“Gabim” që Thaçi e Rama nuk u marrin “leje” islamofobëve kur vizitojnë Turqinë

Opinione

“Gabim” që Thaçi e Rama nuk u marrin “leje” islamofobëve kur vizitojnë Turqinë

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 27 shtator 2020 Në ora: 12:54
Skënder S. Kapiti

Presidenti Erdogan është president i Turqisë, i asaj Turqie e cila ka 100 vite që e konsideron Shqipërinë dhe shqiptarët si shtet dhe si popull mik,dhe që u është gjetur shqiptarëve në kohë të vështira prej nje shekulli. Turqia dhe presidenti i saj nuk janë as Greqia që ka ligjin e luftës me Shqipërinë, që ka pretendime për Vorioepirin, që ka gllabëruar Çamërinë shqiptare dhe që synon edhe të grabisë hapësirën detare shqiptare.

Turqia dhe Erdogan nuk janë as Serbia dhe as Presdenti serb të cilët kanë ushtruar dhunë, krim dhe genocid kundër shqiptarëve, që kanë grabitur troje shqiptare, që nuk njohin pavarësinë e Kosovës dhe që përpiqen për ta bllokuar integrimin e Kosovës dhe synojnë ndarjen e coptimin e saj. 

Turqia moderne  është ndër të parat shtete që ka kontribuar në clirimin e Kosovës, që ka ndihmuar ushtarakisht dhe financiarisht ne ngritjen e shtetit modern shqiptar, që punojnë e lobojne më shumë se kushdo pas SHBA-ve  për njohjet ndërkombëtare të Kosovës, që është shteti i parë që ndihmon seriozisht për eliminimin e pasojave të tërmetit në Shqipëri dhe në ndihmën mjeksore kundër koronavirusit. Këto janë disa fakte që i verbojnë islamofobët shqiptarë, të cilët në dëshpërim e sipër mundohen të shpikin e të intrigojnë me fantazira kundër marrëdhënieve shqiptaro-turke.

Kryeministri Rama i Shqipërisë dhe Presdenti Thaçi  nuk janë se ata i kanë këto poste e detyra të larta shtetërore  nga vetevetja, por janë dhe kanë ardhur deri aty nga politika shqiptare dhe janë votuar nga populli dhe nga parlamenti, pavarësisht se është normale që nuk janë të pëlqyeshëm nga shumë e shumë njerëz e ndoshta madje sot janë më pak të besueshëm dhe të pëlqyeshëm, pasi qënia në ato detyra të larta e të vështira ata tashmë edhe janë konsumuar dhe se nuk janë shpëtimtarë dhe as të përjetshëm në politikë e pushtet.

Mirëpo vihet re se sa herë që ata vizitojnë Turqinë ashtu sikurse edhe parardhësit e tyre , ata kritikohen ashpër nga disa individë të cilët nga mllefi dhe urrejtja , nga fanatizmi islamofob dhe turkofob që ata kanë, kalojnë në ekstrem dhe paragjykojnë, parashpifin dhe intrigojnë e sajojnë lloj-lloj fantazish se pse ata takojnë dhe bisedojnë me Presidentin e shtetit të fuqishëm turk ,Erdoganin. Prandaj them se para se Rama e Thaçi si dhe të tjerë para tyre dhe ata që do vijnë në të ardhmen kur ta   vizitojnë Turqinë, duhet më parë që t’u marrin “leje” këtyre turkofobëve serbo-grekofilë, të “parakëshillohen” me ta , dhe se ata duhet edhe t’ua përgatisin agjendën se cfarë duhet të bëjnë, bisedojnë  e të veprojnë në marrëdheniet shqiptaro-turke kryetarët e dy shteteve shqiptare.

Pavarësisht se edhe unë kam rezerva dhe kritika  për Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi, një gjë ta kenë të sigurtë turkofobët shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës se: ata të dy nuk i ka sjellë ne pushtet as Turqia dhe as Erdogani, dhe as kurrë Turqia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet politike në Shqipëri, por ata i ka zgjedhur populli shqiptar; dhe se Turqia dhe shteti turk gjithmonë kane respektuar të gjitha personalitetit shqiptare si Berishën, Nanon, Majkon, Topin, Mejdanin, Metën si edhe Ramën  dhe  Thaçin.

Së dyti as Thaçi dhe as Rama nuk janë kundër integrimit dhe antarësimit të Shqipërisë e të Kosovës në BE, por madje për interesa edhe personale politike e pushteti ata janë personat që dëshirojnë më shumë se kushdo tjetër  hapjen e negociatave, Shqipëria, ashtu si edhe liberalizimin e vizave Kosova , në mënyrë që atyre dyve  t’u faturohet atyre si meritë historike.

Nuk janë Turqia dhe Erdogan ata të cilët i thonë Ramës që t’u japë detin Greqisë, dhe nuk janë Turqia dhe as Erdogan ata të cilët i thonë Kosovës hyr në miniShengen , korigjo kufijë dhe bëje Serbinë hisedare në pasuritë e Kosovës; dhe as nuk janë ata për Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave serbe.

Nuk ishte Turqia ajo e cila u tha politikanëve të Kosovës për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi por ishin europianet ata të cilët bënë presion.

Dhe ajo që i nxjerr zbuluar turkofobët “kritikë” antiThaçi e antiRama për pse Rama e Thaçi shkojnë dhe bëjne marrëveshje me Turqinë ka vetëm një arsye: është urrejtja dhe islamofobizmi i turkofobëve shqiptarë.

Nuk është aspak e vërtetë se Rama eThaçi janë kundër integrimit në BE dhe se me demek janë me Stambollin apo Lindjen, por kjo është në fantazinë e islamofobëve shqiptarë. Kushdo që të jetë në pushtet, për islamofobët është dhe mbetet e urryer cdo marredhenie miqësore, vëllazërore, ekonomike, ushtarake, politike e strategjike me Turqinë, sepse kështu dëshirojnë edhe grekët e serbët dhe turkofobët shqiptar, që shqiptarët të mos kenë miq dhe aleatë besnikë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat