Ngjashmëritë e Edi Ramës me Adolf Hitlerin në qeverisje!

Opinione

Ngjashmëritë e Edi Ramës me Adolf Hitlerin në qeverisje!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 1 shtator 2020 Në ora: 09:22
Edi Rama

Më 1 gusht të vitit 1934 qeveria e gjermane vendosi shkrirjen e funksionit të presidentit të Gjermanisë dhe njësimin e këtij funksioni me atë të kancelarit Adolf Hitler. Më parë, parlamenti gjerman kishte vendosur që qeveria e Hitlerit të kishte të drejtën që të nxirrte ligje dhe ligjet e saj të ishin të detyrueshme për zbatim. Ndërkaq në të njëjtën periudhë qeveria gjermane e shpalli Hitlerin Fuehrer të ushtrisë, policisë e forcave të sigurimit. Ndërkaq më 30 qershor të atij viti Hitleri kishte shpallur reformën gjyqësore, duke vënë veten e tij me ligj në krye të këtij pushteti. Kësisoj Hitleri e vendosi veten në rolin e një diktatori vullnet e fuqiplotë, i cili do të drejtonte me dorë të hekurt gjithë jetën politike, ekonomike, sociale, ushtarake dhe të drejtësisë në Gjermani. 

Duke lexuar historinë e përqendrimit të pushtetit në duar e Adolf Hitlerit në Gjermaninë e viteve 1933-1945, duhet hulumtuar nëse ka ngjashmëri në ushtrimin e detyrës së tij si kryeministër nga ana e Edi Ramës. Nuk është vështirë të kuptosh faktin se kryeministri i Shqipërisë gjatë shtatë viteve të tij në pushtet ka ndjekur të njëjtën vijë politike si edhe Hitleri për të realizuar përqendrimin e pushtetit të tij në duart e veta. Nëse i drejtohemi fakteve në këtë aspekt, atëherë do të dallojmë disa karakteristika të përbashkëta të qeverisjes së Edi Ramës me ato të Adolf Hitlerit:

Hitleri e ndryshoi Kushtetutën e Vajmarit pa diskutuar dhe pyetur për mendimin e opozitës në funksion të eliminimit të demokracisë gjermane. Edi Rama e ndryshoi kushtetutën e vendit tonë në korrikun e kaluar brenda natës, pa diskutime, pa debat, pa konsultime, pa marrë mendimin dhe besimin e opozitës, e cila përfaqëson së paku 50 përqind të popullsisë së vendit. Hitleri për këtë iu imponua parlamentit gjerman, Edi Rama po ashtu iu imponua parlamentit shqiptar, i cili për herë të parë në histori nuk funksionon me numrin e plotë prej 140 ddeputetësh.

Hitleri eliminoi me ligj opozitën e vendit dhe i dha vetes të gjitha të drejtat politike e kushtetuese për qeverisjen e vendit të tij pa opozitë. Edi Rama ka mundur që në shembullin e diktatorit gjerman të eliminojë opozitën reale në Shqipëri, duke e përçudnuar, etiketuar, sulmuar, denigruar e dhunuar atë me mjete policore e ushtarake, me përdorimin e mjeteve të dhunës, si gazin helmues, shkopinjtë e gomës, si dhe mospërfilljen për ekzistencën e saj në Shqipëri. U përpoq ta eliminojë opozitën shqiptare, duke ia vjedhur asaj ardhjen në pushtet përmes vjedhjes së votave.

Hitleri i dha të drejtën vetes së tij të bëjë e të shpallë ligje të detyrueshme për zbatim edhe për ata që nuk e kishin votuar. Në vend të Reichstagut, ligjet pas vitit 1934 i bëri qeveria. Ndërsa qytetarëve gjermanë nuk u mbetej tjetër veçse t’i zbatonin ato. Edi Rama e drejton Shqipërinë me akte normative njësoj si Hitleri, me ligje qeveritare, sa herë ka patur nevojë që të implementojë politikat e tij personale, me qëllim që t’i imponohet opozitës. Një fakt i tillë e bën Edi Ramën të ngjashëm me Hitlerin në aspektin e prishjes së balancës së funksionimit të pushteteve në demokraci, por jo në qëllime. Ndërsa Hitleri pati si qëllim që me ligjet e tij të kufizonte ose eliminonte ndikimin politik, ekonomik, financiar e kulturor të qytetarëve jo gjermanë, Edi Rama ka për qëllim të eliminojë dhe kufizojë ndikimin e opozitarëve, dmth së paku të gjysmës së shqiptarëve, sipas skemës së Ramiz Alisë, “Në kapitalizëm për të mbajtur pushtetin, duhet marrë në dorë ekonomia”!

Ligji për eliminimin e funksionit të presidentit të Republikës, të cilin e realizoi Adolf Hitleri më 1 gusht 1934, Edi Rama synoi ta realizojë dy vitet e fundit, kur e vuri presidentin Meta nën hetim parlamentar me idenë për shkarkimin e tij. Ai praktikisht nuk e ka njohur rolin e presidentit, as kur këtë funksion e ushtroi Bujar Nishani, as tani kur e ushtron Ilir Meta. Ai nuk ka pranuar të shkojë madje në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke ia atribuuar vetes edhe funksionin e komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Ai e ktheu Shqipërinë në një shtet policor, aq sa sot numri i policëve dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë e kalon numrin e ushtarëve dhe oficerëve të mbrojtjes.

Edi Rama luan rolin e Hitlerit edhe në sistemin gjyqësor të Shqipërisë. Çdo vendim që merret nga strukturat e gjyqësorit diktohet nga Edi Rama, ndërkohë që në Gjermani urdhërohej nga Hitleri. Nëse në Gjermaninë e asaj kohe drejtësia bëhej bazuar në rracën, në Shqipërinë e Edi Ramës drejtësia bëhet bazuar në të drejtën e ish-bllokmenëve dhe kundër të drejtës që duhet ta ushtrojnë qytetarët shqiptarë. Nëse në periudhën e Hitlerit u gjenden pak gjyqtarë prominentë që pranuan me entuziazëm diktatin e diktatorit në gjyqësor, në periudhën e sotme janë me shumicë ata gjyqtarë, të cilët veprojnë dhe punojnë si ushtarë të Edi Ramës. Vetingu i Hitlerit bazohej në besnikërinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve ndaj doktrinës racore hitleriane, vetingu i Ramës në drejtësi bazohet në besnikërinë permanente, madje të trashëguar, ndaj Rilindjes dhe objektivave të saj për pushtet e pasuri!

Shkatërrimi i shtetit ligjor të së drejtës në Gjermani çoi në përndjekjen dhe eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë si dhe të racave jo gjermane. Shkatërrimi i drejtësisë në Shqipëri ka filluar tashmë të shoqërohet me përndjekjen politike dhe luftën diskriminuese kundër opozitës dhe kundërshtarëve politikë të Edi Ramës. Deri në atë masë sa dhe fondet e projekteve të Brukselit dhe ambasadave të huaja i komandon Endri Fuga!

Nëse do të ndaleshim më gjatë, do të sillnim edhe dhjetëra shembuj të tjerë krahasues midis regjimit diktatorial të Hitlerit në Gjermani dhe regjimit të sotëm të Edi Ramës në Shqipëri. Thjesht ndryshojnë kushtet dhe rrethanat ndërkombëtare, ndryshe sot Shqipëria me Edi Ramën në drejtimin e vendit do të ishte nën një diktaturë më të egër se ajo e komunizmit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat