Edhe unë dua të bëhem president

Opinione

Edhe unë dua të bëhem president

Nga: Haki Latifi Më: 30 gusht 2020 Në ora: 00:51
Haki Latifi

E tani vërtet s’ka kuptim që edhe „unë“ të mos kandidoj për president.

Edhe „unë“ mendoj që kam një bothë për President, jo për tjetër gjë, por më tepër që të plotësohet ëndrra ime që ta shkruaj n’biografi në jetën t‘ime.
Mos më keqëkuptoni, jo që e kam hallin e shtetit e të popullit por ashtu jam i përgaditun dhe i kam dëshirat. Po ju mos më k’qyrni si huta…nisjani bre punës bre e kallni pishtarët e ta bajmë Kosovën shkrum e hi se as për Shipni tybe kurrë n‘ma ka n‘di!
Edhe ju atje mos rrini kot, nisjani bre zini naj dhelpër. Dilni n’male e n’fusha e mos iu leni dhelpërave vend askund. Por, me m’ardhë puna katrahurë, lehtë e kam, bëhem se sí kam njohur kurrë.

Se janë mësue disa, fërc e fërc ta ngrehin bishtin nëpër ulëse n’parlament!

Eh, pra të gjithë duhet me lobue jo për juve por për mue. Ashtu pra për nji bothë presidenti duhet të gjithë me lobue.
A m’u ulë unë a kush m‘u ulë, se na honë e donë e kemi thonë; ta forcojmë shtetin, pra kapni nga një hu n‘dorë dhe me ia ngulë shtetit që të bëhet më „i fort“!

Ju kujtohet se edhe votat që i morrëm, rrenë mas rrene, pikë e presë, i v‘num n’ballë kameleonat, që ma shumë t’na zini besë! Deri tani unë, gati krejt i kam provue, veç edhe një m’ka met marak, për një bothë presidenti, për karrigën plot pushtet.

E tani prap, gojëkëqinjët po thojnë; u çmendën shqiptarët në luftë për pushtet, nga brenda dhe jashtë shpërthejnë si tërmet. Aspak s‘i kursejnë fjalët me premtime shumë, ndërsa sharjet e shpifjet u rrjedhin sikur lum. Sepse, për një grusht pushtet kthehen Kuvendet në cirk të vërtetë.
Se unë di edhe ndryshe, n’guli kambë si thiu n’akull, kush nuk lun ma mirë se unë me shtet! Apo ndoshta ju e dini se, për një bothë, me nder me thanë, e lamë n’lloq këtë Kosovë t’shkret. E pastaj i themi Evropës Plakë: Pse s’të vjen marre për lakmitë tona që nuk kanë të sosur!
Eh, sa i but ish ky kolltuku, në të po bëhej qëngj edhe ujku. Aty zura miq të parës dorë, veç më thanë të duhet edhe pak shkollë! Kur dëgjova këto këshilla, besoni, fort më erdhi mërzi.

Jo për tjetër gjë por, qysh me krye shkollën në pleqëri? Por se zoti, hallin ma diti, dhe turr e vrap kesh një ditë te akademiku. Mbarova punë unë i ligu, por më erdh diploma, si fryt prej fiku. I thash vetit me gjysmë zërit, Eu, ku je biri i filanit? Jetojshe në punë kamionit, tash çdo ditë n’bisht të aeroplanit!
Çka t’i bësh, jeta njësoj nuk është për krejt, dikush i bie Europës, cep më cep, e dikush nuk ka para të blejë asnjë byrek.
Një tjetër lakmi e politikës në Kosovës, sipas gojëkëqinjëve, thonë se; donë të ndahet bishti i hardhucës dhe dëshiron të na formon parti të re. Për t’ju dhënë rast të zhgrryhen “VIP-at” brenda llucës, njëri kap e tjetri le… e pastaj marrin vrull planet e pista, marrin hov duke menduar se bëjnë hata… E ia nisin me plane që pa zbardhur dita e kulmojnë në muzg të nxirë si nata, duke i dhënë popullit premtime elektorale. Apo ti mësojnë si qethet leshi i deleve, ku si shpërblim; leshin si trofe do t‘a marrin.
Thënja e plakut veç po vërtetohet, se sikur të luftonim e punojmë për shtet, njëjtë sikur për bothë e për pushtete, nuk do t’ishim ndarë në shumë “Vilajete”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat