Kosova gjatë viteve 1989-1999 (Pjesa e dytë)

Opinione

Kosova gjatë viteve 1989-1999 (Pjesa e dytë)

Nga: Genc Mekaj Më: 19 shtator 2020 Në ora: 00:37
Genc Mekaj

Takimi i Rugovës e Millosheviçit në maj të vitit 1998 për të biseduar rreth gjetjes së një zgjidhje paqësore, ishte dëshmia më e qartë e sjelljes paqësore të shqiptarëve edhe në rrethanat kur forcat serbe ishin në veprim të hapur duke masakruar dhe vrarë shqiptarët.

Ibrahim Rugova në Beograd për bisedime me Millosheviçin, u dërgua në koordinim me Amerikanët. Pas bisedimeve mes Rugovës dhe Millosheviçit në Beograd, Ambasadori amerikan Kristofer Hill filloj lëvizjet për hartimin e një marrëveshje. Kjo marrëveshje dështoj e cila bënte mjaft tolerime për Millosheviçin në dëm të Shqiptarëve .Pastaj, Millosheviçi u ballafaqua më diplomatin amerikan, Richard Hollbrukun i cili pasi vërejti avazet e vjetra të Millosheviçit, menjëherë e bëri që të përballej me kërkesat ultimative dhe shtrënguese.

Në koordinim me fuqitë ndërkombëtare dhe emisarit Hollbruk, Millosheviçit iu paraqit një katalog kërkesash, ku mospërfillja e këtyre kërkesave do të përcillej me veprime ushtarake. Millosheviçit iu bë e ditur nga emisari Hollbruk për pakon dhe kërkesën ultimative gjë që bëri që Millosheviçi të pajtohej. Millosheviçit iu bë e ditur që nëse nuk pranonte katalogun e kërkesave të shtruara nga Grupi i Kontaktit, NATO do të fillonte me sulmet, pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Millosheviçi qe i detyruar të pajtohej me pakon e Hollbrukut.

Më 16 tetor 1998 Beogradi dhe OSBE nënshkruan marrëveshjen rreth stacionimit të dy mijë trupave të misionit verifikues të kësaj organizate që do të stacionohen në Kosovë menjëherë. Pjesën me të madhe të tyre do ta përbëjnë Amerikanët, nga radhët e të cilëve do të emërohet edhe shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, diplomati i vyer, William Walker (Buxhovi, 2015).

Ditën e 15 janarit 1999 ndodhi masakra e Reçakut, ku u masakruan banorë civil të këtij fshati nga forcat serbe.Në këtë masakër pati të rinj, të moshuar, gra dhe fëmijë.Masakra u zbulua nga monitoruesit e OSBE-së dhe nga kryetari i misionit William Walker, të pranishëm ishin edhe shtypi ndërkombëtar.Walker lejoi kamerat e televizoneve botërore, BBC, CNN, AP, të xhironin këtë tmerr.Walker deklaroi botërisht së kjo ishte një masakër ndaj popullsisë civile.Në janar 1999, masakra ndaj dyzet e pesë shqiptarëve në Reçak e ngriti shumë lart tensionin (Ahrens, 2010).Beogradi reagoi ashpër ndaj Walkerit dhe e mohoj masakrën. Regjimi serb, siç mund të pritej përgënjeshtronte akuzat e Walkerit, duke theksuar se të gjithë të vrarët ne Reçak ishin ‘’terroristë shqiptarë’’, të cilët kishin luftuar kundër policisë serbe (Shala, 2000).

Masakra makabre ndaj popullsisë civile të pafajshme u mundua të mbulohej nga serbët duke i baltosur me epitetet e terrorizmit, duke përgënjeshtruar mediat botërore dhe misionarin Walker. Imazhet e Reçakut, të kufomave të grumbulluara rrëzë një kodrine, së bashku me qëndrimet e Walkerit, do të tronditnin botën. Walker nuk do të hezitojë të konkludojë se në jetën e tij, për plot misione të ndryshme diplomatike dhe pamje nga më të trishtueshmet, nuk kishte parë një gjë të tillë (Ahrens, 2010).

Reagimet e Uashingtonit ishin të menjëhershme, kërkoj nga NATO dhe evropianët që të përgatiteshin për sulme ajrore ndaj forcave jugosllave në Kosovë, por pasi nuk u pranua ky propozim, atëherë u bë një propozim politik (nga fuqitë e mëdha, ‘’Grupi i Kontaktit’’), që aludoi me përgatitjen e një Konference për Kosovën. Palët biseduese, Serbët dhe Shqiptarët do të kërcënohen së nëse nuk arrihet ujdia dhe konferenca dështon, atëherë do të bombardohen (Ahrens, 2010). Kështu veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me diplomacinë e tyre të mbrehtë krijuan ‘’formulën’’ Amerikane që u quajt nga zonja Ollbrajt, ‘’nxjerrje të Serbisë nga Kosova’’. Konferenca ndodhi në Rambuje, afër Parisit në Francë e cila njihet si Konferenca e Rambujes.

Bisedimet e Rambujesë filluan me 6 shkurt 1999.U ftua një delegacion i Qeverisë serbe dhe një delegacion nga Kosova i përbërë nga LDK dhe Ibrahim Rugova si dhe UÇK dhe udhëheqësit e saj, të cilët ishin të bashkuar në një delegacion. Në Rambuje morën pjesë delegacionet e Serbisë dhe Kosovës, dy palët në konflikt të hapur tashmë me njëra-tjetrën, Serbia për ta mbajtur nën sundim dhe shqiptarët në Kosovë për t’u shkëputur nga sundimi serb (Bytyçi, 2012).

Konferenca fillon në shkurt dhe përfundon brenda këtij muaji pa rezultate përfundimtare.Për vazhdimin e saj u thirr pas ca kohësh në Paris. Tri fuqitë e mëdha (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca) propozuan këtë zgjidhje për krizën: tërheqja e trupave serbe të sigurisë; stacionimi i një trupe paqeruajtëse të prirë nga NATO-ja; ndërtimi i institucioneve demokratike; marrja e një vendimi definitiv mbi statusin kushtetues të Kosovës pas tri vitesh. Delegacioni shqiptar ( Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja), i cili e përjashtonte mbetjen eventuale të Kosovës nën Jugosllavinë e cunguar, e pranoi planin nën presionin e madh, para së gjithash, amerikan…delegacioni serb kundërshtoi (Schmitt, 2012). Kështu bisedimet dështuan pa dhënë rezultate.

Gjatë bisedimeve forcat serbe shtuan presionin, dhunën dhe dëbimin ndaj popullsisë së Kosovës. Millosheviçi bëri neglizhencën e diplomacisë ndërkombëtare duke cekur që problemin shqiptarë do ta zgjidhte sipas mënyrës së tij.

Gjatë vitit 1999 forcat serbe, policore, paramilitare, armata serbe, vepruan mbi popullsinë e Kosovës në mënyrën me mizore duke vrarë, masakruar, dëbuar dhe groposur në varreza masive, civil të pafajshëm dhe duke bërë gjenocid mbi popullin e Kosovës. Pati persona të rrëmbyer të cilët pas lufte u konsideruan të zhdukur, shumë gra u dhunuan, u keqtrajtuan dhe u vranë. Këto veprime ç’njerëzore të kryera nga forcat serbe do të bënin që rruga e Kosovës drejtë çlirimit të shtrohej dhe të ngrihej me raste makabre ndaj popullsisë së pafajshme dhe diplomacia të zhvillohej përmbi trupat dhe gjakun e një populli të pafajshëm që ishte pre e politikave dhe veprimeve të një diktatori mizor.

Pas dështimit të Rambujes ngjarjet rrodhën shpejt duke marrë kahje më aktive. Derisa Serbia gjendej pak para cakut për të arritur qëllimin e saj- Kosovën pa shqiptarë të Kosovës-, Rusia dhe Kina penguan në Kombet e Bashkuara përpjekjen e tri fuqive të mëdha perëndimore për të marrë legjitimin për ndërhyrje ushtarake. Përballë dëbimeve masive NATO-ja vendosi të intervenonte edhe pa mandat decidiv të Kombeve të Bashkuara.

Më 24 mars 1999, NATO-ja filloi sulmet ajrore kundër Serbisë, të cilat vazhduan deri me 10 qershor 1999 (Schmitt, 2012). Gjatë kësaj kohe popullsia shqiptare u përball me dhunë të tmerrshme të ushtruar nga forcat serbe ndaj popullsisë. Millosheviç kishte planifikuar që përmes planit të quajtur ‘’Operacioni Patkoi’’ të i dëbonte shqiptarët e Kosovës dhe të i serbizonte ata, plan ky i përgatitur nga shërbimi i inteligjencës serbe dhe nga lideri shtetëror Millosheviç. Me implementimin e këtij plani shumë shqiptarë u dëbuan drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Fig 1. Operacioni ‘’ Patkoi’’

Më 10 qershor 1999, Millosheviç nënshkroi kapitullimin dhe NATO-ja pezulloi sulmet ajrore.Këshilli i Sigurimit të OKB-së në bazë të një kompromisi të bërë mes Rusisë dhe perëndimit, përgatiti një rezolutë në bazë të cilës Kosova vendoset nën administrimin ndërkombëtar të OKB-së.Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi Rezolutën 1244.

Kriza e Kosovës dhe ndërhyrja ushtarake e Aleancës së Atlantikut mundësoi kthimin e refugjatëve, vendosjen e Kosovës nën protektorat ndërkombëtar, largimin e të gjitha forcave ushtarake, paraushtarake dhe policore të Serbisë nga Kosova si dhe perspektivën që ajo të vendoste përmes një procesi bisedimesh për statusin e saj. Ndërsa në planin konkret në terren konflikti në Kosovë shkaktoi dëme të mëdha materiale, njerëzore, sociale, ekonomike dhe psikike te qytetarët e saj (Bytyçi, 2012).Nga kjo periudhë Kosova fillon një rrugëtim për ndërtimin e gjithçkaje nga fillimi pas shumë shkatërrimeve dhe vuajtjeve të përjetuara.

Shkëputur nga punimi shkencor‘’GENC MEKAJ, KOSOVO DURING 1989-1999’’

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat