Kush jam unë e kush janë ata

Opinione

Kush jam unë e kush janë ata

Nga: Gjokë Dabaj Më: 20 shtator 2020 Në ora: 21:19
GJOKË DABAJ

Një shkëmbim batutash në faqet e fejzbukut po më detyron ta rishkruaj këtë autobiografi, të cilën e kam shkruar e rishkruar me dhjetëra herë. Shkas i atyre batutave u bë një fotografi e Enver Hoxhës që e kisha ekspozuar aty, si shumë herë të tjera.

Qëndrimin tim ndaj Enver Hoxhës unë e kam shprehur gjithë jetën sa herë më është dhënë rasti, por në mënyrë të veçantë, këtë qëndrim e kam trajtuar shkencërisht dhe hollësishëm te liberi “Rrnoj edhe unë për me tregue”, libër gati 400 faqesh, të cilin e ka pranuar vetëm një librari në Prishtinë, ndërsa librarivet të tjera nuk u ka interesuar, sepse, me sa duket, as lexuesit nuk i intereson. Lexuesit të sotëm po i intereson libri “Rrno vetëm për me tregue”. Ai po botohet, po ribotohet shumë herë dhe po përkthehet në shumë gjuhë. Dhe kjo tregon më së miri sa “demokratike” është kjo botë e sotmja, e cila shpëndan vetëm librat që e lëvdojnë sistemin në fuqi dhe që e shajnë sa të mundin sistemin tashmë të rrëzuar.

…Jam rritur në një fshat të vogël të Tivarit, ku, në fillim të fëmijërisë sime, kish më shumë se 1000 krerë bagëti dhe në mbarim të fëmijërisë sime, kur, për fat të mirë, fare rastësisht, m’u çelën rrugët e shkollimit, ishin a s’ishin, në 20 familje të fshatit tonë, gjithsej nja 100 cangadhe.

Jo në fshatin  tim, por në krejt mikrokrahinën, dikur me mbi 40 kulla dykatëshe, sot jetojnë vetëm dy familje, ndërsa të 40 kullat janë shndëruar në gërmadha gjysmë të shembura.

…Jetën time atdhetare e politike e kam filluar aktivisht në vitin 1961 me një grevë nxënësish që e kam organizuar në konviktin e Normales së Gjakovës. Një vit më vonë, në Normalen e Prizrenit, kam qenë ndër themeluesit e grupit ilegal “Liria”.

Me detyrë të posaçme, ngarkuar nga kryetari i grupit tonë “Liria” dhe me miratimin e Adem Demaçit, udhëheqës i atëhershëm i të gjithë grupevet tanë ilegalë, kam kaluar kufirin, me qëllim për të informuar qeverinë e Tiranës lidhur me programin tonë e me veprimtarinë tonë ilegale, dhe për t’u kthyer sërish në Tivar, Prizren e kudo ku të kish nevojë lëvizja jonë çlirimtare.

Por njerëzit e qeverisë së Tiranës që kontaktonin me mua, nuk e kanë miratuar kërkesën time për t’u kthyer. Motivet dhe qëllimet e moskthimit tim mund të kenë qenë të ndryshëm, por objektivisht, me atë rast, unë kam shpëtuar prej burgjevet të Jugosllavisë, në një kohë kur shokët e mi, si qindra të tjerë, në vitin 1964 e në vazhdim, janë përballur atje me dënime nga më të rëndët.

Me vendim të organevet përkatës të qeverisë së Tiranës, kam qenë 5 vjet i internuar në Tepelenë, punësuar si punëtor i thjeshtë krahu, dhe mbas 5 vjetësh, së bashku me 116 studentë të tjerë të ardhur nga jashtë kufirit, më është dhënë e drejta edhe mua për të filluar e vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës. Mbasi kam mbaruar studimet, kam punuar për gati një çerek shekulli në rreth të Matit si mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë.

Nuk kam qenë asnjëherë anëtar i PPSH-së (vetëkuptohet pse nuk mund të isha), por kam qenë gjithmonë një mësues korrekt në zbatimin e programevet mësimorë. Programe në të cilët kish rëndësi të veçantë vija politike e ideologjike e PPSH-së. (Siç ka sot në programet shkollorë mbizotërim absolut vija politike e ideologjike kundër PPSH-së). Nuk e kam kryer punën time artificialisht. E kam kryer punën time, i bindur se, politika e atëhershme, edhe sociale, edhe kombëtare, ishte më e mira e mundshme në rrethanat në të cilat jetonte në atë kohë kombi shqiptar.

Sa isha në Tepelenë, vërtet isha i internuar, por nuk mund të mos më vinte mirë, kur shihja që, në gjithë vendin, njerëzit nuk çoheshin nëpër burgje si në Jugosllavi, njerëzit nuk vriteshin me njëri-tjetrin (si tash), njerëzit nuk mbeteshin pa punë, njerëzit nuk mbeteshin pa shkollë ( të paktën deri sa mbaronin të mesmen), njerëzit nuk e paguanin drejtpërsëdrejti shërbimin mjekësor dhe njerëzit nuk ngarkoheshin me taksa të drejtpërdrejta, siç po u nxihet jeta tani, duke mos iu shqitur nga dera parazhvatësit e gjithfarëllojshëm.

Në Tepelenë punohej dhe njerëzvet nuk u mungonte buka e përditshme. Bukën e përditshme e kish të siguruar deri edhe Alem Guma, një burrë sakat që jetonte me gjithë familje në anë të lumit.

Njerëzit, në shtetin e atëhershëm që udhëhiqej nga Enver Hoxha, vërtet kishin mangësi dhe nuk bënin dot jetë luksoze, por nëpër rrugët e qytetevet nuk shihje as edhe një lypës, që të shtrinte dorën, duke treguar këmbën e këputur ose fëmijën lakuriq shtrirë sipër leckavet.  

Erdha në Klos të Matit. Edhe aty, vërtet isha i survejuar dhe e dija që njerëz të caktuar raportonin rregullisht mbi sjelljet e mia. Por kjo mua nuk më dëmtonte, sepse e dija që ai shtet ish i detyruar ta ruante pavarësinë, përndryshe, hynin aty derri e dosa dhe shkatërrohej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Hynin derri e dosa, siç kanë hyrë sot, dhe shkatërrohej atdheu ynë, siç është shkatërruar sot! Shihni si kanë mbetur sot fshatrat e Tepelenës dhe të Matit! Njësoj si fshatrat e Tivarit tim, të asaj edhe të kësaj kohe!

Në krahinën e Matit punohej toka cep më sep. Misri nuk mbarohej së zhveshuri deri në dhjetor. Minierat: e Cërujës, e Shkallës, e Krastës, e Thekrës, e Bulqizës (kufi me Matin), punonin ditë e natë dhe njerëzit, me pagat që merrnin, mbanin familjet e veta, pa qenë nevoja të shkonin, as në Greqi e as në Angli. Shkollat mbusheshin me nxënës. Shkolla jonë e Klosit kish mbi 1500 nxënës.

Aty vinin edhe fëmijët e ish të burgosurvet apo që aktualisht ndodheshin në burg, aty vinin edhe fëmijët e të quajturvet kulakë apo të deklasuar, por në mësimdhënie nuk u bëhej kurrfarë diferencimi. Të njëjtën të drejtë për shërbimet shëndetësorë e spitalorë, pa kurrfarë diferencimi, e kishin edhe ata, relativisht pak banorë, që quheshin të deklasuar.

Ishin atëherë hipokritët, ata që u laheshin e lyheshin sekretarëvet të partisë dhe janë edhe sot po ata hipokritë që, për t’u pëlqyer shkatërruesvet të këtij vendi, flasin keq për atë kohë dhe flasin mirë për këtë kohë. Jo se e duan Shqipërinë, por sepse duan të zhvatin ndonjë gjë prej kësaj Shqipërie.

Ata që flasin keq për Enver Hoxhën dhe për kohën kur Republikën e Shqipërisë e udhëhiqte ai (ndaç thuaj e sundonte), janë e pakta dy kategori.

Kategoria e parë janë ata të cilëvet në atë kohë u është dënuar dikush me vdekje, ata të cilët në atë kohë kanë qenë të dënuar me brigime dhe ata që kanë qenë internuar ose shpallur kulakë.

Kategoria e dytë janë kontigjent nga sahanlëpirësit e asaj kohe, nga puthadorët, nga servilët, nga ish-anëtarët e partisë së Enver Hoxhës e deri edhe te ish-përfituesit e privilegjevet nga gjaku i dëshmorëvet, që kanë fytyrë e na dalin sot “të persekutuar”!

Për kategorinë e parë mund të themi se objektivisht kanë të drejtë. Por a kanë vërtet të gjithë aq të drejtë, sa ç’e ngrejnë zërin?! Si nuk doli një, që të thotë se i jati apo ai vetë ka qenë i fajshëm?! A është e mundur që, që të gjithë ish-të dënuarit në kohën e Enver Hoxhës të kenë qenë tëpafajshëm?! A s’ka pasur edhe atëherë shkelës të ligjevet siç ka sot?! Le të bëhet një listë e atyre shqiptarëve (ose e joshqiptarëve), të cilët, në kohën e Enver Hoxhës janë dënuar me të drejtë, sepse kanë shkelur ligjet që i kanë edhe shtetet e sotëm! Gazetat e Tiranës po botojnë ditë për ditë gjithfarë listash. Le ta publikojnë edhe këtë listë!

Flitet keq e më keq për shërbimin e atëhershëm informativ. Për të quajturit sigurimsa. Puna ka arritur deri atje, sa, të quajturvet sigurimsa të asaj kohe u është hequr me ligj e drejta për të qenë deputetë. Epo, mirë! Ata paskan qenë armiq të këtij vendi e të këtij populli! Po për ish-spiunët e UDB-ës ose spiunët e sotëm të Sërbisë, a ka ligj që të mos i lejojë të bëhen deputetë në Republikën e Shqipërisë?! Po për spiunët që i paguan Greqia apo përkrtahësit e hapur të pretendimevet të Geqisë ndaj territorevet të Republikës së Shqipërisë, a ka ligj për të mos qenë depuutet në Republikëkën e Shqipërisë apo edhe në organet e zgjedhur lokalë?! Me sa di unë, nuk ka ligj të shkruar, që t’i ndalojë të jenë deputetë në Republikën e Shqipërisë, për asnjë kategori informatorësh në shërbim të të huajvet. As për informatorë të FBI-së, as për informatorë të Inteligjencë Servisit, as për informatorë të KGB-së ruse, madje as për ata që mund të kenë qenë pjesëtarë të xhihadit islamik apo propagandues e zbatues të islamizmit në vendin tonë. Vetëm ata që kanë punuar për sigurimin e pavarësisë së shtetit shqiptar në kohën e Enver Hoxhës qenkan „armiq“ të këtij vendi!? A ka b... të rrijë kjo punë?!

Edhe diçka tjetër, për të sqaruar më mirë titullin “Kush jam unë e kush janë ata”. Zogistët dhe ballistët duhej të kishin bërë analiza shkencore: Ku gabuan të parët e tyre, që i lanë komunistët ta marrin pushtetin në Republikën e Shqipërisë dhe në viset shqiptarë që mbetën nën Jugosllavi mbas Luftës së Dytë Botërore? Të mençurit e këtyre dy formacioneve politikë shqiptarë duhej të kishin bërë libra disavëllimësh, ku t’i analizonin gabimet, madje fajet e tyre, që ua lanë pushtetin komunistëvet. Fshat për fshat, krahinë për krahinë: Cilët ishin gabimet dhe fajet e tyre?! Pse komunistët ditën të mobilizojnë popullin dhe të krijojnë një ushtri me kaq apo aq luftëtarë, ndërsa ballistët e zogistët, sado që populli ynë nuk ishte aspak komunist, nuk arritën, as t’ia fitojnë zemrën e as ta gënjejnë, për ta tërhequr pas vetes?!

Pasardhësit e ballistëvet dhe zogistëvet dalin e mbrojnë Muharrem Bajraktarin e Prekë Calin. Si kishin fytyrë Muharrem Bajraktari e Prekë Cali t’u dilnin përballë forcavet të Enver Hoxhës, kur ua kishin lënë në dorë atyre forcave krejt Jugun dhe krejt pjesët e tjera të Shqipërisë?! Pse s’doli Prekë Cali në Kolonjë ta mbronte Shqipërinë? Pse nuk i çliroi Prekë Cali Podgoricën dhe Tivarin prej malazezëvet, por gjeti t’u vërë pushën partizanëvet të Enver Hoxhës, për të mbrojtur prej tyre dy pëllëmbë Malësi?! A në Kukës, Shumri e Bicaj deshi ta shprehë patriotizmin e tij Muharrem Bajraktari? Thuhet se luftoi edhe në Prizren e Gjakovë. Po Drenicën kujt ia kish lënë Muharremi?! Po Vlorën pse ua kish dorëzuar komunistëvet Muharrem Bajraktari?!

Kështu duhen analzuar gjërat. Ballistët e zogistët të mos merren me paranojat e Enver Hoxhës. Ballistët e zogistët, nëse ia duan të mirën atdheut tonë, të analizojnë paranojat e paraardhësvet të vet dhe t’i publikojnë ato paranoja, si shkaqe kryesorë që e humbën luftën përballë komunistëvet të organizuar më mirë.  

Ndërkaq, me pasardhësit e ish-komunistëvet ndodhi ndryshe. Ata nuk e dorëzuan pushtetin, por i tradhtuan idealet e ish-çlirimtarëvet dhe të ish-ndërtuesvet të RPSSH-së dhe u shndërruan në zorraxhinj krejt të paskrupull. Ata, kur panë se duhet ndryshuar pllaka, vrapuan të zhvatin sa më shumë për vete. Ata kanë kohë që s’janë komunistë. Ata janë ca imoralë, të cilët, në vend të fabrikavet, ndërtojnë motele anash rrugëvet, për të çuar atje gjimnaziste e studente, për t’ua marrë virgjërinë dhe për t’i marrë më qafë për gjithë jetën!

Kështu analizohen gjërat!       

...Mua nuk mund të mos më pëlqenin fshatrat e Matit, që nuk po shuheshin e shkatërroheshin, siç kish ndodhur në pjesët e tjera të Shqipërisë, që shtetet e fuqishëm të Evropës i kishin lënë nën sundimin e fqinjëvet tanë shovinistë. E shihja në ëndërr Shestanin tim, të braktisur e pa njerëz, “populluar” me kukuvajka. Më dilte gjumi dhe rrija gjer në mëngjes, me sy të përlotur, pa u thënë, as fëmijëvet as gruas. Por, si zbardhte dita, i thosha vetes: Shyqyr që kemi këtë copë Shqiprëri, me fshatrat e me qytetet plot njerëz! Rroftë Enver Hoxha që arriti t’i dalë zot të paktën kësaj pjese të Shqipërisë!

Nuk mund të mos më vinte mirë që në Burrel kish një spital nga më të njohurit në Republikë. Nuk mund të mos më vinte mirë që, në rreth të Matit, krahas bujqësisë po zhvillohej edhe industria. Po ndërtoheshin fabrika të pasurimit të kromit në Krastë e në Klos dhe po ndërtohej një uzinë e ferrokromit në Burrel. Nuk mund të mos më vinte mirë që ndaj kulturës në Mat po tregohej kujdesi i duhur, ndryshe nga ç’ndodhte në Tivarin tim, ku s’kish fare shkollë shqipe dhe ku, në vend të bustit të Gjon Buzukut, ngriheshin ca buste të pushtuesvet malazezë edhe sërbë. Ndërsa Mati ish tërësisht shqiptar dhe nuk po braktisej,Tivari po kolonizohej dhe po mbushej me malazezë e me sërbë, ndërsa historiografia sllave po e paraqiste Tivarin sikur s’kish qenë kurrë qytet shqiptar. Enver Hoxha nuk po lejonte që këtu, në RPSSH, të vinin të huajtë e të bënin ç’të donin: me naftën, me hekurnikelin, me kromin, me qymyrgurin, me hidrocentaralet, (Kush i ka sot Shkopetin dhe Ulzën?!), me bregdetin, me aeroportin, me portet detarë…

Në kohën e Enver Hoxhës në vendin tonë është krijuar një kinematografi, me kineastë e aktorë aq të mëdhenj, sa s’i ka bota! A po vazhdojnë të krijohen vepra kinematografike po aq të arrira, mbas rrëzimit të Enver Hoxhës?! Në kohën e Enver Hoxhës në RPSSH është krijuar një letërsi kombëtare dinjitoze, vazhduese e denjë e letërsisë sonë të mëparshme, që gjithashtu ka qenë letërsi e nivelit të lartë. Një I. Kadare, një J. Xoxë, një D. Agoll, një K. Jakovë, një F. Arap, një F. Krajë, një F. Gjatë, një A. Abdihoxhë e një Xh. Spahi! Kur dhe ku, në cilin shtet kaq të vogël, është krijuar muzikë, përfaqësuese në shkallë botërore, si muzika dhe kënga e asaj kohe?! Kur dhe ku është kultivuar një folklor i atillë, sa ta detyronte edhe Dizhonin t’i jepte atij arti popullor njohje botërore?! Në të gjithë fshatrat e RPSSH-së në atë kohë kish nga një vatër kulture dhe nga një muze sado të vogël, lokal apo krahinor.

…Unë nuk jam shovinist, por nuk dua që kombin tim ta marrin nëpër këmbë të tjerët. Nuk dua që atdheu im të vijë duke u ngushtuar e kombi im të marrë rrugët e botës. Të marrë botën në sy dhe shqiptarëvet t’u dalë nami i keq, si kontabandistë, kultivues e shpëndarës droge, dhe të mbushen burgjet brenda dhe jashtë Shqipërisë me djem shqiptarë që s’i ka kush më të mirë se ne. Nuk dua që të vriten a të vdesin nga përplasjet e makinavet nga 4 a 5 në ditë dhe shqiptarët naivë , që s’dinë as të numërojnë as të krahasojnë, të mbeten duke sharë e anatemuar Enver Hoxhën për krimet që paska bërë! Numërojini, sa shqiptarë kanë vdekur me vdekje jo të natyrshme në vitet mbas 1990-s, sa shqiptarë janë burgosur e po burgosen çdo ditë, sa vajza shqiptare janë detyruar të shesin trupin e vet nëpër Evropë dhe krahasojini të gjitha këto me shifra e jo me pallavra, me kohën kur RPSSH-në e udhëhiqte Enver Hoxha! 

Nuk po zgjatem më, sepse e di që, sidomos ata që shajnë Enverin, përtojnë të lexojnë.

Kush përton të lexojë, mendon se i di të gjitha.

Gjithsesi, edhe ata që nuk lexojnë asgjë, përveç mesazhevet në facebook, duhet ta dinë: Duke folur mirë për Skënderbeun dhe duke e pasur atë Hero Kombëtar, askush nuk kërkon, askush nuk është i marrë të kërkojë, që të kthehet edhe njëherë koha e Skënderbeut në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat