Rilindje për ditëlindje!

Opinione

Rilindje për ditëlindje!

Nga: Mero Baze Më: 16 shtator 2020 Në ora: 21:47
Mero Baze

Po prisja t’ia uronte dhe Ilir Meta ditëlindjen, Fatos Nanos, që të kompletonte sjelljet e tij të kohëve të fundit, që nuk lë njeri pa i kujtuar kur ka lindur, apo kur ka vdekur.

Por nuk e bëri.

Me sa duket tani ai kërkon figura me peshë kombëtare për t’i përkujtuar dhe për t’i identifikuar me projektin e tij politik. Kjo u pa qartë përshembull tek dekorimet për luftën e Vlorës, ku të krijohej ideja që ajo është një luftë që e ka bërë LSI.

Modeli i Fatos Nanos si liberal nuk e ndihmon në idenë e tij për t’u dukur si babai i “Baballarëve të kombit”.

Pas një dedikimi të Edi Ramës, për liderin veteran të socialistëve, thuajse e bënë të gjithë nga një gjest për të. Madje filluan ta urojnë dhe shumë deputetë socialistë, a thua më parë e kanë pasur të ndaluar ta uronin publikisht.

Por më shumë se të tjerët, nga dedikimi i Edi Ramës, dukej i prekur Sali Berisha. Ai ngjante sikur i kishin marrë të dashurin dhe publikonte video, që tregonte se çfarë ka thënë Fatos Nano për Edi Ramën, dikur kur ishin në luftë me njëri- tjetrin.

A thua se nuk e di këtë as Fatos Nano, as Edi Rama. Dhe këtë e thotë më 16 shtator, dy ditë pas përvjetorit të vrasjes së Azemit, për vrasjen e të cilit Berisha ka akuzuar pa ju dridhur zëri fare, Fatos Nanon si vrasës, dhe më pas e ka shpallur aleat kundër Edi Ramës për disa vite dhe e ka ftuar në festën e PD të takohet me demokratët, që desh u vranë më 14 shtator.

Dhe në gjithë këto pështjelllime që ka shkaktuar një dedikim i Edi Ramës për Fatos Nanon, secili shikon hallin e vet.

Ilir Meta nuk ka reaguar dhe ndoshta e ka mallkuar me vete Edi Ramën, se ja ka prishur projektin e ditëlindjeve, me të cilin po ngjallte të vdekur nga varri dhe të vdekur mbi tokë, për t’i bërë bashkë kundër tij.

Aq më keq që mund të ketë  menduar se mos Rama e propozon për president pas 26 prillit, kur ai ka premtuar se do të ikë nga Presidenca.

Dhe do jetë betuar me vete që nuk ka për të ikur, mos t’ia lëshojë vendin atij “tradhëtari”. Kur ja kujtoi Rexhep Mejdanit, që kishte ditëlindjen para një muaji, me siguri i ka shkuar në mendje të ftojë dhe Fatos Nanon, por ka pasur frikë se mos u prishte ditëlindjen.

Sali Berisha nga ana e vet ndjehet i frustruar nga ideja që e majta ngjan e bashkuar, ndërsa opozita e ndarë në tre- katër copë.

Përfytyroni që ai nuk bind dot Lulin të pajtohet me Jozefinën, dhe tani duhet të durojë dhe paqen e Edi Ramës me Fatos Nanon. Dhe pas kësaj kërkon t’u kujtojë Nanos e Ramës, se ata dikur kanë sharë njëri- tjetrin.

I gjithë ky pështjellim vetëm nga ideja se “Rilindja” po gjen mundësi të mbahet e bashkuar edhe përmes ditëlindjeve.

I vetmi që ndoshta se ka ditur se ka ditëlindjen sot mund të jetë Fatos Nano. Tani dhe ai e mësoi dhe me siguri i kini dhënë një rast ta shtyjë deri në mesnatë duke pirë verë e duke u tallur me ata që e urojnë dhe mallkojnë.

Feston rilindjen e ditëlindjes!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat