore e Pakos, sipas Matoshit “është ndarja e shtetit mes komuniteteve shumicë dhe pakicë (do të duhej që të evitohej ky raport) dhe të gjithë shtetasit të lidheshin jo për etnitë e tyre (rrënjët) porse për shtetin si garantues i lirisë së tyre. Dhe në këtë kontekst unë jam për kombin-shtet të qytetarëve, pra për shtetin e deetnizuar!”.

Kurse, sa i përket përfundimit të dialogut në Vjenë, e fillimit të një të riu në Bruksel, Matoshi thotë se ky i fundit po bëhet sa për fotografi duke shtuar se procesi i Brukselit nuk e ka hapur pakon e Ahtisarit por që po bëhet presion që ajo të zbatohet.

“Problemi qëndron në faktin shumë të thjeshtë që Serbia e ka nënshkruar kapitullimin me NATO-n (9-10 qershor 1999 në Kumanovë) porse nuk e ka nënshkruar paqen me Kosovën dhe pa një dokument juridikisht obligativ (Traktat Paqeje) që zyrtarisht e shpallë konfliktin serbo-kosovar të përfunduar nuk mund të vazhdohet tutje që të adresohen kërkesat e palëve ndaj njëra-tjetrës dhe karshi bashkësisë ndërkombëtare. Pra dialogu është klinikisht i vdekur dhe zyra e Zonjës Mogherini po i mban palët së bashku sa për pozë duke kërkuar nga to që të mos nxisin turmat në dhunë përmes retorikave etnonacionaliste dhe me tone fashiste. Së këndejmi, BE-ja duhet të jetë e prerë: Paqja në fillim, pra nënshkrimi dhe zyrtarizimi i saj, pastaj mund të priten koncesionet ndaj njëra-tjetrës, akomodimi i serbëve kosovarë brenda kornizës kushtetuese kosovare dhe çështjet e interes dypalësh”, shton Matoshi.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, tregon arsyet pse sipas tij kanë filluar të ndërpriten njohjet për Kosovën si dhe pse humbën serbët nga Plani i Ahtisarit.

“Pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është vërtetuar që në fakt procesi i udhëhequr nga Presidenti Ahtisari nuk e ka shkelur rezolutën 1244, ligjin ndërkombëtar dhe kornizën kushtetuese. Kjo e ka bërë të panevojshëm çfarëdo procesi tjetër. Këtu qëndron gabimi fatal që ka dëmtuar jo vetëm procesin e shtet-ndërtimit por edhe që ka dhënë shkas për ndërprerjen e njohjeve ndërkombëtare. Gjithashtu procesi i dialogimit ia ka shtuar fusnotën emrit, gjithashtu ka hapur çështje tjera politike dhe ekonomike duke i vendosur burimet dhe resurset e Kosovës. Në anën tjetër humbës janë edhe qytetarët serbë, të cilët tani nuk janë të përfaqësuar nga përfaqësues të tyre politik. Këta të fundit janë zëvendësuar me Listën Srpska e cila në fakt është instrument politik i cili futet në veprim sa herë që ka nevojë për të sabotuar ecjen progresive të agjendës evropiane”, përfundon Abazi.

Tani sot kur jemi në 2020 a i mirë apo i keq Plani i Ahtisarit?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat