Kamber Dodgjini, specialisti dhe drejtuesi që iu bën nder Lurës dhe lurianëve…

Opinione

Kamber Dodgjini, specialisti dhe drejtuesi që iu bën nder Lurës dhe lurianëve…

Nga: Gëzim LOKA Më: 15 shtator 2020 Në ora: 09:16
Kamber Dodgjini

Kamber Dodgjini hedh vështrimin prapa në kohë dhe teksa ndjek gjurmët e jetës së tij, Lura i qaset pranë me atë llamburitjen e ëmbël të ditë-netëve alpine, ku që nga Maja e Kunorës gjer në Mërkurth, një bukuri dhe hijeshi virgjine të çlodhin syrin dhe shpirtin. Këtu ka kalur fëmijërinë, rininë dhe një pjesë të moshës së pjekur të burrit, rrethuar nga lurianët e tij, të cilët i don me pasionin e lurianit për njerëzit e tij të rrënjëve e degëve, të kullave dhe pragjeve të përbashkëta. Këtu, në këtë dhe të bekuar të karareve, bukës i thonë bukë e fjalës fjalë dhe pesha e djersës dhe ëndrrës peshojnë njësoj në kandarin e jetës, në historinë dhe përditshmërinë e trazuar luriane…  

Lura është vendi ku lëshoi klithmën e parë në jetë, ku ndoqi mësimet në shkollën fillore dhe tetëvjeçare, ku zuri shokët dhe shoqet e para dhe ku morën udhë ëndrrat dhe dashuritë e jetës. Më tej, në vitin 1974 do të krente Teknikumin Pyjor Shkodër me rezultate të shkëlqyera, për të vijuar studimet e larta gjatë viteve 1974-1979 në Universitetin Bujqësor Tiranë, dega Inxhinier Pyjesh.  

Pas mbarimit të stduimeve u emërua inxhinier në Drejtorinë e Pyjeve Dibër ku punoi me pasion e përkushtim nga viti 1979 deri në vitin 1992, në fillim specialist (inxhinier pyjesh) nga viti 1979-1981 dhe më tej shef i sektorit pyjor Lurë dhe Parkut Kombëtar Lurë 1982-1992. 

Për shkak të punës plot pasion e përkushtim për mbrojtjen dhe zhvillimin e pyjeve si një pasuri e madhe lokale e kombëtarë është shpërblyer me stimjut e kohës çdo vit dhe ekonomia që drejtonte ka qenë në nivelet më të larta për gjithë rrethin e Dibrës. Mbas kësaj periudhe, me ardhjen e demokracisë, me propozim të Partisë Socialiste është zgjedhur kryetar komune. Nga 26 korriku 1992 e deri në fund të vitit 1996 ka drejtuar komunën Lurë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave natyrore, resurseve turistike dhe historike të kësaj krahine, me një trashëgimi të pasur vlerash në kohë dhe përditshmëri.      

Ishte kryetari i parë i komunës në Lurë pas viteve 90, kur Shqipëria u hap dhe nisi tranzicioni i vështirë, ku Lura do të ndeshej me problematikat nga më të vështirat, për të përballuar barbarët, që u vërsulën si të çmendur mbi pyjet e Lurës dhe e kthyen këtë perlë të gjelbëruar në një shkretinë që të dhemb.  Kamberi bëri ç’është e mundur që t’i mbronte pyjet dhe gjatë kohës që ai ishte kryetar komune nuk pati dëmtime masive, pasi pushteti vendor në bashkëpunim me policinë dhe strukturat e tjera të pushtetit qëndror u përpqën ta ruanin këtë pasuri lokale e kombëtare me çdo kusht.  

Megjithëse në opozitë me pushtetin qendror dhe me fonde tejet të kufizuara, Kamberi dhe ekipi i tij i vogël, i zgjedhur prej tij për shkak të meritokracisë dhe jo për militantizëm politik, ia dolën të zgjidhnin problemet më të mprehta të Lurës, të kufizonin rrënimet dhe shkatërrimet e gjithçkaje që nisën start në emër të “antikomunizmit”, të mbronin aq sa qe e mundur pasurinë natyrore, florën dhe faunën aq të pasura të kësaj komune.  

Pas mbarimit të mandatit si kryetar komune, edhe për dy vjet të tjera ka drejtuar sektorin e pyjeve në Lurë deri në fund të vitit 2001. 2001-fund korrik 2007 ka punuar në Ministrinë e Pushtetit Vendor, në Drejtorinë e Punëve Publike, ku largohet nga kjo detyrë pas strukturimit partiak që u krye në atë kohë pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike. 

Nga viti 2007 e në vazhdim ka punuar në drejtorinë e shërbimit pyjor Tiranë (Parku Kombëtar Dajt). 

Tek Kamberi shfaqen si cilësi të gjithëhershme thjeshtësia, ngrohtësia në komunikim, përkushtimi në punë, mprehtësia në kapjen dhe zgjidhjen e problemeve, gadishmëria për t’iu përgjigjur nevojave të secilit aty ku punon dhe shërben, me qëllim që të lehtësohet sa më shumë jeta e njerëzve dhe të zgjidhen sa më shpejt e sa më mirë hallet e të gjithëve.    

Ai është një specialist i aftë dhe i pasionuar pas punës e profesionit, një intelektual i formuar, një kuadër që duke qenë në forumet e drejtimit të Lurës ka bërë shumë për lurianët, të cilët e rrethojnë kudo, në çdo punë e detyrë që kryen, në çdo hap të jetës së tij.  

Dodgjinet janë një fis autokton në Lurë, me rrënjë të ngulura thellë në atë vis të praruar, në hijen e atyre kullave dhe pragjeve, ku bukës i thonë bukë e mikut mik dhe fjala ka peshën e vetë jetës në këto male. Njerëz të thjeshtë, të ndershëm e punëtorë, me kontribute atdhetare e humane, në këtë mal më vete të Dibrës e të shqiptarisë.  

Kamberi i bën nder jo vetëm fisit të tij, me njerëz punëtorë, të fjalës e të besës, por gjithë Lurës e lurianëve, të cilët e duan si djalin e tyre dhe e vlerësojnë për atë se çfarë ka bërë për krahinën e tyre, për kullat e qëndresës luriane, të cilat kanë aq shumë nevojë për duar të zgjatura ndihme dhe inkurajimi, si ato të këtij luriani të urtë e të mençur, Kamber Dodgjinit.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat