A e shkelë njeriu ligjin nëse ka mbingarkesë?

Opinione

A e shkelë njeriu ligjin nëse ka mbingarkesë?

Nga: Engjëll I. Berisha Më: 9 shtator 2020 Në ora: 13:34
Engjëll I. Berisha

Ka ra në heshtje epidemia, e krizat tjera shëndetësore, derisa këtyre ditëve, të gjithë u bëmë analistë, kritikë, mendimtarë e politikanë. Ishim në rrugë të mirë të bëhemi të gjithë studiues të virologjisë, e mësuam edhe kulturë shëndetësore. tash po vjen veshta e gripit sezonal, të epidemisë politike e të krizës ekonomike. Luja, bacë luja.

Po flitet se, populli po dyshon në mushkëritë e tyre nga rreziku i epidemisë së fundit me virusin vrasës. Rëntgenologët e pneumologët kanë punë me mushkëritë tona të na mbrojnë e të mos vritemi, sikur thotë populli “pa egjel”.

Disa po thonë, se, menaxhmenti politik po e vret të ardhmen e këtij populli, sikur thonë kuloaret, këtë e bëjnë prej padijes e me qëllim. Nëse janë, që të dyjat janë të këqija.

Ekonomia politike e politika ekonomike nuk po gjejnë rrugë ta ekuilibrojnë njëra tjetrën. Kur jemi edhe në masa me regjim të tubimit e lëvizjes, e kemi parë se shkaktojmë kriza edhe në familje, derisa mendonim se jemi me moral e traditë të lartë. Hajde tash, gjejani fillin.

Nga psikologët mësova se ligji i besëtytnisë i ndan njerëzit kur secili nga ta e krijojnë ligjin për vetveten, njëri për suksesin e tjetri për mossuksesin, duke e lënë situatën e lumtur të varur në degën e pemës pa mos e hangër asnjëri. Lind pyetja: A e shkelë njeriu ligjin, nëse e ka peshën e rëndë?

Një epidemi tjetër, që po qarkullon këtyre ditëve në biseda e rrjetet sociale, se po rrezikohemi prej Amerikës. Bile, nga disa kolegë me mosha të reja, të nxitur nga disa subjekte, janë këmbëngulës se nuk kemi çka presim nga Amerika. Me mushkëri të sëmura, me menxhment tendencioz e me Amerikën “kundër”, po hyjmë në vjeshtën kërcënuese duke e pritur rrezikun epidemi, grip sezonal, pa njerëz të besueshëm dhe mjekësi të brishtë. Hajde tash, gjejani fijen.

Nuk është hera e parë që ky popull ndodhet përballë kërcënimit të rrezikut nga dora njeri. Sizmologët nuk paraqesin ndonjë rrezik nga tërmetet. As nga uraganet e natyrës, as breshëri nuk na lenë shenjë, por, rrezikun na vjen nga njeriu. madje njeriu i ynë, që i bie nga vetvetja. Kjo nuk është asgjë e re, këtë e dinë, madje e thonë të gjithë. Eu, sa personalitete me nam historik i kanë vra, dikën duke e quajtur “tradhtarë”, dikë konkurrent, e të tjerë as sot nuk kanë epilog. “Na e vranë, na e shanë, e na i thanë tradhtar” ( ligjërime për Lugj Gurakuqin, kur e vranë, ia lanë pusullën se ishte tradhtarë). Hajde tash, merrni me mend.

Vite më parë, i emërtuam fëmijët tanë me emra të shpëtimtarëve tanë, madje edhe me emrin Amerikanë, Klinton, Medline, Tonibler, e shumë të tjerë sa për të na kujtuar se kush na shpëtoi. Edhe historia i mbushi shumë faqe me fakte, foto, me aeroplanë drejtpërdrejt nga fronti i luftës. tash e kemi të vështirë ti djegim të gjitha këto faqe.

As që do ta shkruaj një rresht më tepër për Amerikën. Vetëm se, janë emrat e njerëzve, përfaqësues të një shteti që ose të ndihmojnë ose jo. Nuk qohet toka, as malet me të ndihmua. Varet krejt prej mëshirës së një personi, dy apo më shumë e të bëhen “ikali” me të ndihmua. Te ne, në këtë rast me na shpëtua.

Garat politike kush është me Amerikën e kush nuk është, nxjerrën një mendim që po qarkullon se, iu gjetëm për mirë Amerikës në këtë rast. Paska pas nevojë Amerika për ne?! Eu, po, a mbërrimë edhe ne me iu gjet Amerikës? Ta zëmë se po! Po të jetë kështu, a nuk do ta hidhnim nënshkrimin në një akt që vihemi në luhajë nëse na kërkon Amerika? Nga kjo, vetëm një gjë nuk do ta pranoja, cenimin e shtetit, të kombit e të integritetit. Këtë mandat nuk e ka askush, e as nuk e dimë se në ç’masë ka shkuar puna. Tjerat, janë tema politike, ekonomike, strategji që negociohen. Këtu nuk po hyj, e as shumë nga ata që dhanë mendime nuk kanë nevojë ti japin zor. Po na e shpërlajnë trurin me analiza, me broçkulla e me servime derisa po fusin grindje në mjedise pune, e në grupe shoqërore, sa ka ra në heshtje epidemia e krizat tjera me shëndetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat