E dëshpëruar

Opinione

E dëshpëruar

Nga: Kimete Berisha Më: 17 shtator 2020 Në ora: 15:49
Kimete Berisha

Qe disa muaj jam tuj i bë hesapet m'i nxjerr 10 përqindshin e pareve të trustit (që m'vjen marre me ju tregu sa pak janë).

Po s'rrej unë kënaqem me pak, ndaj u gëzojsha e rrisha n't'madh që po na mundësohet me ndrru bile 'filxhanin e WC-së', dhe sidomos një derë e ormanit që m'u ka bë si postbllok, që refuzon m'u mshel.
Ndërrimi i dyshemesë sidomos ishte një nga qëllimet e mia më të larta jetësore.
Ju e dini sa 'birat' i ka shpija.

Por kur sot u zgjova nga gjumi, lajmi i parë, dështimi i Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.
U preka shumë dhe deshta me kajt, po lidha kast mos me leju lotin me dalë përtej 'perimetrit' të syrit.

Po tingëlloj si fëmija, kur nuk ia blejnë lojën. Sigurisht. As nuk mërzitem si tingëlloj.
Se, dëshira është gjithmonë 'e re' derisa të plotësohet.

Por, nuk e kuptoj pse duhet me prit m'u plakë për m'i shpenzu kursimet e tua, kur pleqëria nuk është e sigurtë.

Ka 'shenja' që nuk mundem me mbërri pleqërinë.
E pastaj, t'i shpenzojnë paret e ormanit, hallku.

Njoh shumë raste kur vdes gruaja, e paret e kursimeve të saj ia shpenzon burri në 'muajin e mjaltit' me gruan e re, hala pa i ra dheu fytyrës 'kursimtares' t'shkretë.

Pra, ju urrej.
Një varg i Teki Dërvishit thotë 'Unë nuk ju urrej, unë nuk ju shoh'.
Por, unë nuk e fisnikëroj urrejten time.
E poeti, Ai i donte shumë shqiptarët.

Sa herë e kam pyetur 'po qysh me mend n'kry fjali 17 vjeçar hyn në burg për flamur e del nga Goli Otoku pa asnjë dhëmbë në gojë', ai më shikonte me ata sytë e zi dhe thoshte se si mahnitej me 'dialektikën time të të menduarit'.
Por mendjen për dashurinë ndaj çdo gjëje shqiptare nuk ia ndryshonte 'dialektika ime'.

Sa më përket mua, kurrë për jetë, as për një minutë nuk isha hy në burg për mbrojten e vlerave të përbashkëta.
Veç nëse hyjnë krejt populli në burg, edhe unë me ta.
Përndryshe jo. S'më shkon mendja. Sepse, s'kam nevojë 'të mbahem në mend për asgjë, as të përmendem mbasi që nuk do të jem'. Bile më vjen mërzi me ma përmend emrin.

Ende, edhe sot, nipat e mbesat e atyre që na futën në burgje, e që na e shkatërruan jetën rrnojnë si cara.

Po ama bëhesh disident.
Po. Edhe? Çka fiton që bëhesh disident këtu?
'Ms i hedh xhevahirët para derrave'. Ku e bën dallimin 'robi i lumtur' mes disidentit dhe kriminelit.

Në Liri pastaj, gati komplet gazetat si me dirigjent e ndjekën disidentin.
E mbaj mend, s'ka pas ditë që 'koha' e mehmeti nuk e kanë përndjekur disidentin, s'e kanë lënë me marrë frymë, me përbi kafshatën e bukës si njeri, ama ka qenë përnjdjekje e sëmurë derisa ia 'nxorën shpirtin', me vetmi, me izolim, me varfëri me braktisje dhe sot me 'harrim'.

Pastaj, koha u qetësua e mehmeti e la kulturën, tek kur ia panë varrin e rrafshuar.

Por kjo dashuria për atdheun është aq 'e poshtër' sa një ditë para vdekjes, nga shtrati i vdekjes disidentin e lexonte një libër historisë, i fascinuar më thirri në telefon dhe më tregoi se si filan autorja e huaj ka thënë se shqiptarët janë 'të parët'.

Vet me vete po çfarë 'të parësh'.
Ende s'janë mësu me përdor fshisën e oborrit shqiptarët.
Por atij nuk ia thash
sepse e dija se po vdes, e njeriut që vdes ia bën rrafsh.
Veç përcjelle, kur ta bëjnë 'rrafsh' dije që i ke la duart, pshtove.

Pra, unë ju urrej.
E pata planifikuar edhe çka do t'i them mjeshtrit kur të vijë të ma ndërroj dyshemenë. Thoja me vete, unë si femër dhe simpatike siç jam, mos po këqyr me më mashtru.
Se meshkujt e kanë një bindje të sinqertë se femra nuk merr vesh në tregti, e mashtron qysh dush.

Dhe për vetëmbrojtje, e planifikova çka m'i thënë.
E kam pas njet m'i thënë:
'shoku ka kërkuar që kjo punë të kryhet mirë. Ose që s'je i zoti me kry mirë, më mirë mos ja nis. Tash shoku është në punë se policia po kanë shumë angazhime sherri pandemisë. Se Polic është ai. Bile e paska harru alltinë n'banesë???'.

Po s'u shkru unë m'u knaq.

P.S. Derisa erdha në fund të shkrimit, m'u heq mërzia.
Veç një pyetje e kam:
Pse ky popull ju duron kur askush nuk e ndal mos me ju duru?

Qeveri e parlament mafioz njëri pas tjetrit, secili më milioner se tjetri, na kanë vjedh e na kanë lënë në zero, gjithë ditën e reklamojnë salltanetin, dhe askush nuk shpurdh!

Nuk ankohet kush sepse 'melankolia është lumturi e të qenut i mërzitur'.
E njoh këtë ndjenjë që e ka 'zbuluar' Viktor Hygo.

Vërtetë neve na bën të lumtur mërzia, se deri tash ishim dalë n'selamet.

As Liria s'na shëroi nga 'sindromi i robit të lumtur'.
Dikush tha se s'ka gjë më të neveritshme sesa 'slkllavi i lumtur', por askush nuk tregon se me çka thyen 'prangat e mendjes'!

Në shumë familje shqiptare, ende anëtarëve të familjes u thonë 'robtë e shpisë'.
Pra, me qenë i shkelur dhe i dëshpëruar për neve është krejt 'normale'.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat