Interesat e Fuqive të Mëdha dhe pozita tragjike e shqiptarëve

Opinione

Interesat e Fuqive të Mëdha dhe pozita tragjike e shqiptarëve

Nga: Sami ARIFI Më: 15 shtator 2020 Në ora: 12:10
Sami ARIFI

Me luftën heroike të popullit shqiptar, por edhe me insistimin e fortë të Austro-Hungarisë, Gjermanisë e pjesërisht të Italisë, u vendos baza e shtetformimit të Shqipërisë, ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më se gjysma e trojeve shqiptare, padrejtësisht, mbetën jashtë shtetit amë. Me krijimin e shtetit shqiptar, Fuqitë Trepalëshe synonin të pengonin shtrirjen e shteteve sllavo-ortodokse si dhe Greqisë, poashtu edhe ndikimin rus deri në bregun shqiptar të Adriatikut. Ndërkaq Rusia, synim gjeostrategjik kishte marrëjen në shfrytëzim të Ngushticave të Bosforit dhe të Dardaneleve që ishin “çelsi i shtëpisë”, përmes pushtimit të Stambollit (Konstandinopojës), si dhe shtrirjen e ndikimit politik në Ballkan, deri në Detin Adriatik. Me këto dy synime donte të fuste në mbizotërim tregjet botërore, sepse përmes Ngushticave lidheshin Deti i Zi, Deti Egje dhe Mesdheu. Dihet që në atë periudhë tregjet botërore lulëzonin kryesisht përmes detërave.

Gjeostrategjia e Fuqive të Mëdha evropiane ishte pengimimi i saj përmes kongreseve, duke ia lënë Perandorisë Osmane në zotërim Ngushticat dhe bregdetin e Adriatikut deri në vitin 1912. Gjatë luftërave nëpër kohë të popullit shqiptar për çlirimin kombëtar, s’fundi Perandoria Osmane u rrënua përgjithmonë në Evropë, me përjashtim të një rripi të ngusht të Stambollit. Pra, me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, osmanët detyrohen të heqin dorë nga të gjitha pretendimet për Kretën. Rusia, prapë, në këto kriza tentonte të fuste nën mbizotërimin e saj Ngushticat; të Bosforit dhe të Dardaneleve, por që, me kërcënimin e Anglisë nuk u lejua ta pushtonte Stambollin.

Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike, raportet në Luftën e Parë Botërore kishin ndryshuar. Italia në vitin 1915 kishte kaluar në Paktin e Antantës, ndërsa Bullgaria në Lidhjen Trepalëshe, për shkak të ambicieve territoriale që i dështuan Bullgarisë në Luftërat Ballkanike. Austro-Hungaria, së bashku me Gjermaninë, edhe ushtarakisht e ndihmoi popullin shqiptar, duke e dëbuar ushtrinë serbe nga Shqipëria, duke vendosur administratën në gjuhën shqipe, flamurin shqiptar e shumë e shumë gjëra të tjera, kuptohet, nën ombrellën e ndikimit politik të Austro-Hungarisë.

Lufta e Parë Botërore kishte ndryshuar raportet e Fuqive të Mëdha, nga se ishin përjashtuar Fuqitë e deridjeshme, si: Austro-Hungaria dhe Gjermania, si dhe ishte vetëpërjashtuar Rusia, e cila sipas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917, ishte kthyer në Bashkim të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Me paraqitjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe të Japonisë, në të njejtën kohë kur u vetpërjashtua Rusia për shkak të Revolucionit, në Fuqitë e Mëdha skena evropiane ishte kthyer në skenë botërore, ndryshim ky që kishte rëndësi jashtëzakonisht të madhe për zhvillimet e ardhshëme, dhe se fjalën kryesore, tashmë, do ta merrin amerikanët. Pra, Woodrow Willson i përvijoi idetë e tij të përfshira në katërmbëdhjetë pikat e janarit të vitit 1918, që patën një jehonë të madhe, sepse ngjallën shumë shpresa, sidomos te popujt e vegjël në Evropë, duke përfshirë edhe shqiptarët. Pozicioni i SHBA-ve, qysh në fazën e luftës, ishte një pozicion historik. Presidenti i SHBA-ve, Willson paralajmëron heqjen e shqiptarëve dhe çështjen e tyre nga pazaret e fshehta si Traktati i Londrës i vitit 1915 dhe marrëveshjet e tjera të kësaj natyre që ishin arritur midis Fuqive të Mëdha evropiane. Në këtë garë Shqipëria dhe hapësira shqiptare në përgjithësi shihej si mollë sherri për kusuritje të pashmangshme. Në këtë plan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ndihmuan qëndresën e shtetit shqiptar në ngjarjet historike dhe realisht e përkrahën çështjen e popullit shqiptar, përballë armiqve shekullor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat