7 shtatori i vitit 1990, fillimi i një epoke të re për Kosovën

Opinione

7 shtatori i vitit 1990, fillimi i një epoke të re për Kosovën

Haki Latifi Nga Haki Latifi Më 7 shtator 2020 Në ora: 09:34
Arkiv

Përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë, të popullatës shumicë për krijimin e shtetit të pavarur, datojnë prej shumë kohësh, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90, atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Kujtojmë me nderime dhe krenari këtë ngjarje të rëndësishme në rrugën tonë drejt lirisë pavarësisë dhe shtetit të Kosovës kur deputetët e Kuvendit të Kosovës, vepruan në përputhje me mandatin që kishin në kuadër të proceseve të atëhershme, duke dëshmuar guxim, vizion dhe përgjegjësi të lartë për vullnetin që përfaqësonin dhe për aspiratën tonë historike për liri dhe pavarësi.
Sot kujtojmë në një kohë të historisë më të re të Kosovës kur është përcaktuar orientimi kushtetues juridik për Kosovës shtet sovran dhe të pavarur në të cilën dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990 Kaçanik, ku të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë. Pavarësisht represionit të asaj kohe të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, më 2 Korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës i asaj kohe kishte shpallur Deklaratën Kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë.
Është kjo ngjarje historike në kaosin e përgjakshëm që pasoi vdekjen e Jugosllavisë, në të cilën Kosova e kishte të qartë rrugën që duhej të ndiqte dhe qëllimin që duhej të arrinte, në rrethanat kur u lind Alternativa politike e quajtur LDK-ë, si lëvizje politike mbarëpopullore, e cila ishte bërë shpresë dhe besë për shqiptarët e Kosovës dhe për mërgimtarët. LDK, e udhëhequr nga presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, krijoi një platformë politike sui generis, për një status të ri për Kosovën, duke u nisur nga e drejta universale për vetëvendosje dhe përcaktimin se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror.
Kjo ngjarje tregon momentin e kthesës së madhe në rrethana shumë të vështira, një moment i përgjigjes së veçantë të institucionit më të lartë përfaqësues të vendit për të thënë fjalën e vet karshi gjithë asaj që i kurdisej Kosovës për zhbërje si dhe ishte artikulim i vullnetit politik të qytetarëve të saj. Dhe janë punët e mëdha të mëvonshme që janë bërë me organizimin e referendumit të vitit 1991, me marrjen e një vendimi të veçantë një rezolutë për definimin e plotë të qenies së Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran si Republikë dhe vendime e tjera që nuk ka qenë lehtë të merren edhe jashtë vendit duke mbajtur respektin për të gjithë njerëzit, edhe të gjallët edhe ata që janë në amshim, që kanë qenë pjesë dhe kanë dhënë kontribut për ndërtimin dhe ecjen e suksesshme të Kosovës si dhe pjesë e rezistencës dhe pjesë e ndërtimit të shtetësisë së saj.
Kosova u çlirua më 10 qershor të vitit 1999 nga okupatori serb, me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e ndihmuar nga forcat paqëdashëse të Aleancës Veriatlantike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; kurse pavarsinë, konformë të gjitha rregullave ndërkombëtare e shpalli, më 17 shkurt 2008 me emrin Republika e Kosovës.
Urimet të përzemërta për këtë ditë të bekuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat