A ka ndonjë shpjegim ambasadori Grenell për dekoratën që i dha Hashim Thaçi?!

Opinione

A ka ndonjë shpjegim ambasadori Grenell për dekoratën që i dha Hashim Thaçi?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 25 shtator 2020 Në ora: 08:00
Richard Grenell dhe Hashim Thaçi

Për shtete serioze dhe me ndikim në botë, si SHBA-të, për vende me traditë dhe model i qeverisjes në planet, si dhe një Fuqi të Madhe si Amerika etika e sjelljes diplomatike është diçka e shenjtë. Por të hënën e shkuar në Prishtinë ndodhi diçka e pazakontë. Shenjtëria etike e diplomacisë amerikane u cënua nga një prej ambasadorëve më të spikatur të saj. Richard Grenell pranoi dekoratën e mirënjohjes nga Hashim Thaçi, i akuzuar zyrtarisht për krimin e vrasjes nga një Gjykatë e themeluar me insistimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë të Hollandës. Madje nga prokurori amerikan i kësaj gjykate, i cili ka marrë besimin e Presidentit Trump!

Ajo ceremoni dekorimi, e cila u organizua në selinë e kryeministrit të Kosovës pas nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi me SHBA-të dhe Serbinë në fushën ekonomike, u duk se më tepër kishte për qëllim t’i takonte miqtë e vjetër, ambasadorin Grenell dhe presidentin nën akuzë, Thaçin, sesa të emociononte të dërguarin e Presidentit Trump për një dekoratë, e cila nuk i vlen asgjë në jetën e tij. Dekorata të tilla prej dorës së përgjakur, sipas akuzës, të Hashim Thaçit i kanë refuzuar jo pak personalitete të  politikës, kulturës, shkencës dhe medieve shqiptare. Por atë nuk e refuzoi diplomati i njohur amerikan, ambasadori Grenell.

Një fenomen i tillë nuk ra në sy aq sa duhej. Mediet ishin porositur thjesht të bënin një lajm të thatë për këtë ngjarje. As komente, as reagime, as hamendësime. Arsyetimi ishte spekullativ: ”Miku nuk trazohet në shtëpinë tënde”! Edhe unë nuk do ta ngacmoja këtë “plagë diplomatike”, nëse zoti Grenell nuk do të ishte argëtuar aq shumë në kryeqytetin, ku janë hartuar dhjetëra e qindra memorandume dhe programe politike, ushtarake e shkencore për zhbërjen e kombit shqiptar në Kosovë e për zhdukjen e racës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.  Argëtim në kryeqytetin serb, prej ku ende burojnë projekte anti-shqiptare, si ai për ndarjen e Kosovës. 

Mbrëmja gala në anijen më luksoze të Serbisë nën zhurmën e valëve të Lumit Danub organizuar nga Vuçiç e Brnabiq për ambasadorin Grenell ishte së paku mesazh i rehabilitimit të plotë të krimeve serbe në Kosovë. Për Grenell dhe mikun e tij nën akuzë për krime, Hashim Thaçin, Serbia nuk ka bërë krime kundër dy milionë shqiptarëve në Kosovë. Ata 15 mijë viktima të pafajshme, fëmijë, gra, burra, pleq dhe të paarmatosur të Milosheviçit, Vuçiçit dhe këngëtarit simpatik Daçiç janë shpikje e propagandës së Clinton, Blair, Schirak, Schroeder e Fischer. Pra janë fantazma, që këta, si dhe Clarck, Olbright, Holbrook, e dhjetëra diplomatë e personalitete të tjera i kanë sajuar “që NATO të ndëshkojë padrejtësisht Serbinë”!  Për Grenell edhe batalioni amerikan që mëri pjesë në luftën e Kosovës kundër ushtrisë e policisë serbe, paska qenë në shërbim të “mbrojtjes së serbëve në Kosovë”! Se nga kush i paskan mbrojtur, këtë duhet dhe mund ta sqarojnë luftëtarët e lirisë së Kosovës!

Në fakt të tillë melodie muzikore nuk e dëgjuam vetëm të martën në mbrëmje në anijen serbe në ujërat e Danubit. E kemi dëgjuar dhe parë që para 22 viteve tek të gjithë kundërshtarët e luftës në Kosovë, në kohën kur ushtarët e policët serbë të Vuçiçit, ministër të informacionit, dhe Daçiçit, zëdhënës të kasapit Milosheviç ,masakronin, përdhunonin, digjnin dhe shkatërronin çdo gjë që kishte identitet shqiptar, ose vrisnin intelektualë e politikanë të linjës paqësore si Fehmi Aganin. Dejavu-ja e kësaj melodie në Beograd e në Danub nuk ngjall besim për vizitën e Grenell në Kosovë. Sapo bëhesh gati të shprehësh pak optimizëm, ai të bën skeptik, pesimist e të pa shpresë. Ky është tipari i të gjitha nismave të ambasadorit Grenell për Kosovën dhe atë që tashmë e kemi emërtuar “Pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë”!

Kjo vizitë dhe nismat pro-serbe të zotit Richard Grenell nuk ngjajnë me vizitat që Richard Holbrook bënte gjatë diplomacisë së tij shtetitëse në Kosovë e në Beograd Grenell na jep ndjesi negative, për të mos thënë ogurzezë për Kosovën. Holbroock jepte shpresë, kishte tharm, ishte buldozer i diplomacisë së paqes së drejtë. Ndërsa Grenell ngjan si e kundërta e tij. Ndaj Thaçi e dekoroi Grenell dhe ky e pranoi dekoratën nga presidenti nën akuzë. Po kjo ndodhi edhe për një arsye tjetër:  -Të dy këta ruajnë nën mëngë asin e risjelljes në diskutim të integritetit territorial të Kosovës. Thjesht presin që Angela Merkel të largohet pas një viti nga skena politike dhe më pas të jenë të lirë ta ndajnë territorin e Kosovës përmes asaj formulës së famshme të presidentit nën akuzë të Kosovës të “shkëmbimit të territoreve”! Nuk ka asnjë kuptim tjetër akti i rehabilitimit të krimeve serbe në Kosovës nga ana e ambasadorit Grenell dhe presidentit Trump dhe përpjekja e tij për ta respektuar një president nën akuzë.

Politikanët e Kosovës e njohin këtë skenar. E dinë se nuk do të kalojë kaq lehtë përmes lehtësive ekonomike pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë. Ata duhet ta ndjejnë se diplomacia e Grenell kërkon t’i vendosë para faktit të kryer. Grenell bëri një provë gjenerale më 4 shtator, kur e detyroi kryeministrin Hoti të heqë dorë aq lehtë nga kërkesa legjitime për ta obliguar Serbinë të njohë shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Pas katër shtatorit sytë na panë një paradë tjetër të injorimit të fatit të Kosovës, kur Grenell pranoi dekoratën e Hashim Thaçit e për më tepër kur u argëtua aq shumë me muzikën e orkestrës serbe në ujërat e Danubit.

Ndoshta kjo është arsyeja pse Albin Kurti e dorëzoi aq lehtë detyrën e kryeministrit në fund të prillit dhe pse prej asaj kohe hesht dhe nuk bën asnjë lëvizje politike. Për të njëjtën arsye hesht edhe Ramush Haradinaj, njeriu që u identifikua si kryeministër me misionin e ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës. Ai i thoshte asokohe (2018) Hashim Thaçit se “Do ta ruajmë Hashim kufirin prej teje”! Por sot po lejon që gradualisht Serbia përmes Richard Grenell të shkojë drejt hedhjes në tavolinë të diskutimit të këtyre kufijve! Nuk po them asgjë për Isa Mustafën, sepse kur thua Isë ke thënë Hashim dhe anasjelltas!

E di se do të ketë plot “patriotë”, “pro-amerikanë” që do t’i kundërshtojnë këto vlerësime në këtë analizë, por jam i vetëdijshëm gjithashtu se duke thënë të vërtetën godet shumë interesa. Për interes njeriu tjetërsohet deri në majmun! Por shenjat janë krejt të dukshme se Kosova do tëmund të bëhet kurban për interesat e Serbisë! Kjo në emër të gatishmërisë së Vuçiç për t’u ankoruar në anijen amerikane. Ndërkohë që dihet se serbët nuk do ta pranojnë kurrë një gjë të tillë. Sapo të jetë ndarë Kosova, Vuçiç do të ndërrojë kursin e politikës serbe drejt Moskës ose do ta humbasë pushtetin dhe Serbia do të rikthehet nën ndikimin dhe influencën ruse. Jam i bindur se këtë e di edhe Grenell. Por pse ai dëshiron të shpërblejë kriminelët serbë në pushtet dhe pse pranon dekorata gjithashtu nga një president nën akuzë për krime, për këtë nuk mund të them gjë, sepse mundet të abuzoj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat