“Krushqit” e Hotit në Uashington!

Opinione

“Krushqit” e Hotit në Uashington!

Më: 30 gusht 2020 Në ora: 16:08
Qeveria Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se e ka zgjedhur delegacionin që do të marrë me vete në Shtëpinë e Bardhë. Përveç kryenegociatorit Skënder Hyseni do të jenë edhe Zëvendëskryeministrat Albulena Balaj-Halimaj e Driton Selmanaj, ministrat Selim Selimi, Meliza Haradinaj-Stublla, Arban Abrashi dhe Shefja e Kabinetit të Kryeministrit Hoti, Ardita Dushi.

Me një fjalë Hoti është kujdesur të marrë dy njerëz të Ramushit në Kabinet dhe një njeri të Nismës, ndërkohë që Hyseni është i afërt me Thaçin e vetë Abdullahi i besuari i Isa Mustafës.

Pra, ka përzgjedhur “krushqit” që nuk do të jenë zëri e mendja e vet, por do të rrijnë në lidhje non- stop online me Ramushin, Fatmirin, Isën e natyrisht Hashimin.

Në “dasmën” e pritshme në Shtëpinë e Bardhë, Hoti, si “kryekrushk” i ka zgjedhur dasmorët e tij vetëm nga “nahija” e qeverisë së tij, që edhe numerikisht nuk përfaqësojnë më shumicën në Kuvend.

E në aspektin e ekspertizës, asnjëri prej tyre nuk ka mbajtur apo shfaqur një rol publik që ka treguar kompetencë e shkathtësi në negociata të tilla plot probleme, e gracka që mund të ngrejnë serbët.

Shefja e re e diplomacisë së qeverisë Hoti, zonja Stublla-Haradinaj, në eksperiencën e saj të re në këtë fushë, nuk se ka rënë në sy për një protagonizëm në vizita të rëndësishme, apo qëndrime publike që të bindë se e ka aftësinë për të përcjellë dhe mbajtur në shpinë një peshë të rëndë.

Siç është bërë e ditur, aq sa ka qenë mundësia deri tani, në Uashington mund të hapet çështja e Zonave të Lira Ekonomike të Trepçës dhe Ujmanit, si dhe problemi i paktit të paqes mes dy vendeve.

E këto tema, që në fakt janë konkrete, i kanë dhënë mundësinë Abdullah Hotit, që të përgatitet seriozisht për takimin e Shtëpisë së Bardhë.

Përzgjedhja e një delegacioni të nivelit të lartë politik, nga qeveria, opozita dhe aktorët e tjerë të shoqërisë në Kosovë, do të ishte zgjidhja më e mirë, e nëse nuk realizohej kjo (për shkak të egos që dominon në hapësirën politike shqiptare), mund të zëvendësohej më një zgjidhje alternative.

Pra që Hoti në delegacion të ketë një nivel të lartë, sa më të lartë ekspertize që të mbajnë peshën e argumentimit të çështjeve që do të diskutohen.

Kështu, mund të kishte në delegacion emra të shquar të minierës dhe shkritores së Trepçës; inxhinierë dhe ekonomistë, që njohin “zgafellet” dhe imtësitë e xeherorëve të nëntokës së Kosovës më mirë sesa xhepat e tyre.

Ndërkohë, në lidhje me çështjen e marrëveshjes së paqes me Serbinë, që përflitet se do të diskutohet, mund të angazhonte diplomatë e juristë të nivelit të lartë, qoftë edhe në nivelin e këshilltarit. Nga ata që “nuk ja ha qeni shkopin” dhe i njohin hilet e Beogradit me inch-e.

Dhe duke pasur këtë përfaqësim, çdo pjesëtar i delegacionit serb do të hezitonte të kalonte në ofensivë, pasi do të mendohej të paktën një herë.

Negociatat janë një proces shumë delikat, sidomos në këto raste kur një palë e fuqishme, siç është SHBA, ka një ide për temën dhe ofron dy alternativa: “ose ta marrësh ose ta lësh”. E Kosova nuk ka fare luksin që të “lërë” apo refuzojë një ofertë që vjen nga aleati më i rëndësishëm i saj.

Por ka mundësinë që në negociatë të elaborojë me durim, gjakftohtësi, alternativa dhe shpejtësi, të gjitha kleçkat që do të sillen në tryezë në mënyrë frenetike nga negociatorët.

Rambujeja është një shembull i kësaj dhe atëherë përveç delegacionit me pesha të rënda si Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja, e shumë emra të tjerë përfaqësues të UÇK-së, partive politike, mediave, botës universitare (asaj reale, jo universiteteve kjoska) etj, kishte edhe këshilltarë për çështje të veçanta si ato diplomatike, juridike, ushtarake e policore. Ishin emra edhe nga Shqipëria e diaspora që u vunë në ndihmë për ekspertizë. E mos të harrojmë që Kryekëshilltari i atij takimi ishte edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, i cili e tha fjalën e tij, pasi ju kërkua. Me një fjalë kishte një konvergjencë të madhe. E megjithë këtë konvergjencë, delegacioni pati shumë vështirësi që të arrinte në pikën kur arriti, ngase normalisht ishte çështje delikate.

Po sot ky delegacion që realisht nuk është i tillë, pasi përfaqëson vetëm qeverinë, edhe ashtu të kontestuar, ka edhe një nivel jo të certifikuar të kompetencës.

Ata do të jenë më shumë suflerë të kryetarëve të tyre, sesa njerëz me mendimin e vet.

Madje më mirë sesa këto, Dulla mund të merrte me vete vetë kryetarët dhe e kishte ngritur pak edhe nivelin e përfaqësimit, sesa me shegertë.

Me një fjalë, “krushqit” që ka marrë me vete kryeministri nuk kanë as sy as vesh e as gojë, e as mend, kështu që ajo çka mund të sjellë takimi është vetëm në duart e Zotit dhe Amerikanëve. Se për këta që ka ofruar qeveria, asnjëri nuk ka “sy për qabe”.

Shumë mund ta marrin si deri tani duke e kaluar me ironi e me kritikat e vijueshme se këta “aq mend kanë e aq bëjnë”. Por puna është se bëjnë dëm, e ky dëm do t’i kushtojë Kosovës. Nuk mundet që të turpërohet vendi me një delegacion të nivelit të tillë.

Përpara se të shkohet në Uashington, duhet që opozita, Vetëvendosje e PDK, por edhe shoqëria të thërrasin fort që të ndryshohet delegacioni e të çojnë në Shtëpinë e Bardhë njerëzit më të zot e më me përvojë për këtë samit delikate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat