Cilët kanë punuar më shumë për ne, udhëheqësit komunistë të Titos, 1950-1980 apo udhëheqësit demokratë shqiptarë, 1990-2020?

Opinione

Cilët kanë punuar më shumë për ne, udhëheqësit komunistë të Titos, 1950-1980 apo udhëheqësit demokratë shqiptarë, 1990-2020?

Nga: Sulejman Mehazi Më: 23 shtator 2020 Në ora: 16:54
Sulejman Mehazi

Na tregoni, ju, frajera të politikës shqiptare, cilët kanë punuar më shumë e më mirë për shqiptarët, ata, të ish-jugosllavisë gjatë 30 viteve të politikëbërjes ndaj nesh, 1950 deri më 1980, sa ishte gjallë Tito, apo ju,  gjatë politikës suaj 30 vjeçare, nga 1990-ta e këtej deri më sot, 2020?

-Gjatë periudhës 30 vjeçare shqiptarët e Titos ishin mbi 90% analfabetë, me kalimin e kohës, deri më 1980, 80% jo vetëm që dinin të lexonin, por shumica e shqiptarëve lehtësisht me anë të bursave shtetërore studionin nëpër universitetet e ndryshme të ish-Jugosllavisë: Beograd, Zagreb, Ljublanë, Sarajevë etj., kurse nën udhëheqjen e politikanëve demokratë shqiptarë krijuam analfabetë të shkolluar.

-Gjatë periudhës 30 vjeçare komuniste, në fillim, rrugët e fshatrave shqiptare s'ishin të ndërtuara as për dhi e kuaj, ujësjellës s'kishte as nëpër qytete, e jo më nëpër fshatra, nëpër qytetet shqiptare, natën, dhomat e shtëpiave bënin dritë me qiri dhe vajgurë. Me kalimin e kohës deri më 1980, sllavët e ish-jugosllavisë, nëpër vendet  e banuara me shqiptarë ndërtuan rrugët, ndriçuan dhomat e fshatarëve dhe qytetarëve, kurse udhëheqësit demokratë shqiptarë, jo vetëm që s'kanë ndërtuar rrugë të reja, por më e keqja se i riparojnë rrugët e ndërtuara nga Jugosllavia. Të Titos, ndërtuan shkolla shqipe, demokratët e sotēm lavdërohen me riparimin e të njëjtave shkolla.

Komunistët e Titos ndërtuan shtëpitë e kulturave, bibliotekave, kinemave nëpër vendbanimet urbane shqiptare; politikanët demokratë shqiptarë në këto ndërtime titiste bëjnë kampanjat zgjedhore parlamentare e lokale. Si shembull do ta marrim qytetin e  Tetovës. Kush e ka ndërtuar Qendrën Kulturore, Bibliotekën e qytetit, stadiumin, ku janë dy kinematë e Tetovës, ku është qendra e Tetovës me shadërvanin e bukur në mes?, askund. Ç'u bë me Teleferikun, ku turistët shkonin në Kodrën e Diellit këndshëm me liftë?, kanë humbur nga udhëheqësit demokratë shqiptarë. Ku janë pesë-gjashtë fabrikat ndërtuara për hirë të banorëve shqiptarë të Tetovës nga ish-Jugosllavia e Titos, askund, të gjithë u shitën nga demokratët shqiptarë për asgjë.

Prandaj, për shkak papunësisë popullata tetovare ikë me të madhe në vendet perëndimore.

-Në kohën e ish-Jugosllavisë së Titos familjet shqiptare minimum bënin nga tre e më shumë fëmijë për shkak se ishin të mbrojtura nga shteti, të mbrojtur nga droga, të siguruar nga Ministria e Shëndetësisë, klasat në shkolla ishin të mbushur me përplotë nxënës, çdo familje për fëmijët e vet merrte shtesë fëmijërore; tani familjet tona s'bëjnë më shumë se dy fëmijë për shkak frikës nga varfëria.

Popullata e atëhershme shqiptare e ish-jugosllavise kishte ideale të mëdha kombëtare, kurse tani ideale përçarëse partiake. Thëniet e më larta s'janë elozhe e lavde ndaj ish-shtetit të Titos, kurrë se kemi dashur, por janë argumente të forta krahasuese të udhëheqjes së bujshme 30 vjeçare të Titos  përballë udhëheqjes së zbehtë 30 vjeçare të demokratëve të korruptuar shqiptarë, të cilët çdo gjë  kanë shkatërruar e rrënuar në dëm të popullatës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat