Martir të gdhendur në memorien e kombit

Opinione

Martir të gdhendur në memorien e kombit

Nga: Eugen Shehu Më: 22 shtator 2020 Në ora: 09:59
Eugen Shehu

Dardania e moçme ende sot ruan krenarinë e luftërave të kalura. Jo se i ka dashur luftërat. Askurrë! Jo se i ka parapëlqyer përrenjtë e gjakut. Askurrë! Por asesi nuk ka mundur të durojë stuhi e rrebeshe që, janë ngutur të ndalin turravrapin e lirë të shqiponjës.Fusha e Kosovës në lindje, rrafshi i Dukagjinit në perëndim, malet e Goleshit dhe Cerralevës në jug,mali Mokran në veri. Brenda kësaj gjeografie përthyese jeton në gjenerata, populli i Drenicës së sotme, pasardhës të denjë të dardanëve në shekuj të kaluar. Sa herë në Dardaninë e lashtë kanë rënë tupanët e kushtrimit, i madh dhe i vogël, burra e gra kanë ngarendur me klithmë lirie. Ky amanet ka mbetur deri në ditët e sotme.Edhe në ditët më të errëta të fundshekullit që lamë pas, edhe në ato momente kur makina e dhunës serbe rrënonte gjithçka që gjente përpara banorët e Drenicës nuk e ndalën vrapin drejt lirisë. Vrapi i tyre ishte shkrepëtim në natën e stuhisë, shkrepëtim që ndriçonte horizontet ngadhnjyes të shpresës.Në këtë turavrap drejt lirisë, padyshim kujtesa e Drenicës do të ruaj të pashuar kujtimin e Femi e Xhevë Lladrovcit.Ashtu sikundër 7 decenie më parë Shotë dhe Azem Galica do të shkruanin epopenë e lavdishme të lirisë në male të Drenicës dhe krejt Kosovës martire, edhe Xhevë e Femi Lladrovci do të përcillnin mesazhet e mbijetesës epokale të popullit të Kosovës, ndaj dhunës makabre të Serbisë së Millosheviçit. Po kush ishin këta burrë e grua, krushq të lirisë së madhe të shqiptarëve? Femi Lladrovci pat lindur në Gllogovcin e Drenicës, në vitin 1950.

Të parët e derës së madhe të Lladrovcëve, ishin njohur jo vetëm në Drenicë por në krejt Kosovën për luftrat e paepura ndaj okupatorit serb. Burrat e kësaj kulle do të ishin mbështetj kryesore lëvizjes nacionaliste të udhëhequr nga Shaban Polluzha, e asaj lëvizjeje që ka hyrë në analet e historisë si lëvizja e parë antikomuniste që nuk mund të pajtohej, me parimet ortodokse të internacionalizmit proletar. Femiu i vogël do të rritej përmes legjendave të kaluara si edhe shtypjes sistematike që Beogradi ushtronte ndaj viseve në Kosovë dhe Maqedoni shqiptare. Asi do të merrte mësimet e para në Gllogovc  ndërsa më pas në Prishtinë. Në fillim të viteve 70 të shekullit që lam pas, ngase rezultatet në shkollë i pati të shkëlqyera, Femi Lladrovci ndjek studimet në Universitetin Politeknik të Zagrebit. Këtu, ai do të binte në kontakt edhe me studentë të tjerë nga viset e Kosovës, në mëndjet dhe zemrat e të cilëve ishte zgjuar ideja emblematike e pavarësisë së Kosovës, si dhe bashkimi i saj me shtetin amë. Por me këtë realitet nuk mund të pajtohej asesi Beogradi, i cili nuk i kurseu në asnjë rast masat represive në mënyrë të veçantë ndaj inteligjencës shqiptare. ``Këto rrethana dhe faktorë të tjerë kishin si qëllim strategjik që të ushtronin dhunë permanente ndaj shqiptarëve, me qëllim të pastrimit etnik të Kosovës dhe të viseve të tjera. Rredhimisht me metoda të interpretimit arbitrar dhe selektiv të normave të legjislacionit penal, vepra e cila kryhej nga shqiptarët, konsiderohej si vepër penale e rëndë, si vepër e rrezikimit kundërevolucionar të rregullimit shoqëror dhe të sigurisë së vendit, siç emërtohej në nenin 114 të ligjit penal të Jugosllavisë, në Kosovë, në Maqedoni dhe në jug të Serbisë``(``Çështja e Kosoves një problem historik dhe aktual`` Tiranë 1996, faqe 316) Por për studentin e Gllogovcit nuk do të kishte barrikada. Ai e pati kuptuar se uragani i lirisë së kombit të vet ishte zgjuar diku, në kujtesë të këtij kombi dhe herët a vonë ai do të rrekej të derdhej nëpër brigjet e Kosovës martire duke fshirë çdo gjurmë të mureve që ndanin shqiptarët. Ndër të parët student të Politeknikumit të Zagrebit, Femi Lladrovci do të fliste për pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e mohuara të saj, për shpresën e madhe se studentët kosovarë nuk do ta duronin gjatë, natën e urryer të sundimit të Beogradit. Nismëtar i formimit të një grupi ilegal me studentë të tjerë shqiptarë, Femi Lladrovci do të ndikonte me idetë e tij edhe në mendjet e dhjetra studentëve të tjerë. Arsenali i terrorit shtetëror serb, vepronte tanimë nën maskën e ligjit dhe të shtetit. Femi Lladrovci fillimisht thërritet nga policia sekrete jugosllave në Zagreb, e cila e merr në pyetje rreth veprimtarisë së tij nacionaliste. Por kur studenti trim i përgjigjet prerë dhe i sigurtë se çdo veprim i tij nuk ka lidhje me Beogradin, përkundrazi kërkon që Kosova të shpallet Republikë me vete , ashtu sikundër Republikat e tjera nën Jugosllavi, atëhere strategjia zyrtare antishqiptare del në pah me forcën e vet më të verbër. Në këtë mënyrë , në aktgjykimin e gjyqit të Zagrebit, pikërisht për Femi Lladrovcin, prokuroria kërkon burgimin e tij 10 vjet ngase`` ka kërkuar që Kosova të jetë Republikë , të ketë flamurin e vet, duke pohuar me gojën e vet se pozita e shqiptarëve në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, nëse krahasohet me pozitën e popujve të tjerë të Jugosllavisë. Burgjet e Jugosllavisë janë një faqe tjetër e tmerrit që vinte prej politikave shovene dhe dhunuese të Beogradit. Qindra e mijra studentë apo nxënës të Kosovës, të dënuar në vitet 1980 –1990 do të jetonin një kalvar të pafund vuajtjesh e dramash të mënxyrshme. Femi Lladrovci fillimisht do të dërgohej në burgun famëkeq të Gjilanit e mandej në Stara Gradishka e Gospiq.Ndonëse mbi të u ushtruan dhunë fizike dhe psiqike e pafund, ndonëse nuk u la të takohej për vite me radhë me pjestarët e familjes, Femi Lladrovci askurrë nuk u ligështua. Me trup atleti, me atë zemrën e madhe , me sigurinë në ardhmërinë e Kosovës dhe të krejt viseve shqiptare, burri i Gllogovcit do të duronte dhunën policore serbe, ashtu sikundër mali duron vetëtimat dhe gjëmimet e dimrit. 


Në fillim të vitit 1993 del nga burgjet famëkeqe jugosllavë dhe shkon në Drenicën e vet të dashur. Por në të vërtet Drenica e tij, sikundër e gjithë Kosova martire, qe shndrruar në një burg të madh. Nuk mund të flisje hapur, nuk lejohej, flamuri kuqezi, nuk lejoheshin këngët shqipe. Liria e munguar e brengosi akoma më shumë Femi Lladrovcin i cili sidoqoftë nuk mund të ndalte përpjekjet e veta për ardhmerinë e Kosovës. Por bie sërish në sy të policisë së fshehtë të Beogradit. Kur këta e thërrasin rreth disa shprehjeve të hapura që pat përdorur në fshat , Femi Lladrovci e kupton se për të ishin hapur të tjera fletë dosjesh e të tjera dyer- burgjesh. Ka qënë kjo arësyeja që me ndihmën e dy - tre miqve të vet , fshihet për pak ditë e më pas arrastiset në Republikën Federale Gjermane. Këtu nis të punojë në punë nga më të rëndomtat, duke dashur t`i vijë në ndihmë edhe famijles , atje në Gllogovcin e largët, në Drenicën rrethuar prej ujqish serbë. Ai e dinte se familja e tij ( qysh kur vuante dënimin në burg) ishte në qëndër të vemendjes së policisë serbe ndaj përpiqej të zbuste varfërinë sadopak , duke dërguar fshehtas ndonjë të hollë , të kursyer në metropolin gjerman . Sidoqoftë lëvizja kosovare për pavarësi tani ishte rritur dhe në botën e qytetëruar grupet e djemve dhe burrave të Kosovës vepronin plot kurajë jo vetëm duke dashur të nxisnin opinionin ndërkombëtar por edhe duke mbledhur ndihma në mjete monetare dhe materiale për t`i dërguar në Kosovë. Në vazhdën e rezistencës mbarëkombëtare, dihet tanim se falë qëndresës heroike , deputetët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës , më 2 korrik 1990 patën shpallur deklaratën që e shpallnin Kosovën njësi federale të Jugosllavisë .Po kështu , në vjeshtën e vitit 1991 Kuvendi i Kosovës bëri referendumin , në të cilin shumica absolute e popullsisë u deklarua për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Femi Lladrovci së bashku me intelektualë të tjerë në Gjermani , u bë gjatë kësaj kohe një strehë e sigurtë e mjaft prej deputetëve dhe politikanëve kosovarë, të cilët e shtrinë lëvizjen e tyre mbarëkombëtare edhe në rrethet përparimtare evropiane , duke dëshmuar me fakte konkretë mbi dhunën dhe terrorin sistematik që Beogradi pati ushtruar dhe kërkonte të ushtronte ndaj viseve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare. Në ndihmën e drejtpërdrejt të Femi Lladrovcit dhe miqve të tij në Gjermani , u shkolluan disa djem nga Drenica në Perëndim dhe u mbajtën me të holla mësues të gjuhës shqipe , të cilët shkonin kullë më kullë , deri në fshatrat më të largët për të ndriçuar atje vatrat me pishtarin e shqiptarizmës. Në këto vite vuajtjesh pafund, në këto vite të ëndrrave të mëdha, burri i Gllogovcit lidh jetën me njërën prej zanave kosovare , me Xhevën . Një dashuri e pakufishme për Kosovën martire , për lirinë e saj , e ka shtyrë këtë Shotë të re të Drenicës , të bashkojë jetën dhe fatin e saj me Femiun. Xhevë Krasniqi ( Lladrovci) pati lindur në vitin 1955 në fshatin Drenovc të Malishevës. Ati i saj si edhe të afërm të tjerë patën luftuar kundër okupatorit serb, për të aderuar më pas në lëvizjen e shquar të organizatës Nacional - Demokratike Shqiptare, e cila frymëzohej prej parimeve të Dekalogut të Ballit Kombëtar. Xheva pati shfaqur qysh herët dashuri e përkushtim për dije, ndaj dhe prindërit bënë çmos që vajza e tyre të shkollohej. Mbas mësimeve të para në vendlindje , Xheva vazhdoi studimet në Prishtinë ku mbaron me rezultate shumë të larta degën gjuhë –letërsi. Pas mbarimit të studimeve të larta ajo dërgohet si mësuese letërsi e ne gjimnazin e Kievës. Këtu, së bashku me dashurinë për librin shqip, Xheva do t`u mësonte nxënësve të saj dashurinë e shtrenjte për lirinë e trojeve amëtare. Ka qënë kjo arësyeja që policia e fshehtë jugosllave ndjek hap pas hapi veprimtarinë atdhetare të Xhevë Krasniqit dhe në mesin e viteve 80 të shekullit që lamë pas, mësuesja trime Xhevë Krasniqi, pushohet nga puna me motivacionin se `` ka kryer veprimtari të hapura që bien ndesh me kushtetutën e R.S.F të Jugosllavisë.`` Pas këtij akti për Xhevë Kasniqin dhe familjen e saj ishte e kuptueshme që ishin të hapura portat e burgjeve. Ndaj bija e Drenovcit merr rrugët e mërgimit pa iu dridhur aspak qerpiku, duke patur kurdoherë në zemër dhe në mendje dashurinë e vyer të nxenësve të vet. Në fillim të vitit 1998, Femiu vendos të kthehet në vendlindje. Ai e kupton se lisi i fortë e ka vendin e vet, aty në ballë të stuhisë, duke iu bërë krahë i shëndosh jo vetëm familjes, por në radhë të parë lëvizjes mbarëkombëtare të Kosovës për liri. Nërkaq lëvizja nacional-shoviniste serbe ishte në apogjeun e saj. Energjitë rrënimtare të kësaj lëvizje po rrekeshin çdo ditë e më shumë të frymëzonin një varg `` akademikësh `` serb të përgatisnin turli teorish e mashtrimesh, duke dashur t´i riktheheshin lavdisë së dikurshme të Serbisë së Vjetër. Madje ata e patën gjetur edhe udhëheqësin e lëvizjes që do të viktimizonte një popull të tërë . Cinizmi i politikës serbo –sllave ishte shfaqur madje edhe publikisht.Duke folur për kreun e shovinizmit serbomadh Milosheviçin, shtypi shkruante tekstualisht; `` Ai është një shfaqje e re në jetën e Serbisë, njeri i cili e ka artikuluar zemërimin e popullit duke e shdërruar në aksion politik.`` Gazeta ``Borba`` Beograd 30 qershor 1989, faqe 6) 

Në pranverën e vitit 1998 në Drenicë e vise të tjera të Kosovës u panë grupe të organizuar të guerrileve shqiptarë. Qëndresa epokale e Jasharajve dhe shfaqja e luftëtarëve me uniformën e UÇK-së, tregonte se shqiptarët jo vetëm nuk mund të pajtoheshin me dhunën e Beogradit por brenda tyre, brenda dhimbjes së madhe, po gjallonte vullkani i urrejtjes shekullore ndaj poshtërimeve serbosllave. Femi Lladrovci, në krye të luftëtarëve të UÇK-së në Lladrovc e më gjërë, kishte mundur të përgatiste dhjetra djem jo vetëm nga ana fizike por në mënyrë të veçantë nga ana psikologjike, pasi edhe pse ata ishin vetëm një grusht djemsh, do të luftonin pa u friguar ndaj makinës ushtarake serbe. Me atë vështrimin burrëror, me zërin e trashë e babaxhan, Femi Lladrovci, më shumë se një ushtarak epror, do të ngjante me një vëlla të madh të rrahur prej stuhive te jetës. Në qershorin e vitit 1998 në afërsi të Lladrovcës, një repart special i ushtrisë jugosllave kërkonte të vendosej në fshehtësi aty. Femiu lajmërohet menjëhërë dhe në bazë të sinjaleve të vendosura qysh më parë, trupa e UÇK-së është e gatshme për luftim.Intuitiv nga natyra,Femiu vëzhgon me kujdes situatën. Ndërkaq nga komanda eprore ka ardhur urdhëri që reparti serb të goditet menjëherë dhe të mos lejohet pozicionimi i tij në atë zonë pasi mund të shërbente për efekte strategjike. Femi Lladrovci si një zbulues i talentuar, afrohet pranë patrullës serbe dhe hap zjarr i pari. Reth 40 minuta vazhdon një shkëmbim zjarri i fuqishëm dhe paskëtaj serbët largohen.`` Të drejtuar nga eprori Femi Lladrovci, trupat e UÇK-së u japin mësim serbve`` thuhet në njoftimin që Shtabi i UÇK-së dërgon në Tiranë. ( Arkivi i Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, Fondi`` Kosova`` 16 qershor 1998) Për hirë së vërtetës, vlen të thuhet se kur grupet e luftëtarëve të UÇK-së u organizuan dhe filluan luftimet me pikësynime të qartë politikë dhe ushtarakë, Beogradi ndërmori një nismë shumë djallëzore. Pikërishtë aty ku ishte hasur qëndresa e UÇK-së, Milosheviçi dhe emisarët e tij të turpit dërgonin forca të mëdha ushtarake dhe mjetë të blinduara duke djegur, shkatërruar e bërë rrafsh fshatra të tërë. Politika dhe strategjia e `` tokës së djegur`` në thelb, përpiqeshin të fusnin në armiqësi popullin kosovar me luftëtarët e UÇK-së.Por në këtë rast dhelpëria serbe nuk fuksionoi siç duhet. Populli i Kosovës e dënoi dhe urreu më shumë dhunën serbe duke u bashkuar rreth luftëtarëve të UÇK-së si e vetmja alternativë për pavarësinë e vet dhe realizimin e aspiratës shekullore të lirisë. Në korrikun e vitit 1998, Beogradi ndërrmori një tjetër ofensivë, në ato vise të Kosovës ku prania e UÇK-së ishte më e dukshme. Madje shtypi i Beogradit nuk nguroi të citonte me cinizëmin e vet karakteristik se brenda dy- tre javëve do të zhdukte edhe të fundit ushtar të UÇK-së. Përballë kësaj mësymje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendosi që djemtë kosovarë të tërhiqeshin duke e goditur armikun në vende të ndryshme si dhe duke marrë në mbrojtje popullsinë e pafajshme. Në krye të Brigadës 114 të UÇK-së, Femi Lladrovci do të përballonte për javë të tëra një varg sulmesh të forcave serbe, duke rrëfyer jo vetëm aftësitë e tij organizuese dhe lufarake, por sidomos besimin e madh në mundjen e bishës sllave.Tashmë breshërisë së automatikut të tij në beteja i përgjigjeshin qindra armë të tjera dhe qindra luftëtarë të UÇK-së shkonin pas komandatit të tyre si shkrepëtima. Altoparlantët e prishur të Beogradit, për kinse zhdukje totale të forcave të UÇK-së, tanimë po heshtnin dita – ditës.Në vjeshtën e parë të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kontrollonte me shumë se 70 përqind të gjithë te territorit të Kosovës, madje luftëtarët e sprovuar të UÇK-së po mirrnin konsiderata të lavdërueshme edhe nga forcat përparimtare ndërkombëtare. Morali i shovinistëve serb po binte dita ditës. Robi serb Shevko Jahiroviq, deklaronte midis të tjerave: `` Për ushtarakët serb që frikësoheshin në aksionet kundër shqiptarëve kishte ndëshkime makabre. Ndërsa për të tjerët që komanda dyshonte u kërkohej si provë besnikërie të sillnin nga fshatrat ku luftohej një kokë e prerë fëmije.`` ( Dëshmia ndodhet në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes – Tiranë.)     Tashmë Femi Lladrovci, në pozicionet e luftimit përkrah qindra luftëtarëve që komandonte, kishte edhe të shoqen, Xhevën. Kishte të drejtë edhe ajo, mësuesja e dikurshme e letërsisë të luftonte përkrah burrit dhe nxënësve të saj, për ardhmërinë e Kosovës. `` Si Shotja me Azemin`` pëshpërisnin luftëtarët me vete, kur shihnin komandatin e tyre të fjalosej me Xhevën. Xhevë Lladrovci do të ishte kurdoherë në radhën e parë të sulmit duke u shdërruar në shëmbull frymëzimi dhe fisnikërie për të gjithë vajzat dhe djemtë mbushnin radhët e Brigadës 114. Pak kohë më vonë , në një intervistë të eprorit të UÇK-së, Sulejman Selimit, ky shprehet tekstualisht:`` Si nderim dua të kujtoj disa nga luftëtarët e parë që janë Adem dhe Hamëz Jashari, Osman Geci, Muj Krasniqi, Femi Lladrovci, Abedin Rexha, Xhevë Krasniqi(Lladrovci) etj…`` ( Gazeta `` Ushtria`` Tiranë në 27 mars 1999).
   Kësisoj për të ardhur në agun e 22 shtatorit 1998. Forcat ushtarake serbe me mijra patën mësyr kundër Drenicës, për të çarë aty vijën e mbrojtjes të UÇK-së. Femi Lladrovci dha kushtrimin i pari. Nga rendën pas tij vajzat dhe djemtë e Drenicës me armë në krah dhe besën e madhe në zemër. Serbët nisën të mësynin me tanke dhe artileri.Detyra e burrave të UÇK-së ishte të mos lejoni depërtimin e armiqve në zemër të Dardanisë së lashtë.`` Dera e rrethimit armik sa vinte dhe ngushtohej. Atëhere kur pritej asgjësimi, doli nga pozicioni komandant Femiu dhe lëshoi kushtrimin me sa fuqi kishte. Kundërsulmi zgjati disa orë ``.``( Gazeta Ushtria`` Tiranë 5 maj 1999. Pikërisht atëhere kur serbët filluan tërheqjen, dikush pa se pozicioni ku ishte komandant Femiu po heshtëte. Ngarendi drejt tij dhe pa gjoksin e komandatit të mbuluar nga plagët e fishekëve të snajperëve serbë. Pranë komandatit patën rënë më përpara edhe dy ushtarë të tjerë dhe ky vet i pat rregulluar në mënyrë që armiku mos t`i gjente trupat e tyre. Kur i dhanë lajmin Xhevës,burrnesha heshti për pak çaste. Nuk besonte ndaj vrapoi tek plagët e ngrohta që rridhnin gjak. Ajo e kuptoi se hutimi mund të kushtonte shtrenjtë ndaj porositi shokët të mos e përhapnin lajmin e vrasjes së Femiut dhe vet u hodh e para në sulm.Janë dashur vetëm dy orë luftimesh të papara, me ç`rast plumbat gjejnë rrugën për në zemër të Xhevës. Kështu mbyllej epopeja e 22 shtatorit 1998 në Drenicë. Në altarin e lavdishëm të kombit zinin vend dy emra të rinj.Dy emra që u kurorizuan në emër të Zotit, por edhe dy emra të mëdhenj që u kronizuan nga kombi që s’di të vdesë, në llavën e madhe të padrejtësive historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat