Hashim Thaçi në depresion

Opinione

Hashim Thaçi në depresion

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 18 shtator 2020 Në ora: 14:28
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi, pasi organizoi puçin institucional të rrëzimit të qeverisë Kurti dhe bashkë me Isa Mustafën krjuan qeverinë e re të zotit Hoti, është hedhur në sulm, tashmë kundër krijesës së vet, pra kundër kryeministrit të vendit.  Sulmet e tij të ashpra ndaj kësaj qeverie për shkak të bisedimeve dhe dialogut me Serbinë janë interpretuar në forma e mënyra të ndryshme. Ndërsa “ultimatumi” i tij që zoti Hoti të mos nënshkruajë një marrëveshje, në të cilën parashihet formimi i asosacionit të komunave serbe në Kosovë, ishte kulmi i hipokrizisë dhe qëndrimit të tij kontrovers ndaj këtij dialogu.

Kjo deklaratë dëshmoi se presidenti i vendit është në depresion. Shumëkush do ta arsyetonte një sulm të tij kundër Albin Kurtit ose Vjosa Osmanit, por nuk pritej që Thaçi të sulmonte njeriun që vetë e emëroi në krye të ekzekutivit të Kosovës. Madje bëri të pamundurën dhe shkeli kushtetutën e vendit, duke përpunuar deputetët e kuvendit që ta votojnë qeverinë aktuale. Ndaj njerëzit kanë nevojë të dinë çfarë ndodhi dhe si ndodhi që presidenti i Republikës së Kosovës ta bëjë një gjë të tillë! Në këtë paradigmë qytetarët mendojnë në mënyra të ndryshme. Ka prej tyre që besojnë se tani që ai nuk mban përgjegjësinë e dialogut, e ka komoditetin të hiqet si patriot! Disa të tjerë besojnë se Hashim Thaçi paska reflektuar nga projekti i tij për ndarjen e Kosovës përmes shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Por e vërteta është ndryshe. Qëndrimi i zotit Thaçi ndaj qeverisë Hoti ndryshoi në momentin që kryeministri i Kosovës u shfaq në zyrën ovale të Presidentit Trump. Hashimi kishte bërë lëshimet më të mëdha që e klasifikojnë si anti-shqiptar, vetëm që të ulej përballë apo në krah të presidentit amerikan dhe nuk mundi ta realizojë një ëndërr të tillë. Pritja e Abdullah Hotit në Shtëpinë e Bardhë, madje me një performancë shumë më dinjitoze se sa paraqitjet e zotit Thaçi e revoltuan atë. Përgjërimet dhe gënjeshtrat e tij për “gatishmërinë” e politikanëve të Kosovës për të ndryshuar kufijtë në Ballkan dhënë zotit John Bolton nuk bënë punë që presidenti i Kosovës të arrijë suksesin e kryeministrit Hoti, në pikëpamje të asaj se si u paraqit në Uashington. Jo në kuptimin e përmbajtjes së marrëveshjes së nënshkruar.

Deklarata e presidentit Hashim Thaçi erdhi vetëm një ditë pasi presidenti Trump bëri në Twiterin e tij statusin, në të cilin e lavdëronte me fjalë të mëdha kryeministrin Hoti, sigurisht krahas presidentit serb, Vuçiç. Pse erdhi në këtë moment sulmi dhe paralajmërimi i tij? Ka dy mundësi:

Së pari, zoti Thaçi mund e duhet të ketë kaluar një periudhë depresioni të thellë. Pritjet e mëdha për nderime dhe dekorata nga ndërkombëtarët pas kompromisit me shkëmbim territoresh me Serbinë kanë bërë që ai të ndjehet i zhgënjyer, i tradhtuar, i lënduar dhe madje i përbuzur. Së paku Grenell mund ta përmendte emrin e tij në një fjali. Asnjë fjalë nuk përmendi për rolin e Thaçit në dialog gjithashtu tutori i Thaçit dhe Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç. Takimi në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua sikur  gjithçka po ndodhte për herë të parë. Emri i Hashim Thaçit u harrua për pak javë. Në Prishtinë të huajt e kanë izoluar plotësisht. Askush në e ve në gojë emrin e tij, jo më ta takojë apo të bisedojë dikush me të. Ka filluar ta harrojë edhe miku i tij i ngushtë, Edi Rama. Ska më takime, biseda, dreka e darka midis tyre!

Po t’i shtojmë këtij izolimi edhe brengosjen dhe stresin e jashtëzakonshëm që i ka shkaktuar ngritja e akt-akuzës ndaj tij, atëherë duhet të merret me mend se sa depresion të madh kalon presidenti i Kosovës. Ndaj atij i nevojitet një valvul shkarkimi të këtij depresioni. Me sulmet kundër Albinit, Vjosës, Ramushit, Sali Berishës etj, duket se nuk funksionojnë këto valvula. Atëherë ai iu drejtua krijesës së vet, Abdullah Hotit. Madje dyshoj se përbëtë e ka aktivizuar përsëri Isa Mustafën. Ky i fundit tha se LDK është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ka shumë gjasa që kjo deklaratë të jetë drejtuar si paralajmërim e presion ndaj kryeministrit Hoti, gjithnjë me porosi e urdhër të Hashim Thaçit ose të ustait të dyve, diku jashtë Kosove.

Së dyti, ka edhe një arsye tjetër të qëndrimit anti-Hoti të presidentit Hashim Thaçi. Mesa duket ai vazhdon të punojë me ngulm për ta realizuar idenë e tij beogradase për ndarjen e Kosovës. Me qëllim që ta realizojë këtë, atij i nevojitet që asosacionin në modelin p.sh të Tirolit Jugor, ta paraqesë si më të rrezikshëm se ndarjen. Ne kemi dëgjuar disa herë Baton Haxhiun të thotë se ndarja është më e mirë për Kosovën sesa krijimi i asosacionit të komunave serbe. Gogolit të asosacionit i shërben nganjëherë dhe qëndrimi radikal i opozitës së Vetëvendosjes, e cila në vend që të japë alternativën e vet, kujton gjithmonë gazin lotsjellës në parlament. Dhe Thaçi, me qëllim që të realizohet projekti i Serbisë së Madhe, luan në fushë-betejën e tij për shkëmbimin e territoreve.

Pavarësisht kësaj, izolimi i presidentit të Republikës së Kosovës do të vazhdojë deri në ditën që ai do të japë dorëheqjen dhe aktet destruktive të tij do t’i ndeshim edhe në të ardhmen. Falë Zotit dhe Gjykatës Speciale, tashmë atë askush nuk e merr më seriozisht!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat