Kolonel Ahmet Alishani nderohet me Çmimin “Ahmet Krasniqi”

Opinione

Kolonel Ahmet Alishani nderohet me Çmimin “Ahmet Krasniqi”

Nga: Rali Lura Më: 20 shtator 2020 Në ora: 17:33
Kolonel Ahmet Alishani nderohet me Çmimin “Ahmet Krasniqi”

Në të 18-ten ditë të shtatorit 2020, në Prishtinë, në mjedise të hotel “Grand”, kolonel Ahmet Alishani, u nderua me çmimin e lartë “Ahmet Krasniqi, me motivacionin: “ Për kontribute të larta për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës, të dëshmuara gjatë jetës së tij ushtarake e civile, veçanarisht në strukturat e FARK-ut me ministër të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqin dhe me shkrime studimore e publicistike në media”.

Çmimi i lartë “Ahmet Krasniqi”, i akorduar nga “Gazeta e Alpeve” (gazetë rajonale, panshqiptare e ndërballkanike) iu dorëzua nga bartësi i këtij Çmimi për vitin 2019, nga atdhetari e veprimtari i njohur Hilmi Gashi i Drenicës: drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Gjermani, Austri, Luksemburg e Lihtenshtejn; publicist; Veteran i Luftës së Kosovës; mik, bashkëluftëtar e bashkëpunëtor i afërt i kolonel Ahmet Krasniqit, ish-Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës (FARK) e“ Hero i Kosovës”; ma herët dhe ish-antar i Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes të Kosovës- të udhëhequr nga heroi Ukshin Hoti.

Atdhetari e veprimtari Kolonel Ahmet Alishani- ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm i FARK-ut, është një ndër miqtë e bashkëpunëtorët më të afërt të kolonel Ahmet Krasniqit, Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), autor i disa shkrimeve në media, si në “Gazeta e Alpeve” etj. 

Në këtë event ceremonial, në kushte të kufizuara nga masat e Covid-19, nderonin me praninë e tyre dhe drejtues e bashkëpunëtorë të “Gazeta e Alpeve” nga Tirana e Kosova.

Kolonel Ahmet Krasniqi u lind me 15 janar 1948 në Zhilivodë të Vushtrisë të Kosovës, në gjirin e familjes së patriotit hero Aziz Zhilivoda. Kreu suksesshëm Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Tokësore (1969-‘73) dhe Akademinë Komanduese (1981-‘83). E filloi karrierën ushtarake në Zagreb, pastaj komandant në Garnizonin e Gospiqit, por në kohën e Luftës Kroato-Jugosllave dezertoi nga rradhët e APJ-së dhe rreshtohet në anën e Luftës Kroate, së cilës i bën sherbime të larta e shumë të dobishme, çfarë nuk kishin mundur t’ia bënin as vet institucione ushtarake Kroate. Pas ngjarjeve në Qirez e Likoshanë të Drenicës dhe më 4-6 mars 1998 në Prekazin legjendar, formohet Ministria e Mbrojtjes me ministër Kolonel Ahmet Krasniqin, njiherash dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, duke krijuar qendra e kurse stërvitore, ngriti njësitë e brigadat e para në Zonën e Dukagjinit si Brigada 131 me komandant Rrustem Berishën, Brigada 133 me komandant Kemajl Shaqirin, brigadat në Kolsh e Kalimash me komandantë përkatës major Fuad Ramiqi dhe Rashit Mustafa (Karadaku), etj.; kryhet beteja e madhe frontale me armikun në Loxhë nga Brigada 134 e Tahir Zemajt, etj. Ndërkohë që kolonel Ahmet Krasniqi po udhëhiqte Luftën e Kosovës për Liri e Pavarësi, dora e zezë e qëlloi fshehurazi dhe e vret në natën e vonë të 21 shtatorit 1998, në Tiranë, para 22 vitesh.

Çmimi “Ahmet Krasniqi” u nda për herë të parë në “Takimin e Plavë-Gucisë”, në Vuthaj, më 1 gusht 2019, organizuar nga “Gazeta e Alpeve”, në prani të Nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu; të këshilltarit për Rajonin të Presidentit të Shqipërisë, z. Flamur Gashi; të ish ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, dr. Islam Lauka e të tjerë. Fitues i parë i këtij Çmimi të madh ishte atdhetari e veprimtari Hilmi Gashi nga Drenica, publicist, Veteran i Luftës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat