“Bomba” e pakrisur në Pragë

Opinione

“Bomba” e pakrisur në Pragë

Nga: Muhamed Halili Më: 16 shtator 2020 Në ora: 23:31
Muhamed Halili

Më 26 prill 1993 Shqipëria e bëri njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë, shkruan në librin e kujtimeve diplomati i parë shqiptar në Maqedoninë e pavarur, Leonidha Mërtiri. Ky akt, siç shkruan edhe vetë diplomati, solli një befasi të pakëndëshme te shqiptarët e Maqedonisë dhe më vonë do të shihet se ishte edhe shkasi i mospajtimeve dhe grindjeve brenda elitave politike shqiptare në Shqipëri dhe Maqedoni.

Ne në Maqedoni e dinim se njohja ndërkombëtare nga ana e Shqaipërisë do të ndodhë dhe për këtë e patëm votuar Deklaratën për pavarësimin e vendit por na habiste kryeneçësia e liderëve politikë maqedonas në mosrealizimin e të drejtave tona kombëtare, në veçanti të drejtat në lëminë e arsimit të mesëm e sipëror e lere më gjërat tjera.

Në Kongresin e parë të PPD-së, mbajtur më 12 shkurt 1992, në Tetovë kryetari i saj Nevzat Halili, në fjalën e tij përmbyllëse, e drejtoi gishtin kah Shqipëria dhe kërkoi nga ajo njohjen e Autonomisë së shqiptarëve në Maqedoni dhe mosnjohjen ndërkombëtare të shtetit të ri deri në plotësimin e të drejtave tona kombëtare.

Qeveria Meksi nuk e bëri as njerën, as tjetrën. Për Autonominë i tha disa fjali sa për sy e faqe ndaj opinionit shqiptar në Maqedoni i cili priste më tepër, por në fakt e kundërshtonin sepse ky akt nuk ishte në përputhje me qëndrimin ndërkombëtar. Autonomia dhe afera e armëve e prishën bashkëpunimin deriatëherë të ngushtë politik në trekëndëshin Tiranë-Tetovë-Prishtinë

Dashuria “vëllazërore” në trekëndëshin Rugova-Berisha-Halili sa vinte e ftohej. Nevzat Halili i pakontrollueshëm duhej vënë nën frena, zëshëm na thonin ata të PD-së.

LOJË E DYFISHTË

Më 20 prill 1993, në orët e pasditës, derisa i ndjekja punimet në Kuvend si deputet i zgjedhur i Njësisë zgjedhore 72, shërbimi i Kuvendit më informoi për një thirrje telefonike të Mithat Eminit, sekretar i përgjithshëm i PPD-së. Duhej urgjent të shkoj në seli të partisë.

Me të arritur në seli të partisë në Tetovë, Mithati shkurtimisht më informoi se janë marrur vesht me ata të Shqipërisë dhe doktori (Sali Berisha) i ka thirrur ambasadorët e vendeve të BE-së dhe i ka njoftuar se Shqipëria në Këshillin e përhershëm të KSBE-së (tani OSBE) do ti bëjë veto Maqedonisë për mospranim si anëtare e rregullt e saj për shkak të mosrealizimit të të drejtave të shqiptarëve këtu.

Prania yte si koordinator i Grupit parlamentar të PPD-së (lëvizje gjithëpopullore atëherë) në delegacion e Shqipërisë do t’ia vejë në dije bashkësisë ndërkombëtare se ne jemi zëri autokton i shqiptarëve dhe se Shqipëria nuk përzihet në punët e brendëshme të Maqedonisë, më tha Mithati.

Pasi të njejtën ditë radio komunikoi se një delegacion i MPJ të Maqedonisë do të jetë si mysafir në delegacionin e Turqisë në KSBE, ku do të debatohet për pranimin e Maqedonisë në këtë organizatë ndërkombëtare, më ra ndërmend së pari të kërkoj të jem pjesë e delegacionit të Maqedonisë në KSBE dhe atje, në praninë e maqedonasve t’i parashtroj vërejtjet tona për mosrealizimin e kërkesave shqiptare. Por për dy ditë nuk mora asnjë përgjigje.

Më 22 prill në orët e pasditës Mithati kishte organizuar shkuarjen time në Tiranë. Diku në orën 18 para derës së shtëpisë sime erdhi me veturë aktivisti ynë nga diaspora e Belgjikës Selajdin Sinani dhe u nisëm për Shqipëri. Rruga e gjatë dhe krejt gropa si dhe vozitja e “hazdisur” e Selajdinit më bëri që disa herë gjatë udhëtimit të ndjehem keq dhe të vjellë. Dhe, ja pas mbi shtatë ore vozitje diku rreth orës 24 arritëm në Tiranë dhe sipas rezervimit të MPJ-së shqiptare më vendosën në hotel Tirana.

Të nesërmen në orën 9.45 në mëngjez Selajdini erdhi në hotel, më mori dhe më dërgoi në Ministrinë e jashtme shqiptare ku më priti Esat Miftari, një kosovar bujar dhe i ndershëm, drejtor për Ballkanin në drejtorinë e Diasporës.

Pas një mirëseardhjeje të zakonshme shqiptare, Esati me një ndjenjë gëzimi thellë në zemër më tha se do të udhëtojmë sëbashku në Pragë, ku do të mbahej Këshilli i përhershëm i KSBE-së (tani OSBE) , do të plasim një “bombë” e kështu do ta pengojmë anëtarsimin e Maqedonisë në këtë organizatë ndërkombëtare sepse nuk i realizon të drejtat e shqiptarëve.

Pas takimit me Esatin më pranoi ministri i jashtëm Alfred Sereqi. Më tha se durimi shqiptar më ka marrur fund dhe se ambasadat e BE-së janë të njoftuara për qëndrimin shqiptar rreth anëtarsimit të Maqedonisë në KSBE. Pas këtij takimi erdhi dhe më shoqëroi një diplomat (me moshë shumë më i ri se unë)shumë i aftë nga ministria i cili merrej me çështjen e vendeve të Ballkanit. Nga kompjutorët e paktë të Ministrisë më nxori një material për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni i cili dukej shumë i zbehtë për nga faktet. I ndihmova atij ta pasurojmë materialin dhe të njejtin e paraqitëm në emër të delegacionit shqiptar si non paper për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Me të kryer punët me avion u nisëm për në Pragë dhe u vendosëm në një hotel mjaft luksoz në qendër të qytetit. Më duket se hotelin e kishte paguar dikush nga diaspora shqiptare. Më 24 prill në ora 10.00 sëbashku me delegacionin e Shqipërisë u gjenda në godinën ku do të mbahej mbledhja. Duke hypur shkallët, lart më prisnin gazetarë maqedonas nga televizioni kombëtar dhe gazeta “Nova Makedonia”.

Natyrisht pyetja e parë ishte si mund një deputet shqiptar, shtetas i Maqedonisë, të jetë pjesë e një delegacioni të një vendi tjetër dhe të luftojë që vendi i tij mos anëtarsohet në organizata ndërkombëtare.

Pas gazetarëve mu afruan dy diplomatët maqedonas që ndiqnin KSBE-në në MPJ e Maqedonisë I.J dhe A.T, dhe me miqësi më afruan të jem pjesë e delegacionit. Natyrisht se i refuzova duke iu përgjigjur se është vonë. Në sallë e vërejta praninë e ambasadorit të KSBE në Shkup zotin Norman Anderson, një njeri i urtë dhe i ditur, me të cilin gati çdo ditë të javës komunikoja për të drejtat shqiptare këtu tek ne. Pastaj mu afrua ambasadori i Bosnjës dhe më tha: shihni mereni vesht me Maqedonasit se këta perëndimorët na shkatruan nga rrënja duke aluduar në luftën që bëhej në Bosnjë.

Ditën e parë të Seancës, derisa ambasadorët e vendeve anëtare diskutonin për pikat e rendit të ditës, ndodhi që pika për anëtarsimin e Maqedonisë të shtyhet për të nesërmen. Kjo ma bëri të ditur se diçka po ndodh. E pyes ambasadorin e Shqipërisë në KSBE, zotin Zef Mazi, i cili tërë kohën më shoqëronte sëbashku me Esat Mftarin, se çpo ndodh. Ai më sqaroi se i bëhet presion i madh Tiranës të hjek dorë nga veto-ja.

Të nesërmen ambasadori Mazi kishte marrur instruksione që të ndërmjetsojë me delegacionin e Maqedonisë çka mund ata në ndërkohë të bëjnë në përmirsimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe për sa kohë, në mënyrë që Shqipëria të jep dakordin e saj për anëtarsim. Ambasadori me non paper-in në duar herë vinte e më pyeste mua dhe herë ata. Më thoshte se ata i kanë thënë se Gligorovi do të angazhohet personalisht për avansimin e të drejtave dhe se Shqipëria duhet të lëshojë pe.

Kur e pashë se punët fillojnë të shkojnë ndesh me prezencën time në Pragë kërkova nga ambasadori Mazi mos e luaj rolin e ndërmjetsuesit por diplomatët maqedonas të bisedojnë drejtëpërsëdrejti me mua, sepse ne edhe ashtu mirë komunikojmë mes vedi. Poqese Shqipëria nuk është në gjendje t’i mbrojë të drejtat tona, unë e lëshoj delegacionin dhe kthehem në Tetovë dhe e informojë opinionin për këtë, i thash ambasadorit Mazi. I shqetsuar më vonë Zefi më komunikoi se megjithatë Shqipëria do ta pranojë kompromisin që Maqedonia të bëhet anëtare vëzhguese në KSBE (pa të drejtë fjale dhe vote). Natyrisht se pas këtij akti filluan uratat e delegacioneve të ndryshme dhe delegacioni i Maqedonisë e zuri vendin në sallë. Esat Miftari i dëshpëruar tejmase mu afrua dhe ma shprehu zemrimin e tij pse nuk na “plasi bomba” në tërësi. Më tha poqese dëshiroj mund të “ta ndaj gëzimin” me delegacioni e Maqedonisë, çka e refuzova menjëherë.

Pasditën e 26 prillit të vitit 1993 me veturën e një mërgimtari kthehesha në Maqedoni. Në orën 15.30 shoferi i kishte lëshuar lajmet e radio Tiranës dhe ishim afër Strugës. Spikeri me zë të fortë komunikoi se Shqipëria e kushtëzoi pranimin e Maqedonisë në KSBE sepse nuk i ka plotësuar të drejtat e shqiptarëve.

Diku në fund të lajmeve, disi si me zë të padiktueshëm, spikeri njoftoi se qeveria shqiptare kishte vendosur për pranimin ndërkombëtar të Maqedonisë nga ana e Shqipërisë. Atëherë e kuptova se çfarë kuptimi paska patur prania ime në rradhët e delegacionit shqiptar në KSBE-në Pragë. Esat Miftari i dëshpëruar dhe i brengosur me siguri e kuptoi se patriotizmi nuk i gjason fare politikës.

Natyrisht se, atë që nuk e kishte bërë Maqedonia atëherë për shqiptarët e bëri Shqipëria. Një ditë erdhi në Tetovë i dërguari special i doktorit Dilber Vrioni dhe më njohtoi se qeveria Meksi kishte vendosur t’i hapë dyert e të gjitha fakulteteve për shqiptarët e Maqedonisë dhe se këtë aksion duhet ta udhëheqi unë në bashkëpunim me ministrin e arsimit pa dallime partiake të studentëve kandidatë. Për këtë një herë tjetër.

Duke menduar për dilemën e shprehur nga diplomati Mërtiri ( dëgjuar nga goja e shqiptarëve të këtushëm) në kujtimet e tia se a ishte herët pranimi i Maqedonisë si shtet i pavarur nga ana e Shqipërisë, apo nevojë e kohës edhe pas 30 vite përvojë politike nuk mund të jap përgjgije meritore. Shumë punë kanë ndryshuar rrënjësisht dhe asgjë nuk i gjason të atëhershmes. Politika nuk është shprehje e ndjenjave por realiteteve dhe pragmatizmit.

Shënim: Autori ka qenë koordinator i Grupit parlamentar të PPD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat