Tre Dibrat

Opinione

Tre Dibrat

Rexhep Torte Nga Rexhep Torte Më 20 shtator 2020 Në ora: 13:36
Dibër

Të jesh dibran don të thotë të jesh i respektuar dhe i nderuar kudo që gjendesh dhe kudo që përmendet emri dibran. Ky është identiteti, letërnjoftimi dhe pasaporta më e mirë që e bën dibranin të jetë krenar. E tërë kjo është si rezultat i trimërisë, urtësisë dinjitetit, bujarisë dhe sedrës dibrane të dëshmuar me shekuj.

Dibra për fat të keq është edhe shembulli konkret i pazarllëqeve dhe padrejtësive nga ana e ndërkombëtarëve që u janë bërë trojeve dhe popullit shqiptar në favor të Serbisë hegjemoniste.

Vitaliteti i pamohueshëm i shqiptarëve dëshmohet më së miri edhe nëpërmjet dibranëve, që karakterizohet përmes tre Dibrave. E para - Dibra e Madhe dhe kryeqendra e Krahinës së Dibrës deri në vitin 1913, kur me Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1912/13 dhe me Konferencën e Paqes në Paris 1919/20, iu dhurua Beogradit dhe sot ndodhet në Maqedoni. E dyta- Dibra e Vogël ( Peshkopia), e cila mbeti në gjirin e Shqipërisë amë, dhe e treta një Dibër e tërë mërgimtarësh që tashmë jeton e punon në SHBA dhe në vendet e tjera të botës.

Historia e dhembshme por e lavdishme

Dibra me historinë e saj të begatë e të lavdishme, me çdo pëllëmbë toke të larë me gjakun trimëror të burrave e grave, gjithnjë për të mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen, nderin, veten, fëmijët, ka mbetur sinonim i pushkës, fjalës, besës, dhe i urtësisë.

Edhe pse e shkatërruar, e kafshuar, e tradhëtuar dhe e djegur shumë herë gjatë shekujve, Dibra me banorët e saj gjithnjë kanë gjetur forcën të sfidojnë e të hedhin shtat, sikur lisat në pyllin e shkrumuar.

Krahina e Dibrës me pozitën e saj gjeostrategjike, me dibranët trima të Nëntë Maleve, që kanë penguar mësymjet grabitqare të politikës kriminale të Serbisë kanibaliste që kishte për qëllim okupimin edhe të bregdetit shqiptar, ka qenë cak i sulmeve të fuqishme e të njëpasnjëshme gjakpirëse e barbare.

Vrasjet, masakrat, gjëmat dhe vuajtjet më tmerruese në Krahinën e Dibrës i kanë bërë serbët. Shfletimi i faqeve dhe ngjarjeve të historisë, flet për një gjenocid shfarrosës të përmasave të paimagjinueshme. Serbët barbarë e gjakpirës Krahinën e Dibrës e kanë djegur tri herë, duke shkaktuar shpërnguljen e dhjetëra mijëra dibranëve. Doktrina e luftarake serbe ka qenë shkatërruese, shkrumbuese dhe shfarrosëse. Ata i kanë djegur shtëpitë dibrane sëbashku me gratë, fëmijët dhe pleqtë brenda, i kanë vrarë njerëzit e pafajshëm në oborrin e shtëpisë, të plagosurit që kanë treguar shenja jete i kanë shpuar me bajoneta gjer në vdekje, kanë përdhunuar, kanë grabitur tërë pasurinë dhe gjënë e gjallë, për të mos lënë asnjë kusht për vazhdimin e jetës.

Gjatë vendosjes së kufirit në Krahinën e Dibrës, nuk u zbatua as konfiguracioni natyror dhe as vullneti njerëzor e politik i dibranëve.

Shkrimtarja amerikane Rous Uajder Lein në vitet e 20-ta të shekullit 20-të, në librin e saj “Majat e Shalës”, shkruan se “Qyteti i Dibrës iu muar Shqipërisë me vijën kufitare të vitit 1913, siç nxirret sythi i një patateje”.

Ndërkaq Dimitrije Tucoviq në librin “ Serbia dhe Shqipëria”, duke përshkruar gjendjen e krijuar në viset e aneksuara nga Serbia, thotë se, ”aneksimi ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullotës, tufën prej lugjeve, fshatin prej mullirit, blerësin dhe shitësin nga tregu, rrethin prej qytetit dhe tërë viset malore prej qendrës së tyre ekonomike e hambarët e ushqimit, burimet e jetës u prenë”.

Kufiri që vendosën serbët duke e ndarë Dibrën në dy pjesë, është kobi më i madh që ka rënë mbi Dibrën e Madhe dhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Lufta e Dytë botërore nuk e ndryshoi gjendjen

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore për Dibrën e Madhe dhe dibranët qe një zhgënjim i madh dhe i pafalshëm i radhës. Fitorja e LNÇ-së kundër nazifashizmit dhe humbja e forcave nacionaliste shqiptare bënë që Dibra e Madhe sërish mbeti nën kthetrat serbomaqedonase dhe jugosllave.

Platforma komuniste dhe moniste për kultivimin e “vëllazërim-bashkimit”, ku shqiptarët u nënshtroheshin rregullave shoviniste maqedonase, ku parësore ishin identiteti, flamuri, gjuha dhe kultura maqedonase, u zbatua strikt edhe në Dibër të Madhe.

Secili që shprehte një mendim apo pikpamje më ndryshe survejohej, burgosej, persekutohej, por edhe vritej.

Pas luftës së Dytë Botërore bijtë më të mirë dibranë u bënë pre e përndjekjeve, burgosjeve dhe vrasjeve më mizore të UDB-së serbo-maqedonase.

Atdhetari i shquar Cen Elezi i Ballit Kombëtar, kundërshtar i flaktë i copëtimit të trojeve shqiptare, mashtohet tinëzisht nga UDB-ja serbo-maqedonase dhe pas torturave çnjerëzore, vdes më 9 maj 1949 në Burgun famëkeq të Kalasë së Shkupit, duke shkruar me gjak fjalët “Tradhëtia ndaj atdheut nuk falet edhe sikur të bëjsh shumë të mira pas saj”.

Nexhat Agolli-jurist i diplomuar në Romë, me gradën zv/komandant bataljoni në LNÇ, pas çlirimit emërohet zv/kryeministër dhe ministër i Asistencës sociale në Qeverinë e parë të Maqedonisë. Insistimi i tij për hapjen e shkollave shqipe, bën që UDB-ja ta burgosën dhe ta vret me tortura barbare më 29 prill 1949 në burgun e Shutkës në Shkup. Komplotet dhe intrigat e fëlliqura komuniste vazhduan edhe ndaj një morie intelektualësh tjerë dibranë.

Në të gjitha burgjet e Maqedonisë dhe të ish Jugosllavisë duke përfshirë edhe Goli Otokun famëkeq gjendeshin dibranë.

Në Dibër të Madhe shteti ka investuar pak

Investimet për zhvillimin ekonomik të Dibrës së Madhe gjithashtu ishin më të pakta se në vendet e tjera të Maqedonisë. Këtë e dëshmon edhe fakti se gjer para disa viteve rruga nga Dibra e Madhe për në Shkup dhe nga Dibra e Madhe për në Strugë nga dalja e qytetit në gjatësi prej 25 kilometrash ishte vetëm 5 metra e gjerë, për të vazhduar më pastaj normalisht me gjerësi prej 6 metrash. Në këtë rrugë të rrezikshme nuk janë vendosur rrjeta çeliku në të gjitha vendet që paraqesin rrezik nga shembja e gurwve dhe ortiqeve për të mbrojtur automjetet dhe udhëtarët, për çka ka patur edhe shumë aksidente dhe viktima në njerëz.

Ndarjet territoriale pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë viteve të demokracisë kishin për qëllim tkurrjen e sipërfaqes territoriale të Dibrës së Madhe, kështu që kufijtë e Dibrës së Madhe që shtriheshin gjer në Mavrovë, se vjen po zvogëlohen.

Mosinteresimi i shtetit ka bërë që të shkatërrohen e shuhen edhe shumë monumente me vlera të ralla kulturore e arqitektonike historike të Dibrës së Madhe.

Themelimi vite më parë i Komunës së Rostushës dhe i Komunës Qendra e Zhupës, sipas ndarjes më të re territoriale, kanë bërë që Dibra të mbetet me sipërfaqe prej 145 kilometra katrorë dhe me më pak se 20 mijë banorë.

Vendkalimi kufitar i Bllatës te Dibra e Madhe mes Shqipërisë dhe Maqedonisë pas gjysëm shekulli ndërprerje, filloi të funksionojë me ardhjen e demokracisë në vitin 1992, për kalimin e njerëzve dhe të mallrave. Shqipëria dhe Maqedonia të nxitur nga faktorët ndërkombëtarë intensifikuan vizitat e ndërsjella shtetërore dhe nënshkruan më shumë se 20 marrëveshje dhe protokole, midis tyre edhe marrëveshjet e regjimit të qarkullimit kufitar. Megjithatë edhe gjatë këtyre viteve të demokracisë vendkalimi kufitar i Bllatës ende nuk është vënë në efiçencë të plotë.

Për arsye të pakuptimta e burokratike transportuesit e mallrave orientohen të kalojnë dhe bëjnë çdoganimin e mallrave në venkalimin kufitar Qafë Thënë te Struga, duke anashkaluar vendkalimin kufitar të Bllatës. Të gjitha këto i sjellin dëme të mëdha ekonomisë së zonës së Dibrës në dy anët e kufirit, gjë që tregtarët i detyron të bëjnë qindra kilometra më shumë rrugë me çka rriten shpenzimet dhe kostoja tregtare.

Me këtë rast nuk duhet lënë pa përmendur edhe shfrytëzimin e padrejtë e të papërgjegjshëm të përrenjëve të Lumit Radikë për ndërtimin e Liqenit të Mavrovës që tashmë është ndërtuar dhe ujërat e të cilit derdhen në Lumin Vardar, në anën e kundërt të rrjedhjes natyrore, si edhe planin aktual për ndërtimin e minihidrocentraleve tjerë të cilët ujin e Lumit Radikë do ta përshkojnë nëpër tunele dhe do ta derdhin sërish në Lumin Vardar, duke devijuar rrjedhjen normale të Lumit Radikë dhe duke prishur ekosistemin e kësaj zone të virgjër natyrore.

Sjelljet jokorrekte të shtetit të Maqedonisë me Dibrën e Madhe u dëshmuan edhe me ndërtimin e hidrocentralit “Spila” në vitin 1969, uji i të cilit mbuloi fushën e Udovës prej 1340 hektarë, fushën më pjellore të klasit të parë, hambarin e Dibrës për të cilën bujqit dibranë si kudërshpërblim morrën shuma të vogla qesharake parashë ose shumica e tyre nuk morrën asgjë.

Dibra e Vogël - Peshkopia që ndodhet në përbërje të Shqipërisë, as në kohën e moniszmit dhe as në këto vite të demokracisë nuk është duke shijuar ndërtimin e hovshëm infrastrukturor, sidomos me zhagitjen e ndërtimit të Rrugës së Arbërit që do t’i jepte frymëmarrjen e duhur zhvillimit ekonomik të kësaj zone e më gjerë.

Gjatë fushatave parazgjedhore u dhanë premtime të mëdha edhe në kohën e Fatos Nanos, Sali Berishës, Ilir Mettës dhe tani edhe të Edi Ramës, por ndërtimi i kësaj rrugë ende nuk ka përfunduar dhe gjendja në terren tregon mashtrimet dhe gënjeshtrat e vazhdueshme elektorale.

Maqedonia sa i takon ndërtimit të Rrugws sw Arbërit, as që ka kryer ndonjë studim fisibiliteti në nivel shtetëror, edhe pse nga ndërtimi i kësaj rruge ka leverdi të madhe edhe Maqedonia, pasi relacioni Dibër e Madhe-Tiranë me ndërtimin e kësaj rruge do të jetë vetëm 72 kilometra.

Mërgimi si rrugë shpëtimi

Kjo situatë e vështirë ekonomike, infrastrukturore dhe politike, bëri që mijëra dibranë të kapin rrugën e mërgimit për kafshatën e gojës.

Sot dibranë ka kudo nëpër botë, por më së shumti në SHBA. Atje janë përqëndruar afër 20 mijë dibranë. Rruga e mërgimit vazhdon edhe sot e kësaj dite, ku të rinjtë dibranë ëndrën për të shkuar në SHBA e realizojnë nëpërmjet lotarisë amerikane, por edhe duke paguar nga dhjetëra mijëra dollarë për një person për kalim në rrugë ilegale.

Këta dibranë përkundër mallit për vendlindjen, ardhmërinë e tyre e shohin në SHBA apo në vende tjera. Ata mundohen maksimalisht që te fëmijët e tyre t’i ruajnë gjuhën e zakonet dibrane dhe nuk kursejnë që gjatë pushimeve verore të vijnë sa më shpeshë sëbashku në Dibër të Madhe, për ti ruajtur kontaktet dhe lidhjet farefisnore, kur bëhen edhe dasmat dhe gazmendet familjare, megjithatë rreziku i asimilimit në SHBA dhe në vende tjera është i pashmangshëm.

Dibranët janë punëtorë të vyer, dibranët kanë një rini të mrekullueshme, por mungesa e kushteve për zhvillim të mirfilltë të bujqësisë, industrisë dhe turizmit ka shkaktuar papunësi të madhe dhe humbje shprese te të rinjtë.

Mërgimtarët janë ata që i mbajnë gjallë shumë familje dibrane duke u ndihmuar financiarisht. Po të mos ishin mërgimtarët, dibranët që jetojnë në vendlindje do të vuanin edhe për bukën e gojës.

Mërgimtrët dibranë sidomos në SHBA kanë arritur pasuri milionëshe, mirëpo pasiguria dhe korrupsioni në Maqedoni, kanë ndikuar që dibranoamerikanët, përveç ndonjë rasti të veçantë, të mos investojnë sa duhet për mëkëmbjen ekonomike të vendlindjes së tyre.

Zvogëlimi i papunësisë dhe zhvillimi ekonomik i Dibrës së Madhe nuk mund të paramendohet pa investime nga jashtë, e sidomos pa iinvestime të vetë dibranëve mërgimtarë.

Është mëse e domosdoshme të krijjohen të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin dhe shpëtimin e Dibrës së Madhe, të Dibrës së Vogël - Peshkopisë, për ndalimin dhe zvogëlinin e mërgimit dhe për kthimin gradual të mërgimtarëve në vendlindje, sepse siç thotë fjala e urtë populore “Guri i rëndë peshon në vendin e vet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat