A po na e “merr” Serbia Amerikën?!

Opinione

A po na e “merr” Serbia Amerikën?!

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 26 shtator 2020 Në ora: 17:05
Foto ilustrim

Në njërin ndër vitet më turbulente të Kosovës së pasluftës, mbi supet e brishta të së cilës ranë shumë procese e ngjarje të papritura - zgjedhjet e jashtëzakonshme e pastaj edhe rrëzimi i qeverisë dhe krijimi i një tjetre jo stabile, bisedimet me Serbinë në Bruksel, marrëveshja në Uashington e së fundi Gjykata specilale e Hagës me intensfikimin e punës së saj dhe të gjitha këto në një vit në të cilin si edhe tërë bota po përballet me epideminë COVID-19 me të gjitha pasojat e saj - pyetja më shqetësuese, pas marrëveshjes së Uashingtonit,  megjithatë mbtetet - a po na e "merr" Serbia Amerikën?

Siç është e ditur, Serbia e nënshkroi marrëveshjen në Uashington, pranoi gjëra që duket se e nxjerrin na pozicionimi i saj i deritanishëm gjeopolitik dhe e afrojnë me Perëndimin dhe, së fundi, në harmoni me marrëveshjen e Uashingtonit, në Beograd zbarkoi edhe Korporata amerikane e financave zhvillimore (DFC), duke hapur zyrën e saj, nëpërmjet të cilës, pas marrëveshjeve që u nënshkruan, pritet të financohen projektet insfrastrukturore e të tjera në Kosovë e në Serbi, por edhe më gjerë në rajon.

Në këtë përpiqen të gjejnë mbështetje vërejtjet se mos, duke e shndërruar Beogradin në qendër dominuese regjionale, ShBA po ia kthen shpinën Kosovës,  ndërsa dihet rëndësia e pazëvendësueshme e ShBA-së në luftën e Kosovës, shpalljen e pavarësisë së saj dhe afirmimit të saj në skenën ndërkombëtare e të zhvillimit, procese këto të cilat pa ndihmën e ShBA-së as që do të mund të merreshin me mend.

Nga ana tjetër, nga deklaratat e bujshme pro e kundër kësaj ndërmarrjeje, gati se mbeten të pavërejtura të dhënat themelore se ç'është DFC-ja e si funksionon, si dhe vërejtjet e analistëve më të matur se sa në të vërtetë janë mundësitë reale që këto synime edhe të realizohen.

Siç është bërë e ditur, fjala është për bankë zhvillimore të ShBA-së, kapitali i të cilës është i kompanive private, por prapa të cilit qëndron shteti, pasi që paraprakisht me shtetet në të cilat edhe investohet nënshkruhen marrëveshje, me të cilat këto shtete garantojnë se ato para edhe do t'u kthehen investuesve të tyre. Nga pala serbe është thënë se bëhet fjalë për shumën prej 3,7 miliardësh, ndërsa pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes është infrastruktura, përkatësisht ndërtimi i të ashtuquajturës Autostradë e paqes, nga Nishi deri në Prishtinë, si dhe lidhja hekurudhore përafërsisht po në këto relacione. Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ndërkaq, ka përmendur shumën prej një miliardë dollarësh nga investimet, të cilat do të mund të bëhen në Kosovë.

Por, përkundër pushtetit, i cili e glorifikon marrëveshjen, në Serbi ka pasur edhe mjaft zëra kritikë, gjë që tregon se jo të gjithë e presin me entuziazëm këtë ndërmarrje. Pse njëherë flitej për ndihmë, e tash doli se është kredi; a do të futemi në borxhe të mëdha; pse mu ato projekte prioritare, ndoshta na duhen tjera; pse jo në industrinë përpunuese, e cila gjeneron më shumë vende pune, e pyetje të tjera ngjashme janë shtruar, e të cilat, në një debat më racional, në të vërtetë do të duhej të shtroheshin edhe ndër ne.

Në Kosovën e zhurmshme, ka një palë e cila e mbështet marrëveshjen, por edhe tek e cila vërehet tendenca e monopolizimit të miqësisë me Amerikën dhe shfrytëzimit të saj për përfitime elektorale. Nga ana tjetër kemi zëra të ashpër kritikë të pambështetje, deri sa edhe shprehja "diverisifikim", që ka të bëjë me energjinë, është intepretuar si ndarje, në këtë rast e liqenit të Ujmanit?! Bazë e gjithë këtyre kritikave është që tërë kjo të shihet si paragjykim i marrëveshjes përfundimtare të Kosovës me Serbinë, gjë nuk është e vërtetë.

Nga këto kundërshti, ka mbetur thuaj i pavërejtur edhe një këndvështrim, që realizimin e këtyre projetkteve e bën më real dhe angazhimin amerikan në këtë rajon më të qëndrueshëm e edhe më të dëshiruar, e të cilën e vënë në dukje edhe serbët me orientim properëndimor - se prapa kësaj qëndron interesi politik i ShBA-së që ta dëbojë ndikimin e Rusisë e Kinës në Ballkan. Po ashtu, edhe fakti se këto inestime do të shtonin sigurinë për investime edhe të investuesve të tjerë.

Natyrisht, tashmë i kemi dëgjuar edhe analistët në zë, si Daniel Serwer, të cilën thonë se marrëveshjet kanë rëndësi vetëm për fushatën zgjedhore të presidentit amerikan Donald Trump e të cilat do të harrohen sapo të kenë përfunduar zgjedhjet e nëntorit.

Në një kontekst më të gjerë, ndërkaq, nuk duhet harruar se, jashtë ciklit zgjedhor, mbetet konstantja e politikës Amerikane në Ballkanin Perëndimor - synimi i rregullimit të gjendjes në këtë rajon, në mënyrë që ai të mos jetë burim i përhershëm jostabiliteti e trazirash. Në këtë aspekt, nga Serbia kërkohet që që të largohet nga ndikim i saj rus e kinez, ndërsa paralel me këtë t'i bëjë edhe reformat e nevojshme në harmoni me vlerat perëndimore të demokracisë e të rendit e të ligjit. Të dyja këto duken misione të pamundshme për të, së paku nën pushtetin autokratik e të zhytur në korrupsion të Aleksandar Vuçiqit, sepse në këtë mënyrë rrënohet edhe vetë pushteti i tij.

Kosova, në shikim të parë e ka më lehtë të jetë më më e afërt me Perëndimin  - mjafton që të krijojmë shtet të rendit e të ligjit. Vetëm kështu mund t'i konfirmojmë se synimet tona që t'i përkasim shoqërisë euro-atlantike janë të vërteta dhe vetëm kështu mund ta ngrisim rejtingun tonë në Perëndim e në botë. Gjëra të lehta për t'u thënë, po jo edhe për t'u bërë. Klasa e korruptuar politike, e cila ka degraduar aq keq sa pushtetin ta shohë vetëm si mundësi përfitimi, ka krijuar terren të volitshëm që të depërtojnë interesa të ndryshme gjeopolitke, deri atje sa tashmë ka zëra të cilët haptas dalin kundër rreshtimit perëndimor dhe vlerave evropiane. Pa një fshesë amerikane, spastrimi i këtij llumi shtresuar për shumë vjet as që mund të merret me mend.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat